FOTO KALLXO

Burokracia i shtynë pilotët kosovarë ta realizojnë ëndrrën në Maqedoninë e Veriut

Dashamirë të pilotimit nga Kosova janë të obliguar që për shkak të burokracisë ta zhvillojnë aktivitetin e tyre në Maqedoninë e Veriut. Edhe pse nga koha e ish-Jugosllavisë në vend janë 12 pista pilotimi, asnjëra nga to nuk është aktive.

Kjo u ka pamundësuar meraklinjve  kosovarë të zhvillojnë aktivitetin e tyre në Kosovë ndërsa shtetit maqedonas i ka mundësuar t’i rrisë fitimet nga kjo veprimtari.

Një hulumtim i kryer nga KALLXO.com dëshmon se në Kosovë për të marrë një leje për të pilotuar nevojiten mbi tri ditë ndërsa në shtetin fqinj kjo bëhet për më pak se 1 minutë. Kosova ka vetëm një aeroport ndërkombëtar ndërsa në Maqedoninë e Veriut pistat për fluturime të aviacionit civil janë si kërpudhat, duke garantuar zhvillim të turizmit dhe kapaciteteve për pilotë të rinj.

Kjo i ka shtyrë pilotët e rinj nga Kosova që për ta realizuar ëndrrën e të qenit pilot, fluturimet e tyre të para t’i kryejnë në klube e aeroporte të Maqedonisë së Veriut.

Aviacioni i përgjithshëm vlerësohet të jenë shtylla e zhvillimit të aviacionit komercial. Këtu hyjnë shkollat e fluturimit për licencë private, ato për licencë komerciale, shkollat e fluturimit me instrumente, fluturimet me para glajd, aktivitetet aeronautike nga ajri ku bëjnë pjesë aviacioni bujqësor për spërkatjen e të mbjellave, vaksinimi nga ajri, fluturimet me qëllim të fotografimit apo incizimit të terreneve nga ajri.

Në këtë fushë gjithashtu hyn edhe parashutizmi, fluturimet me dron apo sistemet e mjeteve ajrore pa pilot.

Kushtrim Musa – AAC

Por në mungesë të përkrahjes dhe planeve, Kosova e ka të pazhvilluar këtë veprimtari.

“Është me rëndësi të ceket fakti se aviacioni në Kosovë ka filluar nga shkalla zero sepse nuk kemi pasur asnjë bazë legjislative të mëhershme që e kemi adoptuar por kemi filluar implementimin e legjislacionit të BE-së”, ka thënë Kushtrim Musa, drejtor në Departamentin e Sigurisë së Fluturimeve në Agjencionin e Aviacionit Civil (AAC).

Albion Idrizi – Adhurues i fluturimit

Për Albion Idrizin, magjistër i aviacionit, kjo veprimtari është në gjendje shumë të keqe në Kosovë. Sipas tij, në vend ka pak pilotë e pak stjuardesa të cilët në të ardhmen mund të ishin bazë e themelimit të një aviokompanie vendore.

“Puna e aviacionit të përgjithshëm është shumë i rëndësishëm në aspektin afatgjatë dhe nëse ne dojmë të përdorim një potencial të madh që e kemi në aviacionin civil ne duhet t’ia fillojmë nga themeli, ta zhvillojmë aviacionin e përgjithshëm”, ka deklaruar Idrizi.

Kosova pa shkolla të licencuara për pilotë

Në Kosovë nuk ka asnjë shkollë të licencuar për trajnimin e pilotëve për aeroplanë të vegjël, që në të ardhmen do të mund të bëheshin edhe pilotë komercialë.

Kushtrim Musa nga AAC ka treguar që ka pasur interesim për hapjen e shkollave të fluturimit, por asnjëherë këto nisma nuk kanë shkuar deri në fund. Në mungesë të shkollave të gjithë pilotët nga vendi kanë licenca të huaja.

“Pres që në vitet në vazhdim edhe kjo fushë të fillojë të merr trend pozitiv, të rritet edhe të aprovojmë që është së pari në të mirën e rinisë dhe popullit të Kosovës që të kemi sa më tepër pilotë sportiv, rekreativ ose pilot privat që do të ndihmonte në një masë të dukshme edhe zhvillimit të aviacionit komercial në të ardhmen në vendin tonë”, është shprehur Musa

Edhe pse në Kosovë nuk ka shkollë për pilotë, në Prishtinë ekziston aeroklubi AES, i cili ka grumbulluar pilotë, dashamirë të aviacionit, instruktorë dhe mekanikë. Por klubi që mbron ngjyrat e Kosovës duhet të veproj në Maqedoninë e Veriut.

Për vite të tëra klubi ka bërë përpjekje për ta zhvendosur aktivitetin në Kosovë, por për shkak të shumë faktorëve kjo nuk ka qenë e mundur.

