Subotica

Jeta e Shqiptarëve në Suboticë (1)

I pari, Arso, atje ka përfunduar në valën e kolonizimit në kohën e Mbretërisë së Jugosllavisë, ku ka punuar si mësues në shkollën e fshatit derisa nuk është arrestuar për shkak të anëtarësisë në Lëvizjen Komuniste në vitin 1942, dhe është deportuar në burg së pari në Shqipëri e më pas në Itali. Pas çlirimit, në vitin 1944 ai filloi karrierë diplomatike.

I dyti, Nikolla, është lindur në Zllakuqan në vitin 1939, nga babai Gjergj Përlaskaj, bujk i fshatit, i cili në kohën e Mbretërisë së Jugosllavisë krahas kryetarit të komunës ka qenë njëri prej dy personaliteteve te respektuara, dy shtyllave të komunitetit lokal. I respektuar në popull, Gjergji, i quajtur Cub, ka qenë kreu i Këshillit të Pajtimit, sipas rregullave të traditës së kodifikuar si Kanuni i Lekë Dukagjinit – institucionit kyç për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në mes të palëve të zëna. Një rol të tillë ka mundur ta ketë vetëm ai fjala e të cilit vlerësohet shumë. Pikërisht për shkak të kësaj fjale “më të fortë se guri”, Gjergj Përlaskaj e ka gjetur vendin e tij në memoaret e Arso Milatoviqit.

Për miqësinë e tyre të dyanshme dhe respektin e madh të ndërsjellë Nikolla ka mësuar shumë në bazë të tregimeve të babait të vet. Kështu, në vitin 1963 kur kishte qenë në shërbim ushtarak në vendin Rigjica afër Somborit majori Sveto Mihajloviq kishte dëgjuar që është nga Zllakuqani dhe e kishte pyetur nëse e di ku është Arso Milatoviq, Nikolla nuk kishte mbetur pa përgjigje.

Kjo ka qenë e mjaftueshme që eprori ta “mbajë mend”, dhe më pas t’i ofrojë kalimin në Suboticë, gjë të cilën Nikolla nuk e kishte marrë seriozisht. Për më tepër, ishte përgjigjur negativisht në ofertë. Mirëpo, urdhri për zhvendosje është sjellë në afat prej disa dite, kështu njëzet e tre vjeçari Nikollë Përlaskaj ka kaluar në Suboticë, qytet për të cilin nuk ka ditur asgjë, përpos që ndodhet në Jugosllavi, diku në Vojvodinë.

Shumë shpejt majori Mihajloviq e ftoi për bisedë, duke i kërkuar Nikollës t’i tregojë si është duke jetuar: „Unë i thash, ‘Shoku major, kam gruan, kam fëmijën, askush nuk punon pasi është e vështirë të gjesh punë’. Pas kësaj më ka dërguar në shtëpi për shtatë ditë dhe më ka thënë t’i marr të gjitha dokumentet që mund të më nevojiten”, i kujtohet Nikollës.

Nikollë Përlaskaj me gazetaren
Nikollë Përlaskaj me gazetaren

 

Atëherë as vetë nuk e kishte ditur se ku do të dëshironte të jetonte, as me çfarë do të dëshironte të merrej në jetë. Vetëm e kishte pasur të shfaqur dëshirën e madhe që të largohet nga vendi në të cilin, siç thotë, nuk ka jetë.

„Jam inspiruar nga prifti, nga mësuesi, nga mjeku, me një fjalë nga njerëz të cilët përparojnë dhe jetojnë normalisht. Nuk kam parë perspektivë duke shkuar pas lopëve dhe deleve, që të merrem me bujqësi, që ka qenë e pakuptueshme për mjedisin tim atje. Tregimet për përparim u janë dukur si përralla, kurse unë si dikush që është i padëgjueshëm. Pas kthimit në kazermë, në befasinë time të madhe, më kanë thënë ‘zgjidhe punën kudo që të duash në Suboticë’. Pasi atëherë e kam njohur vetëm fabrikën “Zorka”, e kam zgjedhur atë. Referenti për arsim menjëherë më ka dërguar në Shkollën për Nxënës në Ekonomi, siç është quajtur atëherë, dhe kështu jam bërë punëtor i vërtetë industrial. Punësimi më ka mundësuar që, pas marrjen së banesës së përkohshme, në vitin 1966 të marr edhe shtëpi me kredi. Jeta ime ka filluar të ecë para, nuk kam qenë i ngarkuar me asgjë.”

Kur Nikollë Përlaskaj nga perspektiva e sotme flet për ardhjen e tij në Suboticë dhe mënyrën se si në këtë qytet i kanë vënë themelet për ekzistencën e sigurt të familjes së tij, tingëllon sikur çdo gjë ka shkuar lehtë – përmes përkrahjes adekuate të sistemit shoqëror dhe të rrethit të afërt, e cila sot, siç thekson, mungon:

„Atëherë të ka mbrojtur sistemi, shteti, nuk ka pasur rëndësi a je nga Kosova po jo. Sot nuk është kështu. Me rëndësi janë lidhjet individuale, qoftë ato miqësore apo tjera. Megjithatë unë çdo herë kam thënë – sistemi duhet të të mbrojë, dhe jo individi pasi kjo zgjatë shkurt.”

