Punimet në Ferizaj, Foto: KALLXO.com

Qyteti biznesor që ende pret zgjidhje për trafikun e ngarkuar

Ferizaji njihet si qyteti i biznesit në Kosovë. Përveç bizneseve të shumta kryesisht në prodhimtari, qyteti i Ferizajt dallohet edhe sa i përket zhvillimit të industrisë së drurit.

Qyteti karakterizohet me trafik të dendur të veturave, gjendje e cila e bën problematik qarkullimin, sidomos në qendër të qytetit.

Veç rrugëve të stërngarkuara dhe mungesës së parkingjeve, Ferizaji përballet edhe me shumë ndërtime të cilat kanë ‘gllabëruar’ rrugët kryesore të qytetit.

“Parkingjet nëntokësore do të ndërtohen”, ishte zotuar Agim Aliu, gjatë fushatës zgjedhore të 2017-tës. Dy vjet pasi Aliu erdhi në krye të Ferizajt, këto parkingje kanë nisur të ndërtohen por ende nuk janë finalizuar.

Qeverisja në Ferizaj ka reklamuar edhe një projekt të madh për këtë qytet. I ashtuquajturi “Bashkimi i qytetit” në qendër të Ferizajt ende nuk është finalizuar, edhe pse kryetari Agim Aliu kishte premtuar më 2017-ën se ky projekt do të jetë njëri prej prioriteteve kryesore të qeverisjes së tij.

Në anën tjetër, edhe bizneset në atë zonë konsiderohet të kenë humbje për shkak të punimeve që zhvillohen në atë pjesë të qytetit. Krypometri do të vazhdojë të masë nëse Aliu do të përmbushë realizimin e projektit “Bashkimi i Qytetit”, për të cilin ka thënë se do të përfundojë më 2021.

Komuna e Ferizajt kohët e fundit ka qenë në hall edhe me mbeturinat, të cilat janë hasur prej pjesëve më të mbyllura të qytetit, duke mos lënë anash as sheshet e fshatrat. Mungesa e infrastrukturës, përfshirë rrugët, ujin e pijshëm dhe mungesa e energjisë elektrike janë vetëm disa nga problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët ferizajas.

Në anën tjetër, edhe pse është  themeluar Fondi i Punësimit, një premtim ky që ishte bërë nga kryetari Agim Aliu në vitin 2017, punësimi mbetet sfidë për të rinjtë e këtij qyteti.

20 vjeçari Arsim Loku burim jetese e ka qarjen e druve ndërsa pret mundësinë për të gjetur një vend të punës.  

“Jo, s’kam shku [në shkollë të mesme] për shkak të kushteve të këqija. [Kërkesë ndaj kryetarit] me naj gjetë naj punë, kena nevojë për me punu diçka ma mirë”, tha ai për KALLXO.com. 

Telashet e Ferizajt me bërllokun

Ferizaji është në mesin e komunave e cila është në hall me mbeturinat që kanë kapluar pjesë të ndryshme të qytetit dhe jo vetëm.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për bërllokun në këtë komunë.

Komuna thotë se në komunën e Ferizajt janë larguar mbi 15 deponi ilegale të mbeturinave , ndërsa në fillim të vitit 2020 ishin gjithsej 32 deponi të tilla.

Bërlloku në Ferizaj, Foto: KALLXO.com

“Përveç fshatit Burrnik, të gjithë fshatrat të tjerë ju kryhen shërbime në marrjen e mbeturinave”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Kurse, sa i përket pastrimit, rrugët dhe sheshet e komunës mirëmbahen nga kompanitë publike të kontraktuara nga komuna  të cilat janë: K.R.M “Pastërtia” dhe N.P.L “Ambienti”.

Këto kompani kanë për obligim që të bëjnë: larjen speciale, spërkatjen dhe fshirjen e 29 rrugëve dhe shesheve të qytetit të Ferizajt.E në anën tjetër, rreth 900 drunj dhe rreth 30 mijë lule dekorative u mbollën në Ferizaj nga viti 2018, për të vazhduar edhe në 2019-n.

