Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri | Foto: Atdhe Mulla

Gjilani nën Pushtetin e Kryetarit Foucault-ian*

S’di a keni dëgjuar por “gjemt e Gjilanit, hajn’ bukë me gjishta edhe me gjath”. Aq të buta janë “gj”-të në Gjilan sa vet Gjilanit gjilanasit i thonë “Gillan”, e çdo grup bashkëtingëlloresh “dj” e shndërrojnë me lehtësi në “gj” për shkak të ngjashmërisë së shqiptimit. Kjo mund të jetë si rrjedhojë e ndikimit sllav, sidomos kur kemi parasysh që Gjilani shtrihet në pjesën lindore të Kosovës.

Gjemt e Gjilanit e duan pamjen sportive. Një kokë e rruar, një zinxhir (jo sa “llanecët” e Pejës por diçka më i hollë), mbathur me atlete dhe një pamje shumë sportive, është diçka për të cilën “gjemt” do të përpiqeshin.

Popullsia e kësaj pjese në fakt shquhet për një butësi në të komunikuar për dallim nga pjesë të tjera të Kosovë ku komunikimi është më i ashpër.

Rinia ka njëfarë mode të sajën krahasuar me qytetet tjera, ndonëse autenticiteti mungon si kudo në Kosovë. Kopjimi i prirjeve të kulturave e subkulturave perëndimore është në modë ditëve të sotit.

Kalimtarë në GJilan | Foto: Atdhe Mulla
Kalimtarë në GJilan | Foto: Atdhe Mulla

Mungesa e hapësirave për zhvillim të kulturës siç mund të ishte ndonjë qendër e rinisë, që në Kosovë s’kam dëgjuar të ketë, ose edhe nëse ka atëherë është fjala për ndonjë ndërtesë (Pallati i Rinisë), bën që të rinjtë të mos mund të zhvillojnë diçka të veten.

Takimet nëpër kafene sa për të pirë një kafe bashkë nuk përbëjnë rast për diskutime e trajtime të nevojshme teorike ku do të mund të dilte diçka e re.

Domethënë, të mos pasurit e qendrave ku do të shiheshin filma, ku do të luhej muzikë, ku do të shfaqeshin shfaqje amatore teatrale, ku do të kishte klub leximi e diskutimi, ku do të çlirohej seksi nga dogmat patriarkale, ka paralizuar mundësinë e zhvillimit të rinisë kosovare.

Kështu, të rinjtë merren me zinxhirë ari, rruajtje kokash, herë herë me ndonjë lloj hipsterizmi tashmë i parë sapo hap Google dhe kërkon me fjalën “hipster” apo “fashion”.

Apo një kategori tjetër që e konsiderojnë veten persona politikë, që vishen me kostume biznesmenësh e politikanësh, me mendësi në unison me gjeneratat e vjetra të politikanëve tanë.

Ndërkohë, politikanët bëjnë diskutime për çështjet madhore të vendit tonë: zgjedhjen e presidentit unifikues, marrëveshje të ndryshme që të stabilizohemi e asociohemi me vendet e BE-së e çka jo tjetër me rëndësi “për të ardhmen” tonë.

Gjilan | Foto: Atdhe Mulla
Gjilan | Foto: Atdhe Mulla

Me një fjalë, çështje që s’janë për ne të rëndomtët.

E në anën tjetër, ujërat e zeza u gufojnë para hundëve, lumenjtë ende shërbejnë si tuba kanalizimi ku njerëzia hedhin çka t’ju vijë në dorë, fshatrat e qytetet në shekullin 21 përballen me mungesë uji e rryme. E të mos vazhdojmë me përsëritjen e gjithë atyre raporteve të medieve me të cilat bëhet edhe humor.

Kësaj radhe jemi në Gjilan, për të parë si qëndron kjo komunë në krejt këto çështje. Me një kryetar karizmatik që ka thyer tabu e tabu, po flasim këtu për vathin në thithkë dhe për ndonjë incident të vogël gazmor, Gjilani pritej të ishte gjithë ngjyra, por në fakt sa fillon debati “i del purrini”.

Siç edhe u ankuam tashmë, në shekullin 21 ende qytetarët e Kosovës përballen me këto çështjet e rrugëve, ujit, kanalizimit, për të cilat kryetari i Gjilanit rrëfente se si i kishte përmirësuar.

Por regjia i tregonte atij një foto të vëllezërve Zuka dhe atij vetë, e cila ishte bërë gjatë fushatës. Kjo qe me rëndësi sepse kompania e vëllezërve Zuka merr vazhdimisht tenderë në këtë komunë.

