Kryetari i Hanit të Elezit, Rufki Suma | Foto: Petrit Rrahmani

Hani i Elezit – Komuna e Gjelbëruar e Veteranit Luledashës

Duhet kapërcyer Gryka e Kaçanikut për të mbërritur në qytezën industriale të Hanit të Elezit në kufi me Maqedoninë. Sot është fabrika e cementit ajo rreth së cilës zhvillohet kjo qytezë.

Si çdo qytet i “popullit pasardhës të ilirëve” edhe Hani i Elezit është i moçëm. Web faqja e komunës tregon se si vendbanim daton në shekullin III para erës sonë.

Ndërkaq në shekullin 15, hartografi i njohur italian Giacomo Gastaldi e kishte shënuar në hartat e tij Hanin e Elezit me emrin Sar, që mendohet se ka të bëjë me malet e Sharrit pranë të cilave ndodhet qyteza.

Gastaldi ishte autoritet në fushën e hartografisë. Ai qe i pari që bëri atlas xhepi që në vitet 1500-1600 nuk ishte fare në modë.

E duke qenë rrëzë fabrikave të cementit, qyteti s’ka si të mos jetë i ndotur, por ndotja e ajrit nuk vërehet as nëpër kulme të shtëpive e as gjatë frymëmarrjes, ndoshta sepse është e rrethuar me male e gjelbërim.

Në oborrin e ndërtesës së komunës kishte ulëse dhe parcela dheu të kufizuar që në pranverë sigurisht bëheshin të gjelbra. Njerëzit bashkë me familjet kishin dalë në oborrin e komunës e shijonin rrezet e diellit. Duket interesante që njerëzit rrinë në oborrin e komunës për rekreacion.

Kjo ndoshta se jam mësuar me rrethojat e qeverisë e të kuvendit, të cilat rrethojnë gjithë ato hapësira të gjelbra të Prishtinës duke i bërë të pashfrytëzueshme.

Kjo komunë me 9613 banorë është e vetmja në Kosovë që ka për kryetar një kandidat të pavarur. Rufki Suma ishte luftëtar i UÇK-së dhe një njeri i respektuar në vend. Fakti që ai fiton në zgjedhje si kandidat i pavarur, madje me mbështetjen e disa partive të mëdha, tregon se ai nuk është nga ata që përmes frikës e mban pushtetin. Përkundrazi, ai duket i sjellshëm e i ndjeshëm.

Këtë e “dëshmojnë” edhe lulet nëpër korridoret e pritjes në ndërtesën e komunës. Një hark i madh dritaresh në vend të kulmit në qendër të ndërtesës, janë gjetja perfekte që në brendi të saj të rriten aq bukur lulet. Madje ka të mbjellë edhe palmë e cila dukej mjaft e shëndoshë për dallim prej atyre që u thanë në Kaçanikun fqinj.

Lule nga më të ndryshmet pothuajse në të gjithë korridorin. E këto nuk ishin nga ato të mëdhatë që blihen me qindra euro, këto ishin trupshkurta, por shumë të bukura.

Menjëherë më shkoi mendja te “pipat”. Ato bisedime të gjata të grave për “pipin”. Sa e çuditshme më dukej kur isha i vogël. Kishin vite të tëra që merrnin e jepnin “pipa” nga njëra tjetra, të të njëjtave lule.

“Pipi” është një degëz e sapo zhvilluar e cila rritet diku në trungun e lules aq sa mund të quhet trung një trup i njomë. “Pipi” vihet për 2-3 javë në një gotë me ujë dhe fillon të nxjerrë rrënjët e bardha si larva të vdekura. Pastaj mbillet në një saksi krejt të vogël dhe kështu merr hov përpjetë. Dikush nga punonjësit e komunës që na shihte me habi tek i fotografonim lulet, na tha se ato ishin vënë me kërkesë të kryetarit dhe se ai edhe kujdesej për to.

Hapet një derë dhe para nesh gjendet kryetari Rufki Suma. Ai na përshëndet me një mirësjellje disi të sikletshme pastaj sapo niset për në sallën e asamblesë ku do të zhvillohej debati, para syve tanë mbetet dera e hapur e zyrës së tij. Të befason thjeshtësia e asaj zyre, pa asnjë teprim, po ashtu e zbukuruar me lule.

E për t’i dhënë fund gjithë këtyre lëvdatave që vijnë nga përshtypjet e para s’mund të mos e përmendim punën e banjove. Ato ishin të pastra. Është hera e parë që në një komunë banjot janë plotësisht të pastra.

