Reforma në drejtësi, pas dy vjet punë, procesi kthehet në pikën zero

Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin vjetor për Kosovën, ka përmendur korrupsionin, mungesën e transparencës së Qeverisë, dhunën, rastin e mostrave të Astrit Deharit, krimin e organizuar, mungesën e reformës në drejtësi, etj.

Reforma e nisur nga Ministra e Drejtësisë për përbërjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës ka ngecur në Gjykatën Kushtetuese, kjo e fundit kishte thënë se ligji ishte në kundërshtim me Kushtetutën dhe si i tillë nuk mund të kaloj.

Valdet Hoxha, avokat dhe ish zv/ministër i Punëve të Brendshme, ka thënë se ligji duhet të amandamentohet në tërësi dhe sipas tij kjo është një fitore e sistemit të drejtësisë.

“Është një tërheqje e veshit të Qeverisë për këtë ligj, në të ardhmen, por edhe për ligjet e tjera që sipas informatave do të ketë po ashtu vendime të tilla”, ka thënë Hoxha.

Sipas tij kthimi mbrapsht i këtij ligji ka qenë i pritur.

“Të zgjedhet 50% e anëtarëve të KPK-së nga Parlamenti është puro politik dhe sot kemi një qeveri me 50.1%, nesër mund të kemi me 60%”, ka thënë më tej Hoxha.

Ndërsa Kreshnik Gashi nga Kallxo.com ka thënë se kthimi i këtij ligji është lajm i mirë për shkak se po mbrohet kushtetuta, por lajm i keq sepse Kosova ka dështuar të hartoj një ligj i cili sipas Gashit do të garantonte reformë në KPK.

“Kjo qeverisje e Këshillit Prokurorial ka pas defekte gjatë krejt mandatit të vet, me problemet e disiplinimit, avancimit, rekrutimit të cilat i ka kriju gjatë kësaj kohe dhe është e domosdoshme me e pas një reformë brenda sistemit të drejtësisë”, ka thënë Gashi.

Gashi ka theksuar se ky ligj nuk është rrëzuar vetëm për shkak të mandatit politik të anëtarëve të KPK-së, por edhe për shkak që është përfshirë edhe Avokati i Popullit në përzgjedhjen e anëtarëve të KPK-së.

“Gjykata Kushtetuese e ka thënë një element shumë të rëndësishëm, nuk mund të jesh mekanizëm monitorues edhe në të njëjtën kohë me i zgjedh njerëzit të cilët do t`i monitorosh, gabime bazike këto të cilat nuk kanë vërejtur as nga pozita, as nga opozita, as ekspertet, as nga askush”, ka thënë Gashi.

Gashi ka thënë gjithashtu që janë humbur 2 vjet kohë, e të cilat sipas tij do të shfrytëzoheshin për reformë.

“Është humb shumë kohë për shkak se në momentet që ka karrige të pasigurta në institucione të ndryshme, njerëzit nuk punojnë. Mos të harrojmë që po hymë në vitin e parë që ne nuk kemi kryeprokuror, është prit që ky ligj të sjell karrigën e kryeprokurorit”, tha Gashi.

Sipas Gashit nuk duhet të fajësohet vetëm Qeveria për këtë dështim por së bashku me të edhe KPK.

“Kemi pas një distancim të KPK-së, për me qenë pjesë e kësaj reforme, një refuzim bllanko për me qenë pjesë dhe kjo neve na bjen në një situatë të pyesim se a është sistemi i drejtësisë i gatshëm me bo reformën apo thjesht ata dojnë me pas këtë status-quo, që askush s’jep llogari”, tha më tej ai.

Ai ka folur edhe për çështjen e disiplinimit ndaj prokurorëve dhe gjykatësve, duke thënë që krejt sistemi i disiplinimit nuk ka përfundu me asnjë largim nga puna.

“Janë largu vetëm ata që janë dënu prej gjyatës për vepra penale, pra nëse e ki një sistem të disiplinimit një ligj për disiplinim dhe ai nuk e largon askënd nga puna, atëherë kjo është problem”, tha Gashi.

Avokati Hamdi Jashari po ashtu ka thënë që rrëzimi i këtij ligji është i drejtë për aq kohë sa nuk është në harmoni me Kushtetutën.

