Gratë Kosovare Nuk e Dinë Çka Është 8 Marsi

Lulet janë dhurata më e shpeshtë këtë ditë. Data 8 mars ka kohë që në Kosovë festohet, e krejt vonë ka nisë të shënohet duke protestuar.

Shumë qytetarë këtë datë ia atribuojmë nënës. Edhe pse ajo është personifikimi i parë i gruas në shoqëri, kjo datë u takon të gjitha grave, jo vetëm nënave.

Por, jo të gjithë e dinë kuptimin dhe historikun e vërtetë dhe emblematik të datës tetë të muajit të tretë.

E simbolikën dhe historikun e Ditës së Gruas, nuk e dinë as vetë gratë, dhe normalisht as burrat.

“8 Marsi simbolizon ditën e nanave. Lulet qitu në shesh i mora për nanën”, tha për Gazetën JNK, Mensure Llapashtica, një qytetare e cila kur u pyet për historikun e kësaj date, tha se nuk e di.

As qytetarja Lirdona Husaj nuk di për historikun e 8 Marsit, ndërsa edhe ajo thotë se kjo datë “simbolizon festën e nënës”.

Pak a shumë të njëjtin mendim e ndan edhe qytetarja Safete Ahmeti: “8 Marsi është dita e gruas, dita e nanës, për femna…”.

E për zonjën Emine Tahiri, 8 Marsi është simbol i madh, po ashtu duke iu referuar nënës.

Kjo është festë shumë shumë, kush e din, shumë e madhe për nanën. Është simbol i madh”.

Edhe pse në sheshin “Zahir Pajaziti” ajo shiste buqeta të shumta lulesh këtë ditë, nuk e di saktë domethënien e saj.

“8 Marsi simbolizon gratë dhe sa të rëndësishme janë për neve, edhe për nanat edhe për të gjitha”, tha Hana Ramadani, luleshitëse.

“A e din historikun? – Jo.

Vllaznim Maloku kishte dal për të blerë lule për vajzën dhe gruan në këtë ditë të vetme, të veçantë, siç e quan ai.

“Lulet i kam ble për çikë, po edhe për grue… Diçka e veçantë, se unë mendoj që kjo është e vetmja ditë që duhet ta respektojmë se është mjaft e veçantë se ne si gjini mashkullore duhet ta respektojmë edhe gjininë e kundërt, në këtë rast 8 Marsin – ditën e gruas”, tha Maloku për gJNK.

Ndërsa qytetari tjetër Limon Krasniqi, lule kishte blerë për gruan, por vajzës tha se ia blen i fejuari.

“8 Marsi është dita e grave, është ditë shumë me rëndësi, blejmë lule, vajzat gjithashtu blejnë lule. Çikave jo [nuk ju kam ble lule] se ajo i blen nanës, e asaj i blen i fejumi”, tha ai.

Por Albareat Maqastena tha se 8 Marsi ka tjetër kuptim, duke shpjeguar se kjo ditë shërben për të ngritur ndërgjegjësimin për barazinë gjinore.

“Nanës duhet me ja kushtu tanë jetën, jo vec një ditë. Ma së shumti për të drejtat e gruas, që n’Kosovë shkelen kogja si shumë, si për hisen e babës, si për dhunën në familje e gjithçka..”

Çka në fakt simbolizon 8 Marsi?

Si ngjarje ka nisur nga lëvizjet socialiste të fillimit të Shekullit XX. Në gusht të vitit 1910, në një konferencë ndërkombëtare të grave, të mbajtur në Kopenhagen të Danimarkës, ishte propozuar që të ketë një ditë ndërkombëtare të gruas.

Ideja e konferencës ndërkombëtare të grave që vazhdoi edhe më pas, ishte që gratë në mbarë botën të kishin strategjitë e tyre për të drejta dhe paga të barabarta me burrat, përfshirë edhe të drejtën e votës e po ashtu edhe të drejtën për të mbajtur poste publike.

Clara Zetkin, udhëheqësja e forumit të gruas në Partinë Socialiste të Gjermanisë, ishte ajo që e propozoi “Ditën Ndërkombëtare të Gruas”.

Dita Ndërkombëtare e Gruas në parim kishte mbrojtjen e pozitës politike dhe ekonomike të gruas.

“8 Marsi është dita ku duhet të ngrihet e gjithë bota të protestojmë për të pas të drejtat e barabarta mes grave dhe burrave”, tha aktivistja për barazi gjinore Igballe Rogova.

Sipas saj, simbolika nuk janë lulet: “Simbolika është protesta, marshimi si sot që ishte e jo lulet”.

