Raportimet e KALLXO.com që ndëshkuan abuzimin dhe krimin

Vitit 2019 shënon njërin nga vitet më të suksesshme të punës në platformën e raportimit të korrupsionit KALLXO.com.

Brenda një viti, platforma ka pranuar një numër rekord të raportimeve të qytetarëve duke arritur në 2,900 raportime të cilat u përdorën për mbi 27 mijë artikuj duke shënuar numrin më të madh të veprimeve të institucioneve pas publikimit të hulumtimeve.

Nga hulumtimet që kanë për bazë raportimin e qytetarëve, deri në fund të dhjetorit janë arrestuar mbi 55 persona, janë shpallur dy dënime me burgim për zyrtarë të akuzuar për korrupsion, janë inicuar 5 raste të mos deklarimit të pasurisë dhe evidentuar dy raste të konfliktit të interesit. Gjithashtu si rezultat i hulumtimeve në platformë një prokuror është shkarkuar nga puna ndërsa tre gjykatës e prokurorë janë ndëshkuar me masa disiplinore.

Raportimet për aferat në gjyqësor

Raportimet për keqpërdorime dhe shkelje në sistemin e drejtësisë janë në mesin e raporteve me impakte të mëdha gjatë vitit 2019.

Vetëm gjatë këtij viti, një prokuror është larguar nga puna dy prokurorë të tjerë dhe një gjykatës janë ndëshkuar me masa disiplinore ndërsa janë hapur hetimet disiplinore  edhe në dy raste ndaj prokurorëve e gjykatësve për të cilët ekipi ynë ka nisur ankesa në prokuroi e gjykatë.

Prokurori Agron Matjani u shkarkua nga puna pasi që ekipi ynë zbuloi se ai kërcënoi gruan e vëllait të tij në një seancë gjyqësore.

Një prokuror tjetër Rexhep Maqendonci po ashtu u ndëshkua pasi në një intervistë për ekipin tonë e kishte quajtur një viktimë të dhunës seksuale të pamoralshme. Kur ekipi e publikoi hulumtimin, Këshilli Prokurorial i Kosovës e ndëshkoi prokurorin me masë disiplinore.

Prokurori tjetër Ramiz Buzhala u filmua duke e udhëzuar një punëtor që mos ta vazhdojë ndjekjen e shefit ani pse punëtori e kishte lënduar këmbën rëndë e sot nuk mundet të ecë.

Edhe ky prokuror u ndëshkua me masë nga Këshilli Prokurorial.

Me masë disiplinore u ndëshkua edhe gjykatësi Sylë Lokaj i cili u filmua duke i kërkuar falje Sokol Bashotës për dënimin që ia kishte shqiptuar

Hetime janë hapur edhe për një gjykatës nga Gjilani dhe një Prokuror të Prokurorisë Speciale.

Gjobave pas ankesave të KALLXO.com, nuk iu kanë shpëtuar as politikanët. Plot 155,100 euro është shuma të cilën e ka inkasuar buxheti i Republikës së Kosovës si rezultat i 109 ankesave të zyrës ligjore të KALLXO.com, kundër partive politike të cilat thyenin rregullat zgjedhore në zgjedhjet e fundit.

Aferat në qeverisje dhe prokurim

Dyshimet e raportuara në platformë kanë hapur hetime penale për tenderin për betonimin e autostradës së Gjilanit e po ashtu hetime për disa raste të tenderëve në komunat e Kosovës.

Prokuroria Speciale njoftoi se ka nisur hetime pas raportimeve se kompania e familjes së zëvendësministrit të Infrastrukturës Rexhep Kadriu po i furnizonte me beton kompanitë që kishin fituar tenderin e autostradës së Gjilanit.

Hulumtimet në prokurim rezultuan edhe me ngritjen e aktakuzës për Ministrin e Bujqësisë Nenad Rikalo i cili së bashku me sekretarin e ministrisë, Kapllan Halimi, u akuzuan pas raportimit për 2 milionë euro të bartura në veriun e Kosovës.

17 hetime penale janë ngritur pas analizave që platforma i ka kryer mbi bazën e raporteve të auditimit.

Gjatë vitit ekipet e KALLXO.com duke përdorur kamera të fshehura kanë zbuluar afera të korrupsionit të cilat kryheshin në fazën para tenderit.

U dëshmuan shumë lidhje e tenderë për kompanitë e njerëzve të politikës. Ndër më flagrantet ishin filmimet ku vëllai i deputetit Hajdar Beqa kërkonte 33% të aksioneve të një kompanie për t’ia dhënë një licencë një biznesmeni në Gjakovë.

KALLXO.com e ka zbuluar skemën e mashtrimit në një tender 9 milionësh të Agjencisë Qendrore të Prokurimit. Skema e mashtrimit tregon se si është kufizuar konkurrenca me letra në atë mënyrë që në fund të krijohet një monopol në furnizimin e institucioneve me laptopë.

Tenderi, pas hulumtimeve të publikuara në KALLXO.com, është anuluar.

Një drejtor komunal në Prizren po ashtu është duke u përballur me proces gjyqësor për skandalin e raportuar në KALLXO.com për laptopët e asamblesë komunale.

