Qytetarët e Dinë që S’ka Ujë në Prishtinë! (TV)

Shaban Rexhepi, banor i lagjes “Kodra e Trimave” në Prishtinë thotë se ai dhe familja e tij, pas rënies së nivelit të ujit për mungesë reshjesh në liqenet e Batllavës dhe Badovcit, nuk po e përdorin për pije ujin e ujësjellësit publik të kryeqytetit.

“Më shumë po e blejmë, se nuk e ka cilësinë, për me pastruar po, ama për me pi jo, më shumë po e blejmë”, thotë Rexhepi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ndërsa Hasije Selishta nga lagjja pranë parkut të kryeqytetit tregon se ujin e ujësjellësit nuk e pi direkt.

“Mendoj se është i dobët, zakonisht duhet të vlohet uji dhe pastaj të pihet”, thotë Selishta.

Arjeta Mjeku, zëdhënësja e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, mohon që cilësia e ujit të pijes të jetë rrezikuar me zvogëlimin e sasisë së tij.

“Jemi duke e monitoruar vazhdimisht edhe kualitetin e ujit të pijshëm dhe deri në këtë moment kur edhe po flasim, cilësia e ujit është shumë e lartë, është 100% konform standardeve të  lejuar”, thotë Mjeku.

Por në një konferencë për gazetarë, të mbajtur nga kryetari i Prishtinës të mërkurën, ku u fol për problemet e furnizimit me ujë të kryeqytetit, Shpend Ahmeti përmendi edhe ankesat e qytetarëve për cilësinë e munguar të ujit.

“Kemi ankesa të vazhdueshme nga qytetarët e Prishtinës në lidhje me cilësinë e ujit,  të cilët ankohen edhe në aromën e ujit”, tha Ahmeti. Por zëdhënësja Mjeku, tha se vazhdimisht merren mostra nga të dy liqenet, për ta analizuar cilësinë e ujit.

Reduktimet e reja nisin të hënën

Ujësjellësi Rajonal “Prishtina”, ka paralajmëruar reduktime më të ashpra të ujit në kryeqytet që nga e hëna e ardhshme.

“Ne i kemi paralajmëruar të gjithë qytetarët se nëse deri me datën 1 shkurt do  të ketë mungesë të reshjeve, atëherë ne do të fillojmë me orar të ri të reduktimeve për këtë situatë emergjente, andaj njoftojmë të gjithë qytetarët se që nga e hëna kemi një orar të ri të reduktimeve”, shpjegon Mjeku.

Orari i reduktimeve nëpër lagjet e Prishtinës do të jetë nga ora  10 – 14  si dhe nga ora  21:30  deri në ora 5 të mëngjesit. Kurse ujë do të ketë vetëm nga ora 05 – 10 të mëngjesit si dhe nga ora 14 – 21:30 të mbrëmjes.

Një orar i tillë do të përfshijë sheshin “Nëna Tereze”, rrugët “Luan Haradinaj”, ”Fehmi Agani”, “Agim Ramadani dhe rrugën e “Tiranës”, Lagjen”Ulpiana” nga Bulevardi i Kombit deri te Spitali i Prishtinës, lagjet”Dardania” e “Lakrishte”, një pjesë e lagjes “Kalabria” dhe lagjen “Tophane”

Qytetarët janë vetëdijesuar

Shpend Ahmeti, tha se reduktimet nuk janë zgjidhje, ndërsa shtoi se prej tyre humbin deri 5 milionë litra ujë në vit.

“Gjatë kohës kur ka reduktime, qytetarët i mbushin rezervuarët, vaskat në banjo, shishet dhe të gjitha që i kanë si rezerva, prej frikës së mbesin pa ujë dhe në momentin që vjen uji ato që nuk i kanë shfrytëzuar i hedhin prapë dhe në këtë mënyrë nuk e dimë në asnjë mënyrë se çfarë efekti ka reduktimi në ruajtjen e nivelit të ujit”, tha Ahmeti.

Shaban Rexhepi e Hasije Selishta thotë se reduktimet janë të shumta, por të pranueshme, për shkak të gjendjes në të cilën ndodhen liqenet.

