Ramadan Muja

Refuzuesi i akuzuar

Kandidati i PDK-së dhe kryetari aktual i Prizrenit, Ramadan Muja, gati dhjetë vjet pas pensionimit, më tetë shkurt 2004, po e kërkon mandatin e tretë nga prizrenasit, në kohën kur ka mbushur 74 vjet. 

Ai  në vitin 1984 mbrojti tezën e doktoraturës në Universitetin e Prishtinës, me titullin: “Opinioni dhe historiografia sovjetike për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare në Shqipëri 1939-1944”, duke u bërë doktor i shkencave historike.

I akuzuari për keqpërdorim të disa pronave komunale dhe nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, për krijimin e dobive pasurore të të tjerëve, pavarësisht se po i bëhet gjyqi, prej shtatë muajsh, vazhdon të jetë i preferuari i partisë në pushtet për kreun e komunës së dytë më të madhe në Kosovë. 

Kundërkandidati i Mujës në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, Eqrem Kryeziu, kur foli për TV Besën në shtator për rikandidimdimin e njeriut nga i cili humbi “fronin” e qytetit në vitin 2007, falënderoi kryeministrin Thaçi që përsëri PDK-në në Prizren e përfaqësoi me kryetarin e akuzuar, duke shtuar se nuk do ta ketë vështirë ta mposht atë. 

Por, kryeministri Hashim Thaçi, gjatë vizitës në Prizren më 24 tetor, me homologët e tij turk e shqiptar, Erdogan e Rama, e quajti Mujën “kryetar të tashëm dhe të ardhshëm të Prizrenit”. 

Në të njëjtin tubim, Mujën e përmendi edhe kryeministri turk Erdogan, duke treguar se kryetari i Prizrenit personalisht i ka bërë ftesë për ta vizituar këtë qytet. Erdogani e quajti kandidatin e PDK-së, Ramazan Muja. 

I njohur si refuzues i debateve televizive, i daljes para publikut, shikuesve dhe kundërkandidatëve, Muja shfrytëzoi mirë dhuratën e bërë nga tre kryeministrat gjatë fushatës, për ta promovuar veten. 

Ai nuk e pati problem të flasë, kur u ndodh para Erdoganit, Ramës e Thaçit dhe të tubuarve entuziastë prizrenas për vizitën e profilit të lartë. 

“Personalisht jam falënderues që jam dhe vazhdoj të jem, përfaqësues i të gjithë qytetarëve të Prizrenit dhe do të angazhohem fuqishëm që Prizreni të jetë qytet urëlidhës mes Kosovës, Shqipërisë dhe shtetit mik të Turqisë”, tha Muja në tubimin e para një jave. 

Muja nuk mori pjesë as në debatin e Emisionit Zgjedhjet Lokale 2013, më nëntë tetor. Ai një ditë më pas kishte seancë gjyqësore. 

Kandidatët tjerë për kryetar të Prizrenit, kur u pyetën se pse Muja nuk është me ta, u munduan t’ia bëjnë një portret qeverisjes së tij. 

Kandidati i Bashkimit Demokratik, Zafir Berisha, mosardhjen e Mujës e quajti mungesë burrërie, derisa Naser Bresa i AKR-së deklaroi se nuk mund t’i dijë arsyet e mungesës pa qenë në lëkurën e njeriut që mungon, por shtoi se Muja  mund ta ketë ndier intuitivisht se mund të dalë humbës në debat. 

Njeriu që nuk merr pjesë në debate televizive, ku kandidatët përveç se shfaqin programet e tyre, përballen edhe mes vete, vazhdimisht është ankuar se seancat gjyqësore gjatë fushatës po e pengojnë për ta shpjeguar atë që u ofron prizrenasve, duke thënë se po ndihet i pabarabartë me të tjerët. 

Muja i ka munguar një seance në shtator, rreth dy javë para nisjes së fushatës elektorale më 3 tetor, në kohën kur  partitë politike përgatiten intensivisht për zgjedhjet, me arsyetimin se është i ftohur. 

Të enjten e 11 tetorit, tetë ditë pas nisjes së fushatës, kur u përball me seancën e rregullt gjyqësore kundër tij, Muja kërkoi që ajo të shtyhet, pasi avokati i tij Ruzhdi Berisha duhej të udhëtonte atë ditë në Shqipëri, ndërsa ai nuk mund të mbrohej në gjyq, pa avokat. 

Pasi konstatoi se avokati është dashur me kohë ta paralajmërojë udhëtimin e tij, ndërsa nuk pati dëshmi të prekshme se udhëtimi i avokatit drejt Shqipërisë është agumentuar, kryetari i trupit gjykues vendosi që seanca të vazhdoj, pavarësisht kundërshtimeve të Mujës. 

Kryetarit të Prizrenit, atë ditë iu caktua një avokate sipas detyrës zyrtare, ndërsa seanca vazhdoi. 

Kryetari i trupit gjykues i tha Mujës: nuk je në supermarket që të zgjedhësh, por në gjykatë.  

Në hapje të fushatës më 3 tetor, Muja ua kërkoi prizrenasve edhe një “udhëtim” katërvjeçar me të si drejtues, duke u premtuar mandat të qeverisjes së mirë dhe demokratike, edhe pse është duke u dyshuar për keqpërdorim detyre e të autorizimit. 

Në të njëjtin tubim, kryeministri Thaçi, premtoi për Prizrenin 100 milionë euro, nëse qytetarët ia japin Mujës besimin për mandatin e tretë. 

Gazeta Jeta në Kosovë, në dhjetëditëshin e parë të fushatës, grumbulloi në një shkrim premtimet më fantastike të politikanëve, në të cilat dominonin ato të partisë në pushtet, ku nuk mungonte as 100 milionëshi i Prizrenit.