Fshati që jeton nga mjedrat

Kultivimi i mjedrës është kulturë e re në Kosovë, por e cila ka filluar të bëhet traditë në disa fshatra të Kosovës.

Fshati Ballofc në komunën e Podujevës është një nga prodhuesit më të mëdhenj të mjedrës në Kosovë, të cilët për pak vite kanë arritur që treg të tyre të kenë shtetet përendimore.

Ka gjashtë vite që disa familje në këtë fshat, kultivimin e mjedrës e kanë shndërruar në biznes familjar. Duke filluar nga ata që kanë plantacione të mbjellura me mjedra, e deri te ndërmarrësit e rinj që këtë biznes e kanë shndërruar në shoqëri aksionare.

Prodhimi i mjedrës është bërë burim i të hyrave më të mëdha të fshatit. Vetëm në vitin e kaluar ata kanë arritur të nxjerrin të hyra prej 140 mijë eurosh, vetëm në sezonën korrik-tetor.

Vetëm më 8 gusht të këtij viti, të angazhuar rreth 140 punëtorë në plantacionet e fshatit kanë vjelë 4930 kilogramë mjedër.

Bedri Mulliqi zgjohet çdo mëngjes së bashku me fëmijët e tij dhe fillojnë të vjelin mjedra sa është koha e freskët.

Mulliqi tha se vjeljen e mjedrave e bëjnë zakonisht çdo ditë, në orët e para të mëngjesit ose në mbrëmje, në mënyrë që t’u shmangen orëve kur rrezet e diellit janë më të forta.

Punën me mjedra ai përpos që e sheh profitabile e bën edhe me shumë dëshirë për shkak se kultivimi i tyre ka arritur të zgjerohet në treg.

“Ma mirë të kultivoj mjedra, të cilat i punoj në tokën time se sa të shkoj të punoj diku për njërrogë shumë më të vogël. Kilogramin e shesim për 1 euro e 80 cent. Varet tash nga varieteti i mjedrës dhe nga cilësia”, tha Mulliqi.

Sipas tij procesi i vjeljes nuk është i vështirë vetëm duhet pasur kujdes që mjedra mos të dëmtohet.

“Mjedrat para se të vjelen kërkojnë punë. Njëherë mbjellen fidanët edhe ne i pleherosim me plehë të shtazëve se është më i mirë. Pastaj duhet me u kujdesë që të sigurohet sistemi i ujitjes, se pa sistem nuk mundet të funksionojë. E ndërkohë rregullisht largohen barishtet të cilat e pengojnë rritjen. Kur është sezona nga korriku deri në tetor vjelim pothuajse çdo ditë. Pas vjeljes, ato i sjellim në oborr, i ndajmë ato për treg dhe i pastrojmë. Disa prej tyre munden me pas myk sidomos pas reshjeve të shiut por edhe ato që kanë myk janë të përdorshme. Edhe mjedrat me myk shiten vetëm se me çmim më të ulët”, tha Mulliqi.

Pas këtij procesi, mjedrat ngarkohen në veturë dhe dërgohen për në procesin e përpunimit për treg në pikën grumbulluese “Joni Sh Shpk”.

Fermeri Sabit Mulliqi, vëllau i fermerit Bedriut, i cili ka gjashtë vite që e kultivon mjedrën rrëfeu për KALLXO.com për veçantitë e marrjes me këtë lloj agronomie.

Siç edhe vërehej nga pozita gjeografike e plantacioneve, mjedra rritet dhe është më e shëndoshë nëse mbjellet në një lartësi mbidetare. E sipas Sabit Mulliqit kjo është një ndër arsyet pse kjo kulturë arrin të ketë sukses e të prodhohet më shumë në Podujevë. Ai tha se kanë provuar t’i mbjellin edhe në pozitë më të ulët gjeografike por nuk kanë arritur sukses.

“Ka dy javë që kemi filluar me vjeljen e mjedrave. Gjatë kësaj kohe kemi arritur të mbledhim shumë rendimentt e si po duket, ka më shumë se vitin e kaluar. Vetëm pesë vjelje i kemi bërë edhe kemi arrit me i fitu 900 euro brenda dy javëve”, thotë ai.

Të dy vëllezërit fermerë thonë se kultivimi i këtij fryti ia vlen të bëhet në Kosovë. Ata thanë se ka aq shumë kërkesa në treg sa që i nevojitet edhe më shumë fuqi punëtore.

