Krusha e Vogël, plaga që nuk shërohet nga asnjë gjykim

21 pas luftës, Gjykata Themelore në Prizren ka dënuar me 22 vjet burg Darko Tasiqin për krime të luftës, derisa familjarët e 113 të vrarëve dhe të mbijetuarit kujtojnë ditën kur ndodhi masakra në Krushë të Vogël.

E diel, Krushë e Vogël

Ajshe Shehu që humbi burrin dhe katër djemtë e saj në masakrën e Krushës së Vogël më 26 mars 1999, thotë se jeta e saj 21 vite pas është përplot dhimbje e dëshpërim. “Shumë, shumë, o shumë bre jam e ngarkune, jam e vrame, jam e prekun. Por a po ta din kush?,” thotë 71 vjeçarja.

Rrëfimi i saj ndërprehet kur në shtëpinë e saj vijnë bashkëfshatarët për t’i kërkuar fotot e djemve e burrit të saj  për t’i ekspozuar të hënën para Gjykatës Themelore të Prizrenit, ku do të shpallej verdikti për Darko Tasiq, që akuzohej për krime lufte në Krushë të Vogël.

71 vjeçarja Ajshe Shehu nga Krusha e Vogël humbi burrin dhe katër djemtë e saj.
FOTO-Halim Kafexholli

Teksa qëndron ulur në një divan, sipër kokës të saj, e varur në mur qëndron një fotogafi tjetër e burrit dhe katër djemve të saj të cilët u vranë nga paramilitarët serb, pasi që të njëjtit kishin urdhëruar Ajshen dhe dhjetëra gra të fshatit të ndahen nga burrat dhe djemtë e tyre disa minuta para se t’i rreshtonin për ekzekutim. 

“Kur na ndajtën prej burrave ata serbët e fshatit që na rrethuan thanë; ju gratë ndaq shkoni në Shqipni, ndaq mytnu n’Dri në lumë dhe na urdhëruan ne grave me u nisë teposhtë fshatit”, kujton ajo.

E shoqëruar me dhjetëra gra të fshatit, Ajsha ende kujton momentet e fundit të asaj dite kur përfundimisht u nda nga burri dhe katër djemtë e saj. Më i vogli ishte Naiti i cili në atë kohë  kishte 18 vjet, fytyra e të cilit mbetet pamja e fundit e 71 vjeçares.

“Tu u lëshu poshtë, ju rashë përskaj djemve që veç nisën me i rreshtu. Masi eca pak, e kam kthy krytë edhe njëherë edhe e pashë Naitin afër djemve të agjës së tij e thashë; o more Nait ku po ju lenë nana. Ai m’kqyri dhe i pikën lotët”, rrëfen Ajsha, para se t’i rrjedhin lotët edhe asaj.

Forcat serbe të cilit urdhëruan dëbimin e Ajshes dhe grave të tjera të fshatit, nuk kishin qenë persona të panjohur për krushianët, pasi që të njëjtit ishin serbë të cilët kishin jetuar në Krushë të Vogël në më shumë se 20 shtëpi dhe meqenëse ishin bashkëfshatarë, kjo kishte qenë një shpresë për Ajshen se mbase nuk do t’i vrisnin.

Mirëpo, siç thotë ajo, me të arritur në fund të fshatit, saktësisht tek Tyrbja dhe varrezat, u dëgjuan rafale të pandalura të armëve.

“ Oo thashë kuku moj gra i mytën,” kujton ajo.  “Jo po thojnë ato”. O thashë po vallai se zemra po ma ninë”, kujton ajo.

Nën tymin e fshatit që po digjej, Ajshja me vajzën dhe renë e saj vazhduan rrugën në drejtim të fshatit Has ku qëndruan disa ditë para se të niseshin për në Shqipëri. Mirëpo, lajmin që burrin dhe djemtë nuk i ka të gjallë, asaj dhe grave tjera ia kumtoi një afërm i cili i kishte mbijetuar ekzekutimit dhe kishte arritur të shkonte në fushën ku po qëndronin ato.

“Ka ardhë Qamili në 12 të natës. ‘Krejt tha i kanë mbyt, veç 5 a 6 kena shpëtu. O çfarë piskame ka shku prej neve grave. Tani thojsha a me shku në Shqipni a me u mbyt në Dri”, tregon Ajsha. “Çka me lypë atje”?

