Ilustrimi- Jeta Dobranja për KALLXO.com

Gratë e reja që po transformojnë shitjen e rrobave të përdorura

Një gjeneratë e grave të reja po e transformojnë idenë e dyqaneve të rrobave të dorës së dytë në Kosovë duke siguruar stabilitet financiar dhe duke e ndihmuar mjedisin në proces e sipër. 

Ashtu sikur shumë bashkëmoshatarë të saj, 26-vjeçarja Agnesa Sejdiu nga Prishtina e gjeti veten të papunë dhe shpesh të ngujuar në shtëpi përgjatë vitit 2020.

Një pasion afatgjatë për të blerë nga dyqanet e qytetit që shesin rroba të përdorura  kishte ndikuar që për Agnesën të krijohej një grumbull rrobash. Kështu në pamundësi që t’i akomodojë të gjitha ato rroba në dollapin e saj, në muajin gusht ajo vendosi t’i shiste ato përmes një llogarie të re në Instagram, ‘Agsvintage‘.

Nisma e saj mori hov më herët sesa ajo e priste dhe shumë shpejt Agnesa nisi të zgjedhë me kujdes rroba të veçanta nëpër dyqane për t’i shitur më pas përmes dyqanit të saj online, për të cilin ajo thotë se po gjeneron fitime të konsiderueshme.

Agnesa nuk është e vetmja në Kosovë që po eksploron mundësitë e krijuara nga rrjetet sociale dhe shtimin e rrobave të cilësisë së mirë në Kosovë. 

Sara Ajeti nga qyteti i Vitisë po ashtu e pa veten papritur duke u shndërruar në një shitëse të sukseshme pasi hapi llogarinë në Instagram ’sbs_thrift’ me motrën e saj kur të dyja ishin adoleshente.

Sara Ajeti, pronare e “sbs_thrift”

Ashtu sikurse Agnesa edhe motrat Ajeti hapën dyqanin e tyre online për t’i zhvendosur disa nga rrobat e tepërta nga koleksioni i tyre i stërmbushur, që ishte grumbulluar kryesisht nga dyqanet me rroba të përdorura nëpër të gjithë Kosovën. Dyqani online filloi si një hobi por shpejt u bë më fitimprurës sesa prisnin.

“Në muajt e parë arritëm të fitojmë para përgjatë tërë sezonit veror,”  thotë Sara për KALLXO.com.

“Është rritur vërtetë shpejt dhe tani kemi blerë disa gjëra posaçërisht për të shitur. Ne zakonisht fitojmë  rreth 2-3 euro për shitje.”

Përveç se të gjenerojnë të ardhura për veten e tyre, gratë e reja që menaxhojnë me shitje rrobash në internet thonë se ato ofrojnë disa oferta të jashtëzakonshme për klientët e tyre.

Sara tregon raste kur ajo dhe motra e saj gjetën sende me vlerë qindra euro në një dyqan gjësendesh të dorës së dytë, i blenë ato për afro 3-4 euro para se t’i shisnin për rreth 10 euro.

Ilustrimi-Jeta Dobranja

Një tjetër pronare e dyqaneve online të rrobave të përdorura, Majlinda, e cila e ka lansuar llogarinë ‘thriftingnuts’ ’në Instagramin e saj dy vjet më parë, thotë për KALLXO.com se ajo dikur gjeti një palë pantallona Versace me një çmim të pakicës në vlerë prej rreth 1,200 eurosh në zbritje për vetëm 10 euro.

Këto thesare të fshehura në dyqanet e rrobave të përdorura të Kosovës janë pjesë e asaj që e bën funksional modelin e biznesit të dyqaneve online. Majlinda, Sara dhe Agnesa, të gjitha thonë se dyqanet e rrobave të përdorura në Kosovë shpesh menaxhohen pa ndonjë ekspertizë mode edhe sa i përket çmimeve dhe prezantimit, të cilat krijojnë një hendek në treg për bizneset e tyre.

“Edhe nëse ke kohë të shkosh në një dyqan rrobash të përdorura, zakonisht ka vetëm një grumbull rrobash – kërkon shumë durim për t’i shikuar të gjitha,” thotë Agnesa. “Nga ana tjetër, në një dyqan online, mund të gjeni rroba të zgjedhura me dorë dhe mund të shihni se si duken ato të modeluara.”

Sara pajtohet që dyqanet fizike  rrobave të përdorura të Kosovës nuk e lehtësojnë më shumë jetën për klientët. “Ata nuk i klasifikojnë rrobat në asnjë mënyrë”, thotë ajo. “Nëse nuk keni pasion për modën, nuk mundohesh të kërkosh rroba të mira.”

