Varrimi i viktimave të masakrës pasi trupat e tyre u gjetën në Serbi. Foto: Petrit Mirena.

16 baballarë dhe djem të masakruar: Një familje kosovare e shkatërruar

Gjatë luftës në Kosovë në prill 1999, forcat serbe morën 16 burra dhe djem nga e njëjta familje, i vranë ata dhe ua fshehën eshtrat në një varr masiv sekret. Asnjë nga autorët nuk është gjykuar kurrë për këtë masakër.

 

Në fshatin Nakaradë, ku jeton familja Mirena, jo larg linjës hekurudhore që të çon në Mitrovicë nga Fushë Kosova, mbizotëron një heshtje e rëndë. Edhe pse fshati është rritur në këto 21 vjet që ka përfundimi i luftës, këtu shihet shumë pak lëvizje.

Më 21 Prill 1999, të gjithë burrat dhe djemtë e familjes Mirena që ishin nën moshën 16 vjeç u morën nga policia dhe paraushtarakët serbë dhe 16 prej tyre u vranë.

Edhe në Prishtinë ka heshtje, ku nuk është ngritur asnjë aktakuzë kundër atyre që janë përgjegjës për vrasjen e këtyre 16 civilëve të paarmatosur.

Hysni Mirena është një nga të paktët që nuk vdiq këtu 21 vjet më parë. Ai flet i emocionuar për natën kur babai i tij Hilmu, së bashku me 14 kushërinj dhe një mysafir që rastisi të ishte me ta, u morën dhe u vranë.

Ai po kthehej në shtëpi nga shtëpia e një të afërmit të tij, së bashku me nënën e tij, kur panë policinë dhe trupat serbe të drejtoheshin drejt pjesës së fshatit ata ku jetonin.

“Në atë moment, nëna ime reagoi, më tërhoqi mënjanë dhe m’u përgjërua: ‘Për kokën time, të lutem, vrapo’,” kujton ai.

Ai vrapoi dhe u fsheh midis disa pemëve dhe shkurreve dhe arriti të largohej.

Rreth një muaj para kësaj, policia serbe kishte vrarë edhe një anëtar tjetër të familjes së tij. Mehdi Mirena, së bashku me dy banorë të Fushë Kosovës u vranë më 24 mars 1999, ditën në të cilën NATO filloi të bombardonte Jugosllavinë në përpjekje për të detyruar Sllobodan Millosheviçin t’i jepte fund fushatës së tij ushtarake kundër guerilëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe civilëve etnikë shqiptarë.

Por ndërsa sulmet ajrore të NATO-s vazhdonin, forcat e Millosheviçit e shtuan fushatën e tyre dhe kjo u pasua nga një sërë masakrash, përfshirë ajo në Nakaradë në komunën e Fushë Kosovës.

“Babai im iu përgjërua të më lironin”

Pranë shtëpisë së Hysni Mirenës, takojmë Safet Mirenën. Tani 37 vjeç, ai gjithashtu ishte dëshmitar i asaj që ndodhi 21 vjet më parë. Edhe ai u mor nga shtëpia e tij, së bashku me babanë dhe kushërinjtë e tij.

“Policia hyri në shtëpinë tonë dhe na mori, babanë dhe mua. Ata na nxorën në rrugë, midis shtëpive të fqinjëve. Na rreshtuan pranë shtëpisë së Idrizit. Na pyesnin vazhdimisht për armë dhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, kujtoi ai.

Pasi kishte mbledhur burrat, policia dhe paraushtarakët me uniforma dhe maska ​​filluan të kontrollonin identitetet e tyre, vazhdoi ai.

“Kur më kërkuan mjetin e identifikimit, babai im u tha se djaloshi nuk ka mjet identifikimi, është i vogël, vetëm 16 vjeç dhe u kërkoi të më lironin”, tha ai.

