Tregu në Fushë Kosovë. Foto: Halim Kafexholli

 Fara, raki e çorape të leshta për mbijetesë

Papunësia e madhe në vend i bën shumë qytetarë të punojnë me karrocë tregjeve të qyteteve të ndryshme të Kosovës.

E martë, Suharekë….

Duke e shtyer karrocën e tij të zbrazur, Hazir Maksutaj nga fshati Gjinoc i Komunës së Suharekës po i sillej rreth e përqark tregut në këtë qytet. Ai nuk ka dalur për të shitur asgjë, por karrocën të cilën herë pas here e ndalon për t’i ngrohur duart ai e përdor si mjet bartjeje për blerësit të cilët kanë nevojë t’i dërgojnë gjërat e tyre në destinacione të ndryshme të qytetit.

Përgjatë ecjes së tij, Haziri afrohet vazhdimisht te njerëzit të cilët janë duke blerë, me shpresën se blerësi e ka parkuar makinën larg tregut. 

Çdo të martë, pavarësisht motit ai e fillon shumë  herët ditën. Rreth orës 6:30 të mëngjesit ai del nga shtëpia së bashku me karrocën e tij dhe niset drejt hyrjes së fshatit, buzë magjistrales Prizren – Suharekë ku pret autobusët për të shkuar në treg, por të cilët jo çdo herë ndalojnë. Shkak për mos ndalesën e tyre 48 vjeçari thotë se është karroca e tij. 

“Rrallë e nalin valla, po pritojnë me nalë kur po më shohin me kolicë.”

Hazir Maksutaj nga Suhareka. Foto: Halim Kafexholli.

Për një bartje deri tek makina e blerësit, Haziri fiton nga një një deri në një euro e gjysmë, varësisht nga distanca se ku ka për t’i dërguar gjërat të cilat ia ngarkojnë në karrocën e tij dhe 15 euro është një shumë fatlume nëse ai arrin të fitojë gjatë një dite pazari.

Për të nuk paraqet problem pesha në karrocë, por vetëm distanca e makinave apo shtëpive nga tregu, ndërsa thotë se ka raste që bartë gjëra edhe më shumë se një kilometër. 

“Baj qishtu: pemë, perime, shporeta, çkado që nxen kolica. E ngarkojnë shumë kaniherë amo nuk i tham kërkujt mos e ngarko, veç varet sa është larg, tani dallon edhe çmimi normal”, thotë Haziri. “S’ki qare pa e çu ku t’thojnë, se familja don majtë”.

Haziri jeton me gruan dhe djalin e tij, i cili sapo e ka mbaruar shkollën e mesme, mirëpo kushtet e rënda ia kanë pamundësuar vazhdimin e shkollimit tutje.

Ai thotë se ka filluar të interesohet që ta punësojë djalin e tij dhe për këtë ai ka bërë kërkesë edhe nga Kryetari i Komunës Bali Muharremaj, të cilin Haziri e ka bashkëfshatar.  

Sipas Zyrës së Punësimit në Suharekë, numri i të papunëve në këtë komunë për vitin 2019 është 3 mijë e 159 mirëpo jo të gjithë të papunët regjistrohen si të papunë, siç është rasti i Hazirit, i cili punën e fundit aktive e kishte bërë para dy viteve në një vreshtari në Suharekë. 

Meqenëse nuk i mjafton vetëm e martja për të siguruar mjaftueshëm të ardhurat për familje, Haziri të mërkureve nganjëherë shkon edhe në Prizren, ditë tregu në këtë qytet. “Dal, po atje më rrallë, se atje ka më shumë persona që bajnë me kolicë. Ka edhe në Suharekë, po tash dimrit nuk dalin, dal veç unë”, thotë ai për KALLXO.com.

Përveç kësaj pune, në pranverën e vonshme dhe gjatë gjithë verës Haziri tregon se mbledh manaferra për shitje. “Verës dal nëpër male mbledhi manaferra edhe i shes nëpër qytet”, përfundon ai, para se një blerës ta thërriste “Hej.. kolica”.

E martë, Fushë Kosovë…

Një litër raki, një palë këpucë, disa shishe salcë domatesh, disa palë qorape prej leshi, ishin disa prej gjërave që ajo i kishte sjellur për t’i shitur në treg, ndërsa çorapet prej leshi të cilat i punon vetë tregon që i shiten më së shumti.  

Për dallim nga shitësit tjerë përreth, 72 vjeçarja, Milica Zhivkoviq, ndihej e pafuqishme të thërriste me zë të lartë për t’i promovuar gjërat e pakta të cilat i kishte sjellur nga fshati Uglar i komunës së Graçanicës.

72 vjeçarja Milica Zivkovic te pazari në Fushë Kosovë. Foto: Halim Kafexholli.

