Raporti Mjekësor Që e Mban Xhemajlin Jashtë Burgut

Shënim: Ky artikull fillimisht është botuar më 01.10.2012 03:20:35

Gjykimi i ish-kryetarit të komunës së Ferizajt që ka zgjatur rreth tri vjet, prej 24 nëntor 2009 deri më 22 qershor 2012, duket se ende nuk ka fund. Tash Bajrush Xhemajli pretendon se aktgjykimi që ka shpallur Gjykata Supreme më 22 qershor 2012 me të cilën ka hedhur poshtë kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë ia shkel të drejtat e tij kushtetutese dhe e ka kontestuar atë para Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata Supreme ka vendosur se pretendimet e Xhemajlit se Gjykata e Qarkut nuk ka mundur të vërtetojë se a ishte faktori njeri, rrugor apo teknik ai shkaktoi aksidentin dhe se ka nevojë për një superekspertizë janë të pabaza.

Ai gjithashtu ka kërkuar, përmes masës së përkohshme, që të mos ekzekutohet vendimi për të shkuar në burg, kërkesë e cila është aprovuar nga Gjykata Kushtetuese. Xhemajli do të vazhdojë të jetë i lirë dëri më 31 dhjetor 2012. Sikur Xhemajli të mos ankohej që nga vendimi i parë për rastin e tij, ai do të duhej të shkonte në burg në dhjetor të vitit 2010.

Aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese është marrë më 24 shtator 2012, disa ditë pasi gjykata komunale në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Xhemajlit për shtyrje të ekzekutimit deri më 17 tetor 2012. Shtyrja e vuajtjes së dënimit me burg është bërë për shkaqe shëndetësore të Xhemajlit.

Një ndër dokumentet e fundit që i është bashkangjitur parashtreses për shtyrje të ekzekutimit të dënimit me burg është një raport mjeksor të cilin e ka siguruar Gazeta Jeta në Kosovë.

Sipas këtij raporti, i cili është i përmbledhur në dy paragrafë, thuhet se pacienti ka “diagnozë tromboemboli pulmonare dhe se gjendja e tij mbetet e njëjtë”. Raporti udhëzon që Xhemajli të bëjë vizita mjekësore çdo 3 muaj.  

Pulmologu Gazmend Zhuri shpjegon se kjo sëmundje manifestohet kur nga bllokimi i një ene, mushkëria nuk furnizohet me gjak.

“Është sikur infarkt i zemrës, por në këtë rast infarkt i mushkërisë. Për dy minuta mund të shkaktojë vdekjen dhe rreziku nga vdekshmëria arrin deri në 70 përqind”, thotë Zhuri për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Ai sqaron tutje se nëse kjo sëmundje është e pjesëshme, edhe mund të trajtohet me terapi. “Terapia zgjat nga 3 deri 4 javë. Ka njerëz që u përsëritet dhe trajtimi duhet të jetë i vazhdueshëm”.

Raporti mjeksor i siguruar nga gazeta mban datën 13 shtator 2012, nuk ka logo dhe është lëshuar nga Ilir Peposhi, mjek nga spitali universitar “Shefqet Ndroqi” në Tiranë.

I kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, mjeku Ilir Peposhi thotë se “letra nuk ka logo sepse është raport mjekësor, nuk është fletë dalje nga spitali”. Gjithashtu, ai ka thënë se kontrollin e fundit të Xhemajlit nuk e ka bërë ai por një kolege e tij. “Në fakt kontrollin e fundit të Xhemajlit nuk e kam bërë unë, por një kolege imja, sepse isha në pushim”, thotë Peposhi.

Peposhi ka treguar për Gazetën JnK se ish kryetari i Ferizajt është mik i tij i mirë dhe i përmbahet me rregull vizitave mjeksore. “Pacienti Xhemajli është mik i imi. Sigurisht se është i rregullt në kontrolla. Ai është njëri me shkollë”, është shprehur Peposhi, gjatë bisedës telefonike.
 