“Përndryshe në mungesë të ushtrimit të aktiviteteve në Kosovë pasi Kosova e ka hapësirën e ulët të kufizuar nga NATO, aktivitetet e tona i kemi zhvendosur këtu në Shkup (Stenkovec), ku ka disa vite që e zhvillojmë veprimtarinë tonë. Këtu në Shkup kemi gjetur një mikpritje shumë të mirë se aviacioni nuk njeh kufi se gjithkund jemi pilotë, jemi dashamirës të aviacionit pra jemi një”, ka theksuar Blerat Ukaj.

Blerat Ukaj – Pilot

Aeroklubi AES përbëhet nga 12 anëtarë aktivë, shumica prej tyre janë pilotë, dy prej tyre janë instruktorë dhe një mekanik me përvojë 33 vjeçare në fushën e aviacionit. Ky aeroklub aktualisht posedon dy aeroplanë të vegjël që gjenden në aeroportin e Stenkovecit.

Entuziasti i aviacionit, Kushtrim Kadriu ka theksuar se të gjithë ato aeroklube që kanë tentuar të zhvillojnë aviacionin e përgjithshëm në Kosovë kanë dështuar, do të dështojnë ose janë në telashe të mëdha për shkak të burokracive.

“Domethënë sa herë çka do që ndërmerr me zhvillu diçka në aviacion të përgjithshëm e ke të sigurt dështimin”, ka thënë Kadriu.

Kushtrim Kadriu – Adhurues i aviacionit

12 fushat ajrore që kanë mbetur të pashfrytëzuara  

I vetmi aeroport i certifikuar në Kosovë nga Agjencia e Aviacionit Civil, i cili i përmbushë të gjitha kriteret është Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”. Kjo është ndër pengesat më të mëdha për zhvillimin e aviacionit të përgjithshëm në Kosovë edhe pse ekzistojnë 12 fusha ajrore që do të mund të shfrytëzoheshin për aktivitete të tilla.

Por aeroporti është vështirë të përdoret për qëllime sportive, për shkak të shumë procedurave doganore policore e burokratike. Për dallim nga sot, kur vetëm një aeroport punon në të kaluarën e sistemit jugosllav, vendi kishte 12 fusha të aviacionit.

“Në të ardhmen disa nga këto fusha do të mund të shfrytëzoheshin pikërisht për aviacionin e përgjithshëm, që mendoj se është bazë e mirë e fillimit të zhvillimit të këtij aktiviteti përmes këtyre fushave ajrore që janë në Kosovë”, është shprehur Musa.

Aeroplan

Për të apasionuarit e aviacionit gjendja në të cilën ndodhen këto fusha është e rëndë.

“Nuk e di pse Kosova nuk ka ndërmarrë diçka dhe këto aeroporte t’i vë në funksion të Federatës Aeronautike të Kosovës por i ka lënë në kuadër të Agjencisë për Privatizim, kjo mund të jetë pengesë për shkak se pronari ende nuk dihet”, ka potencuar Ukaj.

Për të apasionuarit e aviacionit edhe aeroporti i Gjakovës është i pashfrytëzueshëm për të zhvilluar aktivitetet.

“Po çka është më e keqja është që nuk ka aeroport të dytë ose aeroport të aviacionit të përgjithshëm ku kish mujtë çdo njëri që kish dashtë me ardhë me fluturu në Kosovë, kish mujtë me e shfrytëzu atë aeroport, mos me ngarku Aeroportin e Prishtinës pasi që aty fluturojnë aeroplanë me pasagjerë e ndonjëherë ndonjë aeroplan i vogël kish mujtë edhe me shkaktu vonesa ose telashe për pilotët ose pasagjerët”, ka treguar Kadriu.

Kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut, Shkupi – Pamje nga Aeroplani

Burokracia për realizimin e një fluturimi në Kosovë

Për të realizuar një fluturim në Kosovë duhet të kalohet nëpër procedura, që marrin disa ditë kohë deri në aprovimin e Agjencisë së Aviacionit Civil (AAC). Procedurat kërkojnë edhe leje për të fluturuar dron ndërsa për çdo gjë duhet të jetë i njoftuar KFOR-i.

Procedurat e gjata deri në tre ditë ndodhë i bëjnë të parealizueshme fluturimet, për shkak të përkeqësimit të motit dhe ndryshimeve klimatike. Ndryshe nga Kosova, në Maqedoninë e Veriut procedura është e thjeshtë dhe njoftimi kryhet në momentin e ngritjes së aeroplanit.

“Përndryshe sot nuk patëm ndonjë burokraci të tillë, ne mund të fluturojmë në çdo pjesë të Maqedonisë së Veriut mjafton vetëm njoftimi i trafikut ajror me qëllimet tona që i kemi dhe ata zakonisht gjithmonë e aprovojnë edhe këtë e bëjmë në ajër”, ka rrëfyer Ukaj.

