Reagimi i Bordit të Postës dhe përgjigja e Redaksisë së KALLXO.com

Në emër të Bordit të Postës, KALLXO.com ka pranuar një paralajmërim për një padi për shpifje të tipit ‘Slapp’ padi të cilat në fund të procesit përfundojnë më hudhje të padive por zakonisht bëhen me qëllim që mbi opinionin publik të hidhet pluhur gjoja se raportimi i gazetarëve është i pabazuar.

Pas paralajmërimit të KALLXO për dërgimin e dosjes në Prokurorinë e Shtetit, Posta ka tentuar që duke lëshuar një reagim të hedhë pluhur mbi të vërtetat dhe të dezinformoj opinionin me të pavërteta.

Emisioni “Pazaret me borde” që është transmetuar me datën 25.03.2021 në “TV Dukagjini”, zbardh prapaskenat e konkursit për zgjedhjen e kryeshefit të Postës së Kosovës, por edhe shkeljet e bëra në emërimet e bëra nëpër komitete në rastin e themelimit të disa komiteteve të Institucioneve Financiare Jobankare (IFJB).

Zgjedhja e kryeshefit të Postës është bërë në mënyrë të jashtligjshme, bazuar në interpretimet e bëra nga Zyra e Kryeministrit.

Xhevdet Smakiqi u zgjodh në krye të kësaj ndërmarrjeje publike në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike dhe interpretimet ligjore që nxori ministria e Ekonomisë dhe Zyra e Kryeministrit.

Emisioni zbardh edhe parregullsitë në rastin e themelimit të disa komiteteve të Institucioneve Financiare Jobankare (IFJB). Provat e pakontestushme që posedon KALLXO.com, shpërfaqin prapaskenat e emërimit të anëtarëve të këtyre komiteteve.

Emërimi i këtyre komisioneve është kryer pa miratimin e BQK-së dhe e shpërfaqë Postën para një rreziku të madh për humbjen e licencës financiare.

Emisioni ka konstatuar se Posta planifikonte t’i paguante anëtaret e këtyre komiteteve që janë njëkohësisht edhe anëtarë të bordeve. Planet për pagesa janë konfirmuar gjatë gjithë kohës nga zyrtarë te Postës në intervistat e tyre.

Ndaj emërimeve në këto komitete, pas hulumtimit tonë, reagoi edhe Njësia për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë, e cila kërkoi që anëtarët e komiteteve të mos kompensohen me pagë prej 200 eurove për muaj.

Zgjedhjen e Smakiqit në krye të Postës së Kosovës, siç e di tashmë opinioni publik, e kundërshtoi publikisht edhe Ministria e Ekonomisë dhe ish-ministri, Muharrem Nitaj, i cili kërkoi nga Bordi i përkohshëm anulimin e vendimit për zgjedhjen e kryeshefit në këtë ndërmarrje publike.

Reagimi dhe paralajmërimi i Postës për padi për shpifje vije pasi KALLXO.com është zotuar në emision se të dhënat do të dorëzohen në Prokurorinë e Shtetit për hetime të mëtutjeshme.

Më poshtë mund t’i gjeni përgjigjet tona në shtatë pretendimet e Bordit të përkohshëm të Postës së Kosovës dërguar në adresën tonë:

