Realizon Vetëm Katër Premtime

 

Raporti i Institutit për Studime të Avancuara GAP thotë se 60 për qind e të gjitha premtimeve të bëra nga kryetari i tanishëm i komunës se Prishtinës, Isa Mustafa, as që kanë filluar së realizuari. 

Të dhënat janë përfshirë në një tabelë të detajuar, ku përshkruhet çdo premtim veç e veç, dhe hapat qe janë marre, përkatësisht nuk janë marre për te realizuar këto premtime. 

“Në këtë tabelë janë përfshirë 82 premtime të dhëna. Në bazë të hulumtimit të GAP-it del se pas dy viteve të qeverisjes në komunën e Prishtinës, apo gjysmën e mandatit qeverisës, 48 premtime apo 58.5 oër qind e premtimeve të dhëna nuk kanë filluar fare së realizuari”, thuhet ne raport. 

“Vetëm katër premtime mund të konsiderohen si të përfunduara në tërësi, gjersa pjesa tjetër (36 për qind e premtimeve) janë në faza të ndryshme të realizimit dhe mund të përfundohen deri në përfundim të mandatit aktual qeverisës”.

Ky raport vjen si një vlerësim i punës se komunës që nga marrja e mandatit para dy vitesh, e gjithashtu tregon se cilat mbesin sfidat e kësaj administrate deri ne përmbylljen e mandatit te saj. 

Komuna e Prishtinës, sipas këtij raporti ka dështuar për të realizuar shumicën e premtimeve qe ka dhënë gjatë fushatës zgjedhore, e që kanë të bëjnë me ofrimin e shërbimeve më të mira për banorët e kësaj komune. 

Si të arritura kryesore të komunës raporti përmend zgjerimin dhe rregullimin e rrugës “Bill Clinton”, gëlqerosjen e ndërtesave publike, ndërtimin e bibliotekës së qytetit “Hivzi Sylejmani”, ndërrimin e semaforëve dhe vendosjen të rinjve në disa nyje të Prishtinës si dhe disa të tjera, duke përfshirë këtu edhe hartimin e projekteve detale për sheshet “Ibrahim Rugova” dhe“Zahir Pajaziti”. 

Ndërsa si dështime ky raport ka identifikuar ndër të tjera mungesën e parkingjeve, mosndërtimin e asnjë çerdhe publike, transportin publik, mosndërtimin e 12 fushave sportive në “Fushën e Pajtimit” ashtu siç ishte premtuar, pamundësinë për të ndalë ndërtimet pa leje dhe për të mbrojtur pronën publike, mungesën e ngrohjes qendrore dhe furnizimin jo të rregullt me ujë të pijes. 

Ky raport, ka përmendur edhe se cilat janë sfidat kryesore me të cilat komuna e Prishtinës është duke u përballur aktualisht dhe me te cilat do të përballet edhe në të ardhmen. 

Këto gjashtë probleme janë zbatimi i planeve rregulluese, ndalja e ndërtimeve pa leje, vonesat në dhënien e lejeve të ndërtimit, lirimi i hapësirave të uzurpuara publike, mungesa e parkingjeve dhe autobusët e linjave urbane të vjetruar dhe pa kritere për bartje udhëtarësh.