“Kjo kohë e humbur ka shkaktuar një pauzë të gjatë në KPK, pasi gjatë kësaj kohe ka mujt me u bo një reformë e madhe e drejtësisë mirëpo mënyra e hartimit të këtij ligji, ndoshta është dashur të merren parasysh më herët vërejtjet që i ka bërë Kushtetuesja”, tha Jashari.

Edhe avokati tjetër, Naim Rudari, ka thënë se i është ‘gëzuar’ lajmit që ky ligj kthehet për plotësim/ndryshim.

“Sa i përket Odës së Avokatëve, si palë e dëmtuar kemi reaguar disa herë lidhur me këtë çështje. Edhe unë mendoj që duhet të ketë reformë në KPK e KGJK e gjithkund por në formën e tillë siç është referuar dhe ndryshuar nuk mund të presim reforma të tilla”, tha Rudari.

Ndryshe shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka kritikuar se si ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, po mundohet ta kontestojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e Ligjit për KPK-në.

Tahiri në një konferencë për media kishte thënë se të gjitha iniciativat e Qeverisë në drejtësi nuk prodhojnë asgjë konkrete ose janë në kundërshtim me Kushtetutën.

“Sa herë e çojmë Albulenën në Gjykatë, si të rregullt apo kushtetuese, e fitojmë rastin. Gjitha iniciativat e tyre tashmë nuk prodhojnë asgjë konkrete apo efektive në terren. Ose janë në kundërshtim me Kushtetuesen, ose janë aq të dobëta sa nuk mbërrin efekte për t’i mundësuar qasje më të lehtë të qytetarëve në drejtësi” – ka thënë ai.

PDK: Po të miratohej ligji për KPK-në do të ishte kapje e fuqishme nga Kurti

Kreshnik Gashi nga KALLXO..com ka folur për korrupsionin dhe krimin e organizuar, dukuri të cilat ai tha se shteti ka dështuar në mënyrën e ndërtimit të mekanizmave për luftimin e tyre.

“Problemet ja nisin nga strategjia kundër krimit të organizuar, e cila po ta lexosh nuk mund të kuptosh se ku ka krim të organizuar në vendin tonë. Institucionet e sundimit të ligjit nuk e kanë të identifikuar ku ekziston korrupsioni dhe ku është t`u ndodh krimi i organizuar. Nëse ju shkoni në PK dhe kërkoni mafian e Kosovës, kërkush s’ka me ditë me ta dhanë”, tha Gashi.

Ka shtuar se institucionet e drejtësisë janë reaktiv për sa i përketë hetimeve për luftimin e këtyre dukurive.

“Nuk dimë me analizu çka po ndodh në vendin tonë për me ndërtu strategjinë e hetimit”, tha më tej Gashi.

Saranda Keqekolla- Sadiku që ka qenë mbrojtëse e viktimave, ka thënë se ka shumë institucione dhe njerëz për t`i hetuar rastet e korrupsionit.

“Nëse analizojmë se cili prej gjyqtarëve, prokurorëve apo zyrtarëve të lartë janë ndëshkuar deri më tash me një vendim gjyqësor sepse gjatë rrugës gjyqysh kanë me ta dështu rastin. Nëse PK-ja e fillon mirë, rrugës ngec”, tha ajo.

Valdet Hoxha, avokat dhe ish zv/ministër i Punëve të Brendshme, ka thënë se në institucionet e drejtësisë nuk është vetëm ‘zi’, siç po e bëjnë parafolësit.

“Ka një databazë inteligjente ku ruhen të dhënat sensitive por që deri në momentin kur nuk krijohet një bazë e mirëfillt për me fillu një hetim zyrtar ato mbesin vetëm të dhëna të brendshme”, tha Hoxha.

Ndërsa Gashi nga KALLXO.com i është kundërpërgjigjur Hoxhës duke thënë që ‘Inteligjenca e policisë e këtij shteti për me kuptu që diçka e keqe ka ndodh ose do të ndodh, ka ra’.

Për këtë ai e ka marr shembull kontratën 53 milionëshe mes Qeverisë së Kosovës dhe BektelEnkës.

“Hetimi u nisë dy vjet pasi u nënshkru kontrata, krejt qëta mekanizma inteligjent, s’kanë mbrri me kuptu që po ndodh ky sen e as me reagu”, tha Gashi.

Ai ka shtuar se Prokuroria e Shtetit nuk ka qasje në databaza të shtetit.

“Sot prokurori e bën hetimin pa asnjë lidhje në databazat e vendit. Ai s’ka qasje me hy me pa se a jam unë psh i dënuar për leje të kerrit, a kam pas probleme. Sot prokurori interviston dëshmitarin pa pasur asnjë të dhënë për të”, ka thënë Gashi.