Mirëpo ky raport nuk është i vetmi dokument në të cilin është bazuar vendimi i gjykatës për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit.

Bashkim Hyseni, kryetar i Gjykatës Komunale në Ferizaj, thotë se shtyrja e ekzekutimit të vendimit në lidhje me Bajrush Xhemajlin është bazuar edhe në dokumente tjera, përveç këtij raporti.

“Dokumentet tjera janë me logo, vula dhe kanë elemente tjera. Raporte mjekësore sikurse ky i fundit me 13 shtator për rastin e Bajrush Xhemajlit, lëshojnë edhe institucionet shëndetësore në Kosovë”, thotë Hyseni për Gazetën Jeta në Kosovë. “Kjo nuk do të thotë se dokumenti nuk është zyrtar kur ka edhe dokumente tjera të mëparshme”.

Sipas tij, në dokumentin origjinal të këtij raporti mjekësor krahas emrit të mjekut Ilir Peposhi, shihet edhe emri i pulmologes që e ka nënshkruar dokumentin në vend të tij.

Gazeta Jeta në Kosovë ka provuar të kontaktojë me Bajrush Xhemajlin por ai nuk është lajmëruar. Gjithashtu, gJnK ka kontaktuar edhe mbrojtësit ligjorë të Xhemajlit, por ata ende nuk janë përgjigjur në lidhje me këtë çështje.

Ka qenë e pamundur të kuptohet se që kur vuan Xhemajli nga kjo sëmundje. BIRN ka monitoruar gjykimin e Bajrush Xhemajlit, por asnjëherë nuk ka ndodhur që një seancë gjyqësore e tij të jetë ndërprerë apo shtyrë për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.

Punëtori në pushim mban Xhabir Zharkun në liri

Një tjetër ish-kryetar i komunës, Xhabir Zharku, i cili nga viti 2007 deri në maj 2012 qeveriste Kaçanikun është dënuar me tri vjet burg për detyrim dhe posedim të paligjshëm të armës. Pas ankesës së Zharkut, dënimi me burg prej tri vitesh është vërtetuar edhe nga Gjykata Supreme.

Zharku së bashku me Arsim Kolshin, Besnik Hasanin dhe Nusret Cenan, si pjesë e një grupi, në kohë të ndryshme prej ose më 26 qershor 2006 deri më 1 gusht 2006, me qëllim që të përfitojë për qëllime materiale për vete ose për dikë tjetër, ka përdorur kërcënime serioze ndaj të dëmtuarve.

Ata kanë kërcënuar me vrasje Shefket Lurin, Xhelil Sumën dhe Azem Sumën në rast se nuk do të tërhiqeshin nga tenderi i fituar nga Agjencia Kosove Privatizimit (AKP) në valën e 16-të e që kishte të bënte me privatizimin e një ferme të deleve në sipërfaqe prej 32 hektarësh, në fshatin Rakaj të Ferizajt.

foto  
Kryeministri Hashim Thaçi dhe ish-kryetari i Kaçanikut Xhabir Zharku  

 

Gjashtë muaj pas marrjes së vendimit, Zharku ende ndodhet në liri derisa aktvendimi për ekzekutimin e vendimit ende mbetet ndërmjet Gjykatës se Qarkut të Prishtinës dhe Gjykatës komunale të Kaçanikut.

Sipas procedurës, Gjykata Supreme duhej të informojë Gjykatën e Qarkut, gjë të cilën e ka bërë më 9 korrik, ndërsa kjo e fundit kërkon menjëherë nga gjykata komunale e Kaçanikut që të dërgojë në burg Zharkun.

Por nga 9 korriku e deri më 26 shtator, Gjykata e Qarkut në Prishtinë nuk e ka dërguar aktvendimin për ekzekutimin e dënimit në burg ndaj Zharkut në gjykatën komunale të Kaçanikut.

