Ramiz Lladrovci. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Qeverisja Lladrovci mes lavdeve e kritikave 

Me krenarinë e renditjes lart në vlerësimin e performancës në Drenas, Ramiz Lladrovci zbarkoi në debatin “Jeta në Komunë” për t’u përballur me opozitën e pabindur në saktësinë e vlerësimit.

Dhënia e tenderëve të shumtë për një kohë të shkurtër ndaj dy kompanive, mungesa e ujit të pijes, mbyllja e shkollave në tri fshatra, rrënimet e shtëpive janë vetëm disa nga temat që u diskutuan në debatin e së merkurës përballë Jeta Xharrës.

Jeta në Komunë, Drenas. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Në studio ishin edhe asamblistët: Beqir Kiqina nga AAK, Sokol Bylykbashi nga LVV, Vehbi Berisha – NISMA dhe Avdyl Gashi – aktivist nga Drenasi.

I sfiduar nga pyetjet e qytetarëve dhe të pranishmëve, Lladrovci u pyet edhe për fotografinë e tij me biznesmenin Mehdi Gjoka – i cili fitoi 20 tenderë për 15 muaj në këtë komunë.

Lladrovci u sfidua edhe për ndotjen e lumit Drenica, rrjedhjen e ujërave të zeza në këtë lum, gjendjen e banjove në QKMF-në në Drenas e mes tjerash edhe për rrugë të paasfaltuar. 

‘Monopoli’ me tenderë 

I pari i Drenasit ishte agresiv në arsyetimin e tij se nuk jep tenderë për askënd, kur iu prezantuan gjetjet e hulumtimit për fituesit e shumëfishtë të tenderëve në Komunë.

“Ligji nuk ma lejon që me dhanë unë tendera. Zyra e prokurimit lidh marrëveshje në bazë të specifikave dhe çmimit që ofertojnë. Nuk fitohen tenderët me çmimin ekonomikisht me të mirë, po më të lirë”, tha ai.

Ai madje tha se askush nuk ka të drejtë t’a gjykojë se me kënd pin kafe.

Mehdi Gjoka dhe Ramiz Lladrovci/ Foto: Facebook, prill 2019.

“Unë edhe me qytetarët e mi pi kafe, se nuk jemi në komunizëm qe me m’tregu dikush se me kë pi kafe, e më kë jo… Tenderët unë as nuk i jepi, e nuk mundet me ma ndalu askush me kanë me nejtë e me pi kafe, nuk i këqyri unë kush i merr tenderat, po cilësinë e punës, edhe punët qysh i bën dhe a e respekton qat kontratë që e ka nënshkru”, shtoi Lladrovci.

Ai deklaroi që janë duke bërë zvogëlim të dhënieve të kontratave në mënyrë që për një rrugë të shkurtër mos të jepet tender i posaçëm.

Mungesa e ujit të pijës 

Janë afër 70 për qind të fshatrave të Drenasit që ende nuk e kanë të zgjidhur çështjen e ujit të pijes. 

Fshatrat që vazhdojnë të mbesin pa ujë të pijshëm janë: Shtuticë, Vërboc, Tërstenik I dhe II, Gllobar, Baicë, Likoshan, Gllanasellë, Godanc, Dobroshec, Çikatovë e Vjetër, Krajkovë, Shtrubullovë, Zabel i Ulët, Korroticë e Ulët, Poklek, Vasilevë,   Nekoc, Kizharekë, Nekoc, Fushticë e Ulët dhe Korroticë e Lartë.

Komuna e Drenasit e cila planifikonte që në qershor të vitit 2019 të fillonte furnizimin me ujë të pijshëm ka kuptuar se rrjeti i gypave të ujësjellësit të vendosura në qeverisjen e kaluar, ka mangësi.

Gypat të rezervuari në Kamenicë – Drenas Foto:Kallxo.com

Për këtë projekt, janë arrestuar zyrtarë të komunës së Drenasit, një ish-zyrtar dhe një person i kontraktuar për menaxhimin e një projekti tenderues të disa viteve më parë.

Sipas raportit të performancës, Drenasi tek furnizimi me  ujë të pijes është renditur e 20-ta me 81.84 për qind.

