![](https://kallxo.com/wp-content/uploads/2021/04/IMG_3295-01-720x480.jpeg)
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com / 27.04.2021
'Qysh kemi ardhë deri tek liria?' - Kujtesa e cenuar tek gjeneratat e reja
Të rinjtë në Kosovë sfidohen nga mungesa e informacionit për drejtësinë tranzicionale dhe krimet e luftës. Të rinjtë të cilët janë lindur pas vitit 2000 kanë konfirmuar se informohen për të kaluarën nga një gamë burimesh, përfshirë familjen, mësimdhënësit, komuniteti, rrjetet sociale dhe mediat, por këto burime nuk janë të plota dhe shpeshherë janë të mjegullta.
Për të kuptuar nivelin e informacionit tek të rinjtë për drejtësinë tranzicionale dhe krimet e luftës autorja e tekstit ka intervistuar 20 të rinj të cilët kanë lindur pas vitit 2000.
Arsyeja e përzgjedhjes së këtij viti, konsiston në faktin se të rinjtë e lindur pas vitit 2000 nuk kanë pasur përjetime konkrete të krimeve të luftës dhe si rrjedhojë qëndrimet për ngjarjet ata duhet t`i krijojnë nga informacionet e rrethit. 10 djem, 8 vajza dhe dy profesorë nga komunitetet shqiptare, serbe rome dhanë përgjigje në pyetjet e hulumtimit.
Në gjenerale të rinjtë nuk ndihen kompetent për të folur për temën, bazën e informacionit e kanë në burime alternative si gojëdhënat apo mediat. Familjet shmangin debatin për krimet e luftës ndërsa mësuesit që ligjërojnë temën japin informacione bazuar në përvojat personale. Nga të intervistuarit është kuptuar se bibliotekat, muzetë dhe shkollat nuk janë burime për informacion për drejtësinë tranzicionale, ndërsa edhe gjinia luan një rol të rëndësishëm në interesimin për temën.
Hezitimi për të dhënë mendim për të kaluarën
Vrojtimet e nxjerra nga ky hulumtim vënë në pah se të rinjtë dhe të rejat hezitojnë të flasin apo të përfshihen në intervista që prekin tema të së kaluarës.
“Pata pak pasiguri me të thanë po për intervistë, më vijke marre, se thojsha nuk di gati sen hiç. Thojsha është shumë temë e rëndësishme për me ditë, e unë s`po di gati sen, e nuk bon pa ditë. Ama edhe unë e kam vërejtë moti që jam shumë detached prej kësaj teme, pos kur më ka ra najhere me punu në terren” – thotë 20 vjeçari nga Prishtina, i intervistuar për hulumtimin.
Nga analizimi i përgjigjeve mund lehtësisht të konstatohet se tek gjeneratat e lindura pas vitit 2000, rrëfimet e bartura nga familjarët dhe historia orale janë mekanizmat kryesorë përmes së cilëve krijohet, në radhë të parë, dhe bartet, në radhë të dytë informacioni për të kaluarën.
Njohuritë që kishin të intervistuarit nga Krusha e Madhe, Gjakova apo Mitrovica, ishin më shumë mekanike dhe bazike, të bartura vetëm si rrjedhojë e praktikave familjare të të kujtuarit përmes homazheve të dëshmorëve, jo aq përmes të rrëfyerit.
Të intervistuarit nga këto vende nuk ishim diçka më shumë të gatshëm të ofrojnë këndvështrime mbi kujtesën e tyre për të kaluarën, siç ishte përjetuar në kuadër të familjes, fshatit apo qytetit të tyre.
Në aspektin e kujtesës ndër-etnike, përjetimet ishin të ngjashme, pasiqë edhe të rinjtë kosovarë, serbë dhe romë theksonin se nuk ju flitet mjaftueshëm për të kaluarën dhe se nuk marrin informata të denja, aq sa do të donin. Njëlloj, edhe të rinjtë e këtyre komuniteteve kërkonin të dijnë më shumë për “përvojat e njerëzve të zakonshëm”.