Një ditë pas interesimit të Gazetës Jeta në Kosovë në lidhje me këtë çështje, më 26 shtator, administrata e Gjykatës së Qarkut ka bërë të ditur se aktvendimi do të niset gjatë javës përkatëse drejt Gjykatës Komunale në Kaçanik për ekzekutim. Zharku s’është futur në burg, deri të dielen.

Feriz Berisha, administrator në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, thotë se nga Gjykata Supreme, vendimi në rastin e Xhabir Zharkut atyre u ka mbërritur me 9 korrik, por janë disa arsye përse nuk kanë mundur ta përcjellin më shpejtë drejt Kaçanikut.

“Punëtori që e bën ekzekutimin e rastit drejt Gjykatës Komunale ka qenë në pushim. Pastaj kur është kthyer, është vonuar derisa i ka ardhur rendi lëndës. Ne nuk shikojmë nëse personi është  politikan apo diçka tjetër, por vetëm radhën e rasteve”, thotë Berisha për Gazetën Jeta në Kosovë.

“Kemi numër të madh të lëndëve. Brenda muajit edhe nga 50 duhet të përpunohen”.

Gjithashtu ai thotë se, në rastin e Xhabir Zharkut, është dashur që gjyqtari i EULEX-it që e ka pasur lëndën, ta japë  nënshkrimin.

Ramadan Gudaci, kryetar i Gjykatës Komunale të Kaçanikut, thotë se ende nuk kanë marrë kurrfarë lënde e as kërkesë për ekzekutim lidhur me çështjen e ish kryetarit, Xhabir Zharku.

“Ky aktvendim nuk është regjistruar në këtë gjykatë”, tha Gudaci për Gazetën Jeta në Kosovë të enjten më 27 shtator.

Në ndërkohë, Zharku ka bërë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë. Mbrojtësi i tij, avokati Xhevdet Shala pretendon se gjatë gjykimit të Zharkut ka pasur shkelje procedurale që janë në kundërshtim me dispozitat ligjore të Kodit të Procedurës Penale.

“Kemi bërë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë për Gjykatën Supreme të Kosovës. Por kjo kërkesë e parashtruar nuk e ndalon procedurën e ekzekutimit të vendimit”, thotë avokati Shala për Gazetën Jeta në Kosovë.

Sidoçoftë, përveç kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë, e cila edhe ashtu nuk e shtynë ekzekutimin e vendimit, nuk duket të ketë ndonjë arsye tjetër që do të mund të ndalonte burgosjen e Zharkut.

Sipas ligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale, disa prej arsyeve që mund të shtyjnë burgun, të cilat nuk duken se mund të aplikohen në rastin Zharku, fillojnë nga sëmundjet e rënda akute e deri te vdekja e ndonjë anëtari të familjes.

Aktvendimet e Gjykatës Supreme të Kosovës në lidhje me Bajrush Xhemajlin e Xhabir Zharkun, ish-kryetarë komunash nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në pushtet, të cilët u dënuan me burg për veprat e tyre penale, bënë që në Ferizaj e Kaçanik, të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme komunale.

Ato i kushtuan buxhetit të Kosovës rreth gjysmë milioni euro, 300 mijë për Ferizaj e 200 mijë për Kaçanik.

Kërkojnë burgimin e Bajrush Xhemajlit

Hamdi Rrustemi kishte besuar se vendimi i Gjykatës Supreme të Kosovës është i fuqishëm po aq sa çekiçi i gjykatësit kur godet tavolinën, dhe se do të dërgonte menjëherë në burg Bajrush Xhemajlin. 

Hamdiu është babai i Labinot Rrustemit (21) i cili vdiq me 21 maj 2009 në një aksident komunikacioni, në hyrje të Prishtinës. Fajtor për këtë aksident u gjet ish kryetari Xhemajli i cili është shpallur si i tillë nga gjykata e Qarkut e më pas edhe nga Gjykata Supreme e Kosovës.