30 vjeçari Alban Shabani, pronar i pikës grumbulluese “Joni Sh Shpk”, i cili përpos që përpunon mjedrat e fshatit Ballofc ka arritur edhe që të krijojë lidhje për eksport me shtete të jashtme.

“Tregun ne e kemi jashtë. Mjedrat tona kërkohen shumë në Gjermani dhe Austri. Këto mjedra që janë mbledhë sot, pasi t’i përgatitim do t’i ngarkojmë për eksport të enjten për në këto dy shtete.Tash ato i vendosim nëpër temperaturat e nevojshme nëpër salla, duke kaluar në disa procese. Pastaj kjo mjedër më nuk preket, deri sa të servohet në tavolinën e dikujt”, thotë ai.

Shabani ka përfunduar Fakultetin e Shkencave Politike, por e ka braktisur jetën që e ka pasur në Prishtinë dhe para gjashtë viteve është kthyer për të investuar në fshatin e tij, me një pikë grumbulluese. Në këtë biznes ka punësuar banorët e fshatit në mënyrë që t’i sjellë të hyra familejeve, shumica prej të cilave janë gra.

Ai tha për KALLXO.com se para se të fillojë me këtë punë as nuk e ka njohur frytin e quajtur mjedër. Por, ndërkohë është interesuar, dhe së bashku me vëllain e tij kanë krijuar pikën e cila grumbullon të gjitha rendimentet e fshatit.Me këtë kompani ka krijuar vende të reja pune për banorët e fshatit.

Shabani tha që gjithë këtë punë e ka arritur falë donatorëve të cilët i kanë ndihmuar ta zgjerojnë biznesin dhe të krijojnë lidhje me shtetet përendimore. Nga kjo përkrahje ka arritur të i plotësoj standartet e cilësisë për eksport.

Ai tha se ka pas ndihma nga Ministria e Bujqësisë, ndërsa nga komuna e Podujevës nuk ka pas shumë mbështetje. Sipas tij ndarja e subvencioneve dhe granteve nga komuna po bëhet në mënyrë të padrejtë, duke lënë anash fermerët të cilët i meritojnë ato ndihma.

Tutje, Shabani tregoj për procesin e përpunimit të mjedrave duke filluar që nga peshimi i tyre e deri tek ngarkimi për eksport.

“Fillimisht vendosen në peshore mjedrat e sjellura nga fermerët. Pas peshimit vendosen në sallat e ftohta. Fillimisht mjedra e ka temperaturën e ambientit rreth 25 deri 30 gradë Celsius. Vendoset në kumoren e ftohtë në të cilën duhet të ambientohet në temperaturë 1 gradë Celsius. Nga kjo kumore vendoset në shok-tunel në të cilën ngrihen në temperatura shumë të ulëta derisa të ngrihet tërësisht. Pas ngrirjes përpunohen në sallën e punës nga 20 punëtorë në temperaturë 3.7 gradë Celsius. Pas kësaj paketohen dhe vendosen në detektues nëse ka mbetje të metalit. Pas paketimit përgatiten për ngarkim dhe transport” shpjegoi procesin e përpunimit Shabani.

Ndërsa, Burim Shabani po ashtu fermer tha se për ta punuar një plantacion me 45 ari nevojiten rreth 12 deri 14 punëtorë. Ai tha se puna është aq e madhe sa që në pamundësi që të punojnë vetëm familjarët, angazhohen edhe punëtorët që punojnë zakonisht çdo ditë, apo edhe çdo dy ditë.

Sipas të tre fermerëve, reshjet e fundit të shiut kanë shkaktuar dëme por përpos tyre kanë sjell edhe përfitime. Shiu i madh i ka shkaktuar myk mjedrave por ka arrit edhe ta shtoj rendimentin edhe të ujitet për disa ditë nga shiu, pa pasur nevojë të hyjë në funksion sistemi i ujitjes.

Mjedrat janë një burim i pasur i vitaminës C dhe fibrave ushqyese. Sot ato përdoren për konsum të freskët, për përpunim në forma të lëngut dhe xhemeve, si shtesë për jogurt, dhe të thata në formë të çajit. Janë shumë të dobishme në luftën kundër kancerit, zemrës dhe sëmundjeve të qarkullimit të gjakut.