Në fakt Dita Ndërkombëtare e Nënës është në maj – kjo varion sipas vendeve të ndryshme – por ekziston edhe Dita Ndërkombëtare e Babait, e cila është në qershor (edhe kjo varion).

Sot, me moton “Mars’hojmë, S’festojmë”, u protestua në Prishtinë.

Arsyet për protestë – jo festë

Kosova, e cila ende vuan nga diskriminimi gjinor, dhuna në familje dhe ngacmimi seksual, ka shumë arsye të protestojë, por pak njohuri dhe ndërgjegjësim mbi barazinë gjinore.

Sipas një vrojtimi nga UNICEF dhe Agjencia e statistikave të Kosovës, mbi 40% e grave kosovare e konsiderojnë dhunën ndaj tyre të justifikueshme nga një i afërm mashkull në disa rrethana.

http://kallxo.com/grate-kosovare-mbi-40-per-qind-e-pranojne-dhunen-ne-familje/

Ky aprovim vlen në rastet kur ato bëjnë disa “gabime”, si moskujdesi i duhur për fëmijët dhe shtëpinë, bërja e burrit xheloz, refuzimi për të pasur marrëdhënie seksuale me partnerin, apo kur djegin gjellën.

Një vrojtim i publikuar nga Rrjeti i Grave të Kosovës pak javë më parë, gjeti se mbi 60% e grave pranojnë se janë ngacmuar seksualisht, por vetëm 4 për qind prej tyre i kishin raportuar rastet përkatëse.

Për më tepër, mbi 70 për qind e grave të anketuara thanë se gratë i provokojnë vetë ngacmimet seksuale përmes veshjes dhe sjelljes së tyre, ndërsa 40 për qind prej tyre thanë se grave të reja u pëlqen t’i ngacmojnë seksualisht.

KWN_Report_640_KWN

Në nëntor të vitit 2015, Zejnepe Bytyqi u vra nga burri i saj, i cili kishte ushtruar dhunë ndaj saj për 16 vite.

Ky nuk është një rast i izoluar, por për të reaguan edhe institucione ndërkombëtare meqë ajo kishte denoncuar disa herë dhunën në polici, por institucionet nuk kishin reaguar.

Raporti i fundit i RrGGK-së, thotë se 2/3 e grave në kosovë kanë qenë viktima të ngacmimit seksual.

Referuar ODK, sipas të dhënave të Bankës Botërore, Kosova radhitet ndër vendet me pjesëmarrjen më të ulët të fuqisë punëtore në botë.

Sipas një studimi të fundit të organizatës D4D, në Kosovë 1 në 10 gra është e punësuar.

17 vjet pas luftës ende nuk ka asnjë person të gjykuar për krimet e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Atëherë, pse festohet?

Pavarësisht të gjitha arsyeve për të protestuar, me shumë pak përjashtime, Kosova sot feston.

Arsyet e kësaj feste, me gjasa gjenden në të shkuarën komuniste/socialiste të vendit në ish-Jugosllavi, ku sikundër në vende të tjera të së njëjtës ideologji në Bllokun Lindor, protestat thjesht nuk ekzistonin.

Gra të reja komsomole (rinia komuniste) në një takim me lidershipin e Bashkimit Sovjetik âñòðå÷àåòñÿ ñ êîìñîìîëêàìè, íàãðàæäåííûìè ïî÷åòíûì çíàêîì "Âîðîøèëîâñêèé ñòðåëîê".
Gra të reja komsomole (rinia komuniste sovjetike) në një takim me lidershipin mashkullor të Bashkimit Sovjetik

“Në kohën e Jugosllavisë kjo datë është festuar, nuk mbaj mend që është protestuar ndonjëherë. Protesta është praktikë e viteve të fundit, në fakt sot e pashë një të tillë”, tha për Gazetën JNK, Kaqusha Jashari, dikur funksionare e Kosovës në ish-Jugosllavi.

Regjimet socialiste në botë, përfshi Ballkanin, ditët e protestës i kthyen në ditë festash, duke qenë se Partia i kishte zgjidhur të gjitha problemet, të cilat asokohe “ekzistonin vetëm në sistemin e pamoralshëm kapitalist”, sipas propagandës së Luftës së Ftohtë.

Kështu, 1 Maji – dita kur punëtorët protestojnë për të drejtat e tyre – u shndërrua në “Festën e Punëtorëve”, ndërsa 8 Marsi i protestave të grave për barazi, në Ditën (festën) e Nënës.

Por, pavarësisht këtyre modifikimeve historike, problemet me të drejtat e grave në Kosovë si në vende të tjera, vazhdojnë të jenë të mprehta, ndërsa tufat e luleve zëvendësojnë diskriminimin dhe dajakun vetëm për 1 ditë nga 364 të tjera që ka viti.