Megjithatë, në atë kohë, procesi i integrimit në një mjedis tërësisht të ri nuk ka qenë i lehtë, në radhë të parë për shkak të dallimeve të mëdha kulturore.

„Ne, kur të largohemi nga vendi i lindjes në Kosovë, duhet të ndryshojmë për 360 shkallë. Çdo gjë është ndryshe: edhe kultura, edhe sjelljet, e në radhë të parë gjuha. Unë kam ditur deri diku serbisht, pasi që në fshatin tim ka pasur edhe serbë, dhe kur kam ardhë në Suboticë, përpos majorit që më ka sjellë nga Rigjica, nuk e kam njohur askënd tjetër. Vetëm pas një kohe i kam takuar rastësisht edhe dy shqiptarë tjerë që kanë jetuar këtu, dhe e kam pasur menjëherë më të lehtë që të gjindem. Familjes i kam thënë menjëherë: ‘Ne duhet të pranojmë rrethin në të cilin jetojmë, dhe kështu edhe rrethi do të na pranojë ne’. Kur më ka ardhë rasti të punoj, është varur nga unë që të luftoj më tutje, që të tregoj që jam njeri normal, që e dua këtë vend dhe këtë sistem pasi kam qenë lojal ndaj sistemit, siç jam edhe sot. Dhe pas së gjithash mund të them – ne jemi përshtatur shumë mirë këtu.”

Nga arkivi i familjes
Nga arkivi i familjes

Së shpejti pas Nikollës në Suboticë ka ardhur edhe i vëllai, i cili veçse e ka pasur më të lehtë të gjendet në mjedisin e ri pasi ka pasur në kë të mbështetet.

„E kam parë se si vëllai im është duke munduar në Kosovë, është duke vuajtur si Krishti për të ushqyer pesë fëmijët e tij, ka qenë mëkat që të mos i ndihmoj. Ia kam siguruar këtu punën dhe banesën, gjithashtu në fabrikën “Zorka”. Kjo ka qenë në vitin 1967. Në Kosovë nuk ka pasur punë, kurse njerëzit janë larguar për kafshatën e gojës, nuk kanë zgjedhur çfarë do punojnë – vetëm të punojnë diku. Megjithatë, atyre viteve në Suboticë më tepër kanë ardhë si punëtorë sezonalë dhe më pak që të mbesin për gjithë”. Komuniteti i vogël shqiptar është mbështetur në vetvete: traditat janë kultivuar brenda familjes, sikurse edhe gjuha është folur brenda rrethit të ngushtë.

„Ne në atë kohë të Vojvodinës së pasur dhe të zhvilluar, si të them, na kanë konsideruar primitivë. Bile ka qenë një kohë kur ne shqiptarëve na kanë bërë të ndihemi të turpëruar që jemi shqiptarë, por, shyqyr Zotit, kjo kohë ka kaluar shpejt”, flet hapur dhe me sinqeritet Nikolla.

„Është vlerësuar që hungarezët në të gjitha segmentet kanë qenë më të kulturuar. Kur ata kanë pasur fakultete këtu, ne nuk kemi pasur as shkolla fillore atje. Ne kemi jetuar me shekuj me serbët, së bashku kemi qenë nën Turqi, kështu që i kemi disa zakone shumë të ngjashme, në krahasim me popullsinë këtu e cila ka qenë nën Austro-Hungari. Mirëpo, te hungarezët kur ta fitosh besimin të duan shumë”, flet me buzëqeshje në fytyrë Nikolla, i cili në ndërkohë ka mësuar të flasë edhe gjuhën hungareze, “bile më shumë edhe më mirë se sa vendasit”.

Rrethanë lehtësuese në procesin e integrimit në mjedisin e ri ka qenë fakti që me besim është katolik, sikurse edhe e tërë familja e tij.

„Kur na shohin në kishë, kanë më shumë besim në ne, pasi që edhe ne i festojmë Krishtlindjen dhe Pashkët. Dhe më pas ka pasur, edhe sot ka shumë njerëz, të cilët nuk e dinë që ka shqiptarë katolikë, por mendojnë që jemi konvertuar këtu. Nuk është e vërtetë. Ka pasur më herët konvertime të shqiptarëve, por që kanë kaluar nga krishterimi në islam, pasi që jesh i krishterë në Kosovë nuk ka qenë e lehtë. Është dashur të jetosh diku në Bjeshkët e Nemuna, larg ujit dhe tokës së plleshme. Ka pasur edhe të tillë që e kanë mbajtur fenë, kanë qenë të pagëzuar në kishë, por me emra myslimanë – Shaban, Ramë, Demë, Avdyl… pasi kështu ka qenë më lehtë. Sinqerisht ndoshta edhe unë do të veproja ashtu: nëse ke fëmijë, çfarë të bësh”.

