Homoseksualët në Shqipëri në Festë për të Mposhtur Izolimin

Nuk qe një natë e zakonshme e të shtunës në Disko Lux në qendër të Tiranës. Organizatorët në hyrjen kryesore po i kërkonin pjesëmarrësve të festës të nënshkruanin me emër mbiemër dhe numrin e telefonit apo adresat e emailit.

Disa nga të ftuarit fillimisht hezituan, por pasi aktivistët në krye i shpjeguan se ishte për sigurinë e tyre dhe se të dhënat do të mbeteshin konfidenciale, ata pastaj nënshkruan dhe hynë në klub.

Kjo ishte festa jozyrtare e Shën Valentinit për komunitetin LGBT të Shqipërisë, që pas disa vonesave për arsye teknike dhe organizative, u mbajt të shtunën më së fundmi nga një grup OJQ në kryeqytet.

Festa, slogani i të cilës ishte “Dikush që ti do është LGBTI” priti disa dhjetëra persona si dhe aktivistët drejtues, miqtë dhe mbështetësit e kauzës.

Ndërsa shoqëria shqiptare mbetet ende disi armiqësore ndaj komunitetit LGBT sesa pjesa tjetër e Ballkanit Perëndimor, organizimi i çdo feste më të madhe në Tiranë mbetet ende një detyrë e vështirë.

Elvis Mancellari nga organizata Streha i tha BIRN se ka një numër të kufizuar klubesh dhe baresh që janë të gatshëm të organizojnë një festë të tillë.

“Shumicën e kohës, e arrijmë një marrëveshje me pronarët përmes lidhjeve tona personale,” shpjegoi ai.

Por për komunitetin LGBT në Shqipëri, festa si kjo janë më shumë sesa thjesht argëtim.

Ato janë një mundësi e rëndësishme për ta që të dalin dhe të socializohen me njerëz që kanë mentalitet të ngjashëm. Duke e bërë këtë, ata mund – të paktën përkohësisht – të ndihen më pak të vetmuar dhe të izoluar, besojnë organizatorët.

Laura, një nga aktivistët që erdhi në festë, i tha BIRN se sjellja ndaj komunitetit LGBT në Shqipëri është përmirësuar.

“Kam marrë pjesë në festën e parë LGBTI në Tiranë në 2008 dhe mbaj mend që vetëm 10 njerëz patën guximin të vinin. Tani festat tona kanë më shumë se 100 pjesëmarrës,” tha ajo.

Festa fillon të ndizet

Pavarësisht se po luhej muzikë e mirë, në orën 9 të mbrëmjes atmosfera në klub ishte ende e vakët. Rreth 30 persona kishin mbërritur deri në atë çast dhe ishin ulur në tavolina të ndara në grupe, kryesisht duke biseduar ose kontrolluar celularët.

Vetëm dy ose tre çifte gej dhe lezbike ishin mjaftueshëm guximtarë për të dalë në pistën e kërcimit dhe për të ndjerë ritmin. Kjo tërhoqi disi vëmendje te të tjerët, por shumica mbetën në vend.

Gjërat filluan të ndizeshin rreth orës 10:30 kur gjithnjë e më shumë njerëz po vinin në disko, përfshirë një grup transeksualësh.

Njëra që binte më shumë në sy dhe që tërhoqi vëmendjen e të gjithë të ftuarve ishte Bunny, një 19-vjeçare me makijazh të rëndë, flokë të gjatë të zinj dhe një minfund të ngushtë jeshil.

Ajo ishte e vetmja nga i gjithë grupi që ra dakord të pozonte për kamerën, ndërsa shpjegoi se ishte me fat që kishte një familje mirëkuptuese që nuk e kishte problem shfaqjen e saj në publik.

“Kam qenë në TV dhe në paradat LGBTI gjithashtu. Jetoj me nënën dhe motrën dhe janë shumë mbështetëse,” tha ajo për BIRN.

“I vetmi problem që ka është me gratë e tjera në rrugë që qeshin me mua,” tha ajo. “I shoh meshkujt si shumë të lehtë për t’u manovruar”.

25-vjeçarja Tiki kishte më pak fat. Ajo tha se identiteti i saj i ka krijuar probleme me familjen dhe se më pas iu desh të largohej.

“Nuk jetoj më me ta ngaqë nuk mund ta kuptojnë seksualitetin tim,” tha ajo për BIRN. “Gjatë ditës, jam një djalë dhe me raste të tilla, vishem si vajzë”.

Tiki ishte e vetmja që kishte vënë makijazh të lehtë dhe që i kishte sjellë takat në një qese, e sigurt  nëse mund t’i vishte apo jo.

“I kam marrë takat me vete, por jam e turpshme dhe kam ende dyshime nëse duhet t’i vesh apo jo. Të shohim si do të shkojnë gjërat”, thotë ajo me një ndjesi turpi.

Në orën 11:30 festa është ndezur dhe Tiki, që i ka ndryshuar atletet për takat është në pistën e kërcimit.

Një talent show i improvizuar

Papritur mbrëmja mori një kthesë të re teksa Randy, një transeksual 23-vjeçar erdhi në pistën e kërcimit.

Me flokët e gjatë biond dhe veshjen e zezë seksi, lëvizjet e kërcimit profesionale të Randit tërhoqën vëmendjen e kujtdo dhe pothuajse të gjithë të ftuarit rrethuan pistën e kërcimit, duke duartrokitur dhe e nxitur.

“Nuk jam një profesioniste, por kërcimi është pasioni im ndaj shfrytëzoj rastin të kem një audiencë dhe të kërcej,” tha për BIRN Randi.

Chloe, 20 vjeçe, ndërhyri për të thënë se asaj i pëlqen të këndojë dhe se shpesh i përdor festat e LGBTI si një mundësi për të performuar.

“Kur isha djalë merrja pjesë në programe talenti, por tani si një trans është e vështirë të dal në skenë ngaqë familja ime do të turpërohej,” tha Chloe.

Ajo shtoi se ëndrra e saj është të jetë Konçita Urst e Shqipërisë – ylli i tranvestit i popit australian që fitoi Eurovizionin në vitin 2014 me këngën ‘Rise Like a Phoenix’.

“Po marr në konsideratë propozimin e një këngëtari profesional për të bashkëpunuar në një duet në skenë, që së fundmi të zbuloj identitetin tim te kushdo dhe të këndoj si një trans,” shtoi ajo.

Derisa ëndrra e saj të realizohet, festat e LGBT në Tiranë do të vazhdojnë t’i ofrojnë asaj një audiencë që do t’i japë një mirëpritje të ngrohtë pa e gjykuar.

sh1 sh2 sh3 sh4 sh5 sh6 sh7 sh8 sh9 sh10