Termocentrali ‘Kosova A’ . Foto: kallxo.com

Jeta Nën Tymtarë

Gazmend Maxhunit, banorit të fshatit Dardhishtë, i janë rritur shpresat pas diskutimeve që janë bërë së fundmi për çështjen e ndotjes së ajrit. Thotë se tash e sa vite më bashkëfshatarët të vetëm janë përballur me problemin e ndotjes enorme të ajrit. Ata kanë bashkëjetuar me termocentralin “Kosova A” që konsiderohet njëri ndër ndotësit më të mëdhenj në Kosovë.

Fshati Dardhishtë gjendet në mes të Termocentralit “Kosova A” dhe deponisë së hirit. Në të kaluarën kodra e hirtë ka qenë e zhveshur dhe erërat kanë shkaktuar kontaminim të ajrit në këtë fshat. Kontaminimi i ajrit është bërë edhe gjatë bartjes së hirit nga termocentrali te deponia, pasi shiriti transportues ka kaluar përmes fshatit. Telashet me hirin e kanë minimizuar dëmin që është shkaktuar nga tymtarët e termocentralit “Kosova A” të cilët kanë qenë pa filtra deri në vitin 2012 kur KEK-u investoi 25 milionë euro për vendosjen e tyre.

Derisa Maxhuni tregonte për vështirësitë e të jetuarit nën tymtarë, njëri nga oxhaqet e “Kosovës A” fillon të lëshojë tym të zi. Ky tym, ia ndërpren fjalën në gjysmë Maxhunit.

“Shikojeni se si i hapin filtrat. Kështu bëhet ndotje e madhe në ambient. Ku të ushqehen fëmijët, bimët, kafshët në këtë tokë”, pyet i shqetësuar Maxhuni.

Lirimi i tymit të zi nga tymtarët e termocentraleve është e lehtë që të konstatohet dhe dëshmohet nëpërmjet fotove.

Në KEK kanë një shpjegim për tymin e zi që del nga tymtarët e termocentralit “Kosova A”.

Skënder Bucolli, zëdhënës i KEK-ut, thotë se kjo ndodh vetëm në raste të jashtëzakonshme, duke mohuar kështu pohimet e banorëve që një gjë e tillë ndodh pothuajse çdo natë.

“Sa i përket tymit të zi, kjo mund të ndodhë vetëm në raste të jashtëzakonshme kur bëhet startimi i blloqeve, kjo për arsye se startimi i bllokut bëhet me naftë dhe deri të bëhet sinkronizimi (i cili zgjat maksimalisht 3 deri 4 orë) teknikisht është e pamundur të futen në funksion elektrofiltrat”, deklaron Bucolli.

Ai tha se gjatë verës, KEK-u e ka ndalur njësinë B3 vetëm për faktin se asaj nuk i ka funksionuar elektrofiltri. Përmes kësaj, Bucolli tregon rëndësinë që menaxhmenti i KEK-ut ka ndaj mjedisit.

Tymtarët nuk janë shqetësimi i vetëm i banorëve të fshatit Dardhishtë. Ata tregojnë se dritaret, oborri mbulohen me hi për shkak të shpërndarjes së hirit nga deponia.

Drejtori i Institutit të Agjencisë për Mbrojtjen Mjedisore, Ilir Morina, ka deklaruar për BIRN se projektet për rikultivimin e hirit, largimin e materieve të rrezikshme të fenolit dhe milionat që u shpenzuan në përmirësimin e  ambient nuk duket se kanë përmirësuar situatën.

Thotë se pavarësisht investimeve prej 50 milionë eurove ndotja nga deponia e hirit do të vazhdojë. Thotë se raporte të ndryshme tregojnë se punët në mihje dhe termocentrale rreth Obiliqit janë burim kryesor i ndotjes në rajonin e Prishtinës.

Frika nga “sëmundja e keqe”

Gazmend Maxhuni ka një mënyrë të faktuar për të shpjeguar dëmin që ia shkakton shëndetit puna e KEK-ut. Ai tregon se më herët i gjithë fshati kanë mbajtur bagëti, ndërsa me kalimin e kohës ata kanë qenë të frikësuar të konsumojnë mishin e këtyre bagëtive.

“Mushkëritë e kafshëve u shndërruan në ngjyrë të zezë dhe për neve kjo ishte sinjal se edhe mishi i tyre mund të mos jetë i shëndetshëm.  Për këtë arsye mbi 95% e banorëve i shitën ato”, thotë Maxhuni.

Tregon se shumë bashkëfshatarë të tij kanë vdekur nga kanceri apo sëmundje tjera të shkaktuara nga ajri i ndotur.

“Na kanë vdekur mbi 40 familjarë. Asnjë më i vjetër se 50 vjeç”, tha ai.  Tregon se si të gjithë banorët e këtij fshati frikën kryesore e kanë nga sëmundja e keqe (kanceri).

Fqinji i tij, Isak Maxhuni, tenton të ofrojë argumente të tjera për nivelin e ndotjes së ajrit në këtë fshat. Shembull i merr tjegullat e shtëpive në këtë fshat, të cilat kanë marrë ngjyrë të hirtë.

“Nga ngjyra e kuqe tjegullat kanë marrë ngjyre hiri dhe të zezë. Ky pluhur kur ndikon në gurë e beton, çka mund t’i bëjë trupit të njeriut”, thotë Isaku. Thotë se është detyruar t’i ndërrojë tjegullat e shtëpisë, sepse ato ishin dëmtuar dhe nuk e mbanin më ujin.

 

Isak Maxhuni vështron termocentralin 'Kosova A'
Pamjet e Termocentralit ‘Kosova A’ nga oborri i Isak Maxhuni

Drejtoresha e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Obiliq, Atifete Shylemaja, tregon se vetëm në pesë vjetët e fundit janë identifikuar 109 raste të reja me sëmundje malinje dhe kancer. Thotë se në pjesën e parë të vitit 2016, janë identifikuar katër raste me sëmundje malinje dhe 230 me pneumoni.

Edhe më herët është raportuar për dyfishimin e sëmundjeve malinje në rajonin e Prishtinës për shkak të ndotjes.

Se ajri, uji dhe toka janë një nga faktorët e sëmundjeve të ndryshme është thënë edhe në monografinë për ambientin të hartuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve, e cila do të jetë pjesë e enciklopedisë kombëtare me autor Zeqir Veselajn.

Zonat përreth dy termocentraleve të Kosovës– Kosovës A dhe B, qyteti i Mitrovicës si dhe fabrika e “Ferronikelit” që ndodhet në Drenas, sipas kësaj monografie, kanë nivelin më të lartë të ndotjes në vend. Ai tregon se ndotja e ujit vjen nga derdhja e ujit të kontaminuar edhe me fenol në lumin Sitnica.

“Duke qene se KEK-u është ndotësi më i madh në Kosovë, edhe zona e operimit konsiderohet si më e kontaminuara aktualisht, duke përfshirë: ujin, ajrin dhe tokën (dheun). KEK-u është ndotësi më i madh aktiv, kurse para luftës këtë pozitë e ka mbajtur ‘Trepça’ me kapacitetet e saj prodhuese e xehetare”, shkruan Veselaj.

Ai tregon se ndikimi i punës së mihjes dhe termocentraleve, në vartësi të erës dhe shpejtësisë së saj shkakton ndotje në Prishtinë, Fushë-Kosovë, Vushtrri, Shtime e Lipjan. Edhe në një raport të Bankës Botërore ishte konstatuar prania e lartë e sëmundjeve respiratore në rajonin e Obiliqit.

Alarmi nga realiteti

Drita e kuqe e alarmit të ndotjes së ajrit u rikthye në vëmendjen më të lartë të opinionit publik dhe medias në tetor të 2016-ës.  Ambasada amerikane në Prishtinë bëri disa matje çka nxori në pah se ndotja është shkatërruese dhe mbi çdo nivel të lejuar.

Më 19 dhjetor, cilësia e ajrit në Prishtinë tejkaloi çdo shifër të ndotjes të regjistruar, duke arritur në 430 pm.  Ndërkohë niveli i lejueshëm i ajrit të ndotur është vetëm 50 pm.  Në ndotjen e ambientit nuk merr pjesë vetëm KEK-u, sepse veturat e vjetra konsiderohen si ndotësi kryesor në Kosovë. Përveç kësaj, gjatë dimrit, ndotës janë edhe ekonomitë familjare të cilat përdorin thëngjill për ngrohjen e shtëpive.

Gazeta JnK kishte raportuar se cilësia e ajrit në Prishtinë për këtë vit ishte e pranueshme nga maji në gusht, para se të keqësohej në tetor dhe më vonë të arrinte nivele alarmuese në nëntor. Por, përqendrimi mesatar i mikrogrimcave i matur nga Ambasada e ShBA-së gjatë tetë muajve të fundit kishte arritur dyfishin e kufirit të përcaktuar nga Organizata Botërore e Shëndetit, WHO, agjencia kryesore e shëndetit publik ndërkombëtar e Kombeve të Bashkuara. Dhe e gjithë kjo pa marrë parasysh periudhën e dimrit kur ajri i Prishtinës është më i ndotur.

Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Skënder Syla, thotë se çdo vit në Kosovë regjistrohen rreth 2 mijë vdekje të parakohshme. Në këto të dhëna, Syla thotë se ka ndikim edhe mungesa e një ambienti të pastër.

Kurse, avokati i popullit, Hilmi Jashari, thotë se në punën e tij bën vizita të shpeshta në Obiliq për të monitoruar gjendjen e banorëve që jetojnë në afërsi të mihjes dhe termocentraleve.

“Obiliqi me rrethin, me ndotjen prej 30% me shumë se  çdo vend tjetër kryeson me sëmundje malinje dhe respiratore. Kjo do të duhej të ishte prioritet i shtetit pasi është në pyetje shëndeti i mbi 20 mijë banorëve”, thotë Jashari.

Kurse, në Komunën e Obiliqit më shumë flasin për gjendjen e vështirë të fshatrave në afërsi të mihjes së qymyrit. Drejtori i Ambientit në Obiliq Arben Berisha thotë se fshatrave Dardhishtë, Shipitullë, Hade dhe Obiliqi në përgjithësi, u ka vënë emrin “Vende të Vdekjes”.

E kryetari i kësaj komune, Xhafer Gashi, thotë se përveç fshatit Shipitullë, Hade dhe Dardhishtë, problem tjetër tejet serioz është deponia regjionale në këtë zonë. Sipas tij, kjo deponi po helmon banorët në çdo çast.

Bashkim Bekolli nga Ministria e Ambientit konfirmon se do të zhvendosen banorët e një pjese të fshatit Shipitullë dhe Hade me rreth 52 hektarë. KEK-u do ta bëjë  zhvendosjen, ndërsa Ministra e Mjedisit ka përgjegjësi monitorimin direkt të procesit dhe aprovimin e Planit të Veprimit të Zhvendosjes  i cili parashihet sipas Kornizës së Politikave të Zhvendosjes të Qeverisë.

Fshati Dardhishtë nuk është në mesin e fshatrave që pritet të dislokohet, përkundër që gjendet në mes termocentralit dhe mihjes. Gazmend Maxhuni, banor i fshatit Dardhishtë, mbetet me shpresë që institucionet do të marrin parasysh gjendjen e vështirë të ajrit në këtë fshat, në mënyrë që ata t’i zhvendosin në një hapësirë tjetër.

“Unë nuk kam mundësi financiare për të ndërruar vendbanimin, prandaj jam i detyruar t’i shoh çdo ditë fëmijët tek zgjohen dhe luajnë në këtë ambient të kontaminuar. Jetojmë çdo ditë me frikën se do të sëmuremi nga ‘sëmundja e keqe’”, thotë Maxhuni.

Emisioni “Jeta në Kosovë” kishte publikuar një hulumtim rreth shkeljeve të bëra në fshatin Hade.

Tokat Mbi Qymyr

Ky artikull është prodhuar si pjesë e Bursës për Raportim Cilësor, pjesë e projektit Media for All, i zbatuar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese dhe i mbështetur nga Zyra e BE-së në Kosovë.