Kallxo 360 :  Rreth për Rreth Xhamisë së Sinan Pashës

Xhamia historike e Prizrenit e ndërtuar në shekullin 17 vjen në xhirimin nga kamera e  teknologjisë së fundit, 360 shkallë.

Ky objekt fetar i njohur si ‘Xhamia e Sinan Pashës’ u ndërtua në vitin 1614 nga Sofi Sinan Pasha, që u konsiderua i rëndësishëm në administratën e atëhershme osmane.

E vendosur në qendër të qytetit historik të Prizrenit, ajo paraqet një nga objektet më karakteristike të zonës.

KALLXO.com ju sjell pamje nga brenda dhe jashtë objektit ku shihen në detaje dekorimet në enterier dhe stilin arkitekturor të ndërtimit.

Xhamia e Sinan Pashës gjendet në listën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës.

Sipas të dhënave të ministrisë xhamia është ndërtuar nga gurët lumorë të latuar, të lidhur me llaç gëlqeror, ndërsa nga ana e jashtme është veshur me gurë të gdhendur (të cilët supozohet që janë marrë nga gërmadhat e Manastirit të Kryeengjëjve).

Hyrja brenda objektit bëhet përmes shkallëve të gurit në anën veriore meqë ajo gjendet e ngritur në plato.

Për ndërtimin e majës apo minares së xhamisë janë përdorur gurët shtufe me bazë katrore dhe trung rrethor.

Xhamia përmban shumë objekte karakteristike përcjellëse si fontana që jashtë mund të përdoret për kryerjen e pastrimeve para ritualeve fetare.

Në vitin 1919 xhamia pësoi një dëmtim të rëndë, me ç ‘rast është demoluar hajati i xhamisë. Me formimin e Entit për Mbrojtjen e Përmendoreve Kulturore në vitin 1967 filloi përkujdesja për monumentet. Kështu gjatë viteve 1968/1969 pas një renovimi xhamia shndërrohet në Muze të Dorëshkrimeve Orientale, kurse gjatë viteve 1973-1978 bëhet restaurimi dhe konservimi i pikturave murale.

Janë bërë edhe disa donacione për restaurime dhe mbrojtje të muraleve ndërsa në vitin 2011 Xhamia e Sinan Pashës pas një periudhe të gjatë është hapur përsëri për shërbim për besimtarët.

KALLXO.com do të sjellë një seri të video reportazheve me kamerën 360 shkallë nëpër objekte dhe zona të trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore