Zjarrëfikësit FOTO- Atdhe Mulla

Ndërmjet dy zjarreve 

Zjarrfikësit e Kosovës thonë se po punojnë në kushte shumë të vështira, përballë rreziqeve me pajisje të vjetruara të sigurisë, përcjellur me rroga të vogla, me paqartësi mbi përgjegjësinë institucionale dhe me mungesë të mbulimit të sigurimeve shëndetësore.

Pas tërmetit vdekjeprurës që goditi Shqipërinë në muajin nëntor të vitit 2019, ekipet e shpëtimit të përbërë nga zjarrfikës nga i gjithë rajoni u përgëzan për rolin e tyre në shpëtimin e jetës së shumë prej njerëzve të bllokuar nën rrënojat e shkaktuara nga katastrofa.

Por, përderisa kontributi i zjarrfikësve kosovarë në përpjekjet e tyre të shpëtimit jashtë vendit u vlerësua në aspekt të aftësive të tyre, kushtet me të cilat ata përballën në Kosovë shumë shpesh i bëjnë ata të hasin në vështirësi gjatë kryerjes së detyrave të tyre.

Anëtarët e shërbimit të zjarrfikësve duhet të jenë në gatishmëri t’i përgjigjen menjëherë zjarreve dhe katastrofave të tjera që kërcënojnë vendin, por shumë prej tyre e bëjnë këtë edhe përkundër pagave të ulëta që marrin, pajisjeve të vjetruara dhe mungesës së sigurimit shëndetësor.

Vesel Berisha është njëri ndër 85 zjarrfikësit të cilët punojnë në Prishtinë, dhe njëri ndër 787 zjarrfikësit në të gjithë vendin.

Ai ka punuar si zjarrfikës për më shumë se një dekadë, megjithatë, gjatë këtyre ditëve pakënaqësia e tij për kushtet e rënda të punës me të cilat ai dhe kolegët e tij përballen dhe i rezistojnë, fillon me stacionin e zjarrfikëvse, madje edhe para se të dalë jashtë në terren për tu përballuar me rreziqet reale të ditës si pjesë e punës së tij.

“Kur ja nis me ra shi, kulmi fillon me rrjedh edhe k’tu bahet si lum,” thotë ai, duke treguar dëmet e shkaktuara nga shiu në stacionin qendror të zjarrifikësve të Prishtinës në lagjen Emshir.

Një ankesë tjetër e madhe e Veselit ka të bëjë me pajisjet e sigurisë, përfshirë uniformat. Asociacioni Kombëtar i Mbrojtjes nga Zjarri rekomandon, maksimalisht, një shërbim10-vjeçar kohëzgjatjeje për të gjitha llojet e veshjeve mbrojtëse, afat ky i cili, sipas Veselit, ka skaduar  tashmë për shumicën e uniformave të përdorura nga ai dhe kolegët e tij.

“Neve na mungojnë uniformat, pasi këto uniforma kanë skadu dy vjet më heret,” thotë ai. “Na punojna me ato që i kena. N’krahasim me vendet e tjera, na jemi në pikën zerro”.

Mungesa e pajisjeve në shërbimin e zjarrfikësve ka një histori më shumë se njëdekadëshe të gjatë. Sipas një raporti të OSBE-së në Prill të vitit 2008, vetëm dy muaj pasi Kosova shpalli pavarësinë, çështjet në lidhje me pajisjet ishin në krye të listes së mospajtimeve për zjarrfikësit kosovarë. Ndërkohë që ka pasur një rritje të vogël të personelit që nga viti 2008, me 64 zjarrfikës shtesë të punësuar aktualisht, gjërat nuk kanë ndryshuar edhe aq shumë sa i përket pajisjeve.

“Me t’thanë t’vërtetën na mungojnë plot pjesë të pajisjeve,” thotë Ali Haziri, i cili ka punuar si zjarrfikës për 16 vitet e fundit. “N’fund të ditës, na mujna me ba punen tone edhe pa i pasë disa prej tyne, por jo edhe pa uniforma. Unë nuk muj me hy n’flakë me ni uniformë t’vjetër dhe me e rrezikue jeten tem. “

Për zjarrfikësit që pësojnë lëndime, pasojat mund të jenë financiarisht të shtrenjta, por edhe fizikisht për shkak të mungesës së sigurimit shëndetësor. “Kur lëndohen në vend t’punës, zjarrfikësit tanë duhet me i mbulue vetë shpenzimet e tyne për trajtim mjekësor, sepse asni institucion nuk ofron ndihmë,” sqaron për Prishtina Insight, Muharrem Beka, kreu i Sindikatës së Zjarrfikësve.

Mungesa e sigurimit shëndetësor është veçanërisht me shumë rëndësi nëse marrim parasysh natyrën e plakjes së profesionit, me mesataren e moshën për zjarrfikësit në Kosovë që aktualisht është 48 vjeç.

