Radioja Kroate Shkel Rregullat

Thellë në Kroacinë rurale është një radiostacion që nuk duhet të jetë aty. I ka mbijetuar luftës, valëve të privatizimeve dhe një recesioni që e ka rrudhur sektorin e mediave.

Ai i shërben një qyteti me 28.000 njerëz, ku gjithkush i din punët e tjetrit dhe secila ditë është ditë e vuajtur për lajme. Lajmi i fortë aty mendohet të jetë kur fshatarët ankohen për subvencionet bujqësore.

Ndërkohë që rrugët janë të shkreta, nuk ka nevojë për përditësime trafiku në kohë reale. Prezantuesit muzikorë e copëtojnë listën muzikore me intervista me njerëz që ushqejnë ketrrat nëpër parqe.

Prapseprapë, gazetaria serioze duket se këtu po fiton terren. Stacioni kohët e fundit mori një grant prej më se 20.000 eurosh për mbështetjen e programeve cilësore, përfshi edicionin kryesor të lajmeve.  

Paratë erdhën nga një fond shtetëror për programet me interes publik. Fondi u themelua nga Kroacia si pjesë e riorganizimit tërësor të sektorit të saj mediatik, një prej kushteve për hyrjen në Bashkimin Europian këtë vit.

Për t’u kualifikuar për grantin, radiostacionit i duhej të jepte një edicion mostër t’emisionit të lajmeve nga viti paraardhës, 2011. 

Do të kishte qenë kërkesë e thjeshtë, sikur emisioni të mos ishte heqë nga transmetimi në vitin 2010. Nën presionin për të siguruar paratë, stafit filloi t’i pillte mendja. Ata arnuan një emision të freskët lajmesh duke përdorë copa lajmesh të rrëmuara nëpër arkiv.

“Na u desh të gënjenim shumë për t’i marrë paratë e fondit,” thotë Jelena, ish-botuese në radiostacion.

“U detyruam të mashtronim në aplikacion duke përdorë arkivin nga viti 2001 deri më 2010, duke kërkuar lajme që nuk lidheshin me datat dhe që ishin lexuar nga i njëjti folës.” 

Emisioni kryesor i lajmeve ishte ndërprerë kur stacioni u ble nga një konglomerat mediatik. Në hapësirën e dy viteve, pronarët e rinj do të largonin edhe nëntë nga 15 antarët e stafit si dhe do të zëvendësonin shumicën e programeve fillestare lokale me përmbajtje qendrore.

“Dëgjuesit tonë nuk ishin tonët më, ne thjesht vepronim si altoparlantë të pronarëve,” thotë një koleg i Jelenës që e konfirmoi rrëfimin e saj për mashtrimin në aplikim.

Të dy punonjësit folën me kusht anonimati sepse i frikësoheshin veprimeve ligjore nëse do t’identifikoheshin. Hollësi të tjera, si emri i radiostacionit dhe qyteti, gjithashtu nuk do të tregohen me arsyen e mbrojtjes së identiteteve të tyre.

Radiostacionet e vogla parimisht duhej të ishin pre e lehtë për krizën që po e vret median tradicionale në Kroaci, ashtu si në pjesën më të madhe të Europës dhe Amerikës së Veriut.

E prapseprapë, numri i tyre në këtë vend është më se i dyfishuar në 20 vitet e fundit. Rreth 145 radiostacione, shumica e tyre private, aktualisht i shërbejnë në popullsie prej katër milionësh, tri të katërtat e së cilës jetojnë në qytete të vogla apo fshatra. 

Ngritja e tyre fsheh rënien e cilësisë së programeve. Ndërkohë që numri i stacioneve është rritë, numri mesatar i gazetarëve që kanë pothuajse është përgjysmuar, nga 20 secili më 1998, në 12 më 2012. 

Transmetuesit nuk kanë lulëzuar për shkak të përmbajtjes provokative apo konkurueshmërisë. Në fakt, mbijetesa e tyre tregon çarjet në fushatën e Bashkimit Europian për nxitjen e një shtypi të lirë në vendet që aspirojnë t’i bashkohen.

