Herbert Amato. Vjollca Krasniqi dhe Jeffery Butel, anëtarë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë. FOTO: KALLXO.com

Anëtari ndërkombëtar i KShC-s: Nuk kam parë diçka kaq të politizuar si në Kosovë

Megjithëse po përballen me presione nga politika dhe palët e interesit, Këshilli Shtetëror i Cilësisë thotë se është i vendosur të sigurojë cilësi në arsimin e lartë në Kosovë. Organi i pavarur shtetëror që merret me akreditimet e instucioneve të arsimit të lartë, u përballën me presion të drejtpërdrejtë nga kreu i qeverisë, ndërsa në mbrojtjen e pavarësisë së tyre dolën ambasadat e shoqëria civile.

 

Tre nga nëntë anëtarët e këshillit përgjegjës për akreditimin e institucioneve të arsimit të lartë, folën për KALLXO.com lidhur me planet e punës, problemet me politikën dhe njohjen ndërkombëtare të këtij këshilli.

Profesori Herbert Amato ishte pjesë edhe e Këshillit të kaluar të Cilësisë, që u shkarkua në vitin 2017 me kërkesë të kryeministrit në dorëheqje,  Ramush Haradinaj.

Regjistri Evropian i Sigurimit të Cilësisë për Arsimin e Lartë vetëm pak muaj më vonë kishte marrë vendim për përjashtimin e AKA-s duke e arsyetuar se ajo ‘ka humbur aftësinë e vet për të vepruar në mënyrë autonome” me vendimin e shkarkimit nga Ministri më 25 shtator 2017’.

Amato tha se  ndërhyrja e politikës asokohe ka shkaktuar dëme të cilat po mundohen t’i riparojnë me këshillin e ri.

“Mendoj që me këshillin e kaluar kemi qenë duke lëvizur në drejtimet e duhura, po bënim shumë gjëra, po bëheshim gati të bënim ndryshime të mëdha dhe papritur u ndalëm në rrugën tonë. Mund ta kujtoni, kemi qenë disa muaj pa këshill, kështu që në sytë ndërkombëtarë… ne nuk ishim aty, nuk ishim agjensi e pavarur. Nëse një ditë zgjohesh dhe 9 persona lirohen nga detyra, edhe Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit u lirua (nga detyra), ka dhembur shumë”, tha profesori Amato.

Amato tregon se Këshilli i ri i Cilësisë po punon për rianëtarësimin dhe kthimin e statusit të anëtarit në organizatat EQAR dhe ENQA, nga të cilat janë përjashtuar dhe përkatësisht degraduar për shkak të ndërhyrjes politike në Këshill.

Nga presioni politik nuk është kursyer edhe Këshilli aktual të cilët morën vendim për mos të akredituar universitetet publike të Pejës, Mitrovicës dhe Prizrenit.

Kjo shkaktoi reagime nga Kryeministri Haradinaj dhe Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi.

Kryeministri tashmë në dorëheqje, Haradinaj, kishte kritika të ashpra ndaj këtij vendimi duke thënë se maturantët po lihen në rrugë dhe duke thënë se nëpër agjensi të pavarura ka edhe mafi.

Edhe ministri i arsimit, kishte reaguar duke në një konferencë urgjente ku kërkoi që çështja të adresohet në qeveri.

Që nga ajo kohë, nuk ka pasur deklarata të tjera nga këta akterë. Në mbrojtje të KShC-së kishin dalur 27 organizata të shoqërisë civile.  Edhe Ambasadori i ShBA-së, Philip Kossnet dhe ai i Britanisë së Madhe, Ruari O’Connell thanë se vendimet e këtij këshilli ishin të drejta.

Vjollca Krasniqi, Nënkryetare e KShC-së, bën thirrje që qeveria të fokusohet në zhvillimin e arsimit të lartë, në vend se të atakojë vendimet e agjensisë së pavarur.

“Të gjithë në Kosovë duhet ta dijnë se Këshilli Shtetëror i Cilësisë është një trup i pavarur vendimmarrës dhe një trup që krijon rregullore. Prandaj, ne këtë e marrim si presion në fakt por po ashtu e shohim se si vendimet tona po ashtu janë bërë pjesë e lojërave politike dhe se si politikanët përdorin disa vendime për të fituar popullaritet. Ose kjo është një simptomë e asaj se si sistemi i arsimit të lartë në Kosovë është shumë i politizuar… Mendoj se në një situatë ideale, qeveria  duhet të mendojë për investimet që po i bën në zhvillimin e arsimit të lartë, në vend se të vendosë një pikëpyetje në vendimet e Këshillit të cilësisë, që i ka marrë deri tani”, tha Krasniqi.

Reagime pati edhe nga universitetet që mbetën pa akreditim. Specifikisht, Universiteti i Mitrovicës ‘Isa Boletini’, vëri në pyetje kredibilitetin e ekspertëve të zgjedhur për të bërë raportin e vlerësimit për ta.

Këtë arsyetim nuk po e pranon Jeffery Butel, i cili tha se universiteti ka pasur mundësinë të mos ta pranojë grupin e ekspertëve, para se atë të bënin vlerësimin.

“Fillimisht, Agjencia e Akreditimit mban një regjistër të ekspertëve në teren. Disa prej tyre janë të aprovuar nga ENQA, disa të rekomanduar nga organizata të tjera. Kështu, AKA ka CV-të dhe informata të tjera të këtyre kandidatëve dhe nuk janë të zgjedhur në mënyrë rastësore, ka konsideratë në zgjedhjen e tyre. Dua të them gjithashtu se të gjithë institucioneve iu jepet mundësia për t’i refuzuar ekspertët, institucioni pranon listën e ekspertëve dhe ftohen të deklarohen nëse kanë ndonjë kundërshtim. Nëse ata nuk shprehin kundërshtim, ne duhet të supozojmë se janë të kënaqur me ekspertët”

Të gjithë anëtarët e këshillit përsëritën se nuk bëjnë dallime në mënyrën se si vendosin qoftë për universitetet publike apo kolegjet private, pa marrë parasysh reagimet.

Presionet megjithatë nuk po i afektojnë të gjithë anëtarët njësoj.  Anëtari ndërkombëtar, Butel, thotë se edhe pse nuk po afektohet personalisht nga presioni, Kosova është rast i rëndë në çështjen e presionit politik.

“Jo, unë ndjej për kolegët e mi kosovarë, sepse ne shkojmë e vijmë. Neve gjithsesi na dhimbsen, janë kolegë të vlefshëm, por ne jemi profesionistë sezonalë. Unë kam punuar në 24 shtete të përfshira në këtë proces. Kam punuar për Kombet e Bashkuara, kam punuar për agjensi të tjera shtetërore, jo vetëm AKA-në, pra jam i mësuar me presione të ndryshme. Por, më duhet ta pranoj se nuk kam rastisur në diçka kaq politike si në Kosovë”

Këshilli Shtetëror momentalisht po vazhdon punën, të cilën thonë se duan ta bëjnë sa më transparente, duke bashkëpunuar me media dhe organizata të shoqërisë civile