Po tani është radha për të parë si i ka menaxhuar kryetari Suma 2 milion eurot e buxhetit të komunës. Salla ishte plot. Asamblistët sipas grupeve kishin zënë vendet e tyre. PDK që përbënte opozitën me 4 asamblistë , VV me 4, AAK po ashtu me 4 dhe LDK me 3 asamblistë ishin ulur në vendet e tyre dhe po prisnin të fillonte debati.

“Kryesuesja” Jeta Xharra kishte zënë vendin që i takonte në këtë debat. Në prapavijë dëgjohej “Zgjohu” e Jericho-s, që është hyrja e emisionit “Jeta në Komunë”. Debati fillon.

Opozita akuzonte për mungesë të ujit të pijes. E kjo zonë konsiderohet e pasur me ujë. Merret vesh që qeveria nuk kishte lejuar themelimin e një kompanie për prodhimin e ujit, prandaj Hani i Elezit varet nga projekti i Ferizajt rreth kësaj çështjeje. Kryetari Suma fajëson edhe qytetarët se po ujisnin bahçet me ujin e pijes.

Për shkak se kryetari është pa parti, drejtorët e tij mund të jenë nga partitë tjera. Kryesuesja kërkoi shpjegim për këtë çështje nga drejtori i shërbimeve publike që ishte nga LDK-ja. Duke qenë se në pushtet në nivel qendror është partia e tij, drejtorit të LDK-së i binte hise të lobonte për këtë çështje. E ai tha se kishte dërguar një shkresë.

E befasuar kryesuesja Xharra pyet si ka mundësi që ka dërguar vetëm një shkresë për dy vjet. Ai tha se priste që secili ta kryente detyrën e vet, madje ishte tepër i habitur për pyetjen që atij i dukej e pakuptimtë aq sa ne të tjerëve naiviteti i tij.

Ende s’më ka rënë të dëgjoj pikëpamje kaq kantiane mbi devotshmërinë ndaj detyrës nga ndonjë politikan kosovar. E aq më pak do ta kisha pritur këtë kantianizëm në Han të Elezit. Sikur të mendonte kësisoj secili ministër e zyrtar tjetër, Kosova do të ishte përplot me lule e banja të pastra si Hani i Elezit.

Opozita kishte edhe një akuzë më të rëndë. Nipi i kryetarit, zyrtar për prokurim ishte dënuar nga gjykata themelore në Ferizaj për nënshkrim pa autorizim të dokumentit duke qenë shef i zyrës së prokurimit publik në komunën e Hanit të Elezit. Opozita këtë e shihte si një shenjë të korrupsionit.

Kryetari thoshte se ai nuk ishte punësuar gjatë mandatit të tij dhe këtë s’e kundërshtoi askush nga asamblistët. Në këto rrethana, kryesuesja u vu në pozitë që të kërkonte votim për shkarkimin e tij.

Asambleja vendosi: 6 vota ishin pro shkarkimit, 5 kundër. Tash i mbetet kryetarit ta zbatonte vullnetin e asamblistëve.

E kur erdhi puna te ndotja, ndonëse u ngritën disa çështje rreth matësit të ndotjes që ishte vendosur më në largësi të qytetit, shihej se s’kishte tension gjatë diskutimit. Qytetarëve nuk u pengon ndotja nga fabrikat përreth pasi i shohin ato si mundësi punësimi. E me sa duket s’i pengon as asamblistët.

Po edhe këtë diskutim e mbyti storja e grave të kryetarëve të komunave që vihet në fund të çdo debati. Ashtu si para dy vjetësh edhe tash gruaja e kryetarit Suma duket modeste. Ajo tregon se si kryetari nuk i do restoranet.“Atij ia k’ana pitet” – thotë zonja Suma me një nënqeshje sikur po bën ndonjë gabim.

E qetë, e dashur me kamerën dhe krejt e pafajshme. Sa me fat janë burrat në Kosovë. Gra që kujdesen që ata të jenë të suksesshëm. Ata punojnë për “çashtjen”.

Por kur pyetet se a gatuan ndonjëherë kryetari ajo me një buzëqeshje enigmatike tha: “Kryetari ka gatu, kur jena kanë në pushim në Shqipni…” – dhe për t’u siguruar se po e kuptojmë shakanë e saj, kësaj radhe qeshi më shumë dhe shtoi “në restoran kur kena hangër”.