Rehabilitimi i Çetnikëve Rrezikon Rajonin

Nuk ka absolutisht asnjë arsye për të rehabilituar Drazha Mihajloviqin, siç është deklaruar në Republikën e Serbisë. Është mohim i drejtpërdrejtë i fakteve të vendosura historike pa asnjë dyshim, dhe një pranim fatal i nacionalizmit serbomadh. Do të ushqejë, gjithashtu, ustashët në Kroaci dhe ngushëllojë ata që duan të barazojnë antifashizmin me fashizmin dhe të kthejnë fituesit e Luftës së Dytë Botërore në humbës, dhe humbësit në fitues.

Lëvizja Çetnike ishte planifikuar si një lëvizje rezistence pas kapitullimit të Mbretërisë së Jugosllavisë në vitin 1941, por asnjëherë nuk e pati atë rol. Çetnikët ishin, thënë butësisht, shumë të kujdesshëm ndaj pushtuesve gjerman, bashkëpunuan ngushtësisht me pushtuesit italianë dhe bashkë me të dy luftuan kundër të vetmes lëvizje rezistence, të udhëhequr nga Josip Broz Tito [për shembull në Betejën e Neretvës]. Kjo është arsyeja pse Anglia, edhe pse vetëm më 1943, iu mohoi mbështetjen dhe filloi të ndihmonte partizanët e Titos.

Çetnikët lanë një varg krimesh prapa. Me këtë, duhet mbajtur mend se jo të gjithë çetnikët ishin serbë, dhe se jo vetëm joserbët ishin viktimat e tyre. Nuk duhet të harrojmë se një numër i konsiderueshëm çetnikësh së famshëm, kur panë se lëvizja e tyre nuk po luftonte për lirinë e vendit të tyre, por ishte kthyer në lëvizje bashkëpunëtore, kaluan me partizanët. Me këtë nuk dua të them ata që pranuan ofertën për të ndërruar anët, kur po afrohej fundi i luftës, bashkë me amnistinë e premtuar, [ashtu siç bënë shumë anëtarë të Mbrojtjes Kombëtare Kroate].

Çetnikët pothuajse kurrë nuk u ndeshën me ustashët, dhe në fund të luftës, kur u arratisën drejt perëndimit para çlirimtarëve, udhëheqësi i ustashëve, Ante Paveliq, iu la kalim të lirë përmes asaj pjese të Kroacisë të cilin ai ende e kontrollonte. Kaq për armiqësinë midis çetnikëve dhe ustashëve. Jo, nuk ishin armiq, ishin aleatë në krimin e bashkëpunimit dhe në skllavërimin e vendit të tyre.

Për shkak të krimeve që u vërtetuan padyshim në gjyqin e tij dhe për shkak të bashkëpunimit të tij me pushtuesin, i cili gjithashtu u vërtetua padyshim në dokumente, fotografi dhe deklarata dëshmitarësh, Mihajloviq u dënua me vdekje se kriminel lufte dhe u ekzekutua. Ndodhi pothuajse në të njëjtën kohë kur lidershipi i regjimit nazist po dënohej dhe ekzekutohej në Nuremberg.

Të rehabilitohet Mihajloviq sot, të flitet për “vrasjen’ e tij, dhe ta përshkruash si viktimë të komunizmit, është një abuzim i ndyrë i fakteve. Edhe pse mund të thuhej, në mënyrë sipërfaqësore, se është çështje e brendshme e Serbisë, nuk fakt nuk është. Kjo lëvizje, e përsëris, do të ketë pasoja të rrezikshme dhe mundësisht fatale për rajonin i cili me zor është vënë në rrugën e normalizimit pas luftërave në ish-Jugosllavi.

Çdo rehabilitim i çetnikëve, ashtu si çdo relativizëm dhe rehabilitim i ustashëve, mund të përfundojë vetëm në katastrofë. Pas çdo gjëje që kaluam, pas sukseseve tona në krijimin e ngadalshëm të mirëbesimit dhe mirëkuptimit të dyanshëm, asnjë në rajon nuk ka të drejtë t’i niset kësaj rruge.

Prandaj, e kundërshtoj vendosmërisht rehabilitimin e liderit çetnik, i ndërgjegjshëm për faktin e dhimbshëm se brezi i ri në Serbi nuk di për atë ato që duhet t’i dijë, ashtu siç një numër të rinjsh në Kroaci ende nuk dinë çfarë duhet të dinë për udhëheqësin e ustashëve, Paveliq dhe kuazi-shtetin e tij, Shtetin e Pavarur të Kroacisë, NDH.

Bashkimi Europian duhet të marrë një qëndrim për këtë lëvizje të deklaruar nga Serbia. E kam të vështirë të imagjinoj se shtete që janë të gatshme të rehabilitojnë kriminelët e njohur të luftës nga Lufta e Dytë Botërore janë kandidatë të besueshëm për anëtarësimin në një Europë të bashkuar të bazuar në themelet e antifashizmit. Jam i sigurt se me opinionin tim bashkohen të gjithë antifashistët në Serbi.

Stjepan Mesiq është presidenti i fundit i Presidencës së Republikës Socialiste Federale të Jugosllavisë dhe president i Kroacisë midis viteve 2000 dhe 2010.

(Ky artikull fillimisht është publikuar në “Drejtësia Tranzicionale në Ballkan”)