Të dhënat nga analizimi i intervistave tregojnë se vajzat mëtonin të flisnin dhe të hulumtojnë më tepër në lidhje me përdhunimet e grave, ndërsa djemtë, kishin tendencë të flisnin më shumë heroizmave të dëshmorëve të rënë.
Shkollat burim jo-primar për informacionet
Shkollat dhe institucionet arsimore, duket se kanë rol tejet të mjegullt në qartësimin e së kaluarës. Të intervistuarit, kanë shprehur se ndjehen “pezull”, “të pa sigurtë”, apo “të paditur” në raport me përvojat nëpër të cilat kanë kaluar gratë dhe burrat, fëmijët, të moshuarit, kosovarë e serbë, romë, ashkali e egjiptianë, si pasojë e krimeve të luftës.
Të rinjtë kanë vlerësuar se ndër vite, nëpër shkolla kanë gjetur vetëm aspektin formal të të shpjeguarit të historisë, përmes homazheve në ditë të shënuara dhe atribuimit të disa orëve të para historisë së disa dëshmorëve. Sidoqoftë, ata thonë që arsimtarët e tyre po ashtu nuk e kanë pasur çdoherë gatishmërinë për të diskutuar më thellë në lidhje me temën.
Të intervistuarit kanë potencuar se kurdo që është diskutuar për ngjarjet dhe krimet e luftës mësimdhënësit, ligjërimet e tyre i kanë bazuara në përvoja personale apo mendime të tyret personale për mënyrën se si kanë rrjedhur ngjarjet, jo në të atilla që kanë pasur bazë faktike.
Bazuar në përvojat e kumtuara, në shumicën e rasteve, kapitujt mbi Kosovën nëpër libra të historisë së shkollave të mesme nuk kanë mbërri fare të diskutohen apo janë diskutuar në mënyrë sipërfaqësore. Librat e historisë me të cilët ligjërohet në shkolla të mesme, të drejtimit shoqëror e natyror, ofrojnë fare pak perspektivë mbi të 90-at dhe kontekstin politik jugosllav, prej të cilit Kosova doli me beteja të armatosura. Një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga mësimdhënësit, arsimtarë të historisë në shkolla të mesme të Prishtinës, të cilët kanë vlerësuar se në tri vite ligjërim të historisë, nxënësit e shkollave të mesme mësojnë më pak se 30% histori kombëtare, dhe rreth 70% histori botërore.
“Te ne arsimtarët i kanë shpjegu ngjarjet e luftës sipas pikëpamjeve të tyre personale, qysh kanë mendu që kanë qenë ngjarjet vetë, po jo me e shpjegu atë si mësim, si histori”. E intervistuar, 22 vjeçare, Gjakovë, maj 2024.
Libri nuk është vlerësuar si burim kyç i marrjes së informatave prej asnjërit prej të të intervistuarve.
Në Gjimnazin e Shkencave Natyrore në Prishtinë, ‘Sami Frashëri’, nxënësit kanë lëndë të historisë vetëm në vitin e tyre të parë. Sipas mësimdhënësit të kësaj lënde, Ibush Llapashtica, libri i cili përdoret për të ligjëruar lëndën ka informata minimale në raport me krimet e luftës, duke e centralizuar tërë rrjedhën e ngjarjeve në një gjysmë faqe të librit, e cila kryesisht fokusohet në daljen në skenë të UÇK-së, sakrificën e Jasharajve dhe krijimin e strukturave të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Profesori Llapashtica thekson se e ndien për detyrë çdo vit, të dalë jashtë planprogramit, dhe të shpjegojë për krimet e luftën bazuar në njohuritë vetanake.
“Është sfidë e madhe, sepse unë vetë e kam përjetu edhe di me e rrëfye historinë, si i burgosur politik. Ka me qenë vështirë për mësimdhënësin nesër – pasnesër, që nuk e ka përjetu luftën, me ligjëru për luftën, bazu në këtë gjysmë teksti që e ka në libër, në mungesë të materialit” – thotë profesori Llapashtica.