Brukseli e ka rreptësuar kontrollin mbi sektorin e medias ndërkohë që zgjerohet nga lindja, në ish-republikat jugosllave. 

Kur Sllovenia iu bashkua bllokut më 2004 u kërkuan ndryshime në media, por jo me detyrim. Për Kroacinë, reformat u trajtuan si çështje të të drejtave të njeriut. Mospërmbushja e tyre, në realitet, do të kishte qenë penguese për marrveshjen. 

Një aplikuese për antarësim në Bashkimin Europian, Serbia, aktualisht po debaton ligjet që do ta ndihmonin të kualifikohej për hyrjen në bllok. 

Udhëzimet e Bashkimit Europian për riorganizimin e medias serbe janë po aq të rreptë sa të Kroacisë, dhe mund të dështojnë për të njëjtat arsye. 

Shumë radiostacione lokale janë në zona të largëta, si ishujt kroatë. 

Privatizim i keqmenaxhuar

Njëzet vjet më parë, shumica e transmetuesve lokalë të Kroacisë financoheshin nga qeveria lokale apo qendrore. Zhvendosja nga pronësia shtetërore u nxit nga Bashkimi Europian ndërkohë që ai shqyrtonte kandidimin e Zagrebit.

Media e vendit në atë kohë shihej si zëdhënëse e partisë politike sunduese, që pasqyronte funksionimin e saj gjatë socializmit jugosllav.

Brukseli promovoi privatizimin si rrugë drejt një shtypi më të shëndetshëm. Në teori, politikanët do ta kishin më të vështirë ta manipulonin median nëse ajo do të financohej nga të ardhurat private dhe jo nga shteti. 

Një larmi burimesh, krijuar nga pronarë të pavarur, do të krijonte një rang opinionesh konkuruese. Por ky ideal kërkon themele të fortë, në formën e një tregu të fortë dhe mbikqyrjeje të rreptë.

Nëse tregu është i dobët, burimet private nuk fitojnë mjaftueshëm për t’u pavarësuar nga fondet e shtetit. Në vend të kësaj, ata vazhdojnë të bëjnë marrveshje me politikanët që kontrollojnë buxhetin publik. 

Nëse mbikqyrja është e dobët, rregulloret që mendohet se duhet të ruajnë pavarësinë dhe larminë në shtyp anashkalohen me lehtësi. Në vend të kësaj, mediat grupohen në monopole, që nga ana e vet çon përsëri në marrveshje jo të mira mes politikanëve dhe dhe pronarëve të fuqishëm mediatikë.

Kroacia i privatizoi mediat e veta për ta kënaqë Bashkimin Europian, por e bëri këtë mbi themele të dobëta.

“Radiot dhe televizionet lokale mund të pretendojnë të jenë lojtarë jetikë në treg,” thotë Milan Zhivkoviç, këshilltar në ministrinë e kulturës së Kroacisë. “Por e vërteta është se ata varen nga grantet publike.”

Private apo jo, shumica e radiostacioneve lokale nuk mund të jetojnë veç me të ardhurat nga biznesi. Mbijetesa e tyre varet nga marrveshjet me shtetin. 

Politikanët, në nivel vendor dhe qendror, i përdorin subvencionet dhe kontratat reklamuese për të kanalizuar paratë publike në drejtim të transmetuesve. Duke mos ushtruar kontrolle ata gjithashtu lejojnë formimin e monopoleve dhe, si në rastin e radiostacionit ku punonte Jelena, e mbyllin një sy ndaj mashtrimeve të rastit. 

Transmetuesit e kthejnë favorin duke iu bindë mbrojtësave të tyre politikë.

“Kishim menduar se këtu mund të zbatohej modeli perëndimor,” thotë Zhrinka Perusko, profesoreshë gazetarie në Universitetin e Zagrebit. “Pronësia private nënkuptonte të garantohej pavarësia, objektiviteti dhe paanshmëria e medias, sepse ajo e zgjeronte tregun.” 

Megjithatë, shton ajo, tregu ishte shumë i vobegët për të mbështetur një shtyp të lirë. 

