Miniera të pasura nga brenda, të varfra nga jashtë 

Të konsideruara disa nga pasuritë më të mëdha natyrore në Kosovë, minierat në Kosovë nuk konsiderohen vendet më të lehta dhe të sigurta të punës. Shumë minatorë të kontraktuar për të nxjerrë mineralet e vlefshme, përballen me sfida të përditshme me kushte të punës dhe me pasigurinë e vazhdueshme për jetën.

Atmosferë të zymtë vazhdon të mbizotërojë në Minierën e Artanës, ku gati një muaj më parë një pjesë e minierës u shemb për të lënë të vdekur një minator dhe një inxhinier.

Kjo do ta shënonte vdekjen e tretë nëpër minierat e Kosovës, pasi në fillim të vitit, një minator vdiq në minierën e Trepçës në Zveçan.

Vdekjet në Minierën e Artanës nuk e ndalën punën e minatorëve të tjerë.

Minatori Florim Lakna i cili prej 10 vitesh punon në minierën e Artanës tha për ‪KALLXO.com‬ se puna po vazhdon me frikë.

“I kemi pajisjet po kemi edhe probleme që i rregullojmë vet, ama ka pak frikë”, shtoi ai.

Pak kilometra larg nga kryeqyteti ndodhet miniera me flotacion në Kishnicë që cila shërben për akumulimin, pastrimin, thyerjen e mineraleve dhe Miniera e Artanës si burim i pasurive nëntokësore.

Miniera e Artanës

Drejtori i të dy minierave, Selim Frangu tregon se momentalisht  është aktive vetëm miniera në Artanë.

Miniera në Kishnicë që nga paslufta nuk është më funksionale sepse vendburimet janë të zhytura në ujë, aty punohet vetëm në kuadër të flotacionit. Kurse në Artanë bëhet nxjerrja e mineraleve të nëntokës.

“Pas vitit 1999, funksionale është vetëm miniera e Artanës e cila me prodhim ka filluar që nga viti 2007. Të gjitha vendburimet në Kishnicë janë të zhytura në ujë”, theksoi drejtori.

Flotacioni në Kishnicë

Frangu, shtoi se janë gjithsej 283 punëtorë të cilët punojnë në nxjerrjen dhe grumbullimin e zinkut dhe plumbit derisa për planifikim vjetor kanë nxjerrjen e 49 000 tonëve minerale nëntokësore.

Tutje, i pari i minierave tha që në vazhdimësi tentohet të sigurohen pajisje mbrojtëse, mirëpo nuk varet nga ta problemi i furnizimit.

“Ju kujtoj se ligjet e prokurimit janë të tilla që na paraqesin telashe me furnizime me kohë e  edhe më shumë telashe paraqet se  ky organ i prokurimit vepron në Mitrovicë dhe distanca dihet çfarë paraqet” theksoi Frangu.

Lidhur me incidentin e 2 qershorit në minierën e Artanës ku vdiqën dy minatorë Frangu tha se masat e sigurisë përcillen në vazhdimësi, mirëpo rasti i fundit i ka bërë të jenë më të vëmendshëm.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur i Minierave me Flotacion Kishnicë dhe Artanë, Blerim Ymeri ka thënë për ‪KALLXO.com‬ se puna në minierë zhvillohet në kushte jo shumë të mira të punës dhe se punëtorët përballen edhe me mungesë të pajisjeve mbrojtëse dhe të furnizimit të ushqimit në menzë.

“Kushte jo të mira për punë as në aspektin e sigurisë as kushte tjera në përgjithësi duke përfshirë edhe rrobat çizmet e të gjitha pajisjet për punë nuk janë kualitative edhe më e keqja është që as menzën qe disa muaj nuk e kemi ne funksion”, tha Ymeri.

Ndër të tjera ai shtoi se ndonëse kanë marrë premtime boshe në vazhdimësi  nga institucionet përkatëse për kushte më të mira pune dhe pajisje mbrojtëse.

“Çdo takim me secilin ministër ose qeveri e borde na kanë dhënë premtime për kushte ma të mira, për siguri e për ligj te posaçëm për minator duke i përfshirë edhe skemat sociale po kurrë nuk janë realizuar, kanë qenë vetëm premtime”, theksoi kryetari i sindikatës.

Kreu i sindikatës thotë se rasti i fundit i vdekjes së minatorëve e ka ulur vullnetin e minatorëve për punë, mirëpo duke qenë se miniera është burimi i vetëm i financimit puna nuk është ndalur pavarësisht rrethanave.

“Frika është e madhe, disponimi edhe vullneti për punë ka rënë shumë po minatorët janë një pjesë prej tyre e moshuar edhe janë shumica kryefamiljar qe mbajnë familje prandaj miniera është i vetmi burim financiar prandaj edhe detyrohen me punu pavarësisht rrethanave dhe kushteve”, theksoi Ymeri.

Që nga gjigandi  “Trepça” deri te minierat e flotacionet më të vogla nëpër territorin e Kosovës, janë vende ku janë shënuar incidente me fatalitet.

Fatmir Gerguri kryeinspektor i minierave në Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) theksoi se është rritur numri i aksidenteve me fatalitet në minierat nëntokësore.

“Në vitin 2020 i kemi tri raste te aksidenteve me fatalitet në minierat nëntokësore, e që nuk kemi pasur që nga 2012”, tha Gerguri.

Gërguri tha se në rast nevoje përgjegjësit duhet të kenë nën kontroll punëtorinë.

“Minierat nëntokësore por edhe ato sipërfaqësore kanë të organizuar shërbimin e mbrojtjes në punë, e cila njësi është e kompletuar që nga udhëheqësi i saj-Inxhinier i diplomuar i Xehetarisë. Si shërbim i mbrojtjes në punë është i obliguar që në çdo rast të ketë në kontroll dhe të kontrolluar mjedisin punues”, tha ai.

Tutje Gerguri tha se rrethanat e ndodhjes së aksidentit janë duke u hetuar nga Komisioni Profesional i ngritur nga KPMM për këtë rast.

Në gjashtë mujorin e parë të vitit 2020 kanë ndodhur tri raste të aksidenteve që kanë përfunduar me fatalitet në minierat nëntokësore.

Ndërkaq në vitin 2019 kanë ndodhur tri aksidente që kanë përfunduar me fatalitet. Me lëndime të rënda janë gjithsej gjashtë raste kurse me lëndime të lehta 83 raste.