Ndërkaq në Gjimnazin e Shkencave Shoqërore, ku historia mësohet në të tri vitet janë të njëjtat probleme. Në klasën e 13-të vetëm një njësi mësimore e cila vetëm përgjithësisht flet për luftën. Historia tri faqëshe mbi luftën e Kosovës, trajtohet në kuadër të kapitullit XVII. Kosova nën Jugosllavinë Federale, Përpjekjet për Pavarësi – Lindja e një shteti të ri Europian. Njësia mësimore mbi luftën, diskuton përgjithësisht: paraqitjen publike të UÇK-së, luftën e Jasharajve dhe përfundon me sulmet ajrore të NATO-s. Libri, nëpër të tëra njësitë mësimore, përmban një kornizë ku inkurajohet hulumtimi i mëtutjeshëm: “mësojmë duke mësuar në internet”. Në raport me krimet e luftës në Kosovë, nuk rekomandohet asnjë literaturë shtesë. Nxënësit lihen të ekspozuar ndaj informatave të cilat ata mund t’i gjejnë vetë online. Libri nuk ofron ndonjë perspektivë mbi kontributin e grave shqiptare në luftën e UÇK-së, mirëpo inkurajon nxënësit që “me ndihmën e fjalëve kyçe si Zahide Jashari, Xhevë Lladrovci, të kërkojnë në internet dhe të hartojnë një ese mbi kontributin e grave në UÇK”. Libri përmend që ka pasur masakra, por nuk e liston asnjë. Në shumicën dërmuese të pjesës ku duhet të listohet literatura përkatëse, libri shënon: Kërkoni në internet. Profesori Enver Llumnica ligjëron historinë në Gjimnazin ‘Ahmet Gashi’ në Prishtinë. Ai konfirmon defiçiencën e kurrikulës në mësimet e historisë.
“Qysh me ditë ata, qysh me pritë prej tyre që me qenë më të interesuar për historinë tonë, kur ata s’kanë as ku me i marrë informatat për çka ka ndodhë. S`ka as libra, as literaturë, as dokumentim”- thotë profesori Llumnica.
Libri i Historisë i klasës së 10, të Gjimnazit të Shkencave Natyrore (Matematikë dhe Informatikë) është lejuar për përdorim së fundmi në vitin 2018, nga MASHTI. Libri në përmbajtjen e tij ka një njësi mësimore të quajtur “Lufta Çlirimtare e Kosovës”. Ky libër përfshin diç më shumë informata mbi masakrat e luftës, dhe shkurtimisht ofron disa statistika mbi numrin e të vrarëve, të zhdukurve e të zhvendosurve. Kësaj njësie i janë dedikuar vetëm një faqe e gjysmë. Ngjashëm, edhe ky libër fokusohet në daljen në skenë të UÇK-së, hyrja e trupave të NATO-s dhe themelimi i LDK-së. Kjo njësi mësimore diskutohet në kuadër të kapitullit 56, Kosova në vitet 1945-1989.
Mësimdhënësit shprehin se është bërë tejet e vështirë të shpjegojnë rrjedhën e ngjarjeve që sollën deri tek shpallja e pavarësisë, meqenëse nxënësit që vijnë në nivel të mesëm shkollor kanë pothuajse zero njohuri dhe interes në raport me ngjarjet e para 25 viteve.
Mekanizmat e bartjes së kujtesës kolektive dhe krijimit të diskursit
Nga intervistat e zhvilluara lehtë konstatohet se të formësuarit e diskursit në raport me përjetimet e së kaluarës në Kosovë është zhvilluar kryesisht nëpërmjet rrëfimeve të bartura nga familjarët e ngushtë, familja e gjerë apo komuniteti.