Sipas avokatit i cili njëherësh ka qenë edhe hetues, Naim Rudari ka thënë se ka aktakuza për krim të organizuar shumë ndërsa përmbajtja e këtyre aktakuzave është zero.

“Ka raste kur prokuroria speciale ngrit aktakuzë për krim të organizuar me veprën penale bazë mashtrimi, me ligjet e më hershme kjo vepër ka qenë e dënueshme deri në 3 vite”, tha Rudari.

“Policia edhe mund ta ketë atë hartë se ku janë grupet kriminale, ne se dimë a e ka a jo ndoshta ata nuk dalin publikisht ta thonë këtë, por është më e vështirë që të hetohet nëse e dimë që saktë është një grup kriminal”, tha Rudari.

Raporti MD-së ka konstatuar se policia nuk e ka kryer punën si duhet në rastin e 11 vjeçares

Avokatja Saranda Keqekolla, ka folur edhe për rastin e dhunimit të 11 vjeçares dhe vrasjen e 35 vjeçares në oborrin e QKUK-së.

Ajo ka thënë se kur raportohet rasti, shkalla e rrezikshmërisë bëhet nga ana e policisë fillimisht.

“Këtu kemi një një pikë ku ish dashtë të profesionalizohet në kuptimin e mënyrës së funksionalizimit bashkëpunimit, polici-prokurori, sepse pas dhënies së deklaratës së të akuzuarit në disa rajone policore, preferojnë që ato t`ia dërgojnë me viber apo vetëm në telefon ja transmeton prokurorit por disa preferojnë t`i kenë të skanuara”, tha ajo.

Në rastin e 35 vjeçares janë suspenduar 4 zyrtarë policor për falsifikim.

Inspektorati Policor i Kosovës sipas detyrës zyrtare ka filluar hetim paraprak  mbi veprimet e ndërmarra policore në rastet që  policia ka trajtuar ndaj të dyshuarit S.H. për “Dhunë në familje” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim i paautorizuar i armës”.

Këto raste janë trajtuar nga Drejtoria Rajonale e Policisë Ferizaj, përkatësisht Stacioni Policor Shtime, si dhe  Stacioni Policor Lipjan i cili ka qenë i ngarkuar me zbatimin e Urdhër-mbrojtjes e palës së mbrojtur Hamide Magashit.

 

Vrasja e gruas shtatzënë: Suspendohet komandanti i stacionit policor në Lipjan tre zyrtarë të tjerë

 

Avokatja Saranda Keqekolla ka shtuar se në raste të tilla nuk është i mjaftueshëm vetëm suspendimi.

“….sepse kemi me pas prap raste edhe kur hetuesit nuk kanë me qenë më të vëmendshëm se çka ka me i prit më së shumti, deri te suspendimi. Duhet të përfundoj rasti deri në fund dhe secili që se respekton vendin e punës, duhet të marr sanksionin e merituar. Në rastin konkret s’është vlerësuar rrezikshmëria, kryesi është lënë i lirë’’, ka thënë Keqekolla.

Në raportin e DASH është përmendur edhe rasti i dhunimit të një 11-vjeçares në Prishtinë nga pesë të dyshuar – një i rritur dhe katër të mitur.

Kreshnik Gashi nga Kallxo.com në emisionin #KallxoPernime ka thënë se shteti dështon në hapin e parë në adresimin e problemit.

“Është dhunu në motele përreth Prishtinës, a ka ndërmarr shteti një mekanizëm për me vendos kontroll ndaj hoteleve, moteleve e masazheve që krejt po e dimë çka po ndodh në to. Në Kosovë mund të marrësh dhomë moteli pa u regjistruar fare, mundesh me fut në dhomë ndaq minorene ndaq çka dush nuk të sheh askush”, ka thënë Gashi.

Gashi ka shtuar se janë edhe disa vajza të tjera nën moshën 15 vjeçare që janë dhunuar muajt e fundit.

“E ke rastin edhe më tragjik në Prizren, ku le që është dhunuar por edhe është filmu marrëdhënia për me shantazhu viktimën”, ka thënë Gashi.

Avokatja Saranda Keqekolla në emisionin #KallxoPernime, ka thënë se është dashur që të analizohen të gjithë faktorët në mënyrë që të mos lejohej dhunimi i dytë.