Edhe Arjeta Mjeku nga ujësjellësi, thotë se qytetarët janë vetëdijesuar.

“Brenda një dite pune ne kemi pasur ankesa të shumta se pse kemi reduktime në këtë lagje dhe pse kemi reduktime në atë lagje. Është shumë interesante që vetëdijesimi i qytetarëve në këtë kohë është  më i larti që mbahet mend, sepse në Drejtorinë e Ujit që e kemi në Prishtinë thirrjet janë minimale”, thotë Mjeku.

Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti  të martën për problemet e furnizimit me ujë të kryeqytetit i shkroi kryeministrit Thaçi, duke kërkuar investime në këtë fushë nga qeveria. Ai i përmendi fondet e kërkuara nga ekzekutivi, edhe të mërkurën.

“ Ne kërkojmë fonde shtesë, në kanalizim dhe ujësjellës në Prishtinë, strategjia për ujin të përfshijë sa më parë zgjidhje alternative dhe emergjente sidomos sipas skenarëve të thatësirës dhe vendosjen si prioritet të rishikimit të buxhetit të vitit 2014 për çështjen e investimeve të pjesshme dhe të plota në regjionin e Prishtinës”, tha Ahmeti.

Lidhja Demokratike e Kosovës, kandidati i së cilës Isa Mustafa u mposht nga Shpend Ahmeti në balotazhin e  1 dhjetorit 2013, reagoi po të martën ndaj kërkesës së kryetarit të Prishtinës për ndihmë nga qeveria rreth tejkalimit të krizës së furnizimit me ujë të pijshëm.

LDK-ja me anë të një komunikate, i kërkoi Ahmetit realizimin e premtimit për furnizim 24 orë me ujë të pijes, duke e konsideruar kryetarin aktual të kryeqytetit mashtrues të qytetarëve.

Ahmeti që mori detyrën e të parit të Prishtinës në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, ka premtuar furnizim të pandërprerë me ujë për lagjet e Prishtinës, pas njëzet e katër muajsh nga marrja e mandatit.

Një takim ndërministror është mbajtur me 5 shkurt në lidhje me problemin e ujit të pijshëm në rajonin e Prishtinës dhe të Gjilanit, në të cilin është propozuar që të bëhen grupe punuese me të gjithë sektorët e ujërave të Ministrive dhe drejtorive komunale, për të hartuar  një program me masat që duhet marrë për tejkalimin e situatës.

“Brenda kësaj jave besoj që hartohet programi i masave që duhet ndërmarrë dhe prej javës tjetër do të lëshohet në aktivitet”, thotë për gazetën Jeta në Kosovë, Naser Bajraktari, drejtor i Ujërave në Ministrinë e Mjedisit.

Sipas Bajrajtarit zgjidhje alternative për daljen nga kriza emergjente e ujit është edhe shfrytëzimi i puseve dhe hapja e puseve të tjera.

Në lidhje me krizën e ujit e cila  mendohet se do ta përfshijë kryeqytetin, Bajraktari thotë se  janë vetëm prognoza.

“Nëse shkojmë me një keqmenaxhim  si nga ana e ujësjellësit si nga qytetarët , mund të ndodhë që të kemi krizë të ujit, përndryshe jo, sepse raportet e Ujësjellësit kanë treguar për humbje të mëdha të ujit”, tha Bajraktari.

Lumi Kaçanoll si shpëtim

Ahmeti përmendi puset e ujit në Fushën e Pajtimit dhe lumin Kaçanoll, si mundësi të shtimit të sasisë së ujit për Prishtinën.

Po flasim dikund për 600 litra në sekondë, mund të bëjmë edhe planifikimin e sasive të cilën e reduktojmë për 10% dhe na del se nga ky burim mund të mblidhen dikun 14 milionë metra kub të ujit në vit”, shtoi Ahmeti.

Reduktimet do të riorganizohen edhe në Podujevë.

Orari i ri i reduktimeve në qytetin e Podujevës do  të jetë nga ora 10 – 13:00 dhe nga ora 18 – 06  të mëngjesit, ndërsa furnizimi do të jetë nga ora 06 – 10  si dhe nga ora 13 – 18.