Fshati Prelluzhë, vendbanim i bashkëjetesës ndëretnike - VIDEO

Në mesin e fshatrave të populluar me shumicë kosovare në Vushtrri, gjendet vendbanimi i quajtur Prelluzhë në të cilin jetojnë tri komunitetet jo-shumicë, rom, ashkali dhe serbë.

23 vite nga lufta të tri komunitetet jetojnë në harmoni ndëretnike mes vete dhe me kosovarët e asaj zone. Bashkëjetesa në këtë fshat karakterizohet që nga fqinjësia e mirë, tregu i përbashkët dhe respektimi i gjuhëve që flasin.

Banorët e këtij fshati i cili gjendet rreth 17 kilometra në verilindje të Vushtrrisë tregojnë për jetën që kanë jetuar me dekada në këtë fshat.

Xhevat Mehmeti qytetar nga komuniteti rom tregoi që që nga paslufta asnjëherë nuk kanë pas probleme mes vete, përkundrazi kanë jetuar në tolerancë ndëretnike.

“Që pas kohës së luftës jetojmë mirë me shoqëri, me shqiptarët e me serbët e kalojmë shumë mirë mes vete”, tha 72 vjeçari.

Ndërsa, Per Radimiq nga komuniteti serb i cili nuk e kishte problem të fliste gjuhën shqipe, tha se krahas problemeve që iu shkaktuar nga lufta ata sot jetojnë pa ndonjë konflikt mes vete.

Sipas tij, edhe ku ka qenë lufta ai asnjeherë nuk ka pas probleme me qytetarë të komuniteteve tjera.

“Lufta u kanë. Atëherë gjithkush ka pas probleme mes vete. Po tash nuk kemi asnjë problem. Unë jam kanë punëtor në Sherbimin Tatimor, jam kanë shef për tatim. Kam punuar me Gani Sylën të Mihaliqit. Kam hanger drekë të Bali Halili në Galicë në vitin 1998”, tha 73 vjeçari.

Në Vushtrri jetojnë rreth 5.45% e komunitetit serb kryesisht në fshatin  Prelluzhë dhe disa komunitete më të vogla jetojnë në fshatrat Gojbulë dhe Gracë.  Ndërsa, qytetarë nga komuniteti rom janë rreth 0.27% dhe 0.09% nga komuniteti ashkali që jetojnë kryesisht në qytetin e Vushtrrisë dhe në Prelluzhë.