Një çështje tjetër është arritja tek lokacioni i zjarreve. Janë 220 automjete që janë në përdorim nga zjarrfikësit, por, sipas Agjencisë për Menaxhim të Emergjencave, 21 prej tyre janë të papërdorshme, disa tepër të vjetra dhe disa kanë nevojë për riparim. Trafiku, po ashtu, paraqet një pengesë të madhe, dhe zjarrfikësit e mirëkuptojnë faktin kur qytetarët janë të irrituar për shkak të reagimit të tyre me vonesë, veçanërisht në Prishtinë.

“Trafiku osht ni problem i madh, veçanarisht n’mëngjes osht kaos i madh,” thotë Veseli, duke shpjeguar se ka pasur raste kur automjetet e zjarrfiksëve nuk ishin në gjendje të futeshin në lagje të caktuara për shkak të rrugëve të ngushta, parkimit të keq të automjeteve tjera si dhe madhësisë së automjeteve të zjarrfikësve. “Kaniherë m’duhet me ju kërku falje qytetarve që nuk po kemi mundësi me iu dalë në ndihmë për shkak të trafikut.”

Paqartësi në lidhje me përgjegjësinë institucionale

Përkundër problemeve të shumta, Veseli beson se puna e tyre kërkon reagim, edhe kur përballet me këtë mungesë të kushteve të rënda. “Na nuk mujna me i thanë jo ni flake, apo ni ndërhyrjeje,” thotë ai. “Ne kena me u përballë me qato që i kena.”

Vitin e kaluar, shërbimi i zjarrfikësve u përball me 9.156 zjarre dhe u angazhua në afro 1.500 operacione të tjera, përfshirë edhe evakuimet. Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave tha për Prishtina Insight se ka edhe 36 raste ku përfshihen lëndime të rënda në të cilat janë përgjigjur zjarrfikësit.

Veseli thotë se është bërë gjithashtu monotone të përsëriten të njëjtat kërkesa për përmirësim të kushteve, por një çështje tjetër është se nuk është e qartë se ku mund të adresohen kërkesa të tilla.

Sipas Ligjit për zjarrfikje dhe shpëtim, zjarrfikësit janë punonjës të Ministrisë së Punëve të Brendshme, MPB, por pagat e tyre sigurohen nga komunat, duke krijuar paqartësi se kush saktësisht është përgjegjës për zjarrfikësit e Kosovës, qeverisja lokale apo ajo qendrore.

“Pa kompetenca të qarta t’menaxhimit, ne nuk e dina a jemi punonjës t’komunës apo t’ministrisë, edhe kerkush nuk merr përgjegjësi,” thotë Muharremi.

Në përgjigje për BIRN, MPB nuk ishte në gjendje të sigurojë një datë se kur do të bëhet një zgjidhje për statusin e zjarrfikësve, porse deklaroi se zjarrfikësit do të vazhdojnë ti marrin pagat e tyre nga komunat.

“Diskriminim dhe denigrim”

Zjarrfikësit protestuan dy herë në vitin 2018, në mujjt korrik dhe nëntor, kundër padrejtësive të shumta që dihen tashmë, përfshirë statusin e tyre juridik, kushtet e punës dhe pagat.

Paga mesatare e një zjarrfikësi është 400 euro në muaj në varësi të përvojës, që është më e ulët se një pagë mesatare që paguhet nga shteti, e cila është 520 euro në muaj – që ka vlerën – përafërsisht –  e një page mesatare të një pjesëtari të Policisë së Kosovës.

Ankesat për pagat u ndërlikuan kohët e fundit pasi një ligj i hartuar për rritje pagash për punonjësit e sektorit publik nga fillimi i vitit 2020, duke përfshirë nivelizimin e pagës ndërmjet zjarrfikësve dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, u pezullua nga Gjykata Kushtetuese.

Kreu i Sindikatës, Muharrem Beka, kritikoi vendimin e Qeverisë së Kosovës të marrur në tetor të vitit 2018, kur vendosi të paguante pjesëtarët e Policisë së Kosovës për orët shtesë (jashtë orarit), por e njëjta praktikë nuk u ndoq edhe për zjarrfikësit.

“Pse jemi diskriminu k’shtu për kaq shumë vjet?”, pyet ai. “Ndrrimet e natës, pushimet dhe orët shtesë nuk na janë kompensu qysh prej luftës. Ky është diskriminim dhe denigrim. “

Muharremi shton se nuk ka mbetë asnjë derë tjetër në të cilën sindikata nuk ka trokitur gjatë dy dekadave të fundit për të rritur ndërgjegjësimin për kushtet e tyre, mirëpo këto dyer mbetën të mbyllura nga institucionet.

Për kolegun e Muharremit, zjarrfikësin Ali Haziri, protestat dhe hapat e tjerë radikalë nuk duhet të përjashtohen si një mjet për të kërkuar përmirësimin e kushteve të tyre të punës. “Edhe greva, pse jo?”, shton ai.