Foto: Kallxo.com

Në Teqe, për fat

Qyteti  i Vushtrrisë ka disa monumente dhe objekte historike të cilat e karakterizojnë si qytet antik.

Përpos Kalasë, Urës së Gurit, Hamamit ekziston edhe një tyrbe e cila gjendet në Parkun e Qytetit.

Rreth teqesë njerëzit kishin krijuar një kult.  Ata ndiznin qirinj dhe nga vrimat në dritare hedhin para të metalta me qëllim të gjetjes së fatit, largimit të brengave dhe dukurive negative. Ky rit është zbehur me kalimin e viteve dhe nuk praktikohet.

“Nuk kam dëgjuar për këto rite e as familja ime nuk i ka praktikuar ndonjëherë. Nga pamja e jashtme më duket shumë e frikshme dhe nuk kam informacione për të. Sipas meje duhet me vendos një historik në hyrje të saj”, thotë Dafina, një studente nga Vushtrria.

Në dijeni për këto kulte janë gjenerata më  e moshuar e rajonit.

85 vjeçari Hakif Isufi thotë që nuk i ka bërë ndonjëherë këto veprime veç e di që para shumë vitesh njerëzit kanë besuar që mund të largohen  ligësitë me këto besëtytni.

Foto: Kallxo.com

Ky monument ka rol të rëndësishëm për trashëgiminë kulturore, historike dhe  fetare.

Ajo është nën mbrojtjen e  MKRS-së në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme, në kategorinë arkitektonike si monument ose ansambël. Sipas kësaj liste ansambli daton nga shekulli i njëzetë.

Viti i saktë i ndërtimit të saj nuk dihet por sipas studiuesve mendohet që është 200 vjeçare. Këtë e thonë edhe disa qytetarë të moshuar. Sipas tyre ky objekt ka qenë i rrethuar me varre të cilat janë shkatërruar dhe është ndërtuar parku.

“Sipas të moshuarit, Esat Muhedini në teqe janë varret e komandantëve të mëdhenj dhe hoxha i madh. Në hyrje është Karabashi e në fund kur u ndërtuar teqeja, Mehmet Begun,  gruaja e tij e kishte varrosur brenda pasi që kishte qenë i varrosur jashtë teqes”, shkruan studiuesi Hilmi Saraçi.

“Në hapësirën për rreth tyrbes dikur kishte varre shqiptare. Këto varre pushteti serb i kishte rrafshuar për toke, për të ndërtuar parkun që gjendet tani” tregon publicisti.

Imami  i Xhamisë së Çarshisë, Mulla Bedri Halili thotë se ky objekt fetar është ngritur  pas hyrjes së Perandorisë Osmane në Vushtrri.

Në vitin 2000 me iniciativën e imamit dhe financimin e Emirateve të Bashkuara Arabe tyrbja u rinovua së bashku më parkun në të cilin gjendet.

Që nga ky renovim për ansamblin përkujdeset Halil Hajdini,  vullnetar nga Smrekonica. Ai ka marrur iniciativën që të kujdeset vet për objektin që mos të dëmtohet nga qytetarët.

Në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtjen Përkohshme monumenti ka qenë nën mbrojtje nga 10 tetori 2018 deri me 10 tetor 2019.

Ky park u rregullua në vitin 2019 nga KFOR-i turk në Kosovë, Komuna e Vushtrrisë dhe Drejtoria e Urbanizmit. Ata kanë realizuar projektin për këndin e lojërave për fëmijë, ulëseve e reja, ndriçimin, mbjelljen e drunjëve dekorativë dhe shportave.

Teqeja është objekt fetar për klerikët dhe për ceremonitë fetare të një tarikati apo manastir i dervishëve.