“Pas verifikimit, ata na urdhëruan të ecim drejt një kamioni që ishte parkuar rreth 100 metra më larg, në rrugën përgjatë hekurudhës. Pasi babai im iu përgjërua të më lironin, ata më lanë të shkoja, edhe pse dy policë patën një mosmarrëveshje mes tyre, pasi njëri prej tyre dëshironte shumë të më merrte, kurse tjetri më thoshte të kthehesha në shtëpi.”

Safeti i vogël vrapoi drejt shtëpisë së tij kurse të tjerët i morën me vete.

“Të 16 burrat, me duart e lidhura pas shpine, u kërcënuan, u ofenduan dhe u mallkuan ndërsa ecnin drejt kamionit i cili po priste matanë shinave të trenit”, tha ai.

“Kjo ishte hera e fundit që pashë babanë, xhaxhallarët dhe kushërinjtë e mi.”

Vrasjet e burrave nga Nakarada lanë 13 gra të ve në familjen Mirena dhe 32 fëmijë pa baballarët e tyre.

Njëra prej tyre është Sherife Mirena, nënë e katër fëmijëve që ishin shumë të vegjël kur policia e mori babanë e tyre dhe e vrau. Nazifi u plagos nga një plumb pikërisht jashtë shtëpisë së tyre atë ditë – një incident që fëmijët e tij të vegjël e panë nga afër.

“Ne ishim në shtëpi. Ora ishte rreth 19:00. Unë isha në banjë, duke larë djalin tim të vogël, Erollin. Nazifi u nis të shkonte në shtëpinë e të afërmve tanë për të sjellë djemtë e tyre, pasi natën rrinim të gjithë bashkë”, kujton ajo.

“Sapo Nazifi doli në ballkonin e shtëpisë, dëgjova një të shtënë me armë zjarri. Dola nga banja dhe në korridor pashë Nazifin në dysheme, të plagosur dhe të mbuluar me gjak. Ndërkohë që po e pyesja se çfarë ndodhi, policia hyri në korridor. Të gjithë ishin të maskuar. Ata më drejtuan në fytyrë një llambë të ndezur, si dhe armët e tyre, dhe filluan të bërtisnin.

“Burri im po zvarritej dhe arriti të hynte në dhomën ku ishin fëmijët. Policia hyri brenda dhe e mori ashtu siç ishte, të plagosur, para fëmijëve, duke e tërhequr zvarrë, duke lënë pas gjak. Policia më mbylli mua dhe pjesën tjetër të familjes brenda, duke na paralajmëruar të mos largoheshim.”

Brenda në shtëpi dhe në oborrin e tyre ishin më shumë se 30 policë, ajo tha: “Njëri prej tyre po rregullonte maskën e tij, duke u parë në pasqyrë në dhomë dhe më pyeti në mënyrë kërcënuese: ‘Donit NATON-n, eh?’ Iu përgjërova të mos ma merrnin burrin. Ai tha: “Jo, nuk do ta marrim. Thjesht do ta çojmë në rajon për verifikim.’”

Fqinja e saj, Zylfija Mirena, ishte martuar me burrin e saj Mentorin dy vjet më parë dhe ata kishin një vajzë të quajtur Zanita, e cila në atë kohë ishte 11 muajshe.

“Ne e dëgjuam të shtënën me armë”, tha ajo. “Vjehrra ime na tha: ‘Plagosën Nazifin.’ Vjehrri im po bërtiste: ‘Po, po, e plagosën. E pashë të rrëzohej përtokë. E pashë.’”

“Ata e tërhoqën zvarrë Nazifin der te dera e shtëpisë sonë. Kur mbërritën aty, Nazifi tha: ‘Idriz, vëlla, dil jashtë!’ Nuk do ta harroj dot kurrë atë zë. Idrizi iu përgjigj nga brenda shtëpisë: ‘Po, po, ne po dalim.’ Kur vjehrri im doli te dera, ai u tha djemve të tij: ‘Mentor dhe Veton, ejani! Kërkojnë të gjithë burrat.’”

Pati 15-20 minuta potere, atëherë Zylfija Mirena dëgjoi edhe gjashtë të shtëna me armë dhe fshati ra në heshtje.

