Qindra Mijëra € për Firmën e Asamblistit të PDK-së

Musaj Hajdari, ligjvënës lokal i PDK-së në Skenderaj është edhe bashkëpronar në “Alfa Trade”, një kompani e derivateve të naftës. 

Qeverisja komunale e udhëhequr nga PDK-ja bëri një marrëveshje me këtë firmë që i sjell përfitime Hajdarit. 

Marrëveshja u bë më 24 mars 2015 dhe parasheh furnizimin me derivate të institucioneve komunale siç janë: Komuna e Skenderajt, Qendra e Mjekësisë Familjare dhe Qendra për Punë Sociale.

Kompania e ligjvënësit të PDK-së parashihet të kompensohet në vlerë prej 250 mijë eurosh për kryerjen e këtij shërbimi. 

Musaj Hajdari është këshilltar komunal që nga viti 2013. 

Para vitit 2007 të njëjtën pozitë e mbante vëllai i tij, Hajdar Hajdari. 

Ai është bashkëpronar në firmë bashkë me Musajn.

Gazeta Jeta në Kosovë ka gjetur se “Alfa Trade” kishte kontratë të furnizimit me naftë me Komunën e Skenderajt edhe në kohën kur Hajdar Hajdari ishte ligjvënës lokal i PDK-së në pushtet.

Tenderin e parë kjo firmë e kishte fituar më 21 mars të vitit 2012.

Në njoftimin për dhënie të kontratës lidhur me këtë tender, të publikuar në KRPP ceket vetëm çmimi për njësi, e jo edhe shuma e përgjithshme e ofertës së “Alfa Trade”.

Kjo firmë kishte ofertuar me 1.27 centë për një litër benzinë. Çmimi i ngjashëm ishte edhe për një litër naftë.  Për një litër vaj motori kishte kërkuar 4 euro e 50 centë,  kurse 2 euro kishte kërkuar për një litër antifriz. 

Komuna e Skenderajt ende nuk ka dhënë përgjigje në pyetjen e Gazetës Jeta në Kosovë se sa ka qenë vlera totale e kontratës e lidhur më 2012.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar me Musaj Hajdarin, bashkëpronar në këtë firmë. 

Ai ka folur në emër të “Alfa Trade”. 

Thotë se kompania e tij i plotëson kushtet për të lidhur kontrata publike dhe se nuk ndikon afërsia me partinë në pushtet në Skenderaj.

“Ne kemi qenë kompania me çmimin më të mirë ofertues dhe kemi fituar. Besoj që nuk është problem. Thjesht, i kemi plotësuar kushtet,” thotë Hajdari. 

Ai shton se rritja e biznesit e tij tregon për korrektësinë e “Alfa Trade”.

“I kemi 70 punëtorë në të gjitha pikat dhe i kemi  8 pika të derivateve në Komunë të Prishtinës, të Skenderajt dhe në të  Lipjanit,” thotë Hajdari. 

Shton se me këtë biznes familja Hajdari merret që nga viti 1991 dhe planifikon të hapin edhe pikën e tetë të shitjes së derivateve të naftës.

Ngjashëm me Hajdarin deklaron edhe Komuna e Skenderajt.

Hajriz Koci, zëdhënës i kësaj komune, thotë se “Alfa Trade” i plotësoi kushtet për të lidhur kontratë me autoritetet komunale.

Oferta me çmimin më të ulët ishte kriter përcaktues, pohon Koci.

“Ne këtë aspekt Komuna e Skenderajt respekton ne përpikmëni kriteret e përcaktuara në nenin 60 të këtij ligji, (Ligji i Prokurimit) që do të thotë se është përzgjedhur oferta me çmimin me të ulët dhe janë respektuar kriteret e tjera sipas ligjit,” thotë Koci. 

“ Është konflikt interesi”

Kritika lidhur me tenderët e fituar nga “Alfa Trade” jep Ajnishahe Halimi, asambliste pavarur në Kuvendin Komunal të Skenderajt.

Thotë se autoritetet komunale po e shkelin ligjin duke i dhënë tenderë asamblistit të PDK-së.