  1. Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve dhe Menaxhmenti aktual, nuk është kompensuar asnjë centë nga Komitetet e IFJB-së të Postës së Kosovës. Pra portali kallxo.com ka shpifur 12 mijë herë dhe ka kallxuar rrena dhe gënjeshtra.
  2. Përgjigja e redaksisë: Emisioni “Pazaret me borde” nuk konstaton se anëtarët e Bordit të përkohshëm të Postës së Kosovës janë kompensuar prej kur janë themeluar komitetet për IFJB-të. Ne, duke u bazuar në vendimet që posedojmë, kemi thënë që pagesa për një anëtarë bordi brenda 5 viteve, do të arrinte shumën e rreth 12 mijë eurove, pra një matematikë e thjeshtë thotë se paga prej 200 eurove për muaj gjatë 5 vite kapë shifrën e 12 mijë eurove. Ne i sugjerojmë anëtarët e Bordit që ta dëgjojnë në plotëni emisionin e të binden edhe vetë për këtë. Ne kemi raportuar se kryetari i Bordit të Përkohshëm të Postës, Leonard Shabanaj kishte kërkuar që mos jetë pjesë e komiteteve, sado që nuk kemi informacione nëse kjo kërkesë ka nisur pas fillimit të hulumtimit tonë.
  3. Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve, nuk ka pranuar “çokulada” sipas fabrikimit të portalit kallxo.com.
  4. Përgjigja e redaksisë: Hulumtimi jonë zbulon se anëtarët e Bordit të Përkohshëm që kanë mandat më pak se një muaj, janë emëruar nga kryeshefi në postë që do të kenë mandat 5 vjeçar, sipas vendimit me numër protokoli 01-1729/2020 të datës 29.09.2020. Pra, emërimi i tyre është bërë nga kandidati për kryeshef, i cili është intervistuar nga vetë anëtarët e Bordit të Postës. Për këtë, në emision është pyetur edhe kryeshefi i zgjedhur ekzekutiv i Postës së Kosovës, Xhevdet Smakiqi. Përsëri i sugjerojmë anëtarët e Bordit të përkohshëm të Postës së Kosovës që ta dëgjojnë në plotëni emisionin e transmetuar.
  5. Leonard Shabanaj, nuk qenë dhe as nuk është anëtar i organeve udhëheqëse të AAK-së.
  6. Përgjigja e redaksisë: Kryesuesi i Bordit të Përkohshëm i Postës së Kosovës, Leonard Shabanaj gjatë intervistës e pranon që ka qenë pjesë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Ne nuk i kemi thënë në asnjë moment se Shabanaj është pjesë e strukturave të AAK-së. Përsëri, ne i sugjerojmë Bordit që ta dëgjojë me vëmendje emisionin e plotë.
  7. Fadil Aliu, nuk ka qenë dhe nuk është anëtar i organeve vendimmarrëse të LDK –së, përveç kur ishte kandidat për deputet në zgjedhjet e vitit 2017.
  8. Përgjigja e redaksisë: Anëtari i Bordit të Përkohshëm, Fadil Aliu ka qenë kandidat për deputet në zgjedhjet e vitit 2017 në partinë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe kjo lehtësisht mund të verifikohet në KQZ. Ne nuk kemi thënë që është aktualisht pjesë e kësaj partie. Por, ligji për Ndërmarrjet Publike thotë se “një person nuk konsiderohet i pavarur dhe nuk kualifikohet për zgjedhje si drejtor në një NP nëse: k) është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë (i) zyrtar i zgjedhur publik, (ii) i emëruar politik ose (iii) bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike;”.
  9. Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve, ka të gjitha opinionet ligjore të Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike, Opinionin ligjor të Sekretarit të Bordit, se procedurat dhe kriteret janë përmbushur me rastin e përzgjedhjes së zyrtarëve të lartë përfshirë Kryeshefin Ekzekutiv.
  10. Përgjigja e redaksisë: Bordi i Përkohshëm thotë se kanë “opinionet ligjore të Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike, Opinionin ligjor të Sekretarit të Bordit”, por ata nuk na kanë prezantuar asnjërin prej këtyre opinioneve gjatë hulumtimit tonë. KALLXO.com është bazuar në opinionin e Zyrës së Kryeministrit dhe të ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, të cilët konstatojnë se “Zyrtarët e lartë të NP-ve duhet të jenë të pavarur”, sipas përkufizimit që bëhet në Ligjin për Ndërmarrjet Publike.
  11. Xhevdet Smakiqi, nuk i takon asnjë partie politike dhe po ashtu sipas nenit 17.2 të Ligjit për NP, ka përmbushur kriteret ligjore edhe profesionale me përvoje menaxheriale mbi 15 vite.
  12. Përgjigja e redaksisë: Xhevdet Smakiqi ka qenë pjesë e një partie politike deri në fund të vitit të kaluar, pra deri para rreth 5 muajve. Këtë e kemi thënë edhe ne, por e ka konfirmuar edhe vetë Smakiqi në intervistë. Në Ligjin për Ndërmarrjet Publike përkufizimin “I emëruar politik” – nënkupton personin i cili është emëruar, ose propozuar nga subjekti politik si kandidat për një post të zgjedhur”. Smakiqi ka qenë kandidat për deputet në zgjedhjet e vitit 2019.
  13. Titujt dhe vlerësimet në rolin e gjykatave apo organeve shtetërore për konstatime përfundimtare të portalit kallxo.com, mbi monopolin e të vërtetës së tyre, do të vërtetohen si shpifje dhe fyerje ndaj Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve në një proces gjyqësor të Kosovës që do të iniciojmë së shpejti.
  14. Përgjigja e redaksisë: Duke e pasur parasysh që secilën fjali në emision, anëtarët e Bordit të Postës dhe kryeshefi e kanë konfirmuar si të tillë, reagimi dhe paralajmërimi për padi nga Bordi i Postës është padi Slap dhe përdorimi i resurseve të ndërmarrjes publike për të hartuar padi të nivelit të tillë, normalisht është edhe keqpërdorim i detyrës zyrtare. Përdorimi i çfarëdo resursi juridik të postës për të ndërtuar padi të stilit Slap, nënkupton edhe shkelje të ligjit.

