Rëndësia e ankesës ndaj punëdhënësit si mjet juridik
Në shumë raste të trajtimit nga Inspektorati i Punës por edhe nga gjykatat, punëtorët ankohen për shkelje të të drejtave të tyre nga punëdhënësit, në vendin ku punojnë.
Shkeljet mund të jenë nga më të ndryshmet, duke filluar nga ndërpreja e marrëdhënies së punës në mënyrë të kundërligjshme, mospagesa e pagës në kohë, ndalimi i pushimit vjetor, mospajisja me kontratë të punës ose moszbatimi i të njëjtës, e deri te rrezikimi i sigurisë së punëtorit në vendin e punës.
KALLXO.com ka pranuar një ankesë nga një palë, e cila aktualisht është duke kërkuar mbrojtjen e tij gjyqësore për shkelje të të drejtave nga marrëdhënia e punës që nga maji i vitit 2013.
Florim Kurti nga Prishtina po pretendon se i është ndërprerë kontrata në mënyrë të kundërligjshme, e për shkak që nuk ka shterrur mjetin e brendshëm (ankesën ndaj punëdhënësit), të njeitit i është refuzuar padia me të cilën ka kërkuar kompensim në para për shkeljen e bërë.
Për këtë, ai më 16 tetor të këtij viti i është drejtuar Gjykatës së Apelit, për një aktgjykim të Gjykatës Themelore të datës 29 shtator të këtij viti, më të cilin i është refuzuar padia për kompensim.
Sipas kësaj gjykate, me gjyqtare të çështjes Rrezarta Lleshaj, Kurti nuk ka parashtruar kërkesë për vlerësim të ligjshmërisë së veprimeve që kanë dërguar në ndërprerje të marrëdhënies së punës nga i padituri (ish-punëdhënësi).
Sipas palës ankuese, ndërprerja e marrëdhënies së punës ishte bërë pa paralajmërim dhe pa një vendim në formë të shkruar për ndërprerje,
Gjykata e ka refuzuar kërkesën e tij për kompensim të të ardhurave për kohën 01.03.2013 deri më 01.05.2014, gjatë kohës sa i njëjti kishte pasur kontratë me palën ankuese deri në ndërprerje të njëanshmë të kontratës.
Ligji i punës parasheh mënyrën si një punëtor duhet të veprojë në rastet kur mendon se është duke i’u shkelur ndonjë e drejtë.
Sipas Ligjit të Punës, punëtori i cili ka një pretendim të tillë duhet t’i drejtohet fillimisht organit të punëdhënësit, e ky i fundit është i detyruar t’i përgjigjet kësaj kërkese brenda 15 ditësh.
Pas kësaj, ky ligj parasheh edhe mbrojtjen gjyqësore, pasi punëtori pranon vendimin e punëdhënësit.
Sipas nenit 79 të këtij ligji, çdo i punësuar i cili nuk është i kënaqur me vendimin me të cilin mendon se i janë shkelur të drejtat e tij, ose nuk merr përgjigje brenda afatit në afatin vijues prej 30 ditësh, mund të iniciojë kontest pune në Gjykatën kompetente.
Tutje, nëse gjykata gjen se ndërprerja e kontratës së punës nga ana e punëdhënësit është joligjore, atëherë do të urdhërojë punëdhënësin që të ekzekutojë disa dëmshpërblime.
“..t’i paguajë të punësuarve kompensimin, përveç shtesave dhe shumave tjera të cilat i takojnë punonjësit në bazë të këtij ligji, Kontratës së Punës, Kontratës Kolektive ose Aktit të Brendshëm, në shuma të tilla që gjykata i konsideron të drejta dhe adekuate, por të cilat nuk duhet të jenë më pak se dyfishi i vlerës së çdo dëmshpërblimi që i takon punonjësit në kohën e shkarkimit..” – përshkruhet në këtë ligj.
Nëse largimi nga puna vlerësohet si i paligjshëm, thuhet në nenin 80, gjykata mund ta rikthejë të punësuarin në vendin e tij të punës dhe urdhëron kompensimin e të gjitha pagave dhe përfitimeve tjera të humbura gjatë gjithë kohës së largimit të paligjshëm nga puna.
Për rastin e palës ankuese, ekzistone dhe një raport zyrtar i Inspektoratit të Punës, i cili ka konstatuar në prill të vitit 2013 se punëdhënësi kishte shkelur nenin 92 të Ligjit të Punës sepse nuk kishte nxjerrë vendim për ndërprerje të kontratës së punës.
Sipas Ligjit të Punës, parashihet edhe parashkrimi për kërkesat e marrëdhënies së punës në para.
“Të gjitha kërkesat nga marrëdhënia e punës në para, parashkruhen brenda afatit prej 3 vitesh, nga dita e paraqitjes së kërkesës”- thuhet në nenin 87 të këtij ligji.