“Gjyshi ka qenë aktivist, janë mbajtë shumë mbledhje në atë shpi ku nana e gjyshi janë rritë. Ai ka shkru edhe vepra, edhe jam ekspozu ndaj informacioneve prej tyre, nanës e gjyshit, shembull, qysh kanë ikë, me migru. Por kisha pas shumë dëshirë me ditë “by book”, se çka ka ndodhë. Përvojat personale të familjarëve të mi nuk janë të mjaftueshme, dua me ditë tërë pikturën e ndodhive” – thotë njëra nga të intervistuarat nga Prishtina.
Pasi që listojnë rrëfimet familjare si pikë parësore nga ku të rinjtë krijojnë idetë e tyre fillestare mbi të kaluarën, ata listojnë internetin si një platformë kyçe që i kontribuon bartjes dhe formësimit të kujtesës së tyre.
“Në Tik-tok, Instagram, më ka ra me pa serbë, që thojnë që Kosova ka dashtë me na sulmu neve, ata na kanë ba keq, etj., menjëherë jua kam bo block, se s’dojsha me i pa në feed tem. T’bojke me mendu, çka është në fakt e vërteta, pse na mësojmë ndryshe – ata ndryshe”- thotë 20 vjeçarja nga Prishtina.
Përkundër faktit që të dhënat e paraqitura nëpër këto kanale në shumë raste mund të jenë të paraqitura në mënyrë të njëanshme, të pabazuar apo tendencioze, disa nga të intervistuarit thanë që informatat e marrura nëpër këto kanale i marrin si të mirëqena, dhe rrallëherë tentojnë të hulumtojnë apo verifikojnë tutje vërtetësinë e tyre.
“In school we hardly talk about the war. In the history books, there’s just little about that topic. I mostly hear stories from older people, but i’d definitely like to learn more… and sometimes i want to ask, but i dont really know if i can ask, as i dont want to make people stressed and have them go back to a past that hurts”- thotë 19 vjeçarja serbe nga, Gorazhdevci.
Disa nga të intervistuarit po ashtu i’u janë referuar portaleve të ndryshme dhe mediave, si burimet ku ata marrin informata në raport me luftën, e po ashtu edhe kanaleve nëpër Youtube në të cilat herë-herë gjejnë intervista, incizime, apo rrëfime të të mbijetuarve të luftës.
Organizatat joqeveritare, janë përmendur po ashtu si nxitëse në vazhdimësinë e kujtesës kolektive, sidomos në raport me procesin e ballafaqimit me të kaluarën. Shumë nga të intervistuarit kanë theksuar rëndësinë e vizitave në terren të cilat i kanë bërë me organizata si: Youth Initiative for Human Rights – KS, apo ekspozitat e Fondit Humanitar për Drejtësi Tranzicionale, si dhe publikimet e organizatave si: Medica Gjakova, Rrjeti i Grave të Kosovës, apo iniciativa afat-shkurtra të organizuara nga subjekte jo-formale kulturore.
“Nëpër trajnime po ashtu, [YIHR-KS] na kanë çu në tri vende – familja Berisha në Suharekë, ku e kanë kallxu historinë e tmerrshme, në Grackë e në Poklek”- I intervistuar, 18 vjeç, Prishtinë, 2024.
Librat apo arkivat personale të familjes, në rastet kur të intervistuarit/at kanë pasur familjarë të cilët kanë qenë pjesë e lëvizjeve të caktuara politike të kohës, po ashtu përmenden nga të intervistuarit, mirëpo më rrallë. Libri i cili është cituar më së shumti për efektin që ka pasur tek të rinjtë, në raport me përmbajtjen dhe rrëfimet e përfshira në të, ishte libri “Unë jam Anemone”, me rrëfimet e te mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës, i cili është shkruar nga organizata joqeveritare ‘Medica Gjakova’ në Kosovë.
Asnjë nga 18 të rinjtë e intervistuar, nuk i ka përmendur si mekanizma të krijimit të kujtesës së tyre kolektive mbi të kaluarën: Bibliotekat, muzetë, arkivin apo memorialet ekzistuese në Kosovë, roli i të cilave është pikërisht ofrimi i literaturës përkatëse dhe rikrijimi adekuat i narrativave që kanë të bëjnë me përkatësinë identitare kolektive, kombëtare dhe historike.
