Libraria Dukagjini, e vendosur në Bulevardin Nënë Tereza në Prishtinë. Foto: Antigone Isufi/BIRN

Leximi gjatë pandemisë, bibliotekat pa vizitorë dhe lulëzim i shitjes së librave

Mbyllja si pasojë e pandemisë shkaktoi tkurrje drastike të vizitorëve në bibliotekat e vendit ndërkohë që libraritë shënuan rritje në shitje të librave gjatë këtij viti.

E pajisur me 70 mijë libra e me 80 ulëse për lexim, biblioteka “Sadik Tafarshiku” në Ferizaj këtë të martë kishte mbetur vetëm me tetë lexues në sallë. Ky është një numër jo i zakonshëm për bibliotekën e cila vizitohet nga nxënës, studentë, studiues e banorë të Ferizajt e rrethinës.

Drejtoresha e bibliotekës Teuta Demiri tregoi se në kushte normale numri i lexuesve në vit arrin deri në 4 mijë, por si pasojë e pandemisë numri ka rënë në mënyrë drastike në më pak se 1 mijë lexues deri në nëntor të këtij viti.

Sipas Demirit, arsyeja kryesore e uljes së numrit të lexuesve është frika e tyre për ta dalë në ambiente publike për shkak të përhapjes së COVID-19.

Demiri tregoi se brenda ditës rreth 20 lexues frekuentojnë bibliotekën, ndërsa në kushte normale brenda ditës bibliotekën e vizitonin rreth 200 lexues.

Biblioteka “Sadik Tafarshiku” në Ferizaj

Bibliotekat dhe institucionet tjera të kulturës ishin poashtu të mbyllura që nga muaji mars. Ndërsa me vendim të Qeverisë ato u rihapën në fund të shtatorit por duke shfrytëzuar vetëm 40 përqind të hapësirës. 

Rënia e numrit  të lexuesve për shkak të pandemisë së koronavirusit ka përcjellur edhe të tjera biblioteka anekënd vendit.

Izet Miftari, përgjegjës i Bibliotekës “Naim Frashëri” në Vushtrri e cila ka rreth 37 mijë libra,  tha se numri i huazimeve ka rënë për 1 mijë më pak këtë vit.

“Pandemia ka ndikuar që viti 2020 të jetë viti më i brishtë sa i përket interesimit për të marr libra për t’i lexuar” tregoi Miftari.

Miftari tha se në periudhën janar-shtator 2020, në sektorin për fëmijë janë dhënë për lexim 1 mijë e 440 libra ndërsa në sektorin për të rritur 1 mijë e 30 libra, ndryshe nga viti i kaluar që në numri total ishte vërejtshëm më i madh.

“Sallën e leximit e kanë shfrytëzuar vetëm 91 lexues, ngase në shumicën e kohës ka qenë e mbyllur shkaku i pandemisë dhe janë antarësuar vetëm 100 lexues të rinj’ tha Miftari.

Biblioteka “Naim Frashëri” në Vushtrri
Fotografi: Antigone Isufi/BIRN

Ndërkohë, përveç rënies së numrit të  lexuesve edhe përkrahja e shtetit ndaj bibliotekave publike këtë vit ka qenë minimale.

Jehona Shyti, drejtoreshë e departamentit të Kulturës në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka thënë se këtë vit për bibliotekat anembanë Kosovës janë  ndarë rreth 51 mijë e 200 euro. Ndërsa, vitin e kaluar MKRS kishte ndarë 300 mijë euro për bibliotekat e Kosovës. 

Për krahasim, delegacioni i Kosovës në Washington për më pak se një javë ka shpenzuar më shumë se 30 mijë euro apo më shumë se gjysma e buxhetit vjetor të dedikuar për biblioteka. Në vitin 2019, institucionet qendrore dhe lokale në Kosovë shpenzuan 3.7 milion euro në dreka.

 

Rritje e ndjeshme e shitjes së librave

Por, ndryshe nga bibliotekat që kanë patur tkurrje të lexueshmërisë, libraria “Dukagjini” e vendosur në Bulevardin “Nënë Tereza” në Prishtinë, ka shënuar rritje prej 20 përqind të shitjeve këtë vit në krahasim me vitin e kaluar.

Iliriana Hasaj, koordinatore në librari tha se çdo vit e më shumë po shtohen lexuesit në këtë librari, por se këtë vit është vërejtur një interesim edhe më i madh për blerje të librave, e sidomos shitja online.

“Gjatë karantinës ka qenë plotësisht e fokusuar online që automatikisht e ka bërë që të jetë periudha me më së shumti shitje online se para dhe pas karantinës,” tha ajo.

Libraria Dukagjini, e vendosur në Bulevardin ‘Nënë Tereza’ në Prishtinë. Foto: Urim Krasniqi / Prishtina Insight.