Përsëri, nga ana tjetër, edhe këtu shpesh herë vjen deri tek konfuzioni kur bëhet fjalë për emra. Kështu, flet Nikolla, njerëzve ju duket e pazakontë kur dëgjojnë që babai i tij e ka pasur emrin Gjergj, pasi bëhet fjalë për një emër tipik hungarez.

“Shkoj në Kanjizhë për të përkthyer diçka atje. Më pyesin për emrin e babait, unë ju them ‘Gjergj’. Ata përsëri, shumë më zëshëm – ‘Emri i babait!’, unë prapë ju them ‘Gjergj’. Nuk besojnë, kërkojnë letërnjoftimin të shohin nëse me të vërtetë është kështu. Ndoshta unë mund ta kem ndërruar emrin, por babai im asnjëherë nuk ka qenë këtu”, na tregon vetëm një situatë gati komike Nikolla.

E nëse shqiptarët i kanë ndryshuar emrat dhe fetë, thotë shumë seriozitet, kombin nuk e kanë ndryshuar asnjëherë, që është një gjë pozitive e popullit të tij, siç mendon, për dallim nga sllavët te të cilët “çdo gjë është e njëjtë dhe nuk mund ta shohim me sy njëri tjetrin”.

“Një herë më kanë thënë, si në besim, kur ka qenë regjistrimi i popullsisë në vitin 1981, në kohën e demonstratave në Kosovë, që të mos regjistrohen si shqiptar. Jo, nuk kam pranuar. Tani që regjistrohen si serbë, dhe pas 10 vitesh si kroatë, dhe kështu të ndryshoj kombin siç sillen rrethanat. Jo, unë jam shqiptar, por kjo nuk do të thotë që ndaj mendimin e shqiptarëve të Kosovës. Nga marrëzia çdo herë jam distancuar, kurse fëmijëve u kam thënë ‘Ne nuk duhet të ngarkohemi me këtë’. Kurse me vjen keq shumë për çdo gjë që ka ndodhur në hapësirën e ish Jugosllavisë dhe për të gjithë popujt të cilët kanë kaluar nëpër luftëra, jo vetëm për shqiptarët. Jugosllavinë si vend e kam dashur në tërësi, kam qenë jugosllav i madh, edhe pse nuk ka hequr dorë nga kombi im”.

Nikollë Përlaskaj sot i ka plot 77 vjet. Ka punuar gjatë tërë kohës dhe në pension ka shkuar si punëtor i “Zorkës”, që paraqet një pjesë të jetës në të cilën është krenar pasi që ka qenë shumë aktiv në të gjitha sferat e jetës shoqërore në atë kohë të vetëqeverisjes: nga niveli komunal në atë krahinor, nga kryetari i sindikatës në “Zorka” deri tek anëtari i jurisë së Gjykatës Supreme të Vojvodinës.

Për më tepër së pesë dekada të jetës në Suboticë, thotë se asnjëherë nuk ka ndier ndonjë gjë të pakëndshme.

“Nëse dëshiron të kesh probleme, duhet pak edhe të jesh, siç themi ne katolikët, më katolik se Papa. Bile edhe në kohë të luftës në Kosovë, gjatë viteve 90-ta, as unë e as familja ime nuk kemi pasur probleme, pasi që nuk i kemi bërë vetë, edhe pse shumë njerëz në atë kohë kanë ardhur këtu te ne në Suboticë duke ikur nga çdo gjë. Disa më pas janë kthyer në Kosovë, disa kanë shkuar jashtë”, përkujton me pak dëshirë Nikolla atë periudhë, duke shtuar: “Në Kosovë shqiptarët dhe serbët janë njerëz shumë të mirë, por politika ka prishur gjithçka”.

Kurse në pyetjen se pas gjithë kësaj kohë ku ndihet në shtëpi, ai pa menduar thotë: “Më shumë ndihem në Suboticë. Sot kur shkoj në Kosovë nuk mund të përshtatem në atë rreth, pasi nuk ka më njerëz të cilët më kanë njohur dhe të cilët i kam njohur. Më tepër jam i lidhur me Suboticën dhe do të jem deri në vdekje, pasi këtu i kam fëmijët, dhe aty ku janë fëmijët, mbesin edhe prindërit”..

(fundi i pjesës së parë)

Foto: Antonio Gabor

Ky artikull është krijuar si pjesë e projektit “Njerëz të vërtetë – zgjidhje të vërteta”, i cili është financuar nga BE-së si pjesë e Programit Mediatik 2014. Përmbajtja e shkrimit është përgjegjësi ekskluzive e BIRN Kosova dhe Rrjetit të Pavarur të Gazetarëve të Vojvodinës dhe në asnjë mënyrë nuk paraqet qëndrimet e Bashkimit Europian.