Qytetarët e margjinalizuar në betejën me CoVid-19

Në debatin televiziv të BIRN “Jeta në Kosovë” të enjten, ministra, deputetë e pjesëtarë të shoqërisë civile nga komunitetet e ndryshme në Kosovë, iu përgjigjen kritikave që kanë të bëjnë me rrezikun e prekjes me Covid-19, nga qytetarët më të margjinalizuar në Kosovë, komunitetet, si dhe si ndikon në mbijetesën e tyre ky virus.

Në hulumtimin e BIRN të paraqitur në këtë emision është vënë në pah se shumica e komuniteteve të Kosovës, kanë mungesë të pajisjeve mbrojtëse, mungesë të mbështetjes të institucioneve të Kosovës, e informatat e vetme për këtë virus i kanë marrë prej mediave.

Brengë tjetër e këtyre qytetarëve, gjatë kësaj kohe të vështirë të pandemisë është edhe mungesa e informatave të vazhdueshme në gjuhët e tyre si gjuhën rome, serbe, boshnjake dhe turke.

Lidhur me këtë kanë dëshmuar qytetarë dhe aktivistë nga Peja, Fushë Kosova, Prizreni, Komorani, Vitomirica e Klina.

Ata janë të informuar për coronavirusin, e edhe për masat prandaluese, por të gjithë këta qytetarë ndanë të njëjtën brengë: mungesën e pajisjeve mbrojtëse siç janë maska, dorëza, por edhe frika për sigurimin e  ‘bukës së gojës’, që të vetmen mundësi e kanë ta sigurojnë nga puna e përditshme.

Koordinim jo i duhur i Qeverisë për ndihmën e komuniteteve

Veton Berisha

Gjatë debatit “Jeta në Kosovë”, zyrtarë të shoqërisë civile e deputetë kanë ngritur çështjen e pakove të asistencës sociale për të varfrit.

Përfaqësuesit e parlamentit dhe deputetët nuk u pajtuan në lidhje me ndarjen e buxhetit dhe përkrahjen e komuniteteve.

Bashkim Ibishi, drejtor ekzekutiv në organizatën “Advancing Together” tha se pakot e asistencës sociale janë emergjente, kurse sipas tij me pandeminë e coronavirusit, persona të ndryshëm po tentojnë të përfitojnë poena politike.

“Shumë keqpëdrorime janë duke ndodhur prej ndihmave humanitare. Janë duke e keqpqedor pandeminë, për disa poena politikë. E kemi shtabin e emergjencës në Fushë Kosovë, paradite janë subjekte politike, pasdite aktivistë që dorëzojnë dorëza e maska, për mua është e papranueshme”, tha Ibishi në “Jeta në Kosovë”.

Kurse, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Partia Liberale Egjiptiane, Veton Berisha tha se ka kërkuar nga Qeveria aktuale të ndajë fonde shtesë për komunitetet që të luftojë pandeminë, por se sipas tij një gjë e tillë nuk ka ndodhë.

“Unë me 14 të këtij muaji e kam paraqit gjendjen e këtij komuniteti në tërësi, pos masave që i kam përshëndet kam kërkuar mbështetje buxhetore institucionale nga direkt kryeministri në Kuvend dhe nga qeveria dhe njerëz brenda Qeverisë është kërkuar me shujtë dhe me votu buxhetin, por asnjë cent për situatën aktuale”, tha Berisha.

“Se kam votuar buxhetin sepse nuk ka pasur asnjë linjë buxhetore që është paraparë për këto komunitete (rom, ashkali, egjiptian)”, ka shtuar ai.

Sipas Berishës, Veton Berisha me datën 20 i ka dërguar letër kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit dhe e ka lajmëruar për gjendjen e komuniteteve.

“I kam tregu se gjendja është alarmante, rreth 15 mijë familje janë në gjendje të rendë ekonomike edhe nuk kanë qasje në ujë, jetojnë me mbeturina. Bëhet thirrje me i pastru duart, derisa njerëzt jetojnë mbi papastërti”, tha deputeti.

