Shërbimi i ushqimit në mensën e studentëve. Foto: Antigonë Isufi/KALLXO.com

Dy vjet pritje për sofrën e parë të brucoshëve

Marsi i studentëve pas një ‘pushimi’ dyvjeçar i ka kthyer të rinjtë e qyteteve të ndryshme të Kosovës në ‘sofrën’ e përbashkët të Mensës së Studentëve në Prishtinë.

Ndryshe nga marsi i vitit 1981, marsi i këtij viti pjatat në Mensën e Studentëve nuk i ka zënë të përmbysura mbi tavolinat e ushqimit. Përkundrazi, pas dy vitesh boshllëk në këtë shtëpi që i bashkon studentët e të gjitha qyteteve, pjatat ishin rikthyer për t’u mbushur me supën e mëngjesit.

Supa është ushqimi që më së shumti ia kishin ndier mungesën për dy vite studentët e Universitetit të Prishtinës. Që prej fillimit të pandemisë ata ishin detyruar që bukën mos ta ndajnë me shokët dhe shoqet në pikëtakimin e tyre të mëngjesit dhe të mbrëmjes, por ta hanë brenda dhomave të ngushta të konvikteve.

Shërbimi i ushqimit në Mensën e Studentëve. Foto: Antigonë Isufi/KALLXO.com

Por, ky fillim i marsit i ka kthyer zhurmat rinore në vendin që përherë ka bashkuar studentë e anë e mbarë Kosovës si për revoltë, ide të mëdha apo sivjet si ribashkim pas dy vite largim dhe distancë.

Kutiat në të cilat e kishin marrë ushqimin çdo ditë për ta bartur për në dhomat e konviktit, nuk i kishte mjaftuar e as nuk i kishte shijuar aq, përderisa nuk e ndanin kuzhinën e përbashkët me shoqërinë.

Për Fatime Sylaj nga Kamenica, studente në Fakultetin Juridik, dy vite që ushqimin e mensës nuk e kishte ngrënë në këtë objekt, kishin qenë pothuajse pa kujtime.

Studentja e cila ishte mësuar që ushqimin ta ndajë me shoqet e saj dhe për dy orë të tëra të bisedojnë për ngjarjet e ditës si në sofrën e shtëpisë, ushyqerja në mes katër mureve nuk ishte asgjë më shumë se studime të zymta.

“Mensa ma dhuron ndjenjën e shtëpisë. Se ne jemi mësuar që çdo sen që e kemi me nda bashkë, njëjtë edhe bukën,” tha e gëzuar Sylaj.

Edhe pse këtë pasdite ajo ushqimin e drekës e hante vet, me nostalogji thotë se ndjenja e ngrënies në ‘kallaballëk’ shijon ndryshe për të mirë, se sa në një tavolinë të ngushtë konvikti.

“E kemi pasur edhe atë mallin me i pa simpatitë, një plus ma shumë pse me ardhë në menzë,” thotë Sylaj.

Koha e ushqimit në Mensën e Studentëve. Foto: Antigonë Isufi/KALLXO.com

“Se atje [në dhoma të konviktit] u detyronim të hanin në dhomë. Edhe pse 5-6 vetë shkonim në një dhomë, por dhomat e vogla, tepër ngushtë, ka qenë ma problem, e me u nda nuk donim se buka vetë nuk hahet,” shtoi ajo.

Tash studentja ndihet shumë mirë që edhe një vit e gjysmë do t’i shijoj studimet me shoqëri edhe në tavolinën e bukës.

Përveç shoqërisë, studentëve iu kishte munguar edhe prania e stafit të kuzhinës, prej duarve të të cilëve ushqehen çdo ditë.

Për Habibe Jahaj nga Ferizaj e cila studion në Fakultetin e Edukimit, ushqimi që e hanë në mensë është i pazëvendësueshëm për shkak se ia jep ndjesinë e shtëpisë.

Jahaj thotë që tradita e mensës ta mëson edhe kulturën e të ngrënit për shkak se e di që në kohë të caktuar vjen edhe hanë ushqim, që në kushte normale e hanë edhe në shtëpi.

“Të shtohet edhe oreksi kur hanë në kallaballëk. Ma mirë është këtu [në mensë] kur bashkohesh me shoqëri se ka ma shumë hijeshi. Dikush edhe e ka problem me hangër vetë. Atje [në konvikte] edhe pse e merrnim bukën me vete, ka pas raste që e kemi lënë në gjysmë ose hiç se kemi ngrënë. Por këtu e dimë që vjen edhe duhet me kry krejt,” shprehet Jahaj.

