Memoriali në fshatin Korishë - Prizren

Memorial i Martirëve në Korishë në gjendje të mjerë  - FOTO

Lulet janë tharë, flamujt janë grisur, ndërsa ato pak pllaka që mbulojnë gjysmën e rrugës përmes memorialit lëvizin kur këmba shkel mbi to.

“Me kujtime të shumta nga populli”, shkruan në pllakën që mban emrat e 77 martirëve të vrarë nga bombardimet e NATO-së që u përdorën si mburojë nga forcat serbe, si dhe emrat e 11 dëshmorëve të vrave në fshatin Korishë gjatë viteve të luftës.

 

Në hyrje qëndrojnë dy flamuj që edhe ngjyra u ka humbur, e që presin të zëvendësohen me flamuj të rinj tash kur po afron 13 maji.

 

Në vitin 2011 kishte filluar ndërtimi i “Kompleksit Memorial të Martirëve në Korishë”, mbi 200 mijë euro janë dhënë në dy tenderë, por punimet asnjëherë nuk janë përfunduar.

Në vitin 2011, 145 mijë euro u dhanë për ndërtuar Memorialin e Martirëve, mirëpo punimet nuk u përfunduan.

Përsëri në tetor të vitit 2016 nën qeverisjen e Ramadan Mujës, janë kryer pagesa në shumën prej 47 mijë eurove, për të mbetur në gjendjen aktuale ku është, e që nga ajo kohë dëmet vazhdojnë të rriten si pasojë e moskujdesit nga askush.

“Mu po më vjen turp me hy këtu”, thotë Faim Kabashi, banor i fshatit Korishë, duke shprehur mërzinë e tij për gjendjen e memorialit.

Faim Kabashi arsimtar i pensionuar, ngadalë dhe me durim tregon për dëshpërimin që kanë banorët e Korishës për memorialin e dëmtuar dhe të papërfunduar.

 

Rruga e shtruar e mbetur në gjysmë, rrejti i ndriçimit i ekspozuar, kubëzat e dëmtuara dhe të pavendosura, objekte të papërfunduara, janë të gjitha këto punime të filluara e asnjëherë të përfunduara.

 

 

Si pasojë e moskujdesit ndër vite, edhe ato punime të përfunduara janë dëmtuar.

Një objekt i thatë qëndron në anën e djathtë të hyrjes, ku mendohej të jetë një muze në të cilin do të do të ekspozoheshin fotografi dhe libra për ngjarjen tragjike.

 

“Shumë papërgjegjësi e plotë prej tyne”, iu referohet Kabashi institucioneve të Komunës së Prizrenit, por edhe atyre qendrore për neglizhencën e treguar.

I njëjti tregon se kryetari i komunës Mytaher Haskuka, në vizitën e tij të fundit kishte premtuar se njëherë e përgjithmonë do të rregulloheshin dhe do të përfundonin punimet e nisura shumë vite më parë.

“Ai kryetari Mytaheri, boll na ka pas premtuar edhe në fushatë edhe kur ke në vizitë në përvjetorin e fundit“, vazhdon të rrëfimin Feim Kabashi për premtimet e thata nga përgjegjësit institucional.

“Po hala kurgja s’ka, qe po vjen prapë përvjetori edhe kurgja kurrkush“, i dëshpëruar rrëfen Feim Kabashi.

Në vitet e mëhershme edhe banorët e fshatit Korishë kishin kontribuar financiarisht për të ndihmuar përfundimin e punimeve.

“Tash kur të vjen dita edhe familjarët vijnë këtu me i përkujtu viktimat, është marre kështu me ardhë familjarët e me i përkujtu martirët në këto kushte“, përfundon Feim Kabashi.

Drejtori i Administratës në Komunën e Prizrenit, Osman Hajdari, për KALLXO.com tha se deri më sot nga qeverisja e kaluar janë dhënë dy tenderë për fillimin dhe përfundimin e punimeve në këtë memorial.

“Vlera totale e këtyre dy tenderëve ka qenë në shumën rreth 200 mijë euro”, tha drejtori Osman Hajdari.

Sipas tij ky projekt është filluar dhe asnjëherë i përfunduar siç duhet.

“Drejtoria e Administratës e ka një projekt konkret për këtë memorial, është formuar një komision i veçantë dhe po e verifikon gjendjen në teren“, sqaron Hajdari, i cili thotë se duhet një projekt i ri për të finalizuar punën.

Sipas tij, projekti është në fazën e hartimit, dhe fundi i muajit shkurt apo fillimi i muajit mars pritet që komisioni që po verifikon gjendjen të del me një raport për të konstatuar se si të vazhdohet tutje me punimet.

“E gjithë puna do të jetë në bazë të projektit themeltar, pra mbi bazën e asaj që tashmë është filluar dhe është aty, do të vazhdon edhe projekti i ri për të përfunduar punimet, por jo për të filluar një projekt të ri nga zero”, tha ai.

13 maji është data kur këtu mblidhen familjarët e të vrarëve dhe kujtojnë të afërmit e tyre.

Deri në atë datë komuna e Prizrenit planifikon që të përfundojë projektin nëse arrijnë të përfundojnë të gjitha procedurat administrative.

Fillimisht pritet votimi i buxhetit në Parlamentin e Kosovës, që komuna e Prizrenit të fillon me implementimin e projekteve, e pastaj Drejtoria e Administratës planifikon të shpenzojë edhe 50 mijë euro për të përfunduar memorialin e nisur para 10 viteve.

“Do të mundohemi maksimalisht që deri me datë 13 maj t`i përfundojmë të gjitha punimet, do të jetë e vështirë por këtë vit jemi të bindur që do të realizohet i gjithë projekti dhe ky memorial do të merr formën dhe pamjen që e meriton”, përfundon drejtori Osman Hajdari.

Pak metra më larg memorialit të martirëve është vend ku ka ndodhur ngjarja tragjike.

Sot 20 vjet pas gjithë tragjedisë, vendi ku ka ndodhur bombardimi është i boshatisur por askush nuk dëshiron ta blejë atë pronë ose ta marrë me qira. Kjo sepse banorët e Korishës këtë tokë e konsiderojnë të ‘larë me gjak’.

Banorët tregojnë se pas ngjarje së ndodhur, është menduar që të largohen kufomat, ndërsa traktori dhe të gjitha sendet tjera të jenë në vendin e tyre origjinal, e kjo hapësirë të ndërtohej me xhama, por pronari i tokës sipas banorëve nuk ka pranuar.

 

Pos memorialit, në qendër të fshatit Korishë është një përmendore e ngritur në nderim të martirëve të vrarë me datë 13 maj.