Sipas Berishës, ministrja e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Emilja Rexhepi, boshnjake, nuk po bëhet ‘zëri’ i komuniteteve romë, ashkali e egjiptian në Shtabin e Emergjencave të Qeverisë.

“Asnjëherë këto komunitete nuk janë diskutuar. Gjendja e tyne s’është trajtuar, akoma s’kam një përgjigje zyrtare në raport me këtë (letrën e dërguar te kryeministri)”, tha Veton Berisha.

Emilija Rexhepi

Në anën tjetër, ministrja e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Emilija Rexhepi nuk u pajtua me deputetin, Veton Berisha duke ia përkujtuar që ai nuk e kishte votuar buxhetin që e ka propozuar qeveria e Kosovës në parlament.

“Vetëm dua të mohoj kolegët e mi të cilët thonë fakte të cilat nuk janë të sakta. Për arsye që si pikë e parë Qeveria nuk ka pasur buxhet, si fillim na është dashur të aprovoni buxhetin”, tha Rexhepi.

“Unë i kam vizituar edhe komunat e izoluara. Klinën, Vitinë, Malishevën… asnjë politikan nuk ka shkuar atje. Do të thotë se Kryetarët e komunave janë aq mirë të organizuar nën kufijtë e mundësive të tyre, nuk mund të kërkojmë prej tyre diçka për të cilën nuk kanë pasur buxhet, nuk kanë pas mundësi fare të funksionojnë (derisa nuk është aprovuar buxheti)”, shtoi ai.

Sipas saj, nuk ka nevojë për panik sepse ka mjaftueshëm rezerva shtetërore.

“Do të thotë punojmë qetë, nuk bëjmë panik, ka lidhje në të gjitha komunat, miell ka, kemi fituar fond të madh nga shteti i cili do të përdoret për ndihmesa mjekësore e cila do të ndahet. Shikoni, për 10 ditë prej paraqitjes së koronavirusit në shtetin tonë, kemi bërë gjithçka që ka qenë e nevojshme”, tha Rexhepi.

Në anën tjetër, gazetari serb, Budimir Niçiq tha se nga komuniteti serb janë testuar 11 persona, por që sipas tij të gjithë kanë rezultuar negativ.

“Janë rreth 100 njerëz që gjenden në izolim në Graçanicë dhe janë njerëz që kryesisht kanë ardhur nga Serbia gjatë kësaj jave, të cilët kanë marrë rekomandim të qëndrojnë në shtëpitë e tyre. Policia shpesh i përcjell dhe shihet që janë aty”, tha Niçiq.

Sa i përket problemeve me ushqimin, ai shprehet se komuniteti në këtë qytet nuk e ka këtë problem.

“Në përgjithësi njerëzit nuk kanë problem të tilla. Natyrisht ekzistojnë njerëzit e kërcënuar ndaj këtij virusi, siç janë të moshuarit dhe të varfrit. Por, janë formuar disa shtylla mbrojtëse, komuna e Gracanicës i ka formuar”, tha Niciq.

Publiku ngre shqetësim në lidhje me planet e qeverisë

Budimir Niçiq

Pjesëtarë nga audienca, pjesëmarrës në këtë debat, ngritën pyetje në drejtim të Qeverisë se çfarë plani kanë për komunitetet për mbrojtjen ndaj koronavirusit si dhe sa kanë informacione për testim të komunitetet egjipitian, ashkali dhe rom.

“Mundet me u shkaktu një krizë humanitare duke e pasur parasysh faktin se njerëzit e komuniteteve janë të papunë dhe janë të varur nga ekonomia ditore”, ka thënë Isak Skenderi, aktivist i shoqërisë civile nga Graçanica.

Kurse, ministrja e Administrimit dhe Pushtetit Lokal tha se ka kërkuar në qeveri që të bëhet një fond i veçantë për të varfrit, për të gjithë të varfrit, jo vetëm për komunitetet romë, ashkali dhe egjiptian.

“Për të gjithë popullatën e Kosovës, për të gjithë qytetarët e Kosovës”, shtoi ajo.

Mungesa e informacioneve në gjuhën e komuniteteve

Pjesëmarrësit në këtë debat po ashtu shprehën brengën edhe për mungesën e informacioneve në gjuhët e tyre për Covid-19.