I referohet Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

 “Kjo është drejtpërsëdrejti konflikt interesi. Këtu nuk ka dyshim. Por këta më nuk po dallojnë asgjë. Janë bërë të gjithë njëjtë,” thotë Halimi.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar edhe dy ligjvënës tjerë lokalë. Një të LDK-së e një të AAK-së. 

Që të dy u treguan të rezervuar.

Cenë Behrami, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se nuk ka shumë njohuri lidhur me këtë tender.

Shton se nuk është në interesin e tij të jetë i informuar për këtë çështje, përkundër se si ligjvënës obligohet të jetë i informuar lidhur me shpenzimin e parasë publike. 

“Unë nuk e di a paraqet konflikt interesi, a jo. Edhe s’dua të komentoj në lidhje me këtë punë,” thotë Behrami. 

Mendim të njëjtë pati edhe asamblisti i Aleancës Për Ardhmërinë e Kosovës, Qazim Xana.

“Një gjë të tillë besoj që e vendos tjetërkush dhe jo ne asamblistët. Unë nuk di asgjë,” thotë Xana.

Ndërkaq asamblisti Musaj Hajdari që fitoi tenderin thotë se koleget e tij të asamblesë nuk kanë arsye që të ankohen për këtë punë.

“Nuk ka pas çka me u anku opozita. Nëse duhet të ankohet dikush, atëherë janë kompanitë që kanë konkurruar. Po me sa di askush nuk ka pasë ankesa kur ne kemi fituar,” thotë Hajdari.

Konflikt Interesi?

Musaj Hajdari, bazuar në regjistrimin e biznesit të “Alfa Trade”, përveç të qenët pronarë aksionesh është edhe person i autorizuar. 

Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit ndalon zyrtarët e lartë publikë që të mbajnë pozita drejtuese në firma private gjatë kohës sa ushtrojnë postin publik.

Agjencia Kundër Korrupsion ka marrë dhjetëra vendime nëpërmjet të cilëve ka detyruar zyrtarët e lartë që të japin dorëheqje nga pozitat menaxhuese në firmat private. 

Hasan Preteni, drejtor i Agjenisë, i kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë deklaroi se ky rast do të trajtohet nga Kundërkorrupsioni.

Gazeta Jeta në Kosovë ka pyetur edhe Komunën e Skenderajt lidhur me kufizimet që përcakton ky ligj dhe si ka ndodhur që zyrtari i lartë që mban edhe pozitë menaxhuese të fitojë edhe kontrata publike.

Zëdhënësi komunal Hajriz Koci thotë se ky rast nuk asnjë lidhje me konflikt të interesit. 

 “Rasti që ju përmendni nuk paraqet konflikt interesi, pasi anëtari i asamblesë komunale nuk ka asnjë rol  ne fushën e prokurimit,” tha Koci. 

Sipas tij kuvendi komunal nuk merr vendime që kanë të bëjnë me fushën e prokurimit publik. Po ashtu ligjvënësi Hajdari, sipas Kocit, nuk ka asnjë lidhje familjare me përgjegjësit në zyrën e prokurimit.

“Bashkëpronari i kompanisë në fjalë (Musaj Hajdari-“Alfa Trade”) që është anëtar i Kuvendit Komunal nuk ka asnjë lidhje farefisnore ose lidhje tjetër me asnjërin nga zyrtarët e Zyrës se Prokurimit, e as me anëtaret e Jurisë, e cila bën vlerësimin e ofertave gjate procedurës se përzgjedhjes,” thotë Koci.

Ndërkaq ligjvënësi Hajdari, i pyetur nga Gazeta Jeta në Kosovë për kufizimet e këtij ligji, thotë se nuk është shumë i informuar me përmbajtjen e tij.

Ai nuk e përjashton mundësinë që veprimet e tij të bien ndesh me këtë ligj.

 “Në qoftë se është e specifikume me ligj është konflikt interesi, në qoftë se nuk është, atëherë nuk është konflikt interesi,” thotë Hajdari.