Kryetari i tanishëm i Ferizajt, Agim Aliu në “Debat Pernime”  në vitin 2017 ishte pyetur për numrin e fidanëve që synonte të mbillte përgjatë mandatit të tij.“Në disa prej fshatrave që kanë hyrje të gjera dhe mundësi për mbjelljen e fidaneve të ndryshme unë do të mbjellë, në fshatin Rakaj dhe fshatin Prelez të Muhaxherëve, apo cilat do fshatra që kanë hyrje të tilla në fshat”, kishte thënë ai, pa specifikuar shifra.

Aliu nuk ka thënë shifra të sakta për numrin e fidanëve mirëpo ka përmendur disa fshatra në të cilat planifikohet mbjellja e fidanëve.

“Nuk mund të flasim për sasinë, por unë po flas për projektet për faktin se tashmë kam një plan sesi do ta bëjë këtë, në disa prej fshatrave që kanë mundësi për mbledhjen e fidanëve të ndryshëm, shembull fshatin Rakaj dhe fshatin Prelez, apo cilat do fshatra që kanë hyrje në fshat, edhe në qytet do të mbjellim por unë nuk mund të përgjigjem me numër, po flas vetëm për një plan”, ka thënë ai.

Kurse, Drejtori i Shërbimeve Publike dhe Emergjencës në Komunën e Ferizajt Arben Halili më 2019, kishte thënë se drunj dekorativ janë mbjellë në lokacione të ndryshme.

“Janë mbjellë ne rrugën Brahim Ademi, Vëllezërit Gërvalla, Ahmet Kaqiku,Sheshin ‘Hyre Emini’, si dhe në fshatrat, Greme ,Prelez, Dardani, Mirosalë, Bablakë, Tërrn, Gaçkë, Balaj, Lloshkobare, Bibaj , Rakaj. Ndërsa përgjegjësia është e ndërmarrjes Publike ‘AMBIENTI’”, thuhej  në përgjigjen e tij.

Ferizajasit në hall me mungesë të ujit, rrymës e rrugëve të pashtruara

Shërbimet elementare publike siç është uji e rryma po vazhdojnë të jenë problem për banorët e Ferizajt.

Edhe pse udhëheqësi i kësaj komune Agim Aliu muaj më parë ishte befasuar me gjetjen e një tubi të ujësjellësit në fshatin Komogllavë i cili i takonte kohës romake,  ka ende fshatra në këtë komunë të cilët kanë mungesë të ujit të pijshëm në vitin 2020.

Tubi i vjetër i ujësjellësit i gjetur në Ferizaj, Foto: Agim Aliu/Facebook

Kryetari i Ferizajt kishte premtuar ndarjen e fondeve shtesë për hapjen e puseve të reja për tu siguruar qytetarëve ujë të pijshëm.

“Ne do të ndajmë fonde shtesë për hapjen e puseve të reja, por sigurisht zgjidhja e përjetshme për Ferizajn është definitivisht sistemi i Lepencit që ne e kemi lobuar dhe vazhdojmë të lobojmë deri në fund në mënyrë që të bëhet zgjidhja e këtij problemi të furnizimit me ujë të pijës për gjithë qytetarët, që nuk është i rëndësisë vetëm për furnizim me ujë por dihet që ndërtimi i kësaj ka rëndësi edhe për bujqësinë edhe për fusha tjerë duke përfshirë edhe turizmin”, kishte premtuar ai.

Ndërkaq, komuna ka bërë të ditur për KALLXO.com, se ka nënshkruar marrëveshje për hapjen e 60 puseve.

Megjithëkëtë, Aliu pati premtuar ujë edhe për fshatrat Greme dhe Rakaj, por ato vazhdojnë të mos kenë ujë.

Përveç tyre, ujë të pijes nuk kanë edhe fshatrat Dardani, Bibaj, Tërrn, Zllatar, Mirosalë.