“Si qenka kështu ligji, nuk e di. Thonë se Xhemajli është smut. Por sa ishte kryetar nuk kemi dëgju se ka qenë smut, e tash po smuhet”, thotë Rrustemi për Gazetën Jeta në Kosovë. “Pak janë edhe 20 vjet burg për të, por po çuditemi pse ky njeri bile këto vjet sa është dënu nuk është t’u i mbajt”.

Në Gjykatën Supreme thonë se me Bajrush Xhemajlin, ish-kryetarin e Ferizajt dhe Xhabir Zharkun, ish-kryetar i Kaçanikut, kanë mbaruar punë.

Makfire Gashi, zëdhënëse e këtij institucioni, thotë se konform kompetencave që ka Gjykata, janë marrë vendimet përfundimtare për Xhemajlin e Zharkun.

“Pas kësaj, janë institucionet tjera kompetente dhe përgjegjëse që duhet të veprojnë, në mënyrë që vendimi i Gjykates Supreme të Kosovës të zbatohet”, thotë Gashi.

“Gjykata ka kryer punën në momentin që ka marrë vendimin përfundimtar. Zbatimi  bëhet nga institucionet tjera kompetente”.

“Gjykata ka kryer punën në momentin që ka marrë vendimin përfundimtar. Zbatimi  bëhet nga institucionet tjera kompetente” Makfire Gashi

Por ekzekutimi i këtyre vendimeve ende nuk është bërë. Hamdi Ibrahimi, kryetar i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, e cila ka për detyrë që aktvendimin e Gjykatës Supreme t’ua përcjell për zbatim Gjykatave Komunale të Ferizajt e Kaçanikut, ka thënë se “duke iu referuar rastit për të cilin jeni interesuar, nuk mund të ketë shtyrje të ekzekutimit deri në infinit.”

Ekzekutimi i këtyre vendimeve, në rast se nuk do të ketë shtyrje të tjera, nënkupton se të dy ish-kryetarët fillojnë të vuajnë dënimin me burg.

Xhemajli do super-ekspertizë se a ishte vetura në rregull

Në kërkesën e parashtruar nga Xhemajli në Gjykatën Kushtetuese, thuhet se parashtruesi i kërkesës pretendon se ai “nuk ka pasur gjykim të drejtë dhe të paanshëm dhe se procesi gjyqësor nuk ka qenë i rregullt”, të drejta këto të garantuara me Kushtetutë dhe instrumente ndërkombëtare.

Sipas mbrojtësve ligjorë të tij, gjatë gjykimit gjykata ka mohuar të administrojë si prova përgjegjësinë e aktorëve tjerë të komunikacionit dhe ekzaminimin teknik të veturës së Xhemajlit.

Mbrojtja pretendon se duhej të kontrollohej nëse vetura e Xhemajlit ka qenë teknikisht në rregull, mirëpo Gjykata e Qarkut ka konstatuar se ky fakt është irrelevant pasi që aksidenti është shkaktuar nga veprimet e të akuzuarit pas goditjes së veturës e cila ka qarkulluar në shiritin e majtë të rrugës.

Me shpejtësi të madhe, përpjetë Veternikut, në dalje të Prishtinës, ai kalon në rrugën që vjen nga drejtimi i kundërt. Fillimisht e godet veturën e markës Volswagen, të cilën e drejtonte Ilir Gashi, i cili lëvizte në shiritin e vet, dhe më pas godet edhe automjetin Mercedes, të cilin po e drejtonte Labinot Rrustemi.

Si pasojë e kësaj, lëndime vdekjeprurëse ka pësuar ngasësi i automjetit Mercedes, Labinot Rrustemi, Driton Bytyçi ka pësuar lëndime të rënda, pasagjerët Ilir Haziri dhe Bardhita Bytyçi po ashtu lëndime të rënda trupore dhe Vezire Bytyçi, lëndime të lehta trupore. Lëndime ka pësuar edhe vetë i pandehuri si dhe janë shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Po ashtu edhe Gjykata Supreme ka vërtetuar se nuk ka pasur indikacione se vetura e të akuzuarit nuk ka qenë në gjendje të rregullt dhe ka vërejtur se një gjë të tillë nuk e ka pohuar as vetë Barjush Xhemajli.