 

Përveç pleqërisë, ajo ishte lodhur edhe nga ecja rreth 3 kilometërshe për të mbërritur në tregun e Fushë Kosovës, i cili mbahet të njejtën ditë me atë të Suharekës. Me një karrocë të vogël në këtë treg ajo kishte sjellur disa gjëra që thotë se nuk kanë vlerë me shumë se 30 euro. 

Milica, e cila jeton e vetme në fshatin me shumicë serbe, thotë se këtë punë detyrohet ta bëjë për shkak se pensioni prej 90 eurove është i pamjaftueshëm për të jetuar, prandaj, çdo të martë ajo zgjohet rreth orës 6 në mëngjes ku bën afërsisht një orë ecje deri në Fushë Kosovë.

Çohem në ora pesë të mëngjesit, derisa të përgatitem të pi ndonjë kafe, kujdesem pak për pula, sepse i mbaj disa pula, e tani e ngarkoj këtë karrocën e vogël dhe nisem për këtu pas orës gjashtë, a verës edhe më herët”, thotë ajo për BIRN

“Çorapet i maroj vetë edhe i shes nga tri euro, për një palë më duhet tri deri në pesë ditë kohë”, shpjegon Milica. 

Arsyeja pse vjen në këmbë deri në Fushë Kosovë, ajo e e bën për të kursyer paratë, pasi që në ditën e tregut rrallë thotë se i fiton më shumë se 13 euro, me të cilat detyrohet të blejë barna. Por, përveç nevojës financiare ajo thotë se ka nevojë edhe të del pak nga shtëpia, sepse jetesa pas vdekjes së burrit për të është shumë monotone, kurse fëmijët për të cilët thotë se nuk e vizitojnë shpesh jetojnë në Graqanicë.

“Eshtë e mërzitshme jeta veç vet, kam nevojë edhe me dal pak. Për mos me thanë vetë, jetoj me disa pula”, thotë ajo e buzëqeshur. 

Milica, e cila e konsideron veten ende të fortë për punë nuk mungon asnjë të martë në treg, ndërsa shitjen thotë kryesisht e bën te shqiptarët për të cilët thotë se nuk u pengon përkatësia e saj etnike, mirëpo ajo asnjëherë nuk arrin t’i shes të gjitha gjërat, prandaj ecjen për në shtëpi, përveç moshës, ia vështirëson karroca dhe kthimi prapa i gjërave të pashitura. 

“Edhe unë kam qejf me fjetë deri në dhjetë sahati, po me 90 euro nuk jetohet”, thotë Zhivkoviq. 

E enjte, Malishevë…

Qyteti i vogël i Malishevës është shumë i ngarkuar çdo paradite të së enjteve, ditë kjo që shumë qytetarë e frekuentojnë tregun e këtij qyteti. Mirëpo, qytetarët e kësaj komune nuk janë të vetmit që shesin e  blejnë në tregun e Malishevës.

Pjatën e madhe me fara të kungujve që po e mban në dorë, Remzi Rrustemi e kishte sjellur, nga fshati Reznik i komunës së Vushtrrisë, gjersa nisjen nga fshati i tij drejt tregut të Malishevës ai e bën çdo të enjte në ora gjashtë të mëngjesit. 

Me shitjen e farave, 47 vjeçari merret prej shumë viteve, pasi kjo është puna e vetme me të cilën ai e mban familjen e tij pesë anëtarëshe teksa tregon që problemet me unazat kurrizore ia pamundësojnë të punojë punë më të rënda.

“Nuk mundem me punu ndërtimtari se nuk guxoj prej unazave, e po duhet me mbetë gjallë me fara qishtu”, thotë ai për BIRN. 

Për një gotë çaji, të cilën e përdor si njësi matëse, Remziu e shet 25 cent, gjersa thotë që maksimumi i fitimit në një ditë tregu nuk shkon asnjëherë më shumë se 20 euro, pa i llogaritur shpenzimet e udhëtimit. Ndërsa Remziu shet edhe nëpër shumë tregje tjera në Kosovë. 

Remzi Rrustemi duke shitur fara të kungullit. Foto: Halim Kafexholli.

“Kahmos dal, në Prishtinë, Podujevë, Malishevë, gati krejt pazaret”, thotë ai, që farat  i shet edhe nëpër aktivitete të ndryshme sportive sikurse në palestrat e të basketbollit apo festa të ndryshme ku ka tubime të qytetarëve. 

Për përgatitjen e farave, Remziu tregon se angazhohen e gjithë familja dhe se deri para pak muajve së bashku me të kishte shitur edhe djali i madh i tij, mirëpo 22 vjeçari tashmë ka shkuar në Gjermani në përpjekje për të gjetur punë që t’i ndihmojë familjes. 