“U mblodhëm brenda shtëpive tona dhe pritëm gjithë natën që burrat tanë të ktheheshin. Ishte një natë shumë e gjatë”, tha ajo.

Njerëzit ishin zotuar të qëndronin në fshat pas vdekjes së Mehdi Mirenës një muaj më parë. Por atë natë, disa nga gratë vendosën të largoheshin me fëmijët e tyre dhe u nisën me këmbë në drejtim të fshatit të afërt të Dardhishtës, rreth një kilometër larg. Megjithatë, ato nuk mundën ta merrnin dot me vete Xhafer Mirenën, një i moshuar i paralizuar dhe memec që kishte pësuar ishemi në tru.

Të nesërmen, tre gra u kthyen në Nakaradë për ta kërkuar, por nuk e gjetën atë në shtëpinë ku ai kishte qenë një natë më parë.

Teksa kërkonin derë më derë, ato dëgjuan një të qarë nga shtëpia e Mehdi Mirenës. Burri i paralizuar ishte rrahur dhe mbyllur, lakuriq, brenda një dhome me një qen në të. Gratë e morën atë dhe karrocën e tij dhe u kthyen në Dardhishte.

Megjithatë, jo të gjitha shtëpitë ishin bosh. Sherife Mirena tha që mëngjesin pasi burrat e tyre u morën, ajo dhe dy gra të tjera shkuan për të parë disa nga fqinjët e tyre serbë në anën tjetër të linjës hekurudhore.

“I pyetëm nëse dinin gjë për burrat tanë. Hymë brenda. Aty ishin disa burra, të veshur me rroba të stilit ushtarak dhe me pushkë automatike aty pranë. I pyeta nëse ata dinin ndonjë gjë dhe nëse mund të shkonin në komisariat në vendin tonë, pasi ne nuk guxonim të shkonim dot, për të parë nëse burrat dhe djemtë tanë ishin atje. Ata thanë se nuk dinin asgjë”, tha ajo.

Dy gra serbe më vonë erdhën në shtëpinë e saj dhe ajo i pyeti edhe ato nëse dinin gjë ku i kishin çuar burrat e familjes Mirena. “Edhe ato thanë se nuk dinin gjë. Njëra prej tyre tha: “Ata morën edhe djalin tim, për në ushtri, dhe tani nuk e di se ku është.”

“Do t’ju vrasim dhe do t’ju djegim të gjithëve”

Më herët në të njëjtën ditë, Sherife Mirena tha se një automjet civil kishte hyrë në lagje dhe dy burra të veshur si civilë ishin në të, të armatosur dhe me një bidon benzinë në dorë.

“Ata morën kunatën time dhe fëmijët e saj dhe i rreshtuan pas një muri për t’i qëlluar. U thashë të mos i vrisnin, se ishin fëmijë. Më i riu tha: ‘Do t’ju vrasim të gjithëve. Ky është urdhri ynë’”, tha ajo.

“Më i moshuari mori benzinën për t’i vënë zjarrin shtëpive. Fëmijët e mi ishin afër meje dhe u kishin drejtuar pushkën. Më pushtoi frika. Frikë se mos humbisja fëmijët e mi dhe fillova t’i bërtisja burrit më të moshuar. E kapa nga jeleku antiplumb dhe e pyeta nëse e dinte se çfarë po bënte, nëse do të vriste fëmijët e mi. Ai tha: ‘Do t’ju vrasim dhe do t’ju djegim të gjithëve.’”

Ajo u përgjigj e zemëruar: “’A keni fëmijë ju?’” i bërtita. “A keni fëmijë vetë? Keni zemër? Keni shpirt? Ku i çuat djemtë dhe burrat tanë?’” e pyeta.

“Me gjakftohtësi, ai u përgjigj: ‘Unë nuk kam asnjë lidhje me burrat tuaj. Urdhri im është të djegim gjithçka që keni.’”

Ajo iu lut edhe njëherë të mos ia vriste fëmijët dhe pastaj ra përtokë. “Por ai më tha: ‘Ngrihu, nëse dëshiron të mbetesh gjallë dhe largohu me vrap që këtu. Tani nyuk keni më asgjë. Gjithçka do të digjet.’”