Mbrojtja e tij ka kontestuar dëshmitarin që ka dëshmuar në këtë rast pasi që ai gjoja “nuk ka qenë vrojtues i drejtpërdrejtë” dhe ekspertizën e komunikacionit e cila, sipas saj, ishte “sipërfaqësore dhe jo kritike”.

Sidoqoftë, Gjykata Kushtetuese ende nuk ka vendosur lidhur me të gjitha këto pretendime të Xhemajlit. Gjykata ka vendosur vetëm për masën e përkohshme e cila e shtynë afatin për ekzekutimin e dënimit me burg deri më 31 dhjetor 2012.

Gjykimi i parë ka përfunduar 2 vite më herët. Në nëntor të vitit 2010, Xhemajli është gjetur fajtor nga Gjykata e Qarkut, i cili aktgjykim është vërtetuar edhe nga Gjykata Supreme në mars të vitit 2012, për kryerjen e vepres penale rrezikim i trafikut publik e dënueshme deri në tetë vjet burg.

“Duhet të kontrollohet nëse vetura e Xhemajlit ka qenë teknikisht në rregull” mbrojtja e Bajrush Xhemajlit

Në prill 2012, rreth një muaj pas vendimit të gjykatës Supreme, gjykata komunale në Ferizaj ka shtyrë ekzekutimin e dënimit për periudhën kohore prej tre muajsh pasi një gjë të tillë kishte kërkuar Xhemajli.

Menjëherë pasi kanë kaluar tre muaj, më 18 korrik 2012, gjykata komunale në Ferizaj ka aprovuar përsëri kërkesën për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit për dy muaj duke detyruar Xhemajlin që të paraqitet për mbajtjen e dënimit më 19 shtator.

Dy ditë para se të skadonte vendimi që mbante në liri Xhemajlin, të autorizuarit e tij përmes një parashtrese kanë bërë kërkesë të re për shtyrje të ekzekutimit.

 “…Për aq kohë sa z. Xhemajli është në gjendje të rëndë shëndetësore”, shkruan në këtë parashtresë të siguruar nga Gazeta Jeta në Kosovë. Gjykata komunale në Ferizaj përsëri vendos që Xhemajli të mos shkojë në mbajtje të dënimit me burg deri me 17 tetor 2012.

Mirëpo, pasi Xhemajli ka shteruar të gjitha mjetet juridike për të kundërshtuar vendimin me të cilin është shpallur fajtor, ai ka vendosur të dërgojë rastin në Gjykatën Kushtetuese. Ai ka të drejtë të bëjë një gjë të tillë në bazë të nenin 113.7 të Kushtetutes sipas se ciës “Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale…”.

Pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetues që të suspendohet shkuarja në burg e Xhemajlit deri me 31 dhjetor të këtij viti, tashmë afati i 17 tetorit i caktuar nga Gjykata Komunale në Ferizaj, nuk vlen.

Mbrojtja e Bajrush Xhemajlit ka kërkuar shtyrjen e mbajtjes së burgut sepse beson se zbatim i këtij aktgjykimi antikushtetues do të privonte parashtruesin nga liria e do të shkaktonte dëme të pariparueshme, se nëse do të rigjykohej rasti ku parashtruesi do të mund të lirohej nga përgjegjësia, atëherë mungesa e kësaj mase të përkohshme do të linte atë të vuante dënim të jashtëligjshëm.

Gjykata Kushtetuese ka konkluduar se, pa paragjykuar vendimin përfundimtar të kërkesës, janë ofruar argumente mjaft bindese se zbatimi i vendimit të gjykatës supreme dhe privimi i tij nga liria mund të rezultonin me dëmtimin e pandreqshëm të parashtruesit të kërkesës.

Artikullit i kanë kontribuuar edhe Vlora Osmani dhe rrjeti i monitorimit të gjykatave në BIRN.