Megjithatë, pasi lufta në Kosovë kishte mbaruar, Ajsha ishte kthyer nga Shqipëria për në Krushë të Vogël dhe  kishte filluar  t’i kërkonte trupat e familjarve të saj, mirëpo përveç kokën e djegur të burrit të saj Salih Shehut dhe një copë të xhaketës së tij e cila nuk ishte djegur nuk kishte gjetur tjetër gjë. Ndërkaq, trupat e katër bijve të saj vazhdojnë të mungojnë sot e asaj dite. Kurse nga 113 të vrarët në Krushë të Vogël ende 68 janë të zhdukur.

Varrezë në Krushë të Vogël

Jeta pas luftës sipas Ajshes nuk ka fare kuptim, por mërzinë e saj sado pak ajo mundohet ta tejkalojë përmes punës në kopshtin e saj.

 “Mos me kanë qikjo bahqe unë luj prej menve”, thotë shkurtazi ajo. 

E zhgënjyer me institucionet e Kosovës, ajo thotë që nuk pret që një ditë do t’i kthehen trupat e bijve të saj dhe as që nuk do të ngadhnjejë drejtësia ashtu siç duhet për masakrën e Krushës së Vogël.

“Unë do të kërkoj drejtësi sa t’kam ymer, se s’muj e hjeki prej mendjes ftyrën e bardhë të Naitit edhe lotin që i pikte n’mjekërr kur e kam pa për s’fundi herë”, përfundon rrëfimin e saj.

Të mbijetosh nën kufoma

26 marsin nuk do ta harrojë kurrë as Bajram Zylfiu, i mbijetuar i masakrës së Krushës të Vogël, i cili ishte në mesin e 109 personave që po bëheshin gati për ekzekutim.

Në rreshtin ku ishte Zylfiu, kishte edhe fëmijë nga mosha 13 vjeç deri tek pleq në moshë mbi 80 vjeç, të cilët pasi që i kishin rreshtuar, i kishin dërguar në një shtëpi dy dhomëshe dhe kishin filluar të shtinin mbi ta. Mirëpo, asnjë nga plumbat e rafaleve të automatikëve që shtinin mbi ta, nuk kishte prekur trupin e Bajram Zylfiut.

Bajram Zylfiu, i mbijetuar i Masakrës së Krushës së Vogël.
FOTO- Halim Kafexholli

“Kur filloi ekzekutimi, disa trupa duke u vra duke rënë mbi mua që jam shtrirë dhe jam kanë përfundi kufomave dhe kam shpëtu”, rrëfen Zylfiu.

Por, pasi i kishin ekzekutuar, paramilitarët serb, me idenë që t’i zhduknin gjurmët kishin filluar t’i vënë zjarrin shtëpisë që brenda kishte kufoma. Me ta ndierë zjarrin këmbëve dhe paralajmërimin nga një tjetër i mbijetuar që serbët janë larguar, Bajrami kishte filluar që t’i largonte trupat e kufomave që ishin sipër tij.

Siç shpjegon ai, të mbijetuarit e tjerë përmes tymit e zjarrit kishin arritur të dilnin nga ajo shtëpi. Por, ikjen e tyre e kishin hetuar forcat serbe, sepse siç thotë Zylfiu nuk kanë qenë më larg se 50 metra.

“Kur dolëm në oborr na kanë pa ata prapë edhe ka piskatë njëri “čekati – čekati” (prisni, prisni). Atëherë ne jemi nda në grupe. Disa në drejtim të përroit, disa jemi ik nëpër shtëpi, në rrugën për Krushën e Madhe anej”, kujton Zylfiu.

Mirëpo, në shtëpinë ku i kishin vrarë e pastaj djegur, forcat serbe kishin filluar t’i bartnin kufomat së bashku me gërmadhat e shtëpisë drejt lumit Drini i Bardhë në mënyrë që t’i zhduknin gjurmët e krimit. Në mesin e paramilitarëve serb sipas Zylfiut ishte edhe Darko Tasiq, për të cilin kishte dëshmuar edhe Bajram Zylfiu.

“Unë kam dëshmu edhe para çdo institucioni të drejtësisë. Qiky Darko ka shku i ka dhezë kamionat edhe bagerin e familjes Hajdari dhe e ka shkul shtëpinë ku ka ndodhë ekzekutimi, dhe e ka ka gjujtë së bashku me viktimat në Drinin e Bardhë. Nuk jam kanë larg kur e kam pa.”

E kam pa këtë dhe serbë të tjerë edhe duke i plaçkitë, i kall shtëpitë nëpër fshat”, thotë Zylfiu.

Personat që e kishin kryer këtë masakër, Zylfiu thotë se i njihte pasi ata kanë qenë serb që kanë jetuar në Krushë të Vogël dhe deri në fillim të luftës marrëdhëniet e tyre kanë qenë të mira.