“Pronarët e mediave janë të gatshëm t’ia nënshtrojnë pavarësinë e shtypit përfitimit të tyre ekonomik,” thotë Perusko. 

Duke nxitë privatizimin me themele të lëkundshme, Kroacia i la radiostacionet e veta të reja nën mëshirën e ndikimit politik.

Autonomi e dyshimtë

Zanafilla e problemit është në vetë procesin. Qeveria ka dhënë një seri licensash të reja transmetimi në dy dekadat e fundit.

U kërkuan pronarë privatë edhe për radiostacionet ekzistuese, përfshi radiostacionet që ishin financuar nga shteti. Vetëm transmetuesit kombëtar në shërbim publik, financuar drejtpërdrejt nga qytetarët, ishte përcaktuar të mbeste në sferën publike. 

Por ndërkohë që lulëzuan një mori radiostacionesh, tregu iu afrua saturimit. Gazetarët ishin të parët që u sakrifikuan, duke shkaktuar rënien e programeve me interes publik.

Larg qyteteve të mëdha si Zagrebi, mediat e pavarura u rropatën të tërhiqnin reklamuesit që ishin themelorë për modelin e tyre të biznesit. Futja nën sqetullën e konglomerateve mediatike, zotëruar nga biznesmenë të fuqishëm, ofronte një mjet mbijetese. 

“Për shumicën e radiostacioneve, rrjetëzimi ishte mënyra e vetme për të tërheqë reklamues,” thotë Xhuraj Hërvaqiç, ish-pronar i një vargu transmetuesish anembanë Kroacisë.

Rrjetet do të gllabëronin stacionet më të vogla dhe do të përpiqeshin t’i bënin të rrinin vetë në këmbë. Forca e punës do të mpakej dhe programet e kushtueshme të mëparshme do të zëvendësoheshin me përmbajtje rrjeti nga një burim qendror.

Privatizimi i keqmenaxhuar kështu dha ndihmesën e vet në krijimin e monopoleve, një pasojë që vetë Bashkimi Europian ia kishte pasë frikën.

Për më shumë, mediat private që ishin gllabëruar nga rrjetet e mëdha, nuk kishin më gjasa të prodhonin përmbajtje origjinale në shërbim publik, duke rrënuar edhe më tej objektivat e Bashkimit Europian.

“Kemi një larmi emisionesh radiofonike por orari kudo është i njëjtë. Ka raporte trafiku dhe parashikime moti çdo dy minuta,” thotë Viktoria Car, eksperte mediatike n’Universitetin e Zagrebit.

Radiostacionet e privatizuara lokale që nuk janë pushtuar nga rrjetet e mëdha mund të duken të pavarura, por edhe ata janë të prekshëm ndaj ndikimit të shtetit. 

Përtej Zagrebit, këta stacione kanë pak shpresë të tërheqin reklama nga kompanitë private, sipas Sinisha Bogdaniçit, pronar i Radio Netit, një agjenci jo-përfituese që prodhon përmbajtje për transmetuesit e vegjël.

Si pasojë, këta stacione varen tepër nga t’ardhurat nga reklamat e firmave të sektorit publik, që shpesh shihen si favor qeveritar.

“[Stacionet] aktualisht bashkëfinancohen nga politikanët lokalë, që vë në pikëpyetje autonominë e tyre,” thotë Bogdaniçi.

Tranzicioni në pronësi private, kështu, nuk e shkëputi lidhjen e dëmshme mes politikanëve dhe shtypit. Për më shum, çoi në humbjen e vendeve të punës dhe zvogëlimin e cilësisë së programeve, një matricë e përsëritur anembanë Kroacisë.


Hyrja e Kroacisë në Bashkimin Europian nënkuptonte forcimin e shtypit të lirë.

“Monitorim i vobegët”

Historia e Jelenës dhe kolegut të saj i bën jehonë raporteve të tjera për radiostacionet kroate që keqpërdorin fondet publike.

Gjithë këta raste përfshijnë Fondin e Pluralizmit, që u ngrit për të plotësuar kriterin e  Bashkimit Europian për mbështetjen e gazetarisë cilësore.