Si rrjedhojë, për shkak të situatës Lladrovci nuk ka dhënë afat kohor se kur do të kenë këto fshatra ujë të pijes.

“Kur e kam kry rrjetin vjet është dashtë me pas 22 katune ujë, kur jam shku me u lidh në rrjet primar, kemi pa që s’ka gyp ka qenë një gropë, e gypat s’janë kanë të lidhne. Edhe një segment e kam dergu në hetuesi, më ka marrë një vit e ca për me mujt për me qel, se unë nuk kam drejtë për të pestën herë me qel tenderin. Gjykata i ka ngrit aktakuza edhe janë arrestu zyrtarët…..më ka dal në dhjetë vena uji mbi tokë, ma ka prish edhe asfaltin se nuk ka pas gypa nër tokë”, u shpreh ai.

Ai ka deklaruar se në komunën e tij ka të punësuar disa zyrtarë që kanë aktakuzë por nuk mundett’i suspendojë nga puna sepse nuk ia lejon ligji.

Lirimi i pronave të uzurpuara 

Komuna e udhëhequr nga Ramiz Lladrovci ka ndaluar ndërtimet pa leje në zonat urbane, qendrën e Drenasit dhe Komoran, si dhe uzurpimin e pronës komunale. 

Por vazhdojnë të jenë edhe afër 5 mijë prona të komunës që janë të uzurpuara.

Lladrovci gjatë emisionit “Jeta në Komunë” është pyetur se përse nuk po i publikojnë emrat e uzurpatorëve të komunës.

I pari i Drenasit tha se nuk mund t’i publikojnë emrat e afër 5 mijë uzurpatorëve, duke thënë se ka prona që Komuna është vet uzurpatore.

 Ai tha se Lagjja e Dëshmorëve është në pronë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

“5 mijë e disa prona të komunës janë të uzurpune. Dikush e ka uzurpu me shpi, dikush me një muri e dikush me arë. Ne po i lirojmë pronat aty po na pengon gjatë zhvillimit të projekteve. Na smujm me i liru 5 mijë prona e as nuk kemi me mujtë…Lista e pronave të uzurpuara është publike në faqen e komunës, janë pronat, kujt i vyn vjen i merr. Uzurpatorë janë 4 mijë e 907 e janë qaq shumë saqë ju nuk mundeni me i lexu. Unë në ëebsite nuk mund me i qit me emra. S’mundem me i qit se janë shumë”, u shpreh Lladrovci.

Ndërlidhur me këtë çështje, në reportazhin “Zëri i qytetarit” një banor i fshatit Komoran kërkoi kompensim nga Komuna për rrënimin e shtëpisë së tyre. 

Një vendim i Lladrovcit ka rezultuar me rrënimin e pesë shtëpive që nga muaji gusht. 

Arsyetimi i Komunës është se aty po ndërtojnë një shkollë profesionale. 

Indikatorët e performancës për Drenasin

Komuna e Drenasit është radhitur e para me përformancën më të mirë komunale, në raportin e Ministrisë së Pushtetit Lokal. 

Drenasi ka arritur të përmbushë 77.04% të kritereve vlerësuese pasuar nga Hani i Elezit me 75.78%  dhe Rahoveci me 75.20%.

Në matje grumbullohen të dhëna që nga cilësia e administratës, mbrojtja e mjedisit, infrastruktura e deri tek përfaqësimi gjinor.

Vlerësimi i performancës komunale për Drenas/ Grafika: Kallxo.com

Fusha tjetër e cila matet në këtë raport është  transparenca komunale ku hyjnë publikimi i informacioneve në ueb faqen e komunës, transmetimi i mbledhjeve të asamblesë dhe transparenca në prokurimin publik. Në këtë pikë Drenasi është vlerësuar se ka përmbushur në masën 100% kriteret. Drenasi është radhitur e katërta me 100 për qind në fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. 

Në fushën tjetër atë të menaxhimi të fatkeqësive Drenasi është vlerësua me 100% pasi ëshë vlerësuar se I ka të gjitha planet dhe gatishmërinë tu përgjigjet situatave të fatkeqësive dhe krizave të pakontrolluara.