Ajo u ngrit, mori fëmijët e saj dhe së bashku me pjesën tjetër të grave dhe fëmijëve që nuk ishin larguar një ditë më parë, u drejtuan drejt fshatit fqinj Dardhishtë. “Ndërsa ecnim drejt fshatit, pamë që shtëpitë tona po digjeshin”, tha ajo.

Disa ditë pasi u zhvendosën në Dardhishte, ata që kishin mbetur nga familja Mirena morën një tren për në Maqedoni, drejt kampit të refugjatëve në Stankovec, ku dhjetëra mijëra shqiptarë etnikë që kishin ikur nga Kosova për shkak të luftës po strehoheshin nëpër tenda.

Atje, ata morën lajme të ndryshme kontradiktore për të afërmit e tyre. Disa thoshin që të dashurit e tyre kishin vdekur dhe disa thoshin se ishin gjallë.

Edhe pas kthimit të tyre nga kampi i refugjatëve në Maqedoni, ata vazhduan të marrin informacione kontradiktore, deri kur morën indikacionin e parë më të qartë në lidhje me atë që kishte ndodhur.

“Disa muaj pasi u kthyen në shtëpi, në fshatin Pomozotin në Fushë Kosovë u gjetën disa rroba dhe një dokument që i përkisnin një prej burrave të zhdukur”, tha Safet Mirena.

“Për më tepër, kishte disa shkopinj prej druri të shënuar me numrat nga 1 deri 16, në dukje që korrespondojnë me numrin e burrave të rrëmbyer nga familja.”

Por besimi se baballarët, vëllezërit, djemtë dhe burrat e tyre ishin akoma gjallë, dhe shpresa për t’i gjetur të gjallë qëndroi me ta për shtatë vjet, deri në vitin 2006, kur trupat e tyre u gjetën të varrosur në Batajnica të Beogradit dhe u identifikuan. Eshtrat e tyre ishin zhvendosur atje nga autoritetet serbe në përpjekje për të mbuluar vrasjet.

Zylfije Mirena tha se vitet para se të zbuloheshin trupat e tyre ishin një periudhë shumë e vështirë ndërsa ato rrisnin fëmijët e tyre dhe përpiqeshin të mbroheshin nga dhimbja.

“Sa herë që shikonim lajme për njerëz të zhdukur, i nxirrnim nga dhoma fëmijët”, shpjegoi ajo. “Ata na pyesnin: ‘Pse sa herë që ka lajme, na nxirrni nga dhoma? Nuk meritojmë ne të dimë për prindërit tanë?’”

“Autorët e krimit jetojnë të lirë”

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, i cili u vu në krye të proceseve gjyqësore pas luftës, filloi një hetim për masakrën në Nakaradë në vitin 2000. Në vitin 2008, dosja e çështjes iu dorëzua misionit të sundimit të ligjit të BE-së në Kosovë, EULEX, e cila trashëgoi çështje gjyqësore nga UNMIK-u.

Pastaj në vitin 2018, kur EULEX-i hoqi dorë nga kontrolli i sistemit gjyqësor të vendit, çështja u dërgua në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Hysni Mirena është i hidhëruar nga dështimi i sistemit gjyqësor për të zgjidhur çështjen e vrasjeve të babait dhe të afërmve të tij.

“Ne kemi dhënë shumë deklarata dhe shumë informacione rreth tyre, por kurrë nuk ka pasur një akuzë zyrtare ndaj personave përgjegjës”, tha ai.

“Ky është një burim i madh dëshpërimi për familjet tona, sepse kriminelët që ndanë baballarë nga fëmijët e tyre, burrat nga gratë dhe djemtë nga nënat nuk janë ndëshkuar, por jetojnë të lirë”, tha ai.

Safet Mirena tha se ai ishte marrë në pyetje disa herë nga UNMIK-u dhe policia e Kosovës, por se nuk kishte ndodhur asgjë.

