Reciprocitet akuzash brenda Kosovës për reciprocitetin ndaj Serbisë

Tema e reciprocitetit ndaj produkteve që importohen nga Serbia është riaktualizuar sërish në Kosovë, pas vendimit të fundit të Qeverisë në detyrë me masa shtesë për zbatimin gradual të reciprocitetit.

Mes tjerash, sipas këtij vendimi ndalohen dokumentet për produktet bujqësore dhe industriale që përdorin emra të vendeve ose përmbajnë elemente të tjera në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin në fuqi.

Shtimi i masave të reciprocitetit, vjen pak ditë pasi Gjykata Kushtetuese vendosi në favor të dekretit të Presidentit Hashim Thaçi, për të mandatuar Qeverinë e re të vendit, përderisa kryeministri në detyrë Albin Kurti deklaroi se për të ky vendim është i papranueshëm.

Qeveria në Detyrë e Kosovës në prill të këtij viti hoqi tarifën 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës  për të zëvendësuar atë me masën graduale të reciprocitetit ndaj Serbisë.

Ndërkohë, masat shtesë të reciprocitetit sërish ngritën reagimin e palës vendore por edhe ndërkombëtare.

I mandatuari për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosoëvs, Avdullah Hoti ka deklaruar se sapo të formohet ekzekutivi nga ta, do të heqin secilën pengesë për  rifllimin e dialogut, duke lënë të nënkuptohet se kështu do të veprohet edhe me reciprocitetin.

“Veprimet e fundit nga Qeveria në detyrë nuk e ndihmojnë vendin, por e kurthojnë atë. Është e ditur se reciprociteti është pjesë organike e strukturës tonë ligjore. Por, ne sot kemi nevoje ta mbështesim dialogun me ndihmën e miqve tanë. Qeveria e re do të koordinohet me partnerët strategjikë të Kosovës duke hequr çdo pengesë për dialog”, shkroi mes tjerash Hoti në Facebook, të dielën.

Vendimi i Qeverisë në detyrë u kundërshtua edhe nga presidenti i vendit Hashim Thaçi, duke i quajtur vendimet “mashtrime patriotike” të Kurtit.

Kurse, përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është shprehur i zhgënjyer me masat e reja të reciprocitetit, duke theksuar se duhet të hiqen të gjitha pengesat për rifillimin e dialogut.

Në anën tjetër, duke mbrojtur vendimin qeveritar, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, njëherësh nënkryetare e LDK-së, Vjosa Osmani i reagoi Lajçakut, duke thënë se të kundërshtosh parimin e reciprocitetit, do të thotë të refuzosh marrëveshjet e arritura në dialog.

Lidhur me këto zhvillime, njohësi i çështjeve ekonomike Muhamet Mustafa thotë se e gjithë situata e lidhur me vendosjen e masave të reciprocitetit, sidomos gjatë muajve të fundit u bë pjesë e “luftës primitive politike brenda një prizme të ngushtë të interesit partiak dhe protagonizmit individual e grupor”.

“Një parim i natyrshëm i rregullimit të marrëdhënieve reciproke midis shteteve u bë objekt i një debati të gjerë, jo produktiv dhe të dëmshëm për situatën e vështirë e delikate në aspektin e konsolidimit demokratik e institucional dhe të pozitës ndërkombëtare nëpër të cilën po kalon Kosova në këtë kohë”, thekson ai për KALLXO.com.

Sipas tij, nuk ka shembull në botë ku zbatimi i këtij parimi bëhet objekt i një “diskutimi kaq ekstenziv publik që domosdo shpie edhe në interferime nga brenda dhe jashtë që vetëm e vëshirësojnë situatën edhe më shumë”.

Ndërkaq, sa i përket kompetencave të Qeverisë në detyrë dhe situatës së krijuar pas vendimit të Kushtetueses, njohësja e zhvillimeve politike në vend, Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, flet për mungesën e një ligji për qeverinë.

“Vlerësoj se në fakt se derisa ne nuk kemi një ligj për qeverinë i cili do të përcaktonte se cilat janë detyrat e një qeverie qoftë të dorëhequr apo në detyrë kemi parë që qeveria e cila ka qenë në detyrë i ka kryer funksionet e saja të plotë gjatë gjithë kësaj kohe”, tha ajo për KALLXO.com.

Krasniqi tha se tarifa dhe reciprociteti janë “çështja më e nxehtë”, e cila sipas saj  kauzoi edhe rënien e qeverisë aktuale, ashtu sic e kishte shkaktuar rënien e qeverisë paraprake [Qeveria Haradinaj].

“Kjo qeveri në detyrë ka vlerësuar që t’i rrisë masat e reciprocitet, tani çka kemi parë është që në fakt qeveria në ardhje ka bërë një vlerësim tjetër apo ka thënë që janë të gatshëm që t’i rishohin këto masa të cilat po duken që janë pengesë për dialogun dhe të rikthehen në tryezën e dialogut”, shtoi Krasniqi.

Kurse, sipas Muhamet Mustafës, teknikisht Qeveria në detyrë, derisa është aty, mund prodhojë akte dhe vendime te tilla.

“Tjetër është se sa këto akte i përgjigjen momentit nëpër të cilin po kalon vetë qeveria në detyrë dhe oportuniteti politik”, shtoi ai për KALLXO.com.

Ndërrimi i qëndrimit të LDK-së për reciprocitetin

Lidhja Demokrarike e Kosoëvs, sa ishte në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, ishin pajtuar në programin qeverisës që të hiqet tarifa 100 për qind ndaj Serbisë, e të vendoset reciprociteti.

Por pak kohë pas formimit të Qeverisë, nisën mosmarrëveshjet mes partnerëve qeverisës, në një masë të madhe lidhur me tarifën.

LDK-ja rrugës ndërroi qëndrim për këtë çështje, duke përdorur diskursin se tashmë për reciprocitetin do të duhet të kishte koordinim të plotë me ShBA-të, pasi këto të fundit në vazhdimësi kërkonin heqjen e tarifës, duke kundërshtuar edhe masat tjera doganore.

Qeveria u rrëzua me 25 mars, përmes një mocioni të inicuar nga LDK-ja, ndërkaq Qeveria në detyrë Kurti edhe më tej nuk u zbrap nga vendimi për reciprocitet.

Pak ditë pas rënies së Qeverisë, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, kishte deklaruar se partia e tij e kishte paralajmëruar edhe më parë Kurtin se duhet ta heqë tarifën ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës-Hercegovinës, ashtu siç kërkojnë Shtetet e Bashkuara, pa reciprocitet.

“Nuk u nxituam fare, sepse unë e kisha paralajmëruar qysh më herët Kurtin që tarifa duhet të hiqet pa kushte dhe çështja e reciprocitetit duhet të merret vesh në bashkëpunim me ShBA-në dhe BE-në”, ishte shprehur ai.

Lidhur me këtë, Jeta Krasniqi (KDI), thotë për KALLXO.com se është parë që në momentin kur është bërë propozimi për zëvendësimine tarifës me masat e reciprocitetit, LDK-ja ka vlerësuar që kjo duhet të bëhet në përputhje me partnerët tanë ndërkombëtar dhe duke pasur parasysh që masa e reciprocitetit nuk u mbështet nga ambasadori Grenell [Richard Grenell, i dërguari i Administratës së presidentit Amerikan Donald Trump për dialogun], në radhë të parë por edhe faktorë të tjerë ndërkombëtar.

“Kjo mund të mos jetë në përputhje me atë çfarë ka qenë në plan të qeverisë të partive LDK dhe Vetëvendosje, por ai koalicon ka rënë dhe tash duhet të shohim se cili do të jetë qëndrimi zyrtar i këtij koaliconio të ri duëhhequr nga LDK-ja sepse në përbërje të tij do të ketë Nismën dhe AAK-në”, tha ajo.

“Nga deklarimet e tyre të paktën mund të shihet se do të heqin masat e reciprocitetit në bashkëpunim me faktoin ndërkombëtar, por mbetet të shihet zyrtarisht për qëndrimin e Qeverisë së re”, shtoi Krasniqi.

Ndërsa, ish-deputeti nga radhët e LDK-së, Muhamet Mustafa thotë se fatkeqësisht zbatimi i parimit të reciprocitetit ndaj Serbisë u bë një “mollë sherri” që ndikoi edhe në jetëgjatësinë e koalicionit LVV-LDK.

“Mungoi një qasje sinkronizimit të domsodoshëm dhe konstruktivitetit midis partnerëve që atë që kishin vënë në programin e tyre qeverisës të bëhej realitet në kuadër të një qasje të real politikës që nuk do të dëmtonte as zbatimin e reciprocitetit e as kërkesen për fillimin e dialogut”, theksoi ai për KALLXO.com.

Sipas Mustafës, rreth kësaj çështje duhet të arrihet një mirëkuptim me partnerët tanë strategjik SHBA dhe BE-në, “bile në nivle të moskundërshtimit të hapur të ushtrimit të kësaj të drejte të shtetit tonë dhe të mbrojtjes së interesave të tij sovrane”.

Në këtë aspekt, Mustafa thotë se nuk duhet të shkohet as në ekstremin tjetër që masat e reciprocitetit do të vendosen në marrëveshje dhe mbështetje të këtyre partnerëve.

“Nuk duhet kërkuar aq shumë nga ata pasi që çështja e reprocitetit është dhe do të mbetet një çështje bilaterale , përgjegjësi dhe e dejtë e secilit vend. Ndaj nuk është e zakonshme as oportune në aspektin poltik dhe diplomatik të kërkohet involvimi direkt i tyre si palë”, tha ish-deputeti i LDK-së.

LDK-ja bashkë me partnerët e tjerë të koalicionit, pritet që ditët në vijim të thërrasë seancën për votimin e Qeverisë së re.

Të njëjtit janë shprehur të bindur se i kanë votat e nevojshme. Për formimin e Qeverisë së vendit, duhen së paku 61 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.