Fondi financohet nga qytetarët kroatë përmes kontributit të tyre vjetor ndaj transmetuesit të shërbimit publik.

Çdo vit, ai jep grante me vlerë rreth 1.5 milion euro për radiostacionet që kanë premtuar realizimin e programeve me interes publik. Shumica dërrmuese e 145 radiostacioneve lokale të Kroacisë merr grant nga Fondi.

Katër prej tyre aktualisht po hetohen për keqpërdorim të grantit përkatës. Gjithsesi, stacioni ku ka punuar Jelena nuk është në mesin e tyre.

Sipas Zhelko Stipanit, biznesmen nga Zagrebi që ka kaluar më se 30 vjet në fushën e radios, Fondi nuk ka mundë të monitorojë se si po shpenzohen paratë e tij. 

“Të gjithë e dimë se Fondi është farsë,” i tha ai BIRN-it. “Programet prodhohen vërtet në zonën e Zagrebit.” Por, shtoi ai, radiostacionet jashtë kryeqytetit me lehtësi i shpëtojnë kontrollit. “Kush po i monitoron? Askush.”

Stipani tha se ishte sekret i hapur që transmetuesit e vegjël po i përdorin paratë e fondit si mjet jetese.

Qysh prej krijimit të tij më 2005, Fondi u ka dhënë afërsisht 32 milion euro fonde publike stacioneve radiofonike dhe televizive. Gjithsesi, ai nuk ka prodhuar një raport gjithëpërfshirës që vlereëson ndikimin e këtyre granteve. 

Fondi administrohet nga Këshilli i Medias Elektronike, njohë nga shkurtesa e tij në kroatisht VEM. Këshilli është trup rregullator, përgjegjës për transmetimin radiofonik, televiziv dhe online. 

Ai u themelua në dekadën e fundit, prap si pjesë e përpjekjes kroate për të rimodeluar mjedisin e saj mediatik gjatë procesit të hyrjes në Bashkimin Europian.

Në një email, VEM-i tha se do t’i kontrollojë të gjithë pretendimet për keqpërdorim grantesh, qofshin ato anonime apo jo.

“Ftojmë gjithë ata me dijeni të veçanta për parregullsi të na i raportojnë,” thuhej në email.

Në deklaratë shtohej se VEM-i kishte filluar të mbikqyrte më nga afër se si i shpenzonin transmetuesit paratë e Fondit. Stacioneve iu ishte kërkuar të mbanin kopje të përhershme t’emisioneve dhe mbanin bilanc për shpenzimet përgjatë vitit dhe jo vetëm në fund.

Deri vonë, stacioneve nuk u kërkohej të mbanin arkiva t’emisioneve me interes publik për më shum se tre muaj, duke e bërë të vështirë verifikimin se a është transmetuar apo jo një program i caktuar.


Homogjenizimi i përmbajtjes së radios po e bën atë gjithnjë e më të parëndësishme.

Mësime për Beogradin

Sektori mediatik serb ka të përbashkët me Kroacinë origjinën jugosllave po aq sa edhe problemet që e shoqërojnë. Ai mbulon një treg tjetër të mbipopulluar, me 1053 media të regjistruara shtypi dhe transmetimi që u shërbejnë pak  më shum se shtatë milion qytetarëve.

Shumica prej këtyre mediave janë në një përleshje të egër për të ardhurat e pakta nga reklamat, që aktualisht llogariten të jenë në vlerën 170 milion euro. Gjërat i vështirëson gjendja e keqe ekonomike: papunësia është pothuajse 30 përqind dhe borxhi publik 60 përqind e GDP-së.

Ashtu si me Kroacinë, shumicës së parave që rrjedhin nëpër media mund t’u gjurmohet origjina tek kompanitë shtetërore ose të zotëruara nga shteti.

Sipas sistemit aktual, pronarët privatë operojnë krahpërkrah atyre shtetërorë dhe transmetuesve të shërbimit publik që financohen nga pagesat e licensave.  

Beogradi ka dhënë 320 licensa për radiostacionet lokale. Shumica a këtyre mediave janë private, punësojnë shum pak gazetarë dhe kanë fare pak interes në programe cilësore. 