“Gjitha ata që kanë bërë shkelje duhet të dalin para drejtësisë se vetëm kështu mund t`i parandalojmë këto raste. Deri te dhunimi i dytë i viktimës ka ardhur si rezultat i lëshimit të saj nga strehimorja, dhe pikërisht familja e ka kërkuar viktimën nga strehimorja e cila ka premtuar se do ta kontrolloj 24 orë”, ka thënë Keqekolla.

Ndërsa Kreshnik Gashi, nga KALLXO.com ka thënë se tashmë edhe besimi ka ra për Policinë e Kosovës.

“Kjo vjen për shkak të shumë faktorëve por më së paku nga faktorët medial. Policia nuk kritikohet nëpër media e as prej publiku, por kritikohet gojë mas goje, përvoja personale të njerëzve kanë krijuar percepsionin që policia me nis me ra në këtë element”, tha Gashi.

Sipas tij, PK ka nevojë për reformë.

“Ne e kemi policinë më të mirë në rajon por prapë nuk është e vështirë që PK të bëhet si policia e Serbisë apo ajo e Shqipërisë, me nivel shumë të lartë të korrupsionit e të abuzimit. Pra jemi mes një vije të hollë dhe ne duhet të marrim vendime të menjëhershme, ne s’jemi t`u e mohu faktin që PK-në janë duke e lëshuar profesionistët, pra e njëjta s’ka strategji qysh m`i mbajt mrena këta profesionistë, hetuesit e mirë, policët e mirë, eprorët e mirë”, ka thënë më tej Gashi.

Ndryshe në dhjetorin e vitit të kaluar është raportuar për dhunimin e një 11 vjecareje në Prishtinë.

Kjo nxiti reagime të shumta në opinion, protesta e dorëheqje.

Në dhjetor, prokurorët kanë ngritur padi kundër të dyshuarve, duke i akuzuar me trafikim të personave, përdorim i shërbimeve seksuale të viktimës së trafikimit dhe pornografi fëmijësh.

Ndërsa në janar Gjykata e apelit ka marrë vendim me të cilin e ka aprovuar si të bazuar ankesën e Prokurorisë së Prishtinës në rastin e dhunimit të 11 vjeçares.

Me këtë vendim Apeli ka anuluar vendimin e Gjykatës Themelore, me të cilin aktakuza e prokurorisë ishte hedhur si jo e plotë. Apeli çështjen e ka kthyer në rivendosje.

Rasti i dhunimit të 11 vjeçares, Apeli e kthen në rishqyrtim vendimin për rrëzimin e aktakuzës

Rasti Dehari pa epilog

Në raportin e DASH, përmendet edhe rastin i Astrit Deharit, aktivist të LVV-së.

DASH përmend se hetimet për rastin Dehari, nëse i njëjti është vetëvrarë apo vrarë, po vazhdojnë ende.

“Hetimi për vdekjen e aktivistit të Partisë Vetëvendosje në vitin 2016, Astrit Dehari, ka mbetur në vazhdim. Dehari është arrestuar me dyshimin për përfshirje në një sulm në parlament. Autoritetet hetuan nëse Dehari kreu vetëvrasje, ndërsa anëtarët e familjes së tij dhe përfaqësuesit e Partisë Vetëvendosje pretenduan se ai ishte vrarë për shkak të aktivizimit të tij politik”, shkruan DASH.

Tutje, aty përmenden edhe zhvillimet fundit në lidhje me këtë rast, si p.sh. zhdukja e mostrave të gjakut e urinës.

Edhe për këtë temë është diskutuar në emisionin #KallxoPernime, ku avokati Valdet Hoxha, ka thënë se ky rast është përdorur politikisht.

“Çdo rast që vonohet aty vetëm drejtësi nuk mund të ketë, ky rast është shumë i ndishëm, besoj që është zvarritur po e them pa kompetencë, është përdorur politikisht nga palë të ndryshme. Sepse është një rast që duhet të ketë një epilog”, ka thënë Hoxha.

Ai ka kritikuar Qeverinë Kurti që edhe pas dy viteve në pushtet nuk ka bërë asgjë lidhur me këtë rast.

“Tash po kujtohesh që pas dy vjetëve janë vjedhur mostrat, atëherë kjo krijon përceptim tek ne si qytetarë që qe dy vite nuk paska shku askush a janë ato mostra aty”, ka thënë Hoxha.

Haxhiu: Janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore – VIDEO