Sherife Mirena tha se ajo ka pritur të thirret për t’u marrë në pyetje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës në Hagë, por kjo nuk ka ndodhur. “Njerëzi të EULEX-it kanë ardhur në shtëpi dhe na kanë marrë në pyetje, por ne nuk kemi dëgjuar asgjë më shumë në lidhje me këtë”, shtoi ajo.

Zëdhënësja e UNMIK-ut, Sanam Dolatshahi, tha se nuk mund të jepte asnjë informacion në lidhje me rastin. “Nuk jam në gjendje t’i përgjigjem ndonjë prej pyetjeve tuaja specifike”, tha ajo.

“Madje, ne nuk jemi në gjendje të komentojmë detajet e një çështjeje që mund të jetë në pritje të merret në duart e autoriteteve gjyqësore kompetente, pasi dosjet e çështjes përmbajnë informacione të ndjeshme”, shtoi ajo.

Zyra e shtypit e EULEX-it konfirmoi se ajo kishte një dosje për familjen Mirena, por se ajo ishte dorëzuar në gjyqësorin e Kosovës. Ashtu si UNMIK, EULEX tha se nuk mund të zbulonte informacione lidhur me rastin.

Prokuroria Speciale e Kosovës gjithashtu ka refuzuar të ofrojë informacione në lidhje me hetimin.

Kryeprokurori Blerim Isufaj konfirmoi se i kishte marrë dosjet e çështjes nga EULEX-i dhe tha se janë marrë në pyetje një sërë dëshmitarësh.

“Megjithatë, këto nuk kanë sjellë finalizimin e hetimit për ndonjë të dyshuar specifik”, tha Isufaj. “Ne po ndërmarrim hapat e nevojshëm hetimor për identifikimin dhe sjelljen para drejtësisë autorëve të vrasjeve të anëtarëve të familjes Mirena.”

Prokurorja e posaçme Drita Hajdari nuk kishte asgjë më shumë për të ofruar.

“Ne nuk japim asnjë informacion në lidhje me rastet që janë nën hetim, pasi të gjitha këto informacione mund të dëmtojnë seriozisht hetimet e gjykatës”, tha ajo.

Seksioni i krimeve të luftës i Departamentit të Krimeve të Rënda të policisë së Kosovës tha se “disa të dyshuar” kanë qenë nën hetim, por gjithashtu nuk pranoi të jepte informacione të mëtejshme.

Ahmet Grajqevci, i cili drejton një OJQ të quajtur Zyra për Personat e Zhdukur dhe ka 20 vjet që punon për gjetjen e eshtrave të të vdekurve, përfshirë familjen Mirena, tha se mungesa e progresit në këtë çështje është e pafalshme sepse anëtarët e familjes u kanë dhënë deklarata hetuesve në shumë raste.

“Askush nuk mund të japë asnjë shpjegim për mungesën e rezultateve”, tha Grajqevci. “Kjo vendos një precedent të tmerrshëm në mos ndëshkimin e atyre që kryejnë krime të tilla të rënda.”

Bekim Blakaj, kreu i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, i cili monitoron çështjet e krimeve të luftës, tha se gjatë 20 viteve të fundit, “nuk ka pasur rezultate të mjaftueshme nga hetimi i krimeve të luftës nga ana e UNMIK-ut, EULEX-it ose institucioneve të Kosovës, për fat të keq”.

Problemi më i madh, sipas Blakaj, është se viktimat e krimit janë në një vend, Kosovë, dhe autorët e krimeve janë në një vend tjetër, Serbi, dhe bashkëpunimi në nivel shtetëror midis tyre është jo ekzistent sepse Serbia refuzon të njohë pavarësinë e Kosovës. Serbia nuk pranon as që forcat e saj kryen krime lufte në Kosovë.

“Kjo ka krijuar një lloj komoditeti për autorët e krimeve dhe ata jetojnë të lirë, kryesisht në Serbi”, tha Blakaj.

 

Ky artikull u realizua si pjesë e skemës së granteve të Drejtësisë Tranzicionale në Ballkan të BIRN, mbështetur nga Komisioni Europian.