Pasi që kishte arritur të shpëtonte, Bajrami me tre persona të tjerë me javë të tëra ishin strehuar rreth maleve të fshatrave të Rahovecit, para se të arrinin të dilnin për Shqipëri.

“5 javë ditë nëpër male kemi nejtë, shumicën e kohës pa hangër e pa pi. Unë i kam pasë teshat krejt të ulura në gjak”, tregon ai, i cili nga kjo ngjarje i ka të vrarë shtatë familjarë,  djalin e agjës së tij me dy djem dhe dy kushërinj me nga një djalë të tyre. Ndërsa katër prej tyre ende rezultojnë të zhdukur.

Për Bajram Zylfiun, kjo ngjarje është thellë e ngulitur në kokën e tij, pasi siç tregon ai asnjëherë nuk ka ditë që nuk e kujton.  “Unë si të qohem në mëngjes çdoherë e kqyri atë malin ku kam nejtë, çdo sabah e mendoj. Pastaj ballafaqona me ëndërra..ufff..! Shumë vuj, më lodhet trupi, shumë më lodhet trupi. Po kujna me tregu?”, bën pyetjen ai, sikurse Ajshe Shehu.

E hënë, Prizren

Rreth orës 13 të ditës së hënë, Bajram Zylfiu me dhjetëra bashkëfshatarë, kryesisht gra, kishin ardhur për të protestuar para Gjykatës Themelore në Prizren, pasi 30 minuta më vonë do të merrej vendimi përfundimtar për Darko Tasiq, të akuzuarin e vetëm në lidhje me krimet në Krushë të Vogël.

FOTO- Halim Kafexholli

Në këtë tubim mungonte Ajshja, por jo edhe fotografitë e burrit dhe bijve të saj që ishin varur në rrethojat e gjykatës, teksa shumë foto të tjera mbaheshin në duar nënat krushiane që qëndronin para hyrjes së gjykatës duke brohuritur që akuzuarit Tasiq t’i shqiptohej dënimi maksimal.

Ndërkohë që gra dhe djem të rinj prisnin vendimin nga jashtë rrethojave të gjykatës, i mbijetuari i masakrës Bajram Zylfiu kishtë zënë vend brenda në ulëset e majta të sallës së gjykimit. Pasi që nën masa të rrepta të policisë u soll në sallë Darko Tasiq, Bajram Zylfiu nën ankthin e emocioneve shihej i ulur krejtësisht në cepin e karrigës teksa kërciste gishtrinjtë e duarve për t’i mposhtur emocionet.

Trupi Gjykues u ngrit në këmbë e së bashku me ta edhe të gjithë të pranishmit në sallë, gjykatësi Artan Sejrani filloi ta lexojë vendimin përfundimtar ku Darko Tasiq u dënua me 22 vite burgim për dy pika të aktakuzës.

16 vite burg iu shqiptuan për pikën dy të aktakuzës ku Tasiq akuzohej për pjesëmarrje në përdhosjen e trupave të pajetë të personave të paidentifikuar, duke i djegur ato dhe duke i hedhur në lumin Drin.

Ndërsa në pikën një,  ai akuzohej se përvetësoi automjetet dhe makinerinë bujqësore dhe sende të tjera me vlerë që i përkisnin fshatarëve. Për këtë pikë të aktakuzës Gjykata e dënoi me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 7 vitesh.

Teksa del prej Gjykatës, Bajram Zylfiu fshin lotët fillimisht para se të deklarohet për BIRN rreth vendimit për Darko Tasiq. 

“Po ndihna pak ma lehtë, po ka pasë mundësi ma shumë me u dënu, bile 30 vjet…”, thotë

Protestuesit para Gjykatës Themelore në Prizren

me zë të dridhur.

Mirëpo, fare të pakënaqura me vendimin shiheshin gratë e Krushës së Vogël jashtë rrethojave të gjykatës ku shumë prej tyre fshinin lotët e ngritnin fotografitë dhe pankartat ku bëhej thirrje për drejtësi.

Në ballë te protestuesve po qëndronte Vezire Batusha të cilës i kishin vrarë burrin dhe dy djemtë e saj në mars të vitit 1999. Teksa policia kujdesej për rend dhe qetësi, zonjat Batusha me shumë gra të tjera shprehnin zemërimin e tyre ndaj vendimit të Gjykatës.

“113 të vrarë janë, këta e dënojnë me 22 vjet burg”, vazhdonte të thërriste Vezire Batusha, teksa një zë tjetër i një gruaje nga mbrapa vinte: “për 21 vjet lot, 22 vjet burg, turp.”