Përvojë të ngjashme ka edhe entuziasti i aviacionit Kushtrim Kadriu.

“Krejt çka është dashtë, është dashtë me pasë një instruktor, me i tregu kullës që në këtë moment kemi me fluturu, domethënë as kërkesë me bo po veç i kemi tregu kullës që na u ka tekë e tash po dojmë me fluturu edhe gjithçka ka qenë në rregull. Normal na kanë dhonë disa instruksione që mos me fluturu nëpër disa pika që janë të ndjeshme por ajo është procedurë e njohur ose e pranume gjithkah përndryshe krejt çka është dashtë, në radiolidhje me i tregu kullës…në Stenkovec”, ka shpjeguar Kadriu.

Në Maqedoninë e Veriut, më saktësisht në aeroportin e Stenkovecit në Shkup, burokracia e një fluturimi fillon dhe mbaron me një njoftim të kullës së kontrollit për qëllimin e fluturimit gjatë ngritjes së aeroplanit në ajër. Këtë e konfirmon edhe Adem Limani, pilot privat në Aeroklubin e Shkupit.

“Fluturimet të cilat i zhvillojmë në këtë aeroklub janë fluturime të lira të cilat nuk kërkojnë leje paraprake nga Agjencioni Ajror Civil, as nga kontrolli ajror në territorin e Maqedonisë së Veriut. Fluturimet të cilat i zhvillojmë në këtë aeroport i kemi të lira në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut. E vetmja gjë që bëjmë është që gjatë ngjitjes në ajër informojmë kontrollin e fluturimit për qëllimin tonë të cilin e kemi dhe ia japim të dhënat detale të rrugës tonë. Kontrolli ajror nëse nuk ka ndonjë pengesë shtesë vetëm na aprovon atë fluturim dhe e gjitha kjo zhvillohet derisa ne ngjitemi në ajër gjatë fluturimit”, ka treguar për Kallxo.com Limani.

Adem Limani – Aeroklubi ‘Shkup’i

Në këtë aeroklub janë bashkuar mbi 40 entuziastë të aviacionit, ndër ta parashutistë, pilotë të aeroplanëve që fluturojnë pa motor, pilotë që merren vetëm me rekreacion dhe instruktorë të cilët trajnojnë pilotët e rinj.

Përveç aeroportit të Stenkovecit ka edhe katër aeroporte të tjera sportive që janë të shpërndarë në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut. Aeroporti i Kumanovës, Aeroporti në Shtip, Aeroporti i Prilepit dhe Aeroporti i Manastirit duke mos llogaritur dy aeroportet ndërkombëtare, atë të Shkupit dhe të Ohrit.

“Maqedonia e ka të zhvilluar aviacionin e përgjithshëm, ata i kanë dhënë rëndësi sepse edhe në Ish-Jugosllavi aviacioni i përgjithshëm ka pasur një rëndësi të madhe. Maqedonia e Veriut ka edhe aeroporte që merren veç me këtë sektor, domethënë me aviacion të përgjithshëm, por edhe aeroporti i Shkupi dhe Ohrit janë suportiv sa i përket zhvillimit të kësaj industrie.”

Entuziastët nga Kosova që veprojnë në Maqedoninë e Veiut janë të gatshëm të veprojnë edhe në Kosovë, nëse rregullat dhe kushtet do ishin të njëjta.

“Ne do të jemi të gatshëm që të gjithë avionët që i posedojmë aktualisht një aeroplan në Maqedoninë e Veriut do të jemi të gatshëm ta sjellim menjëherë në Kosovë dhe të zhvillojmë aktivitetet në fushën e aviacionit të përgjithshëm në Kosovë, të paktën të fillojmë me fluturime panoramike, fluturime njoftuese edhe pse jo me përgatitjen e pilotëve të rinj dhe këtë do të jemi të gatshëm ta bëjmë që nga momenti që na lejohet të veprojmë në Kosovë”, ka theksuar Ukaj.

Aeroplani në ajër

E nga ana tjetër, Albion Idrizi ka rrëfyer se ka dëshirë që në të ardhmen të ulet në një aeroplan, ku secili shërbim t’i ofrohet nga kosovarët, duke filluar nga piloti, stjuardesat e deri te kulla e kontrollit.

“Edhe e kam ëndërr që një ditë të hipi në një aeroplan dhe piloti, co-piloti dhe krejt stjuardesat të jenë kosovarë dhe aeroplani të jetë i mbikëqyrur nga kosovarët dhe kur të niset në ajër të jetë i kontrolluar nga kosovarët, këtë e kemi, trafikun ajror e kemi veç, kjo është ëndërr e imja, se vetëm kështu mendoj se mund të zhvillohemi”, ka përfunduar Idrizi.