Megjithatë, afërsisht një e katërta e 320 stacioneve zotërohen nga shteti, mbeturinë e komunizmit kjo. Falë t’ardhurave të garantuara, ata kanë shijuar një avantazh të stërmadh ndaj rivalëve të zotëruar nga privatët. Ata janë po ashtu të prekshëm ndaj ndikimit politik, me drejtorë që në mënyrë tipike caktohen nga partitë në pushtet.

Janë këto media që janë mes objektivave më të mëdha të një ligji për t’u miratuar në fillim të vitit tjetër, me synimin për të plotësuar kërkesat e Bashkimit Europian për reformimin e medias.

Ligji mbi Informimin Publik dhe Mediat nënvizon privatizimin e të gjithë 79 radiostacioneve që aktualisht zotërohen nga shteti. Në teori, kjo duhet të zvogëlojë ndikimin politik mbi mediat.

Qoftë në ndodhtë kjo apo jo, ekspertët pajtohen mbi atë që gjithsesi sektori do të tronditet nga kjo lëvizje.

Zoran Sekuliçi, përfaqësues i Shoqatës së Medias së Shkruar, një sindikatë, përllogarit që mediat zotëruar nga shteti aktualisht marrin 85 – 90 përqind të buxhetit prej 25 milion eurosh për mediat.

“Jo-zyrtarisht, të paktën 20 milion euro të tjera shkojnë tek të njëjtat media përmes reklamimit të kompanive publike,” thotë ai. “Kjo është mënyra se si politikanët e kontrollojnë përmbajtjen.”

Vukashin Obradoviçi, president i Shoqatës së Pavarur të Gazetarëve, sindikatë profesionale, parashikon që shum nga stacionet e zotëruara nga shteti mund të zhduken sepse nuk mund t’i mbijetojnë tregut.

“Hapësira, me shpresë, do të mbushet nga ata që i kushtojnë vëmendje nevojave të publikut dhe jo thjesht diktateve të politikanëve,” thotë ai.

Gjithsesi, kundërshtarët e planit shtjellojnë që kjo do të çojë në humbjen e vendeve të punës dhe rënien e cilësisë së programeve.

“Nuk është ide fort e mirë kjo,” thotë Marko Saviçi, antar i Partisë Progresive në pushtet dhe drejtor i një radiostacioni të zotëruar nga shteti në qytetin e vogël të Pozharevcit. “Ne prodhojmë përmbajtje që është n’interes publik. Radiostacionet komerciale nuk janë t’interesuara në këtë.”

Aleksandër Xhorxheviç, zyrtar i mediave në delegacionin e Bashkimit Europian në Serbi, thotë se frika është e pabazë. Ai thotë se politikëbërësit kanë mësuar nga përvoja kroate dhe rregullat e ashpra do t’i pengojnë pronarët e mediave të formojnë monopole.

Ligji i ri gjithashtu do t’i aftësojë të gjitha mediat të konkurojnë për fonde në realizimin e programeve me interes publik. Xhorxheviçi thotë se grantet do të jepen nga komisione të pavarura dhe jo nga organizma qendrorë, si Fondi i Pluralizmit i Kroacisë.

Megjithatë, ligji nuk specifikon ndonjë mekanizëm për kontrollimin se a po shpenzohen paratë vërtet për programe me interes publik.

Mungesa e mbikqyrjes, bashkë me privatizimin e shpejtë të radiostacioneve në një treg të mbipopulluar dhe të dobët, mund ta çojë Serbinë në të njëjtën rrugë si Kroacia. 

Të paaftë të mbijetojnë me t’ardhurat komerciale, transmetuesit mund të kërkojnë fonde shtetërore si mjet jetese. Sipas Jovanka Matiçit, eksperte mediatike serbe, kjo do të hapë derën e ndikimeve politike.

Kërkesa çorientuese

Politika mediatike e Bashkimit Europian drejt aspirantëve për antarësim mbështetet kryesisht në shtetet aktuale të tij.