Sidoqoftë, ajo ankohet se sa kanë qenë të detyruar që ushqimin ta bartin në konvikt as edhe nuk iu ka shijuar duke u endur ‘nga 100 herë lartë e poshtë’, dhe pastaj ta koordinojnë kohën që t’i mbajnë ligjëratat.

“Ta jep ndjesinë si në shtëpi se ka shumë njerëz, edhe ulemi me hangër bukë si në shtëpi. Diqysh këtu jam ma e lumtur t’u e marr parasysh që ne shqiptarët jemi të prirur si nëpër ahengje që të jemi më të gëzuar kur jemi më shumë persona,” rrëfen ajo.

Sipas saj, për këto dy vite pandemi, mungesa e mensës ia ka humbur kontaktin me njerëz edhe të qenit e shoqërueshme. Krahas kësaj shpesh herë ishin detyruar të hanë bukë edhe në lokale të fast-food, jo nga dëshira por nuk kishin zgjedhje tjera.

“Këtu servohet ushqimi në pjatë edhe ka ma shumë ushqim se sa në kuti. Për shembull këtë supë nuk e kemi pas në kuti, po veç gjella. Më ka munguar kjo supa,” shtoi Jahaj.

Ushqimi për drekë në Mensën e Studentëve.Foto: Antigonë Isufi/KALLXO.com

Edhe për kuzhinierin e mensës, Xhabir Ahmeti dy vite pa i parë studentët në vendin e tyre kishin qenë të gjatë.

Ahmeti, i cili punon që 36 vjet në mensë e ka pasur mundësinë që të ballafaqohet me sfida të mëdha, përfshirë edhe demonstratat, po sidoqoftë thotë se distanca e pandemisë e ka stërlodhur.

“Që tri ditë na kanë ardhur [studentët]. Shumë mirë jemi t’u kalu, se këta i kemi sikur fëmijët tonë.  Na ka munguar gjallëria e tyre. Edhe pse tash kemi me pasë ma shumë punë, boll që e kemi kënaqësinë me pa vendin plot,” thotë kuzhinieri Ahmeti.

Ai shpreson që mos të ndalet puna më asnjëherë, e të mos të kenë më rastin të i shohin tavolinat bosh.

Po në mesin e studentëve kishte nga ata që e parapëlqenin që ushqimin ta vazhdojnë ashtu si kanë ngrënë në konvikte, edhe pse janë të lumtur që ka filluar jeta si para pandemisë.

Studenti i Fakultetit Juridik, Adrian Zogaj thotë që më mirë do të ishte nëse do të kishin mundësinë që ushqimin të kishin mundësi edhe ta merrnin me vete edhe ta hanë në mensë.

“Nuk më ka ra asnjëherë më përpara me hangër këtu, veç që dy ditë. Interesant po më duket, po ma mirë nëse e kishim pasë mundësinë me hangër edhe atje edhe këtu, që me i pas dy zgjedhje – shkaku i ligjëratave,” thotë i riu nga Malisheva.

Sipas tij në rastet kur kanë ligjërata e sheh më të arsyeshme që ushqimin ta merr me vete që mos të shpenzoj shumë kohë.

“Këtu kur ha është një ndjesi ma interesante se nuk ndihna shumë rehat në mesin e shumë njerëzve,” thotë ai.

Të njëjtin mendim ndan edhe studenti i Psikologjisë Bajram Rama nga Istogu i cili thotë që do ishte më e duhur që të kenë mundësinë të hanë ushqimin ku do që e shohin më të arsyeshme.

Edhe pse ndihet i lumtur që po i rikthehen jetës normale në mesin e shoqërisë, ai konsideron që ka raste kur për shkak të angazhimeve më mirë të vazhdojnë në formën se si kanë ngrënë gjatë pandemisë.

“Kjo procedura me pritë me marrë ushqimin, e me pritë me i dorëzu pjatat është më e mundimshme,” thotë ai.

Shërbimi me ushqim në Mensën e Studentëve. Foto:Antigonë Isufi/KALLXO.com

Një objekt që frymon ndryshe që tri ditë që nga ardhja e studentëve, po e vlerëson edhe drejtori i mensës, Fahri Osmani.

Osmani thotë se që dy vite sa kanë qenë të mbyllur edhe pse ushqimin e kanë marrë në formën ‘merr me vete’ , puna është bërë, por ka qenë e dyfishtë për shkak se është lypë punë shtesë për paketimin e ushqimit.

“Gjatë kësaj kohe është vërejtur një gjë shumë e madhe, zymtësia. Zhurma e studentëve e tingujt e zhurmshëm të pjatave, beso që na kanë munguar shumë”, thotë ai.

Qeveria ka liruar masat e pandemisë dhe që nga 1 marsi në Kosovë janë hequr shumica e kufizimeve, përfshirë këtu edhe shfrytëzimin e plotë të hapësirës në objekte.