Hasaj theksoj se  zakonisht një klient blen një libër ose dy libra, por gjatë karantinës kanë blerë edhe më shumë se dy copë. 

“Është rritur ose ngjallur një dëshirë për të lexuar më shumë gjatë asaj kohe kur kanë qëndruar të mbyllur. Ka qenë një periudhë jo e këndshme që ka ndikuar të paktën në disa faktorë pozitiv siç është rritja e lexuesve” rrëfeu Hasaj.

Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganës të Kosovës, tha për Prishtina Insight se gjatë 11 muajve të parë të vitit 2020, janë importuar libra me vlerë 2.2 milion euro.

Jo vetëm libraritë e njohura në kryeqytet kanë pasur rritje të shitjeve të librave. Në librarinë “Galdimi” në Mitrovicë interesi për të blerë libra është më i madh se asnjherë.

Bleona Istrefi, librashitëse tha se zakonisht kanë blerë pajisje tjera, por që nga pandemia kanë vërejtur një numër të madh të njerëzve që janë interesuar për të blerë libra.

“Sa më ka ra me vërejt prej mbas pandemisë shumë janë shitur librat në krahasim me para pademinë se në Mitrovicë zakonisht nuk blejnë aq libra” tha Istrefi.

Istrefi tha se interesi për lexim në këtë qytet është shumë i ultë, por pandemia ka ndikuar që njerëzit të zgjedhin leximin për të përmisuar shëndetin emocional.

Librat psikologjikë kryesojnë blerjen

Të panjohurat e virusit e gjendja e rënduar emocionale e kanë shtuar kërshërinë e leximit të librave psikologjik.

“Këtë vit që pas pandemisë ka pasur rritje në shitje e sidomos për ata psikologjik” rrëfeu Istrefi nga libraria Galdimi.

Istrefi tha se në krahasim me më herët që janë shitur shumë librat e Ismail Kadares që pas karantinës janë blerë nga mosha e mesme dhe ajo e shtyer ata psikologjikë si  “Sekreti”, “Psikologjia e Suksesit” dhe  “Si të bëhesh udhëheqës i zoti?” nga Dale Carnegie, “Intelegjenca Emocionale” nga Daniel Goleman, “Si të jesh i lumtur?”.

“Sa kam mundur me vërejt nuk kanë zgjedh njerëzit që të lexojnë diçka për pandeminë që të përmisojnë situatën ose gjendjen. Por kanë zgjedhë të lexojnë gjëra ma të mira që të përmsiohen në atë mënyrë e jo duke folur për pandeminë të përmisojnë gjendjen” tha Istrefi.

Njëjtë edhe në bibliotekën “Sadik Tafarshiku” përpos librave të letërsisë angleze dhe amerikane, librat psikologjikë dhe ata për menaxhim biznesi kanë pasur rritje të huazimeve që nga rihapja e bibliotekave.

Bibliotekistja Hyrije Rexhepi tregoi se nga librat psikologjik është lexuar më së shumti “Psikologjia e suksesit”, pastaj librat pozitivist të Daut Demakut,  të Osho-s dhe të Brian Triacy për biznes dhe lidership.

“Librat në lidhje me komplotet, për CIA-n, për shembull, janë lexuar gjerësisht, ndërsa nga letërsia serioze, janë lexuar librat e autorëve të famshëm rusë si Dostojevski dhe Tolstoi tha ajo” tha Rexhepi.

Në librarinë “Dukagjini” libri “Sekreti” i Rhonda Byrnes që ka kryetemë ligjin e tërheqjes (pozitivitetit) ka shitur 750 ekzemplarë këtë vit.

Iliriana Hasaj tha se librat parapsikologjik apo motivues e këshillues është zhanri që lexohet më së shumti në librari, edhe para pandemisë edhe gjatë pandemisë.

Hasaj tha se zakonisht këtë zhanër dhe atë për biznes dhe lidership më së shumti e kërkojnë dhe blejnë mosha e mesme nga 22 deri në 35 vjeç. Ndërsa, tek adoleshëntët është vërejtur interesimi i madh për manga (stripa japoneze).

Libraria Dukagjini, e vendosur në Bulevardin ‘Nënë Tereza’ në Prishtinë. Foto: Urim Krasniqi / Prishtina Insight.\

 Kurse, mosha e shtyer është e interesuar për romane.

Ajo shtoi se këtë vit klientët shpesh i kishin kërkuar sugjerime në lidhje me librat me fund të lumtur. 

“Ajo që vë re është se gjatë pandemisë, ajo që klientët po kërkojnë është diçka me të qeshur, një histori të bukur dhe një fund të lumtur” tha Husaj.