Shatërvani i restauruar në oborrin e Xhamisë së Çarshisë. Foto: KALLXO.com.

Reagime pas restaurimit të shatërvanit të vjetër në Prishtinë

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e konsideron në rregull dukjen e shatërvanit në oborrin e Xhamisë së Çarshisë, e njohur ndryshme edhe si Xhamia e Gurit, pas restaurimit.

MKRS ka hedhur poshtë akuzat se shatërvani, monumenti i mbrojtur është transformuar gjatë restaurimin, duke humbur origjinalitetin.

Ndërsa, ekspertë të trashëgimisë kanë dhënë mendime ndryshme lidhur me dukjen e shatërvanit pas restaurimit.

Restaurimi i këtij shatërvani është bërë në kuadër të restaurimit të Xhamisë së Çarshisë nga Agjencia turke TIKA, sipas një marrëveshje të nënshkruar në 2018, mes saj e MKRS-së, dhe që nisi të zbatohet në 2021.

Sipas Listës së për mbrojtje e përkohshme të trashëgimisë kulturore të MKRS-së, shatërvani i vjetër i Prishtinës daton që nga shekulli i XVII (17).

Megjithatë, MKRS në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se shatërvani në oborrin e Xhamisë së Gurit (Çarshisë) nuk është transformuar.

“Të gjitha pjesët origjinale autentike, pra, pllakat e gdhendura origjinale të mermerit janë ruajtur të gjitha, në formën dhe dimensionet origjinale si dhe duke u kthyer në pozitën e njëjtë ekzistuese, si para intervenimeve. Punimet e platesë janë realizuar sipas projektit të aprovuar nga Komisioni Profesional Shqyrtues”-thuhet në përgjigjen e MKRS.

Sipas MKRS-së Institucionet kompetente të MKRS-s, IKMM-së dhe QRTK-së kanë mbikëqyrë realizimin e punimeve të parapara sipas projektit të aprovuar.

Por, arkeologu Haxhi Mehmetaj, i cili ka qenë edhe drejtori i Qendrës Rajonale të  Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë ka thënë për KALLXO.com, se shatërvanit i është ndërruar origjinaliteti.

“Shihet qartë se i shatërvani e ka humbur origjinaliteti, pasi i shtuar govata, i janë shtuar ulëset, çezmat janë jashtë, duke iu ndërruar edhe destinimi, nga një krua publik që shërben që kalimtarët e rastit pinë ujë e freskoheshin duke u bërë avdeshane” – ka thënë ai.

Ndërkaq, Sali Shoshi, drejtor i organizatës qeveritare Fondacioni Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHwB), ka thënë për KALLXO.com se përderisa sa nuk është  publike ndonjë dokument për vlerat dhe kriteret për intervenim, vetëm mund të spekulohet.

“Unë nuk i kam informatat e procesit për me e pa sa si është nisë ideja dhe si ka përfunduar. Aq me tepër nuk e është publike ndonjë dokument i cili na tregon rëndësinë dhe vlerat e shatërvanit në mënyrë që me e pa sa cilat janë kriteret për çfarëdo intervenimi. Në këtë situatë, krejt çka them mund të jetë vetëm spekulim”-tha ai për KALLXO.com.

TIKA nuk  është përgjigjur interesimit të KALLXO.com lidhur me reagimet pas restaurimit të këtij monumenti.

Shatërvani i vjetër i Prishtinës, ndodhën në mes të Muzeut Kombëtar të Kosovës dhe Xhamisë së Çarshisë.

Ky monument është nën mbrojtje që nga vitet e ’70-ta të shekullit të kaluar.

Shatërvani në oborrin e Xhamisë së Çarshisë para restaurimit

Shatërvani në oborrin e Xhamisë së Çarshisë pas restaurimit