Kallxo 360 : Ulpiana Antike në Çdo Detaj
Vendbanimi i një civilizimi të parahistorisë vjen në video nga kamera e teknologjisë së fundit, 360 shkallë.
Ulpiana, është emërtimi i sotëm i një qyteti që daton që nga koha e gurit.
Rrënojat që gjenden në Komunën e sotme të Graçanicës dhe disa kilometra në juglindje të Prishtinës janë gjurmët e antikitetit të kësaj zone.
Ky lokalitet gjendet në listën e mbrojtjes si trashëgimi arkeologjike nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Sipas të dhënave të MKRS-së, gjurmët e para të civilizimit në Ulpianë janë dëshmuar që nga periudhat e hershme parahistorike, posaçërisht në periudhën e njohur si periudha e bronzit dhe ajo e hekurit, apo e njohur ndryshe si lashtësia dardane.
Këto rrënoja paraqesin edhe tranzicion të periudhave të ndryshme historike në stilin arkitekturor të qytetit.
Gjatë periudhës romake në Ulpianë bëhej kryqëzimi i rrugëve që lidhte detin Adriatik me detin Egje dhe indirekt edhe me Detin e Zi.
Është e njohur nyja komunikuese Via Lissus-Naissus dhe ajo e Scupit, rrjete këto komunikuese tokësore që takoheshin mu pranë Ulpianës.
Emrin e mori nga perandori romak që e shndërroi në qytet Marcus Ulpius Traianus,
Ulpiana zhvillimin më të madh e ka arritur në periudhën në mes të shekujve III dhe IV të erës sonë, kur u bë një qendër e fortë politike, ekonomike dhe kulturore të një territori të gjerë në brendësi të Dardanisë duke u bërë pika kyçe e përhapjes së civilizimit antik.
U karakterizua me rrjete të rrugëve të drejta, sistem ortogonal, ujësjellës, objekte të banimit si dhe me objekte publike, sakrale, profane e utilitare, gjithnjë duke qenë qendër urbane me rëndësi metalurgjike, zejtare, tregtare e bujqësore.
Deri më tani janë zbuluar disa monumente kulti dhe objekte sakrale, pjesë të mureve rrethuese së bashku me kullat mbrojtëse, castrum apo garnizoni ushtarak romak, pastaj qindra fragmente të gjetjeve/artefakteve të llojllojshme si në formë, material e destinim, por edhe mbetje njerëzore.
KALLXO.com do të sjellë një seri të video reportazheve me kamerën 360 shkallë nëpër objekte dhe zona të trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore