Lumir Abdixhiku dhe Doarsa Kica Xhelili/ Foto: Lumir Abdixhiku- Facebook

Qysh qëndrojnë numrat në Kuvend pas kalimit të Doarsa Kica Xhelilit në LDK

Largimi i Doarsa Kica Xhelilit nga “Lista Guxo” në drejtim të LDK-së, pritet ta lë grupin parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje me një anëtar më pak.

Nga 59 deputetë sa e la sesionin pranveror të Kuvendit, ai vjeshtori pritet ta gjejë Vetëvendosjes me një më pak, 58 deputetë.

Në fakt, nga votimet e 14 shkurtit të vitit të kaluar, kaq ishte numri i deputetëve që kishte fituar koalicionit LVV – Lista Guxo. Ky numër ishte rritur për një, kur deputetja e zgjedhur nga radhët e PDK-së, Adelina Grainca kishte vendosur t’i bashkohet Vetëvendosjes, në ditën kur Vjosa Osmani po votohej për presidente.

Me kalimin e deputetes Kica Xhelili në LDK, ky grup parlamentar pritet t’i ketë 16 deputetë. Ndërsa, Partia Demokratike e Kosovës ndonëse kishe fituar 19 ulëse në Kuvend, me largimin e Graincës, do të vazhdojë t’i ketë 18 deputetë.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës përfaqësohet me 8 deputetë, Lista Serbe përfaqësohet me 11 ulëse, grupi multietnik me 8 ulëse si dhe një deputet pa grup.

Deputetja Kica Xhelili, në këtë legjislaturë, është kryetare e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal.

Sipas rezultateve përfundimtare të shpallura në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Kica – Xhelili ka fituar 10 mijë e 609 vota.

Deputetja Kica Xhelili i ishte bashkuar e Iniciativës së Vjosa Osmanit në listën “GUXO”, dhe garoi në listën e LVV-së në zgjedhjet e fundit.

Aktualisht në grupin e Lëvizjes Vetëvendosje kanë mbetur si deputetë të “Listës Guxo”, Burim Karameta, Ekrem Mustafa, Haxhi Avdyli e Jeta Statovci.

“Lista Guxo” më 4 shkurt zyrtarisht ishte regjistruar si parti politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Largimi i Kica – Xhelilit, kishte nxitur një postim në Facebook, të ministrit dhe anëtarit të partisë, “Lista Guxo”, Faton Peci duke thënë se largimet tjetërsojnë vullnetin e qytetarëve.

“Kush synon tjetërsimin apo kontrabandimin e vullnetit të qytetarëve, i bashkohet atyre që janë pjesë e erës së përfunduar në politikë”- ka shkruar Peci ku ka bashkangjitur edhe një fotografi me kryetarin e “Listës Guxo” Donika Gërvalla dhe presidenten e vendit, Vjosa Osmani.

Më 7 shtator, “Lista GUXO” kishte zgjedhur strukturat e reja. Kjo parti do të udhëhiqet nga dy kreytarë – Faton Peci dhe Donika Gërvalla.