Ministria e Arsimit dhe Shkences. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Recensenti ankohet për presion nga një shtëpi botuese, MASHTI e largon nga procesi

Në fillim të muajit korrik, recensenti Sejdi Gashi ishte drejtuar me një letër Ministrisë së Arsimit me disa pretendime se po përballet me presione nga një shtëpi botuese, lidhur me vlerësimin e dorëshkrimit të tekstit të Gjuhës Shqipe për klasën e 5-të. 

Gashi thotë se ndaj tij kishte presion nga shtëpia botuese “Albas” edhe pse sipas tij emrat e recensentëve janë të mbrojtur me ligj, në mënyrë që të jenë të pavarur në punën e tyre. 

Ata identifikohen me kode dhe jo emra, në mënyrë që shtëpitë botuese mos të ushtrojnë ndonjë lloj ndikimi të mundshëm, por Gashi dyshon që emrat e recensentëve dalin në ‘shesh’ nga zyrtarët brenda MASHTI-it. 

“Për asnjë çast nuk kanë pushuar se ushtruari presion qoftë në mënyrë direkte ose indirekt. Jam përpjekur maksimalisht që t’i shmangi kontaktet dhe presionet e tyre. Presion, në atë mënyrë që me çdo kusht, teksti i tyre duhet të vlerësohet pozitivisht, deri sa materialin, në pamundësi të kohës, nuk kisha pasur mundësi ta lexoj e ta studioj të tërin, presion përmes njerëzve, kolegëve, kolektivit të punës, ish-profesorëve të mijë, në këtë formë të njëpasnjëshme. Kohë e pa kohë, qoftë përmes telefonit apo vizitave të punës” – tregon Gashi në një bisedë për KALLXO.com.

Duke mos dashur që të përballet drejtpërdrejt me ta, Sejdi Gashi thotë se ka kërkuar ndihmë nga Ministria e Arsimit. Më 6 korrik të vitit 2022, Gashi i ka shkruar Ministrisë së Arsimit duke i lënë në dijeni për presionet që i vinin në adresë të tij.

KALLXO.com ka kontaktuar me Ministrinë e Arsimit, që udhëhiqet nga Arbërie Nagavci. Ministrja Nagavci në vitin 2019 ka qenë autore e një libri të botimit “Albas”  bashkë me dy autorë të tjerë.

Në përgjigjen për KALLXO.com nga kjo Ministri thonë se i janë përgjigjur Gashit. 

“Gashi, më datë 06 korrik 2022, është drejtuar me ankesë përmes postes elektronike (e-mail), ku ka ngritur disa pretendime për presion… Kështu që, për këto pretendime të adresuara po më datë 06 korrik 2022, i është kërkuar, z.Gashit, nga zyrtari i MASHTI-t, që t’i drejtohet instancave përgjegjëse” – thuhet në përgjigjen e MASHTI-it.

Më pas thonë se më 14 korrik, i kanë kërkuar Gashit informata të sakta se nga kush prej shtëpisë botuese “Albas” po ka presione.

“Po ashtu, edhe me datë 14 korrik 2022, nga z.Gashi kemi kërkuar informatat e sakta (Emrin dhe mbiemrin) e personit, që pretendon që KEPTSH ka pranuar kërkesë nga shtëpia botuese “Albas”, për rivlerësim të dorëshkrimit të Gjuhës shqipe dhe njëkohësisht emrat e zyrtarëve të ministrisë për të cilët pretendon që “bien pre e joshjeve dhe kërkesave të shtëpive botuese (në këtë rast të “Albasit”)” – vijon përgjigja.

Por, Sejdi Gashi thotë se ankesa e tij është dashur të shqyrtohet nga Ministria, si punëdhënëse dhe udhëheqëse e procesit.

“Konsideroj se organet e drejtësisë duhet të ishin një shkallë e dytë, unë jam drejtuar ministrisë – dhe, ministria ta shqyrtojë një kërkesë të tillë. Në të njëjtën kohë, une i kam ditë adresën e organeve të drejtësisë, mirëpo, nuk iu jam drejtuar me idenë se ministria do të marrë masa, do t’i korrigjojë ose t’i shmangë këto presione. Sipas informatave edhe kolegët e tjerë kanë pasur presione” – thotë Gashi për KALLXO.com.

Sa i përket pretendimeve të Gashit për presion, KALLXO.com ka kontaktuar me shtëpinë botuese “ALBAS”, të cilët kanë deklaruar se komunikimi i tyre ka qenë vetëm zyrtar. 

Ata thonë se redaksia e tyre ka vlerësuar raportet si të padrejta dhe në kundërshtim me detyrat që përcakton Ligji për recensentët.

Sipas tyre, ata kanë kërkuar rivlerësim, madje thonë se këtë e kanë edhe të gjitha shtëpitë botuese të tjera të përfshira në këtë proces.

