Vizualizimi i trashëgimisë kulturore të Rahovecit duke përdorur teknikën ‘mapping’. Foto:KALLXO.com

‘Ca kokrra rrushi’ për verë në nisje të vjeshtës

Përderisa nga kazani i bakrit rridhte rakia e pastër rahoveciane, në një lëndinë mes vreshtave në perëndim të vendit qindra njerëz festuan stinën e rrushit të Rahovecit.

Sapo errësira ra në tokë, verëtari Gazmend Daka ndezi me drunj zjarrin prej të cilit do të pjeket rrushi.  Në një kazan klasik të vendosur në qoshe, verëtari shpjegonte procesin e përgatitjes së pijes vendore rahoveciane.

Pas një procesi të thjeshtë të distilimit, vizitorët që kishin ardhur në Rahovec për të përcjellur Festën e Rrushit, HardhFest kishin mundësi të shihnin dhe të kërkonin pak nga rezultati i thesarit të tokës së Rahovecit.

“Ky është procesi i pjekjes ose distilimit me metodën klasike që ende bahet në Rahovec. Do të thotë janë kazanat prej bakrit në të cilët bëhet pjekja. E gjithë pjesa ka është rrushi edhe shkon alkooli është prej bakrit, për shkak se bakri është më i rezistueshëm ndaj temperaturave edhe më i pastër, ashtu që nuk përçon pjesë tjera të metaleve” – shpjegoi Daka për KALLXO.com.

Verëtari Gazmend Daka duke pjekur raki me metodë klasike, HardhFest, Rahovec, Shator 2022. Foto:KALLXO.com

Edhe pse Daka ka pak vreshta, ai rrushin e mjaftueshëm për prodhim e siguron nga fermerët tjerë rahovecas.  Përpos që rrushin e ka biznes, për të është më rëndësishmja është që këtë kulturë po e trashëgon prej të parëve të tij e që shpreson ta bart edhe të gjeneratat e reja. 

Ai thotë që ndihet krenar që ka pasur fatin të jetë trashëgimtar i një kulture aq të veçantë. Për të faktuar se sa e pastër është rakia e Rahovecit, Daka e dogji me shkrepsë një gotë raki të vogël.

“Ne merremi moti (me këtë kulturë), e kemi një traditë shumë të gjatë. Në bazë të gojëdhënave unë jam gjenerata e gjashtë që merrem me prodhimin e rakisë edhe verës, ndoshta edhe më tepër por ne shqiptarët nuk shkruajmë kështu që nuk kemi shënime. Dihet që Rahoveci ka traditë mbi tre mijë vjeçare që merret me kultivimin e rrushit, atëherë prej rrushit del rakia e vera” – shtoi ai.

Sipas tij, me pijet që i prodhojnë përpos që e mbulojnë pothuajse të gjithë Kosovën, eksportojnë edhe në vende tjera të botës. Ndërsa, Festa e Rrushit, HardhFest po ua mundëson atyre që të promovojnë punë e tyre për turistët e huaj.

Edhe verëtari, Blerim Shulina, i cili është gjenerata e tretë e prodhimit të verërave, thotë që agro-festivali i përvitshëm i Rahovecit po iu ndihmon në promovimin e produkteve vendore. Ai ftoi të gjithë vizitorët që ta vizitojnë Rahovecin që të pijnë pije vendore të cilat kanë arritur kulminacionin e cilësisë – pije që po i eksportojnë në Shqipëri, Poloni, Finlandë e Zvicër.

“HardhFesti tash ka marrë një jehonë goxha të madhe, është ballkanik, bile bile para dy viteve janë kanë rreth 70 mijë vizitorë edhe i jep mundësi që me i promovu produktet e vendit” – tha ai.

Ca kokrra rrushi të Rahovecit…

Në lëndinën në të cilën po mbahet Festa e Rrushit gjithandej shihet rrushi i Rahovecit dhe mbi të motivin e festivalit “Ca kokrra rrushi..”

Në nderim të poetit të ndjerë rahovecian, Xhevdet Bajraj, ky edicion i festivalit i është kushtuar tërësisht atij, duke filluar edhe nga motoja e cila është frymëzuar nga libri i tij “Ca kokrra rrushi të Rahovecit”. Ndërsa dizajni i festivalit është bërë me imazhin e syzave të poetit të mirënjohur, kapelën e tij ikonike dhe tetë kokrra rrushi që simbolizojnë edicionin e tetë. Bajraj ka vdekur këtë vit në vendin ku jetonte, në Meksikë.