Në kuptim të gjerë, blloku synon të rregullojë marrdhëniet gjithnjë në ndryshim mes politikës dhe medias. Ndërkohë që pranohet se këto dy fusha do të ndikojnë njëra-tjetrën, rregulloret përpiqen të pengojnë që ky ndikim të bëhet i fshehtë. 

Por ndërkohë që blloku ka pritshmëri të qarta për aspirantët për antarësim, ai nuk e thotë qartë se si duhen plotësuar këto pritshmëri.

“Kriteret [për hyrje] ishin më të rrepta në çdo fushë – jo veç për mediat,” thotë Jadran Antoloviç, ish-zyrtari kroat i ministrisë së kulturës që drejtoi bisedimet me Brukselin mbi reformimin e shtypit.

Megjithatë, ai shprehet për BIRN-in që blloku nuk ofroi ndonjë shembull për ndjekjen e udhëzimeve të tij.

“I kërkuam Brukselit nëse kishin ndonjë model që mund ta përshtasnim. Na thanë se nuk kishte asnjë për politikat mediale,” thotë ai.

Mungesa e një modeli pasqyron marrdhënniet jo të përkryera mes politikanëve dhe shtypit, edhe në demokracitë më të vjetra të Bashkimit Europian.

Në Itali, ish-kryeministri Silvio Berluskoni akuzohej prej kohësh për përdorimin e perandorisë së tij mediatike për qëllime politike. Në Britani, manjati Rupert Murdok është kritikuar për ndikimin e tij të dukshëm mbi qeveritë e njëpasnjëshme. Përpjekja e tij për aksione më të mëdha në një transmetues britanik u bllokua në minutën e fundit me frikën e krijimit të një monopoli.

“Kapitalizmi priret drejt përqendrimit [të pronësisë], ngaqë është mënyra e vetme për të nxjerrë fitim,” thotë Sandra Hërvatin Baziç, eksperte sllovene e angazhuar nga Bashkimi Europian për të ndihmuar përgatitjen e ligjeve të medias në Serbi. 

Ajo sugjeron që ka konflikt mes entuziazmit të Brukselit për privatizimin dhe ngulmimit të tij për larmishmërinë e mediave në Ballkan.

“Përqendrimi [i pronësisë] është mënyrë e natyrshme – dhe tani ti kërkon me pasë pluralizëm në sistem? Si do ta arrish këtë?” shtron pyetjen ajo.

Shtypi i lirë përballet me të njëjtit rreziqe në demokracitë e reja e të vjetra. Por përvoja ballkanike sugjeron që Brukseli ka dështuar në idealin e tij për një media të pavarur, edhe aty ku ka ushtruar presion tejet të madh mbi politikanët.

“Ne shpesh flasim për këmbënguljen e Bashkimit Europian [mbi masat],” thotë Antoloviçi. “[Por] Bashkimi Europian mund të japë vetëm kornizën ligjore. Secili vend duhet ta gjejë zgjidhjen brenda ligjeve të veta kombëtare, në përputhje me kornizën.”

Më shumë stacione, më pak gazetarë

Viti            Numri i radiostacioneve lokale                    Numri i gazetarëve* të punësuar

1990         55                                                       1,582

1998         108                                                     2,228

2012         146                                                     1,767

*Gazetarët përkufizohen si staf i angazhuar në prodhimin e programeve

Burimi: Zyra Kombëtare e Statistikave e Kroacisë

Kush i zotëron radiostacionet?

Numri i përgjithshëm i radiostacioneve më 2012 153

Stacione private të pavarura ose jo pjesë të një rrjeti më të madh 47*

Stacione private pjesë të një rrjeti më të madh 49

Stacione me aksione shumicë nga qeveritë lokale 57

*Gjashtë nga 47 janë jo-përfituese, dhe 2 zotërohen nga ish-politikanë

Burimi: Regjistri i kontratave për licensat radiofonike i VEM-it 

Melisa Skënderi është gazetare nga Zagrebi. Ky artikull u redaktua nga Neil Arun dhe u prodhua si pjesë e Bursës Ballkanike për Gazetari Cilësore, nisëm e Robert Bosch Stiftung dhe ERSTE Foundation, në bashkëpunim me Rrjetin e Raportimit Investigativ Ballkanik.