Bunjamin Kosumi është banor i fshatit Gaçkë. Ai thotë për KALLXO.com se kanë problem me ujë të pijshëm.

“Me ujë të pijshëm ka afër tetë vite që kemi problem komplet si fshat. Fillimisht e kemi bërë një zgjidhje sa do të vogël për një familje katër shtëpi, mirëpo ne si lagje kemi nevojë për ujë të pijshëm”, tha ai, duke shtuar se kanë bërë kërkesë edhe për rezervuar të ujit.

“Po kërkesa është, ekziston në komunë mirëpo nuk kemi marr përgjigje si fshat”, tha ai.

Bunjamin Kosumi, Foto: KALLXO.com

Ndërkaq, Zijadin Mekolli, pjesëtar i komunitetit ashkali, banor në lagjen “Sallahane” në Ferizaj thotë se kanë telashe me kanalizim.

“E kanë prish këtë rrugën, e kanë shti një gyp të kanalizimit, kanë thanë e kanë ndërru edhe duhet me pushu një muaj tash e një vjet e gjysmë. Po bohen mikrobet sëmundjet, fëmijët vazhdimisht kalojnë këtu është e padurueshme”, tha ai.

 

Zijadin Mekolli, Foto: KALLXO.com

Në anën tjetër, Komuna e Ferizajt në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se në gjithë territorin e komunës  rrjeti i kanalizimit është i shtrirë rreth 98 për qind.

Sipas tyre vetëm dy fshatra nuk kanë rrjet të kanalizimit.

“Arsyeja  është se në  fshatin Burrnik për momentin  jetojnë vetëm dy familje (janë shpërngulur) dhe fshati Jezerc i cili është i shpërndarë  në lagje  ku përfshinë sipërfaqe  më të mëdha se sipërfaqja e qytetit të Ferizajt.  Rrjeti i kanalizimit derdhet në lumenj dhe përroska , pa u trajtuar sikurse shumica e komunave në Kosovë”, thuhet në përgjigje.

Komuna shton se kanë zhvilluar disa nga procedurat për ndërtimin e impiantit për ujëra të zeza.

Gratë pakicë në qeverisjen e Ferizajt

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu më 2017-ën ishte shprehur se synon që tri drejtori në komunë të drejtohen nga gratë.

Agim Aliu e ka mbajtur premtimin për emërimin e tri drejtoreshave gra në komunë, por nuk e ka themeluar Drejtorinë për Barazi Gjinore, ashtu siç kishte premtuar.

“Unë do të synoj të kenë tri drejtori nga gjinia femrore, por ajo që do të synoj në qeverisjen time është që të themeloj drejtorinë për barazi gjinore në kuadër të qeverisjes sime, sepse vërtet është një gjendje jo e mirë, unë po përmendi vetëm një të dhënë: Ferizaj është një qytet i zhvillimit ekonomik, Ferizaj është një qytet më një numër jashtëzakonisht të madhë të bizneseve, por vetëm 8% janë udhëheqës të bizneseve femra”, kishte thënë ai në Debat Pernime.

Ndërkaq, sipas përgjigjes së Komunës së Ferizajt për KALLXO.com, përqindja e grave të punësuara në komunë është 32.57%, apo nga 304 të punësuar 99 janë gra.

Kurse, përqindja e grave në pozita udhëheqëse në administratën komunale është 28.57% apo, nga 49 pozita udhëheqëse 14 janë gra.

Numri i personave me nevoja të veçanta në institucionet komunale është 6, 4 burra dhe 2 gra.

Ngecjet në shëndetësi

Komuna e Ferizajt ka mungesë të mjekëve familjarë në përputhje me numrin e banorëve.

“Për plotësimin e nevojave duhen edhe 22 mjekë familjarë. Si objektiv për të ardhmen është sensibilizimi i mjekëve të rinj për të specializuar në Mjekësi Familjare”, thotë komuna për KALLXO.com.
Por, këto nuk janë telashet e vetme në shëndetësinë e Ferizajt.

