Sehida Abdurahmanoviç me një fotografi të vëllait të saj të zhdukur Meho Hasanoviç. Foto: BIRN.

Duke ëndërruar një përqafim: Familjet presin ende lajme për të zhdukurit e Srebrenicës

Njëzetë e pesë vjetori i masakrave të Srebrenicës është një periudhë stresuese për njerëzit që humbën të dashurit e tyre në korrik 1995, por eshtrat e të cilëve nuk janë gjetur, identifikuar dhe varrosur ende për t’u prehur më në fund në paqe.

Azam Avdiç është një nga më shumë se 1,000 boshnjakë që u zhdukën gjatë gjenocidit të Srebrenicës në korrik 1995, por trupi i të cilit ende nuk është gjetur.

Djali i tij, Muhamed Avdiç, kujton herën e fundit kur e pa babanë e tij, ndërsa po evakuohej nga Srebrenica e rrethuar më shumë se dy vjet para gjenocidit.

Babai i tij qëndroi, por Avdiç, i cili në atë kohë ishte thjesht një djalosh, nuk e dinte që ajo do të ishte lamtumira e fundit.

“Vetëm më vonë, kur kujton ngjarjet e kaluara, kupton se nuk pate mundësinë të merrje as një përqafim të fundit, një lamtumirë të fundit. Askush nuk e dinte se ky ishte momenti i fundit që kalonim bashkë”, tha Avdiç.

Babai i tij u kap dhe u dërgua në Bajina Basta në Serbi. Pastaj ai u dorëzua te Policia Kufitare serbe e Bosnjës, e cila ia kaloi atë policisë ushtarake të Brigadës së Bratunacit të Ushtrisë Serbe të Bosnjës. Pas kësaj, ai u zhduk.

“Në mënyrë jo zyrtare kam zbuluar se babai im dhe robër të tjerë me shumë gjasa u çuan në Vlasenica, në ish-kampin e paraburgimit të Susicës, dhe ka të ngjarë të jenë ekzekutuar atje”, tha Avdiç.

Këtë fundjavë do të shënohet 25-vjetori i masakrave dhe eshtrat e 13 personave të tjerë që besohet të jenë viktima të gjenocidit janë zhvarrosur që nga përkujtimorja e vitit të kaluar, sipas Institutit Boshnjak të Personave të Zhdukur. Por për Muhamed Avdiç dhe shumë të tjerë, pritja vazhdon.

Një bir adoleshent zhduket

Magbula Divoviç vazhdon të kërkojë djalin e saj Elvedin, i cili nuk ishte as 15 vjeç kur u mor për ta marrë në pyetje nga forcat serbe të Bosnjës në Potocari afër Srebrenica në korrik 1995.

“Kjo marrje në pyetje ka zgjatur për më shumë se 20 vjet”, tha Divoviç me ironi.

Ajo tha se ende shpreson që Elvedini të jetë gjallë, por edhe që eshtrat e tij të gjenden në mënyrë që të mund t’i varrosë dhe të gjejë sadopak paqe.

Pas luftës, eshtrat e vëllait të saj, të dy nipërve, kunatit dhe burrit, të cilët u vranë gjithashtu në korrik 1995, u gjetën dhe u varrosën. Ajo ka lënë vend për djalin e saj pran varrit të të shoqit Hakija në Srebrenicë.

“Kështu im bir të paktën mund të prehet pranë babait të tij të vdekur. Ai e ka këtë të drejtë, të paktën i vdekur”, tha ajo.

Zbehet shpresa për një një varr

Kur djali i Emina Merdziç, Azmiri, u largua me të atin Salihun dhe boshnjakë të tjerë në një përpjekje për të shpëtuar nga sulmi i forcave serbe të Bosnjës, e ëma i bëri gati çantën e shpinës.

“Ai bërtiti, ‘Mami, ju duhet të më japësh të paktën 100 marka gjermane. Dhe unë ia dhashë”, tha Merdziç.

Ajo nuk e pa më kurrë të birin dhe bashkëshortin e saj Salihun. Eshtrat e burrit të saj janë gjetur që atëherë, por Merdziç, e cila tani është 78 vjeçe, tha se po e humb shpresën se do të mundet ndonjëherë ta varrosë si duhet djalin e saj Azmirin.

“Edhe sikur të gjendej qoftë edhe një thua. Do ta varrosja, vetëm për ta parë atë moment. Ai duhet të ishte këtu, pranë babait të tij”, tha ajo.

“Shpesh e shoh në ëndërr”

Sehida Abdurahmanoviç vazhdon ende të kërkojë eshtrat e vëllait të saj Meho Hasanoviç, i cili mori gjithashtu siç e quan ajo “rrugën e vdekjes”, në përpjekje për t’i shpëtuar forcave serbe të Bosnjës në korrik 1995.

Ajo tha se ajo dhe tre motrat e saj e humbën babanë e tyre kur ishin ende të vogla. Kështu që vëllai i tyre sillej si prind dhe një shembull për t’u ndjekur në jetë.

“Shpesh shoh ëndërr sikur e takoj, e përqafoj dhe e puth”, tha Abdurahmanoviç. BalkanInsight

Ky reportazh është pjesë e fushatës së BIRN të titulluar “Po të ishe këtu”, e cila tregon historitë e familjarëve të personave të zhdukur nga luftërat në Ballakan, të cilët presin ende të zbulojnë fatin e njerëzve të tyre të dashur.