I pyetur nëse për të marrë tender në komunë duhej dalë si fillim në foto me të, kryetari u përgjigj: “Nuk është e domosdoshme…”. Këtu i mungonte shtesa “por e preferueshme”, gjë që ai s’e tha, por besoj se dikush në sallë mund ta kishte në mendje.

Pastaj në një ligjëratë që kryetari Haziri e mbajti mbi pushtetin dhe raportet e tij me subjektet tjera, tha diçka që s’ma kishte marrë mendja se do ta dëgjoja nga ai.

“Çdo pushtet është vazhdimësi” – tha ai mes tjerash dhe për befasinë time Haziri më dilte një Foucault-ian i dorës së parë, e sidomos kur kisha parasysh pirsingun. Edhe vetë Mischel Foucault do ta xhelozonte.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri | Foto: Atdhe Mulla
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri | Foto: Atdhe Mulla

Pas kësaj, opozita shpërtheu në akuza për kualitetin e asfaltit. Faktet që pretendoheshin nga opozita ishin fare mirë lëndë për prokurorinë, por jo vetëm në Gjilan, këto lloj evidencash që paraqet opozita kanë më tepër një karakter elektoral.

Ato që thuhen si akuza nëpër komuna do të duheshin marrë shumë seriozisht nga prokuroria e nuk merren, ndonëse ka nja 2-3 raste që prej se kanë filluar debatet Jeta në Komunë ku ka pasur inicime procedurash nga prokuroria për tema që janë diskutuar në këto debate.

Edhe pas dy vitesh të mandatit të kryetarit Lutfi Haziri, lumi Mirusha, siç shfaqej në fotografitë që regjia i shfaqte në sallën e asamblesë komunale, ishte në gjendje të tmerrshme.

Kryetari pati një shpjegim të çuditshëm sa më s’bëhet: “Sepse kështu e kam gjetë dhe kështu e kam konservu”.

A u përpoq të thoshte diçka me rëndësi apo jo nuk u mor vesh, por me aq sa kuptohej ai donte të thoshte se e kishte lënë në këtë gjendje lumin për t’ua treguar të tjerëve keqqeverisjen e paraardhësit të tij.

Komuna e Gjilanit | Foto: Atdhe Mulla
Komuna e Gjilanit | Foto: Atdhe Mulla

Haziri është i paparashikueshëm. Thellë-thellë diku brenda tij fshihet ndonjë artist, kam përshtypjen, pasi këto shpërthimet e tij që thyejnë tabu, bashkë me këto idetë për konservim të bërllogut me qëllim të dhënies së mesazhit politik, janë kaq të thella sa s’i bën dot dikush pa shpirt artisti.

Dhe s’mund të thuhet vetëm keq, se ca punë të mira janë bërë, vjen për shembull disa rrugë të shtruara, e fillimi i punimeve për Sahat Kullën e Gjilanit e disa të tjera, por akuzat e opozitës s’kishin të ndalur.

Akuza e kundërakuza u shkëmbyen për çështje të shpenzimeve të telefonit që kryetari Haziri insistonte se i kishte trashëguar nga paraardhësi i tij si borxhe.

Pastaj menjëherë u hap tema e punësimeve nepotike dhe këtu ndërhyri kryesuesja në pushim e asamblesë, pasi ajo zëvendësohej nga kryesuesja provizore Jeta Xharra.

Kjo ishte një zonjë me flokë të zeza, kaçurrela, të mbledhura pas kokës lart. Kjo i jepte një pamje autoritative. Dhe posa mori fjalën u mor vesh se pse ajo ishte kryesuesja.

Zë kumbues, fjali të ashpra e të shpejta, dilnin nga goja e saj. Por ajo që tha siç e kategorizoi ajo “publikisht” ishte një ftesë më shumë për prokurorinë sesa një kundërargument për opozitën. Ajo tha se në kushte të barabarta normalisht se do të punësohen anëtarët e LDK-së.

Një qeshje si e Mona Lisës të vjen ashtu sarkastike, vuajtëse, vrastare dhe çdo emocion të përzihet kur dëgjon zyrtarë tek flasin në këtë mënyrë.

Jo fort për atë që thonë sa për faktin se nuk e kuptojnë që ajo që thonë i inkriminon. Kjo s’ishte gjë tjetër veçse nxjerrje në fushë e vitheve të Gjilanit dhe mënyrës se si shkojnë punët atje.

Përfundimi: ndikimi i kryetarit qenka vërtet i madh në Gjilan.

 

*Michel Foucault – filozof francez i postmodetnizmit (1926-1984)