Foto nga video e postuar nga Zhivkoviq në You Tube

Luftëtari serb në Ukrainë i kërkon Vuçiqit leje ta formojë grupin për 'mbrojtjen e Kosovës'

Bratislav Zhivkoviq nuk i ka fshehur lidhjet e tij me separatistët e mbështetur nga Rusia në Ukrainën lindore, por prokurorët në Serbi kanë hedhur poshtë një hetim kundër tij.

Një nacionalist serb i shquar është kthyer në zonën e luftës në Donbass të Ukrainës lindore pasi prokurorët në Serbi kanë hedhur poshtë një hetim mbi rolin e tij të supozuar në rekrutimin e luftëtarëve serbë për luftën pesëvjeçare, duke ngritur pyetje rreth gatishmërisë së Serbisë për të shtypur këtë praktikë.

Në një intervistë elektronike me BIRN, Bratislav Zhivkoviq, 43 vjeç, konfirmoi se ai ishte kthyer në Ukrainën lindore, ku Rusia nxiti një rebelim separatist në vitin 2014 pas përmbysjes popullore të presidentit të atëhershëm pro-rus të Ukrainës.

Dhjetëra serbë janë bashkuar në luftë në anën e rebelëve pro-rusë, disa të tërhequr nga një besim i përbashkët ortodoks dhe respekt për Rusinë, të tjerë nga shpërblimet potenciale financiare.

Në dhjetor të vitit të kaluar, BIRN zbuloi se 29 serbë ishin dënuar që nga viti 2015 pasi kanë luftuar me njësitë e mbështetura nga Rusia në Ukrainë, shumica e të cilëve u deklaruan fajtorë në shkëmbim të dënimeve të pezulluara.

Megjithatë, Zhivkoviq u hetua nën dyshimin për organizimin e pjesëmarrjes së luftëtarëve serbë në luftë. Ai u arrestua në gusht të vitit të kaluar në qytetin jugor serb të Krushevcit, por më 12 qershor zyra e prokurorisë lokale tha për BIRN se kishte pezulluar hetimin kundër tij, pa specifikuar pse.

“Nga fillimi ishte e qartë që aktakuza ishte plotësisht e motivuar politikisht”, tha Zhivkoviq për BIRN.

Duke vendosur gishtin e madh në maje të hundës (gjest mosrespekti) për sistemin gjyqësor të Serbisë, Zhivkoviq postoi një video në YouTube më 28 maj nga Donbass, në të cilën ai kërkoi krijimin e një njësie të luftëtarëve serbë dhe rusë.

“Le të formojmë një njësi vullnetare serbe, ruse, pavarësisht ligjeve tuaja në bazë të të cilave ju doni të na gjykoni neve, serbët që luftojnë dhe që luftuan këtu në territorin rus”, tha ai në video.

‘Mungesa e angazhimit’

Regjioni Lugansk, Foto: Flickr/Rosa Luxemburg-Stiftung/Balkan Insight

Zhivkoviq u kthye prapë te komentet e tij për BIRN, duke thënë se ai ishte kthyer në Donbass për të ndihmuar fëmijët që kanë qenë viktima të minave.

I pyetur për videon e tij në YouTube, Zhivkoviq u përgjigj: “Gjithkush lufton në mënyrën e vet, disa me armë, disa me propagandë, disa me akte të tjera”, tha ai.

Megjithatë, Zhivkoviq kritikoi ligjin serb të vitit 2014 që ndaloi qytetarët serbë të marrin pjesë në luftërat e huaja.

“Gjithmonë do të qesh me të”, tha ai, “derisa të bëjë dallimin në mes vullnetarëve dhe mercenarëve.” Zhivkoviq mohoi se ai është duke u paguar për përfshirjen e tij në luftë.

Bojan Elek, një studiues në Qendrën e Beogradit për Politikën e Sigurisë, një think-tank, vuri në pikëpyetje vendimin e prokurorisë për të mos hetuar Zhivkoviqin si një luftëtar aktiv në luftë.

“Deri më tani, aktakuzat e bazuara të prokurorisë në faktin se qytetarët serb luftonin në Ukrainë, kështu që nuk është e qartë se përse në këtë kohë ishte ndryshe”, tha Elek.

“Ky është një tregues i qartë i mungesës së angazhimit të autoriteteve në Serbi për të zgjidhur problemin e luftëtarëve të huaj në anën ruse në Ukrainë”.

Ministria serbe e Drejtësisë nuk iu përgjigj kërkesës së BIRN-it për komente.

I hetuar në Ukrainë, i ndaluar nga Bosnja, Mali i Zi dhe Rumania

Zhivkoviq rregullisht postoi fotografi në Facebook duke e shfaqur veten në Donbass me ushtarë të vetë-shpallur “Republika Popullore e Donetskut.” Ai po ashtu ishte fotografuar me Igor Strelkov, një ish-komandant militant rus në Ukrainën lindore.

Велика част бити позван од команданта Пука СПЕЦНАЗ ДНР Евгенија Рјаднова "Немца" на дружење.

Publiée par Хаџи Братислав Живковић sur Samedi 11 août 2018

Në qershor të vitit 2018, Radio Evropa e Lirë raportoi se Zhivkoviq ishte një nga gjashtë shtetasit serbë, në mesin e 54 të huajve – nën hetime në Ukrainë për anëtarësimin në “formacione ilegale të armatosura”. BIRN nuk ishte në gjendje të konstatojë statusin e hetimit.

Zhivkoviq u ndalua nga Mali i Zi në vitin 2015. Në 2017 ai u dëbua nga Rumania dhe iu dha një ndalim 15 vjeçar për hyrjen pasi autoritetet akuzuan atë për spiunimin në bazat ushtarake të NATO-s në juglindje të vendit dhe për interesin e treguar në marrjen e informacionit të klasifikuar mbi instalimet ushtarake.

Ai është gjithashtu i ndaluar nga Bosnja, ku është përmendur në padinë e parë të vendit kundër një qytetari boshnjak për pjesëmarrje në luftë në Ukrainë. I akuzuari, Gavrilo Steviq, duhet të paraqitet në gjykatë për një seancë dëgjimore mbi pranimin e fajësisë më 17 qershor.

Sipas aktakuzës, të parë nga BIRN, Steviq u tha prokurorëve se ai kishte kontaktuar me lëvizjen nacionaliste serbe që Zhivkoviq e drejton, ‘Ravnogorski Pokret’ dhe për të cilën Steviq tha “organizoi udhëtime vullnetare”.

Ai tha se Zhivkoviq e kishte thirrur atë në korrik të vitit 2014 për të udhëtuar në Beograd, ku u njoh me një grup vullnetarësh dhe me të cilët ai u nis për në Rusi dhe pastaj në Ukrainë. Steviq tha se kishte planifikuar të punonte atje si gazetar, por u inkurajua nga Zivkoviq për të luftuar nën komandën e tij.

Duke e përshkruar Steviqin si një “mik dhe vëlla të madh”, Zhivkoviq tha se nuk mund të komentonte mbi hetimin në vazhdim.

Zhivkoviq tha se nuk do ta fshehte gatishmërinë e tij “për të ndihmuar çdo serb që vjen këtu”.

“Asnjë nuk do të jetë i uritur ose i etur”, tha ai. “Por unë nuk po rekrutoj askënd, as organizoj asgjë për askënd.”