Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Interesimi dhe dashuria për filmin rigjallëron jetën në Prizren

Reshjet e shiut nuk e ndalën gjallërinë e Prizrenit në nisjen e edicionit jubilar të “DokuFest”, përkundrazi i shtuan adrenalinë një edicioni i cili pas një viti pandemik ka sjellë turistë nga e gjithë bota.

Në mes pikave të shiut, i mbushur përplot me njerëz nga vende të ndryshme, të cilët vraponin të zinin nga një vend nëpër kinematë e qytetit, Prizreni edhe këtë vit është bërë nikoqir i bashkimit të artdashësve e artkrijuesve.

Të gjithë me një qëllim, të shohin filma të paparë më parë. Filma nga i gjithë globi, njerëz të grumbulluar e të shpërndarë nëpër kinematë e Prizrenit.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Edhe pse historia deshti të përsëritet në natën hapëse të edicionit të njëzetë, njësoj si në natën e parë të edicionit të parë, shiu as tash as atëherë nuk e ndaloi dëshirën që ceremonia e hapjes të mbahej nën qiellin e hapur.

“Natën e parë, para hapjes, ishte shi i paparë … na bëri të gjithëve ujë dhe duhej të linim kopshtin e kinemasë Lumbardhi dhe të futeshim brenda”, kishte kujtuar me nostalgji natën e vitit 2002, në një intervistë për BIRN, drejtori artistik dhe bashkëthemeluesi i DokuFest-it, Veton Nurkollari.

Tash pas 20-vitesh jetë e punë, ky festival ka arritur që Prizrenin dhe vetë Kosovën ta rikthejë në një epiqendër arti dhe kulture në botë.

Për të shikuar, filmin “The Return: Life After ISIS”, Ana Gjoka edhe pse e lodhur nga puna, kishte udhëtuar e vetme nga Tirana për në Prizren. Anipse shkaku i reshjeve të shiut, filmi për të cilin kishte ardhur ishte anuluar, ajo me shpresë priste që të paktën të shikonte filmin me tematikë të ngjashme “Notturno.”

“E kam pas plan të vijë me shoqëri, po ata nuk erdhën kështu që erdha vet. E mora një ditë pushim nga puna vetëm që të vijë sot. Ka dy vite që pres për këtë film, për rikthimin nga ISIS. I kam pritshmëritë shumë të larta…” u shpreh Gjoka, përderisa priste e dëshpëruar dhe e entuziazmuar para “KinoLum-it””, që të shoh filmin e radhës duke shpresuar që mos të bie shi.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Edhe pse është hera e parë që ka ardhur ta ndjekë festivalin, ajo e ekzaltuar tha se këtë dëshirë e ka pasur prej para katër vitesh kur rastësisht e kishte takuar udhëheqësin artistik, Veton Nukollari.

“Kur e kam takuar Vetonin e kam parë sa njeri entuziast për punën është dhe gjithmonë e kam planifikuar të vijë”, tha ajo.

Në fluksin e madh të njerëzve nëpër qytet të cilët vraponin nga një kinema në tjetrën, nga një një lokal në tjetrin, apo bënin fotografi afër monumenteve kulturore, u panë edhe turistë nga shtete të tjera të botës.

Ndryshe nga Gjoka që kishte një ditë që kishte ardhur, gazetarja spanjolle, Marta Moreno, e cila kishte tre muaj që kishte ardhur në Kosovë, priste me padurim që të përcillte filmat në DokuFest e pastaj ta bëjë një artikull për mediat spanjolle.

“Kur e mori vesh kushërira ime që studion regji që do të shkojë në DokuFest, më tha “a e di që DokuFest-i është festivali më i mirë i filmave dokumentarë në Evropë?”, u shpreh e befasuar Moreno.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Udhëheqësi artistik, Veton Nurkollari kishte thënë për BIRN që festivalit i ishte nevojitur pak kohë për të marrë vëmendjen ndërkombëtare.

“Më kujtohen disa drejtorë festivalesh të njohura në Evropë, ndër të parët që filluan të vijne në DokuFest, që na thonin se cilësia e programit është e jashtëzakonshme, mikpritja është e jashtëzakonshme, atmosfera në qytet edhe gjatë festivalit është e paparë”, kishte thënë Nurkollari.

Ndërsa Moreno, e cila jeton në Prishtinë dhe planifikon të qëndrojë deri në dhjetor, u shpreh shumë e kënaqur që ka mundësinë të shkruaj për një festival të tillë.

“Unë do të bëjë më të mirën time që të shkruaj për DokuFest-in edhe pse mundet të mos më publikohet për shkak se jam gazetare freelancer. Por unë dua të shkruaj diçka çka e lidh kulturën dhe ta shfaqi në Spanjë”, tregoi Moreno e cila ishte shumë e kënaqur dhe entuziazmuar që po qëndron në Kosovë.

“DokuFest” ka shkuar përtej të qenit vetëm një festival filmi. Ai do të zgjasë më shumë se një javë, nga 6 deri në 14 gusht 2021, ku do të shfaqen rreth 200 filma nga e gjithë bota.

17 vjeçari nga Peja, Jon Nila, i cili është i angazhuar që dy vite në “DokuFest”, i cili qëndronte tek Lumbardhi përderisa shfaqej filmi “The Witches of Orient” tha se puna e tij vullnetare në këtë festival është eksperienca më e mirë që po e merr në jetë.

“DokuFest është eksperienca më e mirë që mundet të marrë një 17 vjeçar. Këtu përpos që merrem me vullnetarizëm kam arritur të shoh një pjesë tjetër të kulturës”, u shpreh Nila.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Megjithatë, angazhimi i tij me DokuFestin për dy vite përmes një programi e ka bindur që në të ardhmen të studioj regjinë.

“Këtu merr sekrete si si të punohet me film. Këta në mënyrë atraktive edhe tërheqëse të mësojnë si të bëhet një film, plus pa pikë pagese”, rrëfeu Nila.

Ndërkaq, produecentja e festivalit, Alba Çakalli për BIRN ka thënë që interesimi i të rinjëve për të punuar vullnetarë në DokuFest është jashtëzakonisht i madh.

“Nuk mundem me çu verën pa DokuFest”, i kishin thënë Nurkollarit të interesuarit. “Dhe po me dhimbsen se po e marrin kijamet”, tha ajo.

Nata e parë kishte mbledhur shumë njerëz të cilët përmes dokumentarëve tentonin të shohin një pjesë tjetër të jetës, nga këndvështrim sa social aq edhe artistik njashtu edhe si filloi ky edicion.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

“Kur mendoj për DokuFestin, mendoj ndoshta për gjënë që e admiroj më së shumti në botë, që është krijimi i diçkaje të veçantë, magjike dhe e fuqishme, dalë nga mungesa materiale”, ishte fjalia hyrëse e dokumentarit përmbledhës që emocionoi secilin që kishte zënë vend në Kinemanë Lumbardhi.