Foto: Arkiva personale e Ilir Kasneci

Gjashtë dekada pas, gjurmët e ‘Motokrosit’ në kujtesën kolektive

Sot është një nga lagjet me ndërtimin më intensiv të Prishtinës, por lagjja Arbëria, ishte vendi ku Kosova zhvillonte një ndër garat më të mëdha me motoçikleta në rajonin e ish Jugosllavisë.

E njohur si “Motokrosi” në vitet ’60-ta, përpos garuesve pjesëmarrës, në kodrën e Arbërisë qytetarët ngjiteshin në këmbë për të ndjekur dhe përkrahur të preferuarit e tyre.

Foto: Arkiva personale e Ilir Kasneci

Këto gara që mblidhnin edhe garues nga jashtë tashmë ish Jugosllavisë, u zhvilluan nga viti 1960 deri në fillim të viteve 70-ta. Organizues i tyre ka qenë ‘Shoqnija motoçiklistët e Prishtinës’.

Atë kohë, numri i qytetarëve që kishte motoçikleta, ishte shumë i vogël, andaj edhe ishte e shtuar edhe kureshtja për përcjellje të këtij organizmi, madje kishte rritur interesim për blerje të makinës së shpejtë dyrrotëshe.

Eventi konsiderohej si një nga ngjarjet më të rëndësishme sportive të asaj kohe dhe gazetat vazhdimisht i kushtonin vëmendje, sigurisht edhe lavdëroheshin garuesit që përfaqësonin, atë kohë, krahinën e Kosovës.

Foto: Arkiva personale e Ilir Kasneci

Gara zhvillohej dy ditë gjatë muajve të verës, njëra kishte karakter vendor dhe tjera ishte me karakter ndërkombëtar, ku mblidheshin edhe pjesëmarrës nga vende tjera.

Sipas të dhënave nga Arkivi i Kosovës, garat e para të motokorsit janë mbajtur në vitet ’50-ta nëpër rrugët e Prishtinës e më pas janë zhvendosur në kodrën e Arbërisë si gara në hapësirë me bazë të dheut dhe me karakter ndërkombëtar.

Poligoni i kësaj gare, në vitet e fundit të organizmit, ishte zgjatur edhe në lagjen e Veternikut.

Foto: Arkiva personale e Ilir Kasneci

Sipas një raportimi të gazetës ‘Rilindja’ në vitin 1962, këto gara kishin tërhequr mbi 10 mijë shikues. Atë vit, kampionatin e Serbisë e kishte fituar garuesi Matija Stefanoviq nga rajoni i Fushë Kosovës dhe ishte ndër garuesit më të famshëm në ish Jugosllavi.

Derisa, numri i garueseve shqiptar në këto gara ka qenë shumë më i vogël. Krahasuar me ata të nacionaliteteve tjera.

Sipas të dhënave nga gazetat në Agjencinë e Arkivave të Kosovës, staza e këtyre garave ka qenë më e madhja në ish Jugosllavi, prandaj edhe ka pasur karakter ndërkombëtar.

Foto: Arkiva personale e Ilir Kasneci

Lagjja ‘Arbëria’ deri në kohën e pasluftës nuk ka pasur ndërtime të larta banimi pasi kjo gjë nuk lejohej me planet rregulluese të asaj kohe, shkak ishte tereni jo përshtatshëm ku vazhdimisht ka pasur rrëshqitje të dheut.

Tani, kanë kaluar 6 dekada nga organzimi i këtyre garave dhe numri i personave që kanë memorie për to sa vjen e zvogëlohet.

Banorët e Prishtinës, e kryesisht ata të lagjes ‘Arbëria’, ose nga rrethina që shkonin të ndiqnin garën kanë kujtime shumë të pakta nga mënyra si organizoheshin garat. Madje, shumë prej tyre dinë vetëm detaje që kanë marrë nga familjarët apo të afërmit.

Foto: Arkiva personale e Ilir Kasneci

Nazmi Toçani, tani i moshuar, thotë se entuziazmi që i ngjallnin këto gara si fëmijë, ka bërë që të mos i humbasë ato kujtime.

Ai thotë se atë kohë Arbëria ishte lagje gati e shkretë dhe këpucët zakonisht i mbusheshin baltë, pasi në terrenin e garës ishte tokë.

“Unë tash i kam bo do vjet po gëzimi për mi përcjell ato gara ka bërë që mos me harru mënyrën qysh jon organizu. Garat janë mbajtur dy ditë në vit edhe janë përcjell shumë, edhe prej gazetarëve, bile kanë ardhur edhe prej vendeve jashtë Jugosllavisë. Dragodani, tash që po i thojnë Arbëria, u kanë lagje e shkretë bile ka pas shumë baltë edhe këpucët i zhytshim duke vrapu mi përcjell garat”, thotë ai.

Toçani që tash nuk jeton në Kosovë, thotë se garuesi Mate (Matija) Stefanoviq ka qenë shumë i famshëm dhe se të gjithë brohorisnin emrin e tij.

“E di që vazhdimisht thirrej emni ‘Mate, Mate’ dhe se u kon goxha i famshëm, për garues tjerë nuk di, nuk mbaj mend”, thotë ai.

Foto: Arkiva personale e Ilir Kasneci

Derisa, Vesel Makolli po ashtu i ri në kohën kur organizoheshin këto gara, thotë se merrte pjesë gjithmonë si spektator, derisa në ditën kur garat nuk organizoheshin më.

Ai thotë se e mban mend edhe shtrirjen e stazës së këtyre garave, që viteve të fundit ishte bërë me pagesë për spektatorët.

“Unë kam marrë pjesë si spektator disa vite deri sa është mbyllur. Më kujtohet mirë staza e garës e cila në një pjesë lëshohej poshtë deri te hekurudha, aty tash është lagje e tërë. Dy apo tri vitet e fundit, spektatorët paguanin bileta, staza rrethohej me shirita dhe roje, të cilët nuk lejonin afrim pa pasur biletë”, tha Makolli.

Ai potencon se ditët kur organizoheshin këto gara, konsideroheshin si festa shtetërore.

Ngjashëm deklaron edhe qytetari Xhemajl Petrovci. Ai thotë se i mban mend pak këto gara që dikur mbaheshin në kodrën, atëherë tërësisht të pabanuar të Arbërisë.

Petrovci shton se në këto gara ka pasur edhe garues shqiptarë, por që nuk i kujtohet ndonjë emër.

“Mbaj mend që garat janë mbajtur në Arbëri, atëherë i kemi thënë Dragodan, ka qenë zonë e pabanuar, unë merrja pjesë si spektator. Sa i përket garuesve, e njoh një  me emrin ‘Mate’, ka pas edhe shqiptarë, po nuk kam kujtesë të emrave”, ka thënë Petrovci.

Pas vitit 1970 këto gara nuk ishin organizuar më tej, shoqata që merrej me këtë event e ndërpreu organizmin.

Aktualisht, gara të ngjashme të ‘Motokrosit’ në Kosovë zhvillohen nëpër qytete të ndryshme, por janë kryesisht me karakter lokal.

Një garë e ngjashme dhe ndër më të mëdhatë organizohet çdo vit në Stanishor, të rajonit të Gjilanit.