Perceptimet e të rinjve mbi lidhshmërinë e tyre emocionale me të kaluarën
Të rinjtë e intervistuar si pjesë e këtij hulumtimi, nuk e kanë përjetuar në mënyrë direkte krimet e luftës. Si rrjedhojë, përsiatjet për të imagjinuar, parafytyruar apo kuptuar kontekstin e saj për ta janë specifikisht më të vështira.
Disa të intervistuar/a kanë pohuar se nuk dëshirojnë të thellohen në temë, për shkak të frikës nga traumat e së kaluarës.
Përkundër që disa prej të intervistuarve kanë pohuar se “nuk mund të imagjinojnë se si të afërmit e tyre kanë qenë kaq pranë vdekjes”, ndërsa konstatohet hezitimi për të diskutuar në familje.
“Shpesh herë i pyes, edhe s’dojnë me hapë këtë temë fare. Babi ma bon, ‘s`ka nevojë me të interesu ty, ajo u kry ma, ishalla s`ndodhë ma asnjëherë’”- e intervistuar shqiptare nga Krusha.
Nga analizimi i përmbajtjes së intervistave del se perceptimet dhe diskursi i të rinjve mbi drejtësinë tranzicionale si përfundim, mëtojnë të jenë të formësuara nga tre faktorë mbizotërues, gjegjësisht, nga: Shkalla e të prekurit nga lufta në nivel të familjes; Gjeografia – vendi i lindjes dhe rritjes i të rinjve të intervistuar; Identiteti gjinor dhe etnik.
Të rinjtë e intervistuar të cilët kishin origjinë nga Drenasi, Llapushniku apo Kosharja dhe të cilët kishin familjarë të prekur nga krimet e luftës, familjarë pjesëtarë të UÇK-së, familjarë ish-të burgosur politikë, aktivistë politikë, etj., kishin më tepër njohuri në raport me situatën. Duket se aspekti gjeografik është ndërthurur në krijimin e perceptimeve dhe kujtesës, me aspektin e përjetimeve personale ndër-gjeneracionale.
Një ndërthurje tjetër e cila nga intervistat del të ketë rol të rëndësishëm në krijimin e kujtesës kolektive është edhe gjinia. Gjinia luan rol në krijimin e kujtesës kolektive tek gjeneratat e lindura pas vitit 2000, në dy aspekte: tek personat që rrëfejnë përjetimet dhe tek subjektet kundrejt së cilëve kumtohen rrëfimet. Në më shumë raste, të intervistuarit/at kanë theksuar se ato që rrëfejnë më shumë mbi krimet e luftës janë kryesisht gratë. Gratë si bartëse dhe gardiane të kujtesës përmenden në shumë raste në literaturë dhe hulumtime akademike, e po ashtu edhe si ruajtëse të praktikave sociale, shpesh herë edhe religjioze, nën kontekste të vështira të ruajtjes së këtyre praktikave.
“Kurrë nuk folë babi për luftë. Unë deri sa i kam ba 15-16 vjet as që e kam ditë që babi u kanë në luftë. Krejt e man mrena, kurrë nuk kallxon, vonë ka folë. Kur u kanë koha e pandemisë, ai tregonte qysh kanë qelë gropë edhe kane nejtë dy muaj në të, ama pak e hiç gati folë. Edhe gjyshi i dajve qashtu, tepër pak folë, veç për bastisje a najsen”- bisedë rasti, 22 vjeçare, shqiptare, Kamenicë, gusht 2024.
“From my mother i can tell it was horrible back in the days, as she tells me what the Serbian police forces did to Albanian people and how they killed” – i intervistuar, 20 vjeç, kosovar serb, Mitrovicë e veriut, shtator 2024.
Njëherit, edhe formësimi i kujtesës duket të jetë i gjinorëzuar. Përderisa vajzat e intervistuara kanë pasur më shumë tendencë të flasin për përvojat e grave, dhunën seksuale, vështirësitë e grave në të kujdesurit për të moshuar e fëmijë, djemtë e intervistuar ishin shumë më të kufizuar në përvojat konkrete të grave, por edhe të burrave, duke përmendur më shumë ndonjë nga masakrat që ka ndodhur, përvojat e familjarëve të tyre burra në ushtri apo “hjekat” e familjarëve të tyre për të migruar nga Kosova nëpër vende të tjera. Vetëm një nga djemtë e intervistuar përmend dhunën seksuale, ndërkaq secila nga vajzat e intervistuara përmend në një mënyrë apo tjetrën dhunën seksuale. Për më tepër, identiteti i përbashkët gjinor duket të ketë pasur një rol të konsiderueshëm edhe në shkëmbimet kulturore me të rinjtë/rejat serbë, nëpër programe të ballafaqimit me të kaluarën. Krahas këtyre perceptimeve, asnjë nga të intervistuarit nuk ka theksuar se di mjaftueshëm për luftën, duke hijezuar madje që dijnë shumë pak, dhe që nuk e njohin të kaluarën aq sa do të donin. Njëra nga të intervistuarat tha: “Nuk mendoj që di ndonjë gjë për luftën, por do të doja të dija gjithçka, sidomos për përjetimet e përfaqësuesve të komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptas”- e intervistuar, rome, 18 vjeçare, shtime, shtator 2024.
Krahas kësaj, nga 18 të rinjtë e intervistuar, vetëm dy kanë qenë të gatshëm të përgjigjen saktë në pyetjen: “Kur ka filluar dhe mbaruar lufta në Kosovë”. Metodologjia përmbante edhe dy-tri pyetje më specifike, në lidhje me numrin e personave të zhdukur apo masakrat më të mëdha. Shumica e të intervistuarve kanë shprehur se nuk janë të gatshëm të japin përgjigje në pyetje specifike dhe se nuk kanë kujtesë të zhvilluar mbi datat, numrin e të vrarëve, zhdukurve, të zhvendosurve apo mbi numrin e masakrave. Njëlloj janë përgjigjur edhe të rinjtë e intervistuar nga vendet ku janë kryer krimet e luftës në Krushë të Madhe apo Gjakovë.
Alternativat e të rrëfyerit të luftës nga një perspektivë rinore
Vizualja vërehet të ketë një rol tejet të rëndësishëm në bartjen dhe krijimin e kujtesës kolektive. Meqenëse për gjeneratat në fjalë, të cilat nuk e kanë përjetuar në mënyrë direkte luftën, parafytyrimi i saj është i vështirë, ata kanë shprehur se aspektet vizuale të rrëfimit shpesh herë e ndihmojnë përsiatjen e tyre për të shënjuar momente të caktuara të kujtesës. Prandaj, shumica e të intervistuarve e kanë renditur artin, filmin, pikturën apo ekspozitat e caktuara si aspektin kyç të bartjes së rrëfimeve dhe përvojave të luftës e po ashtu edhe të ndërlidhjes etnike e kulturore, me komunitetet e tjera në Kosovë.
“Na si shtet si japim rëndësi dokumentimit e filmit. Shteti nuk i përkrahë këto iniciativa.. Shteti, po tenton me kallxu historinë në një formë outdated...” – i intervistuar, shqiptar, 18 vjeçar, Prishtinë, shtator 2024.
“Arti është një prej formave shumë ndikuese, për bashkëpunim ndërkulturor. Edhe për filma, unë kisha pasë qejf me pa një, ku ka përvoja edhe të shqiptarëve edhe të serbëve. Prindërit e mi kanë pas kojshi serbë që janë kanë kundër luftës, kanë ende kontakte bashkë, kashtu që s`bon me i portretizu krejt serbët njëjtë. Se ka pas serbë në Kosovë që e kanë përjetu edhe ata luftën si luftë, si traumë. Ish dashtë me portretizu këtë më shpesh...” – e intervistuar, shqiptare, 22 vjeçare, Prishtinë, korrik 2024.