“Djali u mërzit me fara edhe iku, por më ndihmon shoqja, çika kur nuk është në shkollë e krejt munohemi kapak, qishtu tu i pjekë herë me dru herë me rrymë”, thotë Rrustemi. 

Sipas statistikave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale në komunën e Vushtrrisë janë 1,054 punë kërkues të regjistruar, mirëpo numri i atyre që janë të papunë konsiderohet rreth 5,000.

Gjatë stinës së dimrit, farat e kungullit Remziu i blen në Fushë Kosovë, ku për një kilogram thotë se paguan tri euro. Mirëpo, ai ka edhe 50 ari tokë bujqësore të cilën për çdo vjet e mbjell kunguj dhe misër për t’i shitur më pastaj, dhe përveç farave, verës, ai shet edhe misër. 

“Qat tokë që e kam e punoj, mbjelli kunguj e kallamoq, se unë verës shes edhe shtalba, e verës fitoj më shumë”, thotë ai. “Çka me bo, sa mos me ia shtri dorën kërkujt”.

Tregu në Fushë Kosovë. Foto: Atdhe Mulla

Pjatën të cilën nuk e përfundoi së shituri, Remziu e ngarkoi përsëri në makinën e vjetër të tij, duke shpresuar që tregu i ardhshëm do të jetë më i bereqetshëm.

E diel, Prishtinë….

Nga Vushtrria është edhe 25 vjeçari Nehat Vatovci, i cili të dielen nuk e ka ditë pushimi siç rëndom pushohet në këtë ditë, por mëngjesin e të dielave ai vjen në tregun që mbahet në hyrje të Prishtinës, afër Fushë Kosovës. 

Ai nuk i ka të  gjitha llojet e cigareve në shtandën e tij të shndërruar në një mini market.

Përveç cigareve  ai shet edhe pije të ndryshme dhe disa gjëra ushqimore sasinë e të cilave mund ta numërosh edhe me sy pasi janë ekzpozuar mbi një dërrasë që Nehati e ka vendosur mbi karrocën e tij trirrotëshe. 

Nehati, për të cilin e diela është hera e tretë që del në tregje, pas Vushtrrisë dhe Mitrovicës, thotë se këtë punë e bën qe dy vite dhe është e vetmja punë që e bën së bashku me babain e tij. Mirëpo, teksa Nehati shëtitë mes njerëzve në treg, babai i tij shet ulur në një vend. “Baba shet me ni ven’, se i ka bo do vjet e nuk mundet me ecë”, shpjegon Nehati.

Meqenëse në tregun e Prishtinës numri i njerëzve është më i madh, Nehati thotë se kjo ditë është më fitimprurëse, pavarësisht se ditët e dimrit për të janë më të vështira, sidomos rreth shitjeve të pijeve. “Dimri i zorshëm valla, ma shumë çka shesim cigare, naj pop-kek, se pijet pak shkojnë”, tregon ai për BIRN, i cili mallin që e shet e blen kryesisht nëpër depo dhe markete të mëdha.

”Nuk munesh me shitë shumë ma shtrejtë, se qe ku është ETC-ja”, bën ai me gisht nga supermarketi ngjitur me tregun, duke nënkuptuar se njerëzit mund të shkojnë aty.

Për shkak të kushteve të rënda ekonomike, Nehati thotë se ishte detyruar ta ndërpriste edhe shkollimin universitar të cilin e kishte ndjekur afërsisht një vit para se ta ndërpriste.

“Të mesmen [shkollën] e kam përfundu në Vushtrri, tani e regjistrova fakultetin teknik në Prishtinë, po e ndërprejta se jo u dashke me udhëtu, pak kushtet, e lash krejt”, thotë i zhgënjyer Nehati, teksa vazhdon ta lëvizë karrocën afër shitësve të makinave.

I mllefosur me situatën socio-politike në Kosovë, Nehati shpreson shumë se do ta lëshojë Kosovën në kërkim të një jete më të mirë, Ai tashmë ka një vit e gjysmë që është duke pritur një termin për vizë pune në Gjermani, viza për të cilët qytetarët e Kosovës po presin rreth dy vite. Njëkohësisht, Nehati është duke ndjekur një kurs të gjuhës gjermane tri herë në javë në qytetin e Vushtrrisë. 

Sipas të dhënave që ka lëshuar Ambasada Gjermane në Kosovë, në vitin 2019 i kanë lëshuar rreth 13 mijë viza puna e mijëra të tjerë po presin datën e largimit, sikurse Nehati. 

“Qysh t’bahet me ik, duhet me ia bo”, thotë ai, i cili shprehimisht tregon nevojën urgjente për t’u larguar nga Kosova.