KALLXO kërkon nga njësia për mbikëqyrjen e Ndërmarrjeve Publike dhe zyrtarët qeveritar që mbikëqyrin postën të ndërprejnë keqpërdorimin me pozitën zyrtare në Postë me paralajmërimet për padi Slap.

KALLXO kërkon nga prokuroria që shumë shpejt të nisë hetimet mbi gjetjet e emisionit të transmetuar.

Sinqerisht,

KALLXO.com

Ky është reagimi i plotë i Bordit të përkohshëm i Postës së Kosovës, i cili është publikuar edhe tek rubrika: Letër Redaksisë

Të nderuar media,

Bordi i Përkohshëm i Postës së Kosovës ka vendosur që ta paditë portalin kallxo.com për shpifje dhe fyerje në dokumentarin e mbrëmshëm të fabrikuar me përmbajtën kallxo sipas tekeve të portalit.

Padia për shpifje ndaj kallxo.com, do të përmbajë të vërtetën e vetme të argumentuar si me poshtë:

  1. Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve dhe Menaxhmenti aktual, nuk është kompensuar asnjë centë nga Komitetet e IFJB-së të Postës së Kosovës. Pra portali kallxo.com ka shpifur 12 mijë herë dhe ka kallxuar rrena dhe gënjeshtra.
  2. Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve, nuk ka pranuar “çokulada” sipas fabrikimit të portalit kallxo.com.
  3. Leonard Shabanaj, nuk qenë dhe as nuk është anëtar i organeve udhëheqëse të AAK-së.
  4. Fadil Aliu, nuk ka qenë dhe nuk është anëtar i organeve vendimmarrëse të LDK –së, përveç kur ishte kandidat për deputet në zgjedhjet e vitit 2017.
  5. Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve, ka të gjitha opinionet ligjore të Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike, Opinionin ligjor të Sekretarit të Bordit, se procedurat dhe kriteret janë përmbushur me rastin e përzgjedhjes së zyrtarëve të lartë përfshirë Kryeshefin Ekzekutiv.
  6. Xhevdet Smakiqi, nuk i takon asnjë partie politike dhe po ashtu sipas nenit 17.2 të Ligjit për NP, ka përmbushur kriteret ligjore edhe profesionale me përvoje menaxheriale mbi 15 vite.
  7. Titujt dhe vlerësimet në rolin e gjykatave apo organeve shtetërore për konstatime përfundimtare të portalit kallxo.com, mbi monopolin e të vërtetës së tyre, do të vërtetohen si shpifje dhe fyerje ndaj Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve në një proces gjyqësor të Kosovës që do të iniciojmë së shpejti.

I garantojmë aksionarit dhe kolegëve të Postës së Kosovës, por dhe opinionit publik se në 5 muajt mandat, Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve, së bashku me Menaxhmentin, kanë  ulur shpenzimet operative në të gjitha nivelet, përfshirë këtu zbritjen e pagave për stafin rreth 250 mijë euro vjetore, për dallim nga ish bordet dhe menaxhmentet që janë mbështetur direkt me mbi 2.5 milion euro nga Qeveria.

Po ashtu shpenzimet tjera operative, si dhe kemi ngritur të hyrat vetanake përmes veprimeve të Menaxhmentit të ndërmarrjes edhe pse kemi vepruar në kushte pandemie me staf esencial.

Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve, ka ofruar çdoherë transparencën ndaj mediave, përfshirë këtu edhe portalit kallxo.com, duke ftuar në monitorim por që i njëjti portal është përcaktuar për shpifje dhe fyerje ndaj nesh, prandaj do të përballet me padi gjyqësore.

Me respekt!

Bordi i Përkohshëm i Postës së Kosovës Sh.A.

Prishtinë