Mjekë me orar të plotë ka vetëm në pesë fshatra të Ferizajt, në Greme, Komogllavë, Neredime, Mirashë dhe Pleshinë.Komuna e Ferizajt i ka 10 autoambulanca, prej tyre 6 janë të QKMF-së dhe katër të Spitalit të Përgjithshëm.

Kurse, koha e reagimit në çdo skaj të komunës është 8 deri 12 minuta prej Shërbimit Emergjent Primar.

Shumica e shkollave pa psikologë e pedagogë

Komuna e Ferizajt i ka vetëm dy çerdhe publike. Në çerdhen “Ardhmëria Jonë” e cila është publike janë 206 fëmijë të regjistruar.

Ndërkaq, çerdhja “Engjujt”, e cila është publiko-private ka 240  fëmijë të regjistruar.

Kopshti në Greme të Ferizajt, edhe pse është ndërtuar është jashtë funksionit. KALLXO.com ka parë nga afër objektin, i cili madje është edhe i dëmtuar.

Çerdhja në fshatin Greme, Foto: KALLXO.com

Sipas të dhënave të komunës të siguarar nga KALLXO.com, 5 shkolla kanë psikolog, 7 kanë pedagog kurse 39 të tjera nuk kanë as psikolog dhe as pedagog.

Komuna e Ferizajt ka shkolla fillore dhe të mesme të ulta që punojnë me një ndërrim, por me  dy ndërrime punojnë shumica e shkollave, kurse shkolla “Gjon Sereçi” punon me tre ndërrime. 

“Arsyeja është se kemi mungesë të madhe të hapësirës në objektin e kësaj shkolle (klasë jo të mjaftueshme për sistemimin e nxënësve)  si dhe migrimi nga viset rurale dhe regjistrimi në këtë shkollë, gjë që po e rrit ndjeshëm numrin e nxënësve dhe paraleleve në këtë shkollë”, thuhet në përgjigjen e komunës.

Në Ferizaj  20 shkolla kanë dalje emergjente, ndërkaq 26 nuk kanë dalje të tilla në rast rreziku.

Urbanizmi në Ferizaj

Zhvillimi i Ferizajt dhe ndërtimet e shumta që janë bërë në qytet kanë ndikuar në gjendjen e urbanizimit të komunës. 

Ferizaj ka zona të cilat janë të rrezikuara nga vërshimet.

Sipas të dhënave të komunës Ura e Dudit, fshatrat Tërrn, Koshare, Sojevë e Gërlicë janë vendet e rrezikuara nga vërshimet.

Sa i përket shenjëzimit Komuna e Ferizajt bën të ditur se ka sinjalizuar 90% të rrugëve në zonat urbane dhe 70 % në zonat rurale.

Sipas komunës afro 98% e territorit të Ferizaj nuk ka të rregulluar hollësisht planin urban, mirëpo janë në fuqi Planet Zhvillimore (Strategjike) si dhe planet rregulluese (normative dhe teknike).

“Komuna e Ferizajt, momentalisht i ka të aprovuar: Planin Zhvillimor Komunal 2017-2025 i cili përfshinë tërë territorin e Komunës (100%) dhe tri plane rregulluese urbane me sipërfaqe prej 663 ha të cilat përfshijnë 1.92% të gjithë territorit të Frizajt të cilat kanë qenë të miratuara dhe në fuqi deri në vitin 2017, dmth. Deri në miratimin e Planit Zhvillimor Komunal. Komuna e Ferizajt gjithashtu është në proces të hartimit të Hartës Zonale Komunale e cila përfshinë tërë territorin e Komunës (100%)”, thuhet në përgjigjet e komunës.

Komuna thotë se nuk ka objekte që janë duke u ndërtuar pa lejen përkatëse ndërtimore, ndërkaq, nga viti 2018 e deri më sot janë lëshuar gjithsej 23 vendime për rrënime.

