Hapesira e Observatorit dhe Planetariumit në Shtime
Observatori dhe Planetariumi i parë i Kosovës frymëzon një gjeneratë të re vrojtuesish
Deri vitin e kaluar, një parcelë në zemër fshatit Rashincë në komunën e Shtimes, që dikur shfrytëzohej për mbjelljen e misrit, është shndërruar në qendër për entuziastët e astronomisë, duke u bërë e para e këtij lloji në vend.
Kjo qendër e ideuar nga Organizata për Promovimin e Astronomisë në Kosovë, ‘Astronomy Outreach of Kosovo’ (AOK) me financim nga Komuna e Shtimes dhe Ministria e Arsimit, ka kapur imagjinatën e studentëve dhe qytetarëve, duke pritur dhjetëra vizitorë çdo ditë.
Profesori i Fizikës, Milaim Rushiti, i cili dhuroi pronën e tij për projektin, thotë se ishte ëndrra e tij e fëmijërisë të mundësonte diçka të tillë për të rinjtë në Kosovë.
“Nuk i kam konsideruar implikimet materiale; thjesht doja që fëmijët të kenë atë që unë nuk e kisha si i vogël”- tha ai, teksa kujtoi eklipsin diellor të vitit 1999 që e kishte shikuar përmes një xhami të aparatit për saldim.
Rushiti e dhuroi tokën për komunën në emër të Organizatës për Promovimin e Astronomisë në Kosovë.
“Komuna kishte fonde, por nuk mund të investonte në tokë private, kështu që e ofrova tokën në emër të organizatës për ta bërë projektin realitet, ata e pranuan si dhuratë”- shpjegoi ai.
Një vizitë këtu ofron më shumë se vetëm vëzhgimin e yjeve – është një udhëtim në kozmos, me aktivitete si vëzhgimi diellor përmes teleskopëve, punëtori mbi përdorimin e pajisjeve astronomike dhe shfaqje shkencore në planetarium.
Nxënësit, studentët dhe vizitorët e tjerë marrin gjithashtu leksione mbi sistemin diellor dhe mund të shohin dokumentarë në planetarium.
Planetariumi, me një kupolë 9 metra të gjerë, mund të akomodojë deri në 50 persona dhe është i pajisur me sistem audio dhe teknologji projektimi.
“Është vërtet emocionuese të shohësh mahnitjen në fytyrat e fëmijëve kur përjetojnë shfaqjet për herë të parë”- shkroi Klubi për vizitat e fëmijëve në këtë planetarium.
“Kemi qenë shumë të ngarkuar me vizitorë, duke pritur tre ose katër grupe në ditë që kur ka filluar shkolla”- theksoi Rushiti.
“Si student i fizikës, teleskop pashë për herë të parë pas 30 vjetësh kur u hap klubi në vitin 2015”- shtoi ai më tej.
Me një buxhet mbi 300,000 euro nga ministria dhe mbështetje nga prodhuesi amerikan i teleskopëve Celestron e donatorë të tjerë amerikanë, observatori është bërë qendër për shumë njerëz.
Në hapjen e tij, Observatori Astronomik i Kosovës mori shumë donacione nga entuziastë të astronomisë dhe mesazhe urimi nga figura të njohura.
Organizata për Promovimin e Astronomisë në Kosovë u themelua në vitin 2015 nga Pranvera Hyseni, e cila aktualisht po ndjek studimet e doktoratës në Shkencat Planetare në Universitetin e Kalifornisë, Santa Cruz.
Astronauti i Apollo 16, Charlie Duke, një nga pak njerëz që kanë shkelur në Hënë, dërgoi një video-mesazh për hapjen e Observatorit dhe Planetariumit Kombëtar të Kosovës.
“Dëshiroj t’ju uroj gjithë të mirat në Kosovë me Planetariumin dhe Observatorin e ri. Mendoj se ajo që po bëni për të rinjtë është një mundësi e mrekullueshme për ta dhe për ju, dhe ju falënderoj shumë që jepni kohën dhe paratë tuaja për të hapur këtë observator. Do të jetë një bekim i madh për njerëzit në Kosovë”- deklaroi ai, duke shtuar, “ndoshta një ditë do të kemi mundësi të vijmë dhe ta vizitojmë.”
Brian May, kitaristi i grupit Queen dhe një astrofizikant i shquar, gjithashtu dërgoi një mesazh për hapjen e Observatorit dhe Planetariumit Kombëtar të Kosovës.
“Ju drejtohem për t’ju uruar për inaugurimin e observatorit të parë në Kosovë. Astronomia do të triumfojë falë punës suaj të palodhur dhe këmbënguljes suaj gjatë pesë viteve të fundit. Ju uroj një të ardhme të mrekullueshme në astronomi.”
AOK sjell gjithashtu kontribues ndërkombëtarë, si Rodrigo Araya nga Zvicra, i njohur si Rodri van Click, i cili u tërhoq nga entuziazmi i jashtëzakonshëm i Kosovës për shkencën.
“Numri i vajzave të interesuara për shkencën këtu më befason”- tha ai. “Një vajzë më tha një herë, ‘Sigurisht,’ sikur të ishte diçka e vetëkuptueshme.”
Entuziasti zviceran i astronomisë, i cili është kontribues dhe donator për këtë klub, gjithashtu mban ligjërata për studentët vizitorë mbi misionet hënore dhe ato në hapësirë, duke ndarë përvojat e tij personale nga takimet me astronautë ndërkombëtarë.
“Mbaj mend që faqja e Facebook-ut e AOK-ut ishte e mbushur me aktivitete për të promovuar astronominë në shkolla, dhe një mungesë tjetër u shfaq sepse në shkollën time askush nuk shfaqej me një teleskop kështu që po mendoja ‘hej, këta njerëz po bëjnë shumë më shumë se sa ka bërë dikush ndonjëherë”.
Isra Gashi, studente në programin e Fizikës në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, është një nga shumë vajzat që janë pjesë e këtij klubi të astronomisë. Ajo kujton se si filloi interesi i saj në këtë fushë.
“Kushdo prej fëmijëve që arrinte të merrte komandën e televizorit i pari, e vendosja në kanalet Explorer Science dhe shikoja dokumentarë për astronominë.”
Gashi thotë se ishte nëna e saj që e regjistroi në këtë klub gati gjashtë vjet më parë, pasi vuri re interesin e saj për astronominë.
“Familja ime është shumë mbështetëse, ata janë të lumtur që më pëlqen të jem pjesë e këtij klubi”- tha Isra Gashi.
“Mendja ime është gjithmonë e fokusuar te fakti se kozmosi ka shumë më tepër për të ofruar që duhet zbuluar. Është interes që më jep një këndvështrim dhe një dëshirë të pafundme për të mësuar më shumë”- përfundoi ajo.
Një observator tjetër më i thjeshtë ishte rihapur në vitin 2022 në kryeqytet pas 35 vitesh jashtë përdorimit, falë përpjekjeve të Klubit të Astronomisë ‘Astronomy Club Kosova’. Ky observator ishte hapur fillimisht në vitin 1977, por funksionoi vetëm për 10 vite, deri në vitin 1987.
Ky artikull fillimisht është publikuar në Prishtina Insight