“Komunikimi ynë ka qenë vetëm zyrtar dhe redaksia jonë i ka vlerësuar raportet si të padrejta dhe në kundërshtim me detyrat që përcakton ligji për recensentët. Në konsultim me juristin e kompanisë kemi ushtruar të drejtën tonë për ankesë. Ankesa është shumë e qartë dhe tepër profesionale” – thuhet në përgjigje e Shtëpisë Botuese “ALBAS” për KALLXO.com.

Sipas tyre, ata bëjnë ankesë për çdo libër që rrëzohet e për të cilat raportet e recensentëve “nuk mbështeten në argumente brenda përgjegjësive që ia përcakton ligji”, duke shtuar se janë në procese gjyqësore për disa ankesat të refuzuara.

“Kemi kërkuar rivlerësim, jo veç ne, por të gjitha shtëpitë botuese të përfshira në këtë proces. Nuk kemi marrë asnjë përgjigje me shkrim dhe, me sa e dimë, ankesa e një shtëpie tjetër botuese është aprovuar” – vijon përgjigja nga “ALBAS”.

Komisioni vendos recesentë të ri, Gashi kërkon arsyetim

Ministria e Arsimit thotë se ankesa e Gashit ka ardhur pasi e ka përfunduar procesin e vlerësimit të dorëshkrimeve të gjuhës shqipe dhe pas dorëzimit të raporteve për recensionin e dorëshkrimeve në MASHTI.

“I kemi kërkuar që ndaj secilit person fizik apo juridik që ju bënë presion apo keni informata për keqpërdorime në këtë proces, t’i iniciojnë tek organet e drejtësisë. Por, deri më tani as nga, z.Gashi, dhe as nga policia nuk kemi pranuar ndonjë raport apo fakt që e dëshmon këtë çfarë pretendon, z.Gashi” – thuhet tutje në përgjigjen e MASHTI-t për KALLXO.com.

Përveç informacioneve për presion, Gashi e ka pyetur ministrinë rreth dyshimeve të tij që recesioni i tij do të anulohej, ndërsa ai si recensent do të përjashtohej nga ky proces.

“Si është e mundur që ky proces, ende pa përfunduar zyrtarisht (pra, pa u shpallur as rezultatet preliminare) të fillojë presioni nga shtëpia botuese në fjalë. Po ashtu, kam informacione se në kuadër të KEPSH-it (Këshilli i Ekspertëve për Programe dhe Tekste Shkollore), me kërkesën e ”Albasit” është iniciuar një komisioni, i cili pretendon që këtë tekst (Gjuha shqipe 5) ta dërgojë në rivlerësim dhe unë si recensent të përjashtohem nga ky proces, pra të caktohen recensentë tjerë” – ka shkruar Gashi në letrën dërguar Ministrisë së Arsimit më 6 korrik.

Në letër, ai kishte shtuar se ndihet i fyer pasi po shpërndahen informata që e “dëmtojnë” imazhin e tij si recensent.

“E ndjej veten të kërcënuar dhe të fyer njëkohësisht se si është e mundur që zyrtarë të caktuar brenda ministrisë bien pre e joshjeve dhe kërkesave të shtëpive botuese (në këtë rast të “Albasit”) dhe shpërndanë në opinion informata që mua si recensent më dëmtojnë profesionalisht dhe moralisht” – kishte shkruar mes tjerash Gashi duke kërkuar nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe zyrtarë të tjerë të këtij dikasteri që të veprojnë sipas ligjit dhe që ai si recensent “të ndihet i lirë dhe autonom për të kryer detyrën sipas ligjit”.

Informacionet e Gashit dolën të jenë të sakta, pasi Ministria kishte vendosur që recesionin për Gjuhën Shqipe të klasës së 5 të kthejë në pikën zero.

Më datën 1 gusht 2022, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit publikoi listën përfundimtare të dorëshkrimeve për klasën e 5-të dhe të atyre që nuk kanë kaluar proceset paraprake.

Ndryshe nga të tjerat, për lëndën “Gjuha Shqipe 5”, është vendosur që të kthehet në pikën zero, në rivlerësim.

“Me vendim të Komisionit të Ankesave të nëpunësve publik dhe ankesa tjera në MASHTI, numër 2/1K- 1905 dt. 28.07.2022 lënda “ Gjuha shqipe 5” për klasën e 5-të kthehet në rivlerësim” – thuhet në njoftimin e MASHTI-it.

Pas këtij njoftimi, më 4 gusht, Sejdi Gashi përmes një email-i kishte kërkuar nga Ministria e Arsimit që ta ketë vendimin me arsyetim, se cilat janë ngecjet (shkeljet) eventuale që ai si recensent nuk i ka kryer detyrat dhe obligimet sipas Ligjit për botimin e teksteve shkollore.