HardhFest 2022, Rahovec. Foto:KALLXO.com

Për dizajnerin dhe njërin nga organizatorët e HardhFes-it, Agi Haxhimurati, vdekja e poetit ishte një befasi e pakëndëshme.

“Frymëzuar nga libri i tij, “Ca kokrra rrush Rahoveci” e kemi lënë ca kokrra rrushi. Ky vit i dedikohet zotit Bajraj i cili poashtu është kumbara i emrit HardhFest, që është shkurtesë e hardhisë” – tha ai për KALLXO.com.

Së bashku me bashkëshorten e tij, Muharrem Kabashi, kishte ardhur nga fshati Opterushë që ta përcjell festivalin që ai më shumë e njeh si Festa e Rrushit, që daton që 21 vite më parë në Rahovec.

“Deshta me iu tregu që unë e kam kërku rrushin e Francës, rrush të Italisë, ose qe edhe Suharekën e kemi afër veç me rrush të Rahovecit në botë nuk ka” – rrëfente i emocionuar për KALLXO.com.

Pasi ta vizitojë festivalin, në mbrëmje Kabashi do t’i sjell edhe nipat e mbesat e tij që ta shohin mrekullinë e festës.

“Unë axhës i kam ba do vjet po veç kam qef me pa mirë. Mu me qito më ushqehet shpirti, kur shoh mirë, shoh rehati se qe as probleme nuk ka këtu” – shtoi ai.

Për ruajtjen e trashëgimisë 

Fli, ushqim skare, sarma me gjizë e bukë kallamoqe mund të gjeje në një cep të hapësirës së Festivalit. Bizneset e vogla të qytetit e kishin parë si mundësi të mirë që përpos që ta promovojnë biznesin e tyre në festival të ruajnë dhe shërbejnë ushqimet tradicionale të Rahovecit.

Ushqimi tradicional i Rahovecit në HardhFest 2022. Foto:KALLXO.com

Kuzhineri Sadik Gashi teksa përgatiste ushqim për mysafirët e festivalit u shpreh shumë i lumtur që për herë të parë po sjellin ushqimet e tyre në një ambient me më llojllojshmëri vizitorësh nga qytetet tjera të Kosovës dhe turistë të huaj.

“Përmes HardhFestit kemi mundësi promovimin e ushqimit tradicional, po ashtu edhe ushqimin prej skarës, por ma shumë kemi ardhë për ushqim tradicional rahovecian që është bazë e këtij festivali” – shprehet ai.

Përpos pasurisë ushqimore tradicionale, në këtë edicion për herë të parë përmes “HardhTour”, vizitorët mund të vizitojnë me traktorë disa nga objektet e trashëgimisë kulturore dhe bukuritë natyrore të Rahovecit.

Shëtitja me traktor te objektet e trashëgimisë kulturore. Foto:HardhFest në Facebook.

Ndërsa, Haxhimurati tha që pëmes kësaj risie të festivalit, turistët mund të vizitojnë vendet që duan në katër shtëtitje për katër ditë.

“E veçanta  e saj është se mund të lëvizin me traktor që ta shijojnë eksperiencën e një vreshtari apo vreshtareje” – tha ai, duke treguar që vizitorët mund të shëtisin te Ura e Fshejt, Shtëpia – muze e Ukshin Hotit, Maja e Shkodranit, bodrumet e Rahovecit, teqetë dhe shumë objekte gtjera të trashëgimisë kulturore.

Përpos ditës së mbushur me shumë aktivitete, mbrëmja muzikore e festivalit u mbush me qindra njerëz pavarësisht kushteve atmosferike. 

Koha e ngrysur e që në çdo çast pritej të reshte shi, nuk i largoi vizitorët para mbëmjes pa i dëgjuar këngët e Alban Skenderaj, Mentor Hazirit dhe Hysen Kafexhiut me grupin e tij.

Mbrëmja në HardhFest. Foto:KALLXO.com

Me këngët e përzgjedhura tipike për fillimvjeshte, vizitorët u dëfryen me pije vendore dhe me muzikë që i përshtateshin natyrës së festivalit.

Ky edicion i “HardhFest” do të zgjas deri më 4 shtator.

Festa e vjeljes së rrushit ka filluar që nga viti 2001 në Rahovec duke qenë i vetmi festival i agro-bujqësisë në Kosovë. Më pas kjo festë u shndërrua në një festival të organizuar nga organizata lokale për të tërhequr edhe më shumë vizitorë.