Gjatë vitit, hulumtuesit kanë pasur punë edhe në identifikimin e pronave dhe pasurive të cilat politikanët nuk i kanë deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Këshilltarja e Ramush Haradinajt, Meliza Haradinaj, u dënua nga gjykata pasi KALLXO.com raportoi për një biznes të saj i cili nuk ishte deklaruar. Hetime për mos deklarim janë hapur edhe ndaj deputetëve Xhavit Haliti e Gani Dreshaj si dhe kryetarit të komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, e drejtorit të komunës së Deçanit, Nasim Haradinaj.

KALLXO.com në shkurt të këtij viti publikoi hulumtimin lidhur me zbatimin e një tenderi në Komunën e Prizrenit pasi që kontrata me kompaninë ishte nënshkruar jashtëligjshëm. Pas këtij hulumtimi, Prokuroria e Prizrenit ka ngritur aktakuzë ndaj shefit të prokurimit në këtë komunë.

Korrupsioni në Polici

Hulumtimet e vitit 2019 janë fokusuar edhe në punën dhe abuzimet në policinë e Kosovës. Në hulumtimin për lidhjet e policisë me kontrabandën në veri janë dëshmuar vendet dhe format se si kontrabandistët ofrojnë mito për policinë. Deri më tani 18 policë janë arrestuar për këtë aferë ndërsa së bashku me ta janë arrestuar edhe 9 kontrabandistë.

Një aferë tjetër e hulumtuar ishte korrupsioni në policinë e Malit të Zi dhe të Shqipërisë. Pas hulumtimit që ka zgjatur disa muaj dhe që është transmetuar më 15 nëntor në emisionin “Drejtësia në Kosovë”, prokuroria e Malit të Zi ka nisur hetime penale për policët që në vazhdimësi marrin para mito nga shoferët e autobusëve.

KALLXO.com raportoi në tetor për një incident në Pejë, gjatë të cilit një zyrtar policor i Kosovës e kërcënon një qytetar se do t’ia vrasë djalin.

Për këtë rast është nisur një hetim nga ana e IPK-së

Një hetim tjetër u nis pas raportimit se gjatë një plagosje në diskotekë në Prishtinë një polic nuk kishte ndërmarrë fare masa për ta parandaluar incidentin.

Vetëm gjatë vitit 2019, dy zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës janë ndëshkuar me masa disiplinore për shkak të raportimeve të KALLXO.com për shkeljet e tyre në detyrë.

Hulumtuesit tanë zbuluan se 8 njerëz të politikës u punësuan në ATK ndërsa gjetja tjetër e madhe ishte se 30 zyrtarë të lartë të ATK-së mbanin edhe pozita drejtuese në parti politike.

Pas kësaj u desh të merren masa ndërsa disa prej njerëzve të politikës siç është Shaqir Totaj, kryetar i PDK-së në Prizren, dhanë dorëheqje prej ATK-së e disa tjerë siç është Jeton Mushkolaj i LDK-së dhanë dorëheqje prej politikës për të punuar në ATK.

Gjatë vitit, qytetarët janë ftuar në vazhdimësi të raportojnë në platformë për bizneset të cilat shmangin tatimet. Nga këto raportim 57 shkresa janë dërguar në ATK  ndërsa impakti ka qenë 106 biznese të inspektuara dhe mbi 100 mijë euro gjoba për shmangie tatimi.

Siguria e konsumatorëve po ashtu ishte fokus i hulumtimeve gjatë vitit 2019.

Katër biznese të mëdha të marketeve janë ndëshkuar pas raportimeve se ato po u shisnin fëmijëve alkool e duhan ndërsa biznese të tjera u ndëshkuan pas raportimeve se po shisnin mallra të kontrabanduara apo në kundërshtim me rregullat e vendosjes së flamujve të origjinës.

Biznesi i kazinove

Në maj të këtij viti, Kuvendi i Kosovës vendosi t’i ndalojë lojërat e fatit ndërsa mbyllja me vendim shtoi numrin e raportimeve në KALLXO.com për bastore ilegale.

Duke përdorur kamerat e fshehura, hulumtuesit e KALLXO.com kanë zbuluar mbi 20 biznese në të cilat operonin lojërat e fatit. Filmimet e fshehura fillimisht janë ndarë me Policinë e Kosovës. Këta të fundit me urdhra të prokurorisë kanë mbyllur bizneset duke arrestuar e proceduar penalisht mbi 35 persona.

Gjatë vitit nga KALLXO.com janë monitoruar shumë konkurse, në të cilat përparësi ka pasur libreza e partisë e jo CV-ja apo kualifikimi i personave.

Është raportuar se si është zgjedhur drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, duke ia rritur pikët në mënyrë që të dalë i pari në listë.

Gjatë këtij viti ka nisur emërimi i 14 bordeve të ndërmarrjeve publike. Ne e kemi hulumtuar secilin emër që është emëruar. Rezultatet kanë qenë shqetësuese.

Bordet janë ndarë në mes të partive që ishin në pushtet: PDK, AAK dhe NISMA. Hulumtimet kanë zbuluar se është politizuar bordi i Postës së Kosovës, Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Bordi i “Ibër-Lepencit” e borde të tjera.

Në nivelin komunal, ekipi i KALLXO.com ka raportuar mbi 300 raste të rrugëve e ankesave të qytetarëve për probleme komunale.  Normalisht disa prej problemeve janë zgjidhur e të tjerat presin të zgjidhen por ajo çka është me rëndësi janë rastet ku zyrtarë komunalë janë ndjekur penalisht për shkelje ligji.