Varr masiv në minierën Kizevak, Rashkë. Foto: Marko Risovic

Miniera serbe nxjerr në dritë sekretin e errët nga lufta e Kosovës

Muajin e kaluar nisi zhvarrosja e një varri të pestë masiv të gjetur në Serbi dhe besohet se përmban eshtrat e shqiptarëve etnikë të vrarë në luftën e Kosovës 1998-1999.

Rreth 250 kilometra në jug të Beogradit, jo shumë larg kufirit midis Serbisë dhe Kosovës është një minierë e hapur, e quajtur Kizevak, pjesë e minierës Suva Ruda, raporton BalkanInsight.

Nuk ka asnjë tabelë rrugore që tregon minierën, e cila është e rrethuar nga pyje dhe fusha. As ka shumë shtëpi gjatë rrugës. Por Kizevaku aktualisht gumëzhin nga lëvizja.

Më shumë se dy dekada që nga lufta e Kosovës 1998-1999, miniera muajin e kaluar zbuloi një tjetër sekret të tmerrshëm të konfliktit, kur hetuesit zbuluan eshtrat e atyre që është pothuajse e sigurt se janë shqiptarë të Kosovës të vrarë nga forcat serbe dhe të hedhur në një varr masiv për të fshehur provat e krimeve të luftës. Tani, policia ka siguruar vendin dhe ekspertë vendas dhe të huaj po inspektojnë zonën.

Ky është varri i pestë masiv i gjetur në Serbi që nga rënia e Sllobodan Millosheviçit në 2000, pak më shumë se një vit pasi bombardimet e NATO-s e detyruan atë të tërhiqej nga Kosova pas një lufte brutale kundër kryengritjes. Eshtrat e më shumë se 900 shqiptarëve të Kosovës janë gjetur deri më tani, megjithatë, askush në Serbi nuk është mbajtur përgjegjës për atë që ishte një përpjekje sistematike për të fshehur provat e krimeve të luftës.

Procesi i zhvarrosjes së eshtrave filloi më 30 nëntor, duke shënuar kulmin e pesë viteve hulumtim të bazuar në dëshmitë e dëshmitarëve dhe pamjet ajrore.

Përfaqësues të Serbisë, Kosovës dhe një sërë organesh ndërkombëtare vizituan vendin të premten. “Këtu janë gërmuar rreth 240 metra kub gur”, tha Veljko Odaloviç, kreu i Komisionit të Serbisë për Personat e Zhdukur.

“Në javët e ardhshme, pas punës së përbashkët të ekipit mjeko-ligjor, më shumë familje do të jenë në gjendje të mbyllin një kapitull shumë të errët në jetën e tyre”, tha Fabien Bourdier, president i Grupit të Punës për Personat e Zhdukur në Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, ICRC.

Varr masiv në minierën Kizevak, Rashkë. Foto: Marko Risovic

Imazhet ajrore mundësuan zbulimin

Rreth 1,640 persona janë ende të klasifikuar si të zhdukur nga lufta e Kosovës, mes tyre më shumë se 1,100 shqiptarë të Kosovës.

Kërkimi për trupa në Kizevak daton që nga viti 2015. Detyra është bërë më e vështirë nga fakti që vendi ishte ende në përdorim për disa vjet pas luftës.

“Gjetja e eshtrave në varre masive ose klandestine është një procedurë komplekse dhe shkalla e punës mund të ndryshojë ndjeshëm në varësi të vendndodhjes dhe informacionit të disponueshëm”, tha Matthew Holliday, kreu i Programit të Ballkanit Perëndimor në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, ICMP, i cili monitoroi gërmimin fillestar të vendit.

Krassimir Nikolov, koordinator për zhvarrosjen në misionin e sundimit të ligjit të Bashkimit Europian në Kosovë, EULEX, tha se ndërsa dëshmitarët ishin në gjendje të përshkruanin me hollësi vendndodhjen, “ata nuk ishin në gjendje ta dallonin atë terren sepse peizazhi i vendit kishte ndryshuar në mënyrë drastike”.

