Kullat e familjes Jashari; Fotografi/KALLXO.com

Kullat që i rezistuan luftës, po shemben në liri

Para 23 vitesh në Prekaz ishin masakruar 59 anëtarët e familjes Jashari, kurse sot kullat e tyre gjenden në një gjendje të masakruar  e në rrezik për shembje në mungesë të kujdesit institucional.

Mungesa e implementimit të një projekti të konservimit dhe restaurimit të Kompleksit Memorial  “Adem Jashari” në Prekaz të Skenderajit ka bërë që muret e objekteve kulturore dhe historike të kullave të familjes Jashari të jenë skaj shembjes.

Arkitektja dhe zyrtarja e Këshilllit të  Kosovës për Trashëgimi Kulturore Argjenda Kojqini, thotë se kullat janë në gjendje kritike dhe se nëse nuk merren masat e duhura ekzistenca e tyre është në rrezik.

Sipas saj, gjendja ekzistuese e objektit është në gjendje kritike duke filluar nga degradimet fiziko-mekanike, biologjike, kimike si çarje të thella të mureve, pranim të lagështisë, dëmtim të suvatimit e të konstruksionit të  kulmit.

“Të gjitha këto dëmtime të elementeve konstruktive të objektit në bashkëveprim me ndryshimet klimatike mund të dërgojnë edhe në dëmtimin më të madh të objektit. Larg saj mundet të jetë edhe më fatal edhe në rrëzimin komplet të objektit” tha Kojçini.

Projekti për ruajtjen e kompleksit memorial është çështje e cila ka kaluar në duart e të gjitha qeverive që kanë qenë në pushtet por që ende nuk është implementuar nga asnjë nga ato.

Drejtori i Agjensisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale Bislim Zogaj tha se e gjithë kompetenca për këtë memorial i takon Komitetetit Ndëministror në krye me zëvendëskryeministrin në detyrë Besnik Tahiri.

Sipas tij, kompetencat për hartimin e një projekti, ndërtimit dhe përzgjedhjes së kompanisë për projektin i takojnë Komitetit e pas kësaj kompetencat i kalojnë Agjencisë.

Pas rrëzimit të Qeverisë, kompetencat për Kompleksin në fjalë nuk i takojnë askujt.

Zogaj i cili është edhe anëtar i Komitetit mendon që ky projekt ka mundësi që të fillojë në vjeshtë të këtij viti. Dhe sipas tij, nëse nuk merren sa më shpejt masa për renovimin e kompleksit ka gjasa që kullat e familjes Jashari të përfundojnë me shembje.

“Realisht rreziku është gjithmonë është menduar që ai improvizim i konservimit është bërë për një kohë të shkurtër për një ose dy vite dhe është mrekullia e Zotit që këto kulla kanë qëndruar deri tash dhe rreziku është permanent. Dhashtë Zoti mos të ketë ndonjë dridhje të lehtë se ato kulla do rrënoheshin.”

Arkitektja Argjenda Kojqini tha për KALLXO.com se hapi i parë dhe i menjëhershëm që duhet të ndërmerret është hartimi i një projekt-plani konservues si dhe restaurues, fillimisht duke organiuar tryeza dhe debate të ndryshme me ekspertë të kosovarë dhe të huaj që të diskutohet që të kijohet një plan i mirëfilltë.

“Plani duhet të bëhet duke u bazuar në gjendjen burimore të objektit për shkak se gjendja burimore është respektimi një ndër pikave kryesore të restaurimit. Nëse nuk e bëjmë këtë çdo ndërhyrje e jona e gabuar do të mund ta prishte një pjesë të historisë së këtij objekti. Për shkak se çdo element dhe çdo vrimë e këtij objekti paraqet një pjesë të historisë jo vetëm të familjes Jashari por të gjithë kombit shqiptar” tha Kojqini.

Sipas Kojqinit pas planit të restaurimit dhe të konservimit kompleksi duhet të bëhet plani i revitalizmit  dhe rijtetësimit që të jetë më atraktiv për vizitorë.

Ligji për Kompleksin “Adem Jashari”  siguron kujdesin ndaj këtij kompleksi, mbrojtjen nga ndikimet politike dhe obligimet e institucioneve të Kosovës. Buxheti i vlerësuar nga Qeveria për Agjensinë për menaxhimin e Komplekseve Memoriale për Kompleksin “Adem Jashari” është 4 milionë e 555 mijë e 381 euro. Për këtë vit ende nuk janë ndarë mjete financiare përpos 690 mijë eurove që janë vazhdimësi e vitit të kaluar.

Mërgimtari Sabri Lushi nga Lipjani i cili kishte ardhë veçmas nga Gjermania për festimin e Epopesë së UÇK-së thotë se populli shqiptar jo vetëm se duhet të kontribuojë maskimalisht finaciarisht por duhet edhe ta konsiderojë Prekazin si vend të shenjtë.

“Për çdo vjetor vij këtu edhe bëjnë nderime në shenjë respekti të këtyre që kanë rënë këtu.Nga këtu ka fillluar çdo gjë për lirinë e Kosovës. Këtu e ndjej obligim se është vend i shenjtë është Meka edhe Medina e shqiptarëve ku të gjithë duhet të vijmë dhe të përkulemi me respektin më të madh. T’i nderojmë dëshmorët që ranë për lirinë e Kosovës” tha Lushi.

Tre kullat e familjes Jashari qëndrojnë në qendër të kompleksit memorial për 59 anëtarë të kësaj familje që humbën jetën në betejën e 5, 6 dhe 7 marsit 1998, të rrethuar dhe pushkatuar nga forcat paramilitare serbe.

Përveq kullave, në memorial gjenden varrezat dhe një muze që ka mbledhur disa nga reliktet e familjes heroike. Për tre netë, familja e gjerë rezistoi brenda shtëpive të tyre në betejën e ashpër. 

Për çdo mars, në Prekaz organizohet ‘Epopeja e UÇK-së’, ndryshe e njohur edhe si nata e zjarreve, ku qindra vizitorë bartin pishtarë për të kujtuar netët e betejës.