Sidoqoftë, Majlinda beson se kjo mungesë pasioni në mesin e shitësve me pakicë ndihmon në krijimin e mundësive të mira për të zbuluar rroba me cilësi të mirë. “Biznesi është thjesht biznes për ta – Unë nuk kam parë koleksionistë të vërtetë që me të vërtetë duan të gjejnë gjëra unike dhe t’i paraqesin ato në një mënyrë të kujdesshme”, thotë ajo. “Por kjo do të thotë që ndonjëherë mund të gjesh rroba cilësore dhe shumë unike në dyqanet e rrobave të dorës së dytë.”

Ta luftosh paragjykimin dhe modën e shpejtë

Përderisa çmimet e lira janë qartësisht një faktor nxitës për pronarët e bizneseve të reja, të gjithë ato insistojnë se ka dallim mes dyqaneve të rrobave të përdorura me kosto të ulët dhe të ashtuquajturës “modë e shpejtë”.

“Moda e shpejtë ofron rroba të lira dhe të modës së fundit, por definitivisht jo rroba me cilësi të mirë,” thotë Majlinda.

Sara pajtohet me këtë konstatim, dhe thotë se opsionet e rrobave të përdorura sigurojnë jo vetëm veshje me cilësi më të mirë, por mundësinë për veshje më unike. “Nëse nuk ke mundësi të blesh diçka të nivelit të lartë dhe me cilësi të mirë, atëherë duhet të shikoni përreth në dyqanet e rrobave të përdorura,” thotë ajo. “Mund t’i gjesh gjërat me çmim të ulët dhe nuk do të dukesh si të gjithë të tjerët.”

Ilustrim-Jeta Dobranja

Moda e shpejtë është kritikuar gjithashtu për ndikimin e saj në mjedis për shkak të sasive të mëdha të mbeturinave që prodhon. Në përgjigje të kësaj, një shtytje drejt modës së qëndrueshme, duke përfshirë ripërdorimin dhe riciklimin e rrobave ka marrë përmasa në të gjithë botën.

Sipas Majlindës, Sarës dhe Agnesës, ndotja e mjedisit nuk është ndër prioritetet kryesore të klientëve të tyre kur blejnë rroba të përdorura. Sidoqoftë, siç thekson Agnesa, rritja e popullaritetit të blerjes së rrobave të përdorura do të sjellë përfitime mjedisore pavarësisht nga qëllimet e blerësve.

“Dorën në zemër, nuk besoj se njerëzit që kërkojnë të blejnë diçka të përdorur kanë arsyen ekologjike, si pikë fillestare” thotë ajo. “Por unë besoj se brezi i ri në Kosovë është shumë më i edukuar në këtë temë dhe mendoj se [blerja dhe shitja e rrobave të përdorura] indirekt po ndihmon një kauzë shumë më të madhe dhe të rëndësishme.” 

Pavarësisht rritjes së popullaritetit të blerjes së rrobave të përdorura, për të mos përmendur përfitimet ekonomike dhe ekologjike, Majlinda beson se ekziston ende një lloj nënçmimi ndaj dyqaneve të rrobave të përdoruara. “Unë nuk mendoj se trendi në rritje e ka bërë këtë stigmë të zhduket,” thotë ajo. “Mirëpo, mundësia e fshehtë e blerjes online, padyshim që i ka lehtësuar gjërat”.

Agnesa pranon që edhe ajo ishte pak në siklet për shitjen e rrobave të përdorura, por përfundimisht mësoi të përqafonte pasionin e saj, të cilin tani e sheh të pasqyruar tek baza e saj e re e klientëve.

Agnesa Sejdiu, pronare e “Agsvintage”

“Unë besoj se mentaliteti ka ndryshuar, të rinjtë nuk ndihen të turpëruar për blerjen e rrobave të përdorura”, thotë ajo. “E kuptova që stigmatizimi ishte zbehur pasi mora shumë mesazhe nga vajzat e reja që më pyesnin se ku i blej rrobat e mia.”

Agnesa shpreson që biznesi i saj në rritje do të rezultojë me kalimin e saj nga të qenit një shitës me pakicë online tek të qenit pronare e dyqanit të saj, një ëndërr që e kanë po ashtu edhe Majlinda dhe motrat Ajeti.

“Unë dua që biznesi im të regjistrohet,” thotë Agnesa. “Për shkak se nuk mund ta quaj veten me të vërtetë një biznesmene kur biznesi  nuk ekziston zyrtarisht.”

Duke e imagjinuar dyqanin e saj ideal të rrobave të përdorura, Agnesa shprehet se ajo do t’i ekspozonte rrobat në shitje dhe do të punonte shumë në marketing, përfshirë edhe shitjen përmes një faqe online. “Nuk mendoj se do të ndikonte në rritjen e çmimeve,” përfundon ajo.

 

Artikulli është publikuar fillimisht në gjuhën angleze në Prishtina Insight