“Prandaj, ishte e pamundur të identifikohej vendndodhja e saktë bazuar vetëm në dëshmitë e dëshmitarëve”, tha Nikolov për BIRN.

Arkeologu mjeko-ligjor i EULEX-it, Javier Santana, tha se përdorimi i vazhdueshëm i vendit pas luftës kishte sjellë “ndryshime drastike në peizazh” dhe vetëm deklaratat e dëshmitarëve nuk ishin të mjaftueshme për të përcaktuar se në cilin nga katër ose pesë nivele të ndryshme të minierës ishin varrosur eshtrat.

“Zbulimi”, tha Nikolov, erdhi në fund të vitit të kaluar kur EULEX arriti të krahasonte imazhet ajrore të minierës së hapur nga viti 1999, 2002 dhe 2020.

“Pas një analize të hollësishme, ne identifikuam ndryshimet në peizazh dhe ngushtuam zonën e interesit”, tha Nikolov. Santana i tha BIRN: “Imazhet ajrore na treguan saktësisht në cilat nivele janë eshtrat dhe se sa thellë duhet të gërmojmë.”

Pranë një tjetër varri masiv

Varr masiv në minierën Kizevak, Rashkë. Foto: Marko Risovic

Kizevaku është pjesë e ish-minierës të zinkut Suva Ruda në pronësi të shtetit, pranë Rashkës. Në vitin 2007, miniera iu shit një kompanie në pronësi të biznesmenit të njohur serb Miroslav Bogiceviç, i cili tha se e ndaloi punën në Kizevak përpara se të fillonte investigimi i vendit.

“Ne po gërgmonim. Gjetëm një xeheror dhe po e përpunonim atë”, tha Bogicevic për BIRN. “Nuk kishte asgjë që tregonte se diçka e tillë mund të ndodhte.”

Pronari i MB Farmakom Concern, Bogiceviç u arrestua në vitin 2014 nën dyshimin për mashtrim bankar. Ai tha se pezulloi punën në Kizevak “për shkak të gjithë kësaj situate rreth meje, rreth Farmakom, të gjitha këtyre gjërave. Kam pasur një milion probleme që kur u arrestova.”

Në shkurt të këtij viti, Komisioni serb për Personat e Zhdukur organizoi një vizitë të përbashkët në vend, dhe midis shkurtit dhe marsit u hoq një shtresë e sipërme prej rreth tre deri në pesë metra, tha Nikolov për BIRN.

Pandemia e COVID-19 e ngadalësoi punën, por në nëntor ekipi i EULEX u ftua të kthehej në vend “për shkak të afërsisë së dyshuar me nivelin që mund të përmbajë eshtrat njerëzore”, tha ai. Disa nga ato eshtra u gjetën më 16 nëntor.

Gjykata e Lartë në Beograd ka krijuar një komision gjyqësor ekspertësh të përbërë nga pesë anëtarë për të punuar mbi këtë çështje, ndërsa përfaqësuesit e Kosovës, EULEX-it, ICMP-së dhe ICRC-së do të jenë gjithashtu të pranishëm në terren.

Zyra e prokurorit serbë për krimet e luftës gjithashtu ka filluar një hetim paraprak dhe po pret analizën eksperte të eshtrave dhe të çdo materiali tjetër të fjetur në vend.

Kizevaku është afër gurores së Rudnicës ku u gjet një varr masiv në 2013 që përmbante eshtrat e 52 personave, të gjithë shqiptarë të Kosovës. Zyra e prokurorit tha se po hetonte edhe Rudnicën, por nuk ishte në gjendje të jepte ndonjë detaj.

Në vitin 2014, Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë dënoi ish-zyrtarin e lartë të policisë serbe Vlastimir Djordjeviç me 18 vjet burg pjesërisht për rolin e tij në fshehjen e trupave të shqiptarëve etnikë të vrarë në Kosovë, por askush nuk është mbajtur përgjegjës në Serbi.