Qindra mijëra euro u harxhuan për objektin e Operës që nuk u ndërtua kurrë

Mbi 840 mijë euro janë dhënë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për ndërtimin e objektit të Operës dhe Baleti, që nuk është ndërtuar.

Në viti 2006 MKRS hartoi plane për ndërtimin e shtëpisë së Operës së Kosovës, (Teatrit të Operas dhe Baletit) së cilës edhe ia vuri emrin “Dr. Ibrahim Rugova”. Ndërsa, lokacioni për ndërtimin e këtij objekti u caktua te Fakulteti Teknik në Prishtinë.

Vetëm në 2009, MKRS arriti të nisë punimet për ndërtimin e tij, ku përveç vënies simbolike të gurthemelit dhe hapjes së një grope gjigande në vendin e caktuar për ndërtim, Ministria nuk bëri më shumë.

Pas shumë vitesh premtime e planifikime, ku u dhanë më shumë se 840 mijë euro, pak muaj më parë MKRS hoqi dorë përfundimisht nga ndërtimi i këtij objekti në vendin e caktuar, sipas një projekti të përzgjedhur në 2006.

Deri më tani, sipas zyrtarëve të MKRS-së për projektin për ndërtimin e objektit të Teatrit të Operas dhe Baletit, Ministria ka paguar dy kontrata të majme, ku secila peshonte më shumë se 400 mijë euro.

“Sipas informacioneve që u desht kohë për tu siguruar, sepse këto aktivitete ishin që nga viti 2007-të, MKRS për dizajn të projektit kryesor për ndërtim të Teatrit të Operës, kontrata ka qenë 420,000.00 euro, ndërsa për hapjen e gropës dhe vënien e themeleve, kontrata ka qenë 429,051.10 euro”, ka thënë Zana Fetiu, këshilltare e ministrit të MKRS-së, për KALLXO.com.

MKRS nuk ka dhënë më shumë informacione sa i përket shpenzimeve që janë bërë për këtë projekt, e as nëse do të përgjigjet ndokush për paratë e shkuara huq.

Megjithatë, MKRS nuk ka hequr dorë nga ndërtimi i objekti të TOB-së. Në fillim të muajit të shkuar Parlamenti i Kosovës miratoi vendimin për themelimin e institucionit të Operës së Kosovës, sipas Ligjit nr. 02/L-59 për Filharmoninë, Operën dhe Baletin e Kosovës.

Kurse sa i përket vendit se ku do të ndërtohet objekti, pas vendimit të Kuvendit të Kosovës, i mbetet MKRS-së dhe Komunës së Prishtinës të bien dakord për lokacionin.

Në një përgjigje të më hershme për KALLXO.com, zyrtarë të Komunës së Prishtinës patën deklaruar se, pavarësisht bisedimeve që ishin zhvilluar mes palëve për ende nuk është vendosur rreth lokacionit.

“Ende nuk është vendosur rreth lokacionit, por ju e dini që ky vendim i takon Kuvendit Komunal të Prishtinës. Nuk ka ndonjë vendim akoma rreth lokacionit të saktë. Prandaj mbetet që në takimet e radhës të definohet kjo çështje”, thuhej në përgjigjen e Komunës së Prishtinës, për KALLXO.com.

 

Ministria e Kulturës heq dorë nga lokacioni për ndërtimin e objektit të Operës te Fakulteti Teknik

Lokacioni për ndërtimin e Pallatit të Operës, Ministria e Kulturës dhe Komuna e Prishtinës me versione të ndryshme për pronësinë