Inspektorati i ndërtimit  thekson se nuk ka hasur në raste kur është ndërtuar përsëri në zonat ku janë kryer rrënime.

Suksesi i Ferizajt në prodhimtari 

Biznesi e prodhimi e veçojnë komunën e Ferizajt.

Ky qytet ka fabrika ushqimore të industrisë prodhuese dhe përpunuse me një numër deri në 295 sosh dhe merren me prodhime dhe përpunime të produkteve ushqimore.

Sipas të dhënave, për përpunimin dhe konservimin e mishit janë 13 biznese, për prodhimin e bukës, simiteve dhe të ëmbëlsirave të freskëta janë 175 biznese, për prodhim të biskotave dhe galetave, prodhim i pastave dhe kekëve të konservuar janë 21 biznese, si dhe për prodhim të kakaos, çokollatës dhe ëmbëlsirave janë 12 biznese.

Në këtë komunë 10 biznese merren me prodhim të produkteve të qumshtit, 10 të tjera me përpunimin e produkteve të tjera ushqimore, 9 biznese merren me prodhim të pijeve freskuese; prodhim i ujit mineral dhe llojeve tjera të ujit në shishe.

Tetë biznese merren me prodhim të akullores, tetë me përpunimin e produkteve të drithërave, katër me përpunimin e vajrave dhe yndyrave, tre biznese me përpunimin dhe konservimin e patates, si dhe nga tre biznese janë për përpunimin e niseshtes dhe i produkteve të niseshtes, përpunimi i çajit dhe kafes, Përpunimi i ushqimeve të përgatitura për kafshët e fermës.

Nga 2 biznese në këtë komunë, janë për prodhimin e produkteve të mishit dhe i mishit të shpezëve, përpunimi dhe konservimi tjetër i frutave dhe perimeve, prodhimi i sheqerit, Përpunimi i ushqimeve dhe gjellëve të gatshme, Prodhimi i pijeve të tjera të fermentuara të padistiluara.

Ndërkaq me nga një biznes është për përpunimin e  lëngut të frutave dhe perimeve, prodhimi i makaronave, shpagetave dhe produkteve të ngjashme nga mielli dhe përpunimi i erëzave dhe salcave.

Në Ferizaj, është e dalluar industria e përpunimit të drurit. 

“Në komunën tonë janë gjithsej 126 bletarë me mbi 30 koshere gjithsej 7847 koshere, ferma të lopëve me mbi 5 krerë janë gjithsej 198 fermerë me një numër prej 3781 krerë lopë, ferma të deleve janë 39 fermerë me mbi 30 krerë, gjithsej 13469 krerë dele, ferma të pulave janë 7 me mbi 2000 copë gjithsej 79650 copë pula”, thuhet në përgjigje.

Shpenzimet e zyrtarëve komunalë të Ferizajt 

KALLXO.com ka siguruar nga komuna të dhënat e shpenzimeve të zyrtarëve komunalë të Ferizajt, si në transport ashtu edhe në shërbime telefonike.Sipas këtyre të dhënave, kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, gjatë vitit 2018 ka shpenzuar 105 litra karburant, përderisa një vitë më parë pati hargjuar 912 litra karburant për veturë.

Vetëm në  periudhën janar – qershor, ai ka shpenzuar 154 litra karburantë. 

Nënkryetari i komunës, Arton Gavazi, vetëm gjatë peridhës janar – qershor 2020 ka shpenzuar 220.01 litra karburantë për veturën e tij, përderisa në vitin paraprak ai pati hargjuar 525 litra.

Nga ana e administratës, në vitin 2018  u shpenzuan 19.840 litra karburantë, në vitin 2019, 16.058.4 litra karburantë.

Ndërkaq në periudhën janar- qershor 2020 u shpenzuan 5481.78 litra karburantë. Ndër vitet e fundit, komunarët e Ferizajt kanë shpenzuar edhe përmes telefonëve.

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).