Një ditë më vonë, nga ky institucion, Gashit ju përcoll vendimi i Komisionit të Ankesave të nënpunësve publik dhe ankesa tjera në MASHTI. Vendimi thotë se aprovohet pjesërisht ankesa e shtëpisë botuese “Botime Pegi” me nr.1848, të datës 22.07.2022 lidhur me lëndën “Gjuha Shqipe 5”.  Si dhe thotë se lënda “Gjuha Shqipe 5” kthehet në rivlerësim. 

Gashi sërish kishte kërkuar që ta ketë arsyetimin e plotë se cilat janë elementet që nuk i ka argumentuar mjaftueshëm, sepse sipas tij – “komisioni i ankesave në MASHTI nuk është trupë profesionale”.

Gjithashtu, në intervistën për KALLXO.com, Sejdi Gashi thotë se ndonëse i zgjedhur me konkurs, nuk mori asnjë njoftim zyrtar për vendimin me arsyetim që teksti do të shkojë në rivlerësim.

“Unë si recensent ndërrohem ose zëvendësohem pa vënë asnjë arsyeje apo shpjegim sepse në ligj të teksteve shkollore, parasheh që recensenti mund të zëvendësohet, shkarkohet nëse nuk i kryen obligimet/detyrat e tij të parapara me këtë ligj. Unë konsideroj se të gjitha obligimet, qoftë sa i përket anës profesionale, sa i përket përmbajtjes kohore dhe të gjitha parametrave tjerë i kam plotësuar” – u shpreh ai. 

Ndërkaq, Ministria e Arsimit në përgjigjen për KALLXO.com thotë se nuk e kanë obligim ligjor që t’i njoftojnë recensetët.

“Lënda e gjuhës shqipe është kthyer në rivlerësim pasi palë të ndryshme kanë ofruar fakte dhe dëshmi se recensentët nuk e ka realizuar vlerësimin e dorëshkrimeve të gjuhës shqipe me kompetencë dhe përgjegjësi. Lista përfundimtare është publike, ku edhe tregohet se lënda e gjuhës shqipe shkon në rivlerësim dhe nuk e kemi obligim ligjor t’i njoftojmë recensentët”- thuhet në përgjigjen e MASHTI-it. 

Ministria e Arsimit ka thënë se ka pranuar 36 ankesa nga shtëpitë botuese si nga: Shtëpia botuese “Pegi”, shtëpia botuese “Magjia e Librit”, shtëpia botuese “Albas”, shtëpia botuese “Luarasi”, shtëpia botuese “Libri Shkollor”, shtëpia botuese “Berati”.

“Komisioni i ankesave tjera në MASHTI pas shqyrtimit të ankesës së parashtruar nga Sh.p.k “Botime Pegi” ka konstatuar se recensenti me kodG53 në raportin e tij nuk e ka evidentuar vlerësimin me pikë të dorëshkrimit. Po ashtu, edhe recensentët me kod51 dhe kod52 vlerësimin e tyre me pikë nuk e kanë arsyetuar dhe argumentuar mjaftueshëm. Prandaj komisioni i ankesave të nënpunësve publikë dhe ankesave tjera në MASHTI ka vendosur në diapozitiv”, – thuhet në vendimin e MASHTI-it.

Profesori Sejdi Gashi ishte zgjedhur recensent përmes një konkursi të Ministrisë së Arsimit për vlerësimin e dorëshkrimit të tekstit të Gjuhës Shqipe për klasën e 5-të. Përveç tij, kanë qenë edhe dy recensentë të tjerë.

Sipas nenit 4 dhe 7 dhe 8 të Ligjit për Botimin e Teksteve Shkollore, recensentët bëjnë vlerësimin kritik me shkrim për një tekst shkollor, njё vepër artistike, një punim shkencor para botimit tё tyre. Ata janë të pavarur në punën e tyre dhe nuk duhet që emrat e tyre të jenë publik, në mënyrë që të mos përballen me presione nga shtëpitë botuese. Botimi i librave është industri mjaft fitimprurës. Për një libër të një klase, shiten mijëra kopje të nxënësve në të gjithë Kosovën.

Recensentët për vlerësimin e dorëshkrimeve të një teksti shkollor përbëhen së paku nga tre ekspertë të caktuar nga MASHT-i, njohës të lëmit përkatës. Ata fillimisht i nënshtrohen një konkursi publik të MAShT-it.

Dorëshkrimet anonime të teksteve shkollore shtëpitë botuese i dorëzojnë në MASHT, kurse recensentët i marrin dorëshkrimet me shifra.

Më pas, dorëshkrimet e dorëzuara në konkurs, e të vlerësuara pozitivisht nga recensentët, fitojnë të drejtën për botim. Vendimin përfundimtar për lejimin e botimit të tekstit e lëshon MASHT-i.