Të rinjtë dhe të rejat e intervistuara kanë theksuar se roli i historisë gojore është tejet i rëndësishëm në dokumentimin. Në përgjithësi të gjithë kanë rekomanduar që reforma në kuadër të drejtësisë tranzicionale duhet të përfshijë shumë institucione dhe të ngjallë debat për të kaluarën.
Rekomandimet:
- Të rishikohen librat e historisë, me të cilët ligjërohet në shkollat fillore e të mesme, për të përfshirë një narrativë më të thuktë, gjithëpërfshirëse mbi rrjedhën e ngjarjeve, përjetimet dhe krimet e luftës në Kosovë të bazuar në fakte dhe burime të duhura;
- Të kihen parasysh edhe rrëfimet dhe përjetimet e grave dhe burrave serbë, romë, ashkali e egjiptianë, dhe të promovohen rastet e solidaritetit ndër-etnik para, gjatë dhe pas luftës, edhe në kuadër të ligjërimit formal mbi luftën;
- Shkollat të përditësojnë plan-programet e tyre, për të përfshirë më shumë vizita të planifikuara në institucionet dhe organizatat joqeveritare, muzetë, vendet përkujtimore të masakrave e memorialet të cilat bartin trashëgiminë e së kaluarës dhe drejtësisë tranzicionale;
- Të përdoret hulumtimi si një metode nxitëse për nxënës e studentë, drejt informimit dhe mishërimit të studentëve me historinë e ballafaqimin me të kaluarën, duke e vetë-hulumtuar atë;
- Të krijohet një bashkëpunim më i theksuar ndër-institucional mes bibliotekave, muzeve, shkollave dhe universiteteve, drejt stimulimit të nxënësve dhe studentëve për punë praktike apo bursa hulumtuese në raport me literaturën ekzistuese mbi tematikat e dhunës së viteve 90, krimeve të luftës, praktikën muzeale mbi trashëgiminë e luftës dhe ligjërimit mbi të;
- Të ofrohen programe të trajnimit dhe ngritjes së kapaciteteve për mësues, arsimtarë e profesorë, drejtë një ligjërimi të ndjeshëm mbi krimet e luftës, i këtillë që të përfshijë edhe aspekte të përfshirjes gjinore e diversitetit etnik, mes të tjerash;
- Të ofrohen programe të mëtutjeshme trajnimi apo ligjërime joformale në mënyrë që të rinjtë të jenë në gjendje të dallojnë narrativat e dëmshme, të njëanshme, propaganduese e dezinformuese mbi të kaluarën dhe zhvillimet politike në vend e rajon, si tërësi – Të ketë një bashkëpunim më të theksuar mes profesionistëve të kësaj fushe [mediumeve, instituteve] me shkollat dhe institucionet formale edukative, me theks ato të drejtimit shoqëror;
- Të digjitalizohet, përdoret dhe promovohet literaturë më e detajuar në raport me krimet e luftës në Kosovë, apo hulumtime kredibile në këtë fushë, dhe të orientohen nxënësit e studentët në këto të fundit përmes metodave të ligjërimit formal e joformal;
- Të stimulohet të portretizuarit e së kaluarës së dhunshme përmes artit, filmit, pikturës, fotografisë. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të ketë parasysh shpalljen e thirrjeve për hulumtime, ekspozita apo alternativa të ngjashme të cilat përmes artit munden të rikonstruktojnë narrativat, diskursin dhe të rrëfyerit mbi përjetimet dhe krimet e luftës.
Ky hulumtim u zhvillua në kuadër të projektit “Ballafaqimi me trashëgiminë e konfliktit në Kosovë” financuar nga Ambasada Britanike përmes Programit të Kombeve të Bashkuara për zhvillim (UNDP), implementuar nga BIRN Kosovo, dhe si i tillë paraqet vetëm qëndrimet e autores dhe në asnjë formë nuk paraqet qëndrimet e donatorëve.