Studenti nga Banja e Pejës, Tarik Mushiq kërkoi të di nga ministrja, Emilija Rexhepi se çfarë masa janë marrë në vendet ku jetojnë boshnjakë për vetëdijesimin mbi coronavirusin.

Rexhepi tha se komuniteti boshnjak ende nuk e ka komunën e vet, që sipas saj do të mund t’i drejtohej kryetarit të komunës.

“Por, edhe pse jemi prezentë në të gjitha qytetet e Kosovës dhe jetojmë aty, jemi të përqendruar më së shumti dhe veprojmë më komunën e Prizrenit dhe jemi në kontakt të përhershëm me ta”, shtoi Rexhepi.

Darko Dimitrijeviq nga Peja ka përmendur po ashtu mosrespektimin dhe mungesën e përkthimit zyrtar të deklaratave zyrtare nga Qeveria e Kosovës, të cilat sipas tij vijnë me vonesë  tek komuniteti serb.

“Ajo që vjen te ne, përgjithësisht vjen nga mediat lokale serbe në Kosovë, e prej institucioneve të Kosovës na vijnë deklaratat me vonesë”, tha ai.

Dushan Radakoviq, që jeton në Mitrovicë të Veriut pati një pyetje në drejtim të panelistëve, se nëse shkon në Prishtinë të kontrollohet, a ka kush fletë me të në gjuhen serbe.

Për këtë, Bashkim Ibishi, drejtor ekzekutiv në organizatën “Advancing Together” tha se është i sigurt se po.

“Ekziston një ekip që merret me këtë çështje dhe e di se ka mjekë në spitalin e Prishtinës që flasin serbisht”, tha ai.

Smajl Demaj, student nga Klina tha se kryetari i kësaj komune ka kërkuar nga ministrja, Emilija Rexhepi materiale si për spital por edhe rezerva, por sipas tij ato kanë kaluar ‘në vesh të shurdhër’.

Në lidhje me këto pyetje të adresuara, ministrja e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Emilija Rexhepi tha se njoftimet nga ministria e saj janë në të gjitha gjuhët.

“Unë gjithmonë sigurohem që çdo njoftim që e bëjmë nga niveli qendror dhe çdo njoftim  të cilin unë ia kam dorëzuar 38 kryetarëve të komunave është në gjuhën shqipe dhe serbe dhe këtë s’mund ta mohoni”, tha ministrja.

“E pastaj, sa ju njoftojnë kryetarët e komunave pastaj juve si popullatë serbe në ato komuna ajo u përket atyre. Ju gazetarët, sektori civil qytetarët duhet të vendosni për këtë. Por mos thuani që Qeveria e Kosovës nuk jep informata në sërbisht sepse unë, në mënyrë decidive punoj në këtë dhe aq shumë e maltretoj sistemin tonë të përkthimit në ministri”, shtoi Rexhepi e cila fliste boshnjakisht gjatë tërë debatit.

Kurse, gazetari serb, Budimir Niciq tha se njoftimet nga ministria e Rexhepit vijnë në të gjitha gjuhët, por sipas tij “në këto 10-15 ditë sa po zgjatë kjo krizë,  unë kam marrë vetëm 4 njoftime në gjuhën serbe nga Institucionet e Kosovës”.

“2 nga Qeveria dhe 2 nga MPB-ja. Nga kabineti i Qeverisë një ditë me vonesë dhe nga ministria juaj. Kurse, kam marrë ndoshta 20-30 vetëm në gjuhën shqipe”, shtoi Niciq.

Sipas tij, në konferenca për shtyp të ministrisë së shëndetësisë nuk ka përkthim në asnjë gjuhë të komuniteteve.

“Ministri i Shëndetësisë mban konferencë, nuk ka përkthim. Kolegia e pyet pse nuk ka përkthim, ai thotë se ju premtoj se nuk do të përsëritet. Ky është problem”, tha gazetari serb.

 

“Kjo seri e debateve është mbështetur dhe financuar nga UNMIK. Programi pasqyron vetëm pikëpamjet e individëve.”