Në anën tjetër, për mbledhjen dhe deponimin e mbeturinave si dhe grumbullimin e të hyrave nga faturat e lëshuara për menaxhimin e mbeturinave, Drenasi është vlerësuar me 75.29 për qind në vendin e 20-të. 

Në vendin e 20-të është edhe tek furnizimi me ujë të pijës ndërsa në transport publik është komuna e 17. 

Por, e 18-ta është renditur në fushën e infrastrukturës rrugore. Drenas në këtë fushë ka 51.91 për qind. Kjo fushë matë rrugët komunale dhe infrastrukturën përcjellëse që janë nën kompetencën e komunës, që përfshinë edhe përmasimin e infrastrukturës rrugore me trotuare, ndriçim, shenjëzim si dhe shteg të biçikletave.

Premtimet për arsim të parealizuara 

Ndër premtimet që u matën nga platforma KRYPOMETRI janë shpërndarja e shujtave për nxënësit dhe katër çerdhet në katër vite.

Lladrovci e pranoi se nuk e ka realizuar premtimin për shutja duke thënë se nuk ka pasur buxhet

“Nuk kemi pas buxhet edhe nuk e kemi realizu, e kam premtu se kam realizu. Nuk e ka votu kuvendi, me shumicë votash, nuk ka kalu buxheti, çka kena me ba”, tha Lladrovci.

Një tjetër premtim që rezultoi “rrenë” është edhe ai se nëpër institucione arsimore do t’i emëronte 12 gra drejtoresha. Nga 33 institucione arsimore sa ka kjo komunë, vetëm 8 shkolla udhëhiqen nga gratë.

Megjithatë Lladrovci ka arritur ta ruajë barazinë gjinore nëpër drejtori komunale. Nga 12 drejtori janë 6 udhëhiqen nga gratë.

Kurse, lidhur me çerdhet ai u arsyetua me faktin se çerdhet nuk mund të ndërtohen pa staf, e që për këtë fundit thotë se nuk mund ta rris.

“Unë të thojsha, na mujmë me i maru edhe 4-5 sepse kam buxhet, edhe kam investetor. Po stafin nuk muj me rrit, e për shkak të stafit nuk muj me premtu me ndertu çerdhe. Unë jam në proces të ndërtimit të dy çerdheve me Bashkimin Evropian edhe me e i nda brenda shkollave”, tha Lladrovci.

Kritikat e opozitës për ndotjen e lumit Drenica

Ngordhja e peshqve në lumin Drenica, si pasojë e ndotjeve është shqetësim tjetër i banorëve të fshatit Qikatovë e Vjetër, që u ngrit në debat.

Banorët e këtij fshati pretendojnë se ndotja po vjen nga kompania “Feronikeli”.

Lladrovci e ka mohuar këtë pretendim, duke shtuar se kjo nuk është vërtetuar nga asnjë inspektorat.

“Këta peshqi, sipas të informatave kanë ngordhë nga Qendra e Transferit të mbeturinave të tunelli në Qikatovë, ku e kanë ndërtu vet Ministria e Ambientit bashkë me donatorë tjerë. Pra, kopilin e vetë kanë dashtë me na e gjujtë neve, por e bajshin me shnet, ata që e kanë ba edhe e kanë lanë që ujërat m`u derdh. Na tash kemi marrë masa”, u shpreh Lladrovci.

Asamblisti i Drenasit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sokol Bylykbashi po ashtu ka fajësuar komunën për ndotjen e lumit Drenica dhe për derdhen e ujërave të zeza aty.

Sokol Bylykbashi, LVV. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

 “Lumi Drenica ndotet nga operatorë të ndryshëm në këtë rast edhe nga Feronikeli, por edhe nga ekonomitë familjare. Mirëpo po du me përmend një fakt, komuna kontribuon drejtpërdrejt me u ndot ky lum ma shumë, pra me u kriju një lloj rezervari i ujërave të zeza. Sepse nuk ka shumë kohë ndoshta dy-tre muj ku Komuna e ka ba një kanalizim në lagjen 4, edhe e kanë pru gypin deri të lumi”, tha Bylykbashi.

Asamblisti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Beqir Kiqina tha se komuna e ka lanë pas dore këtë lum e po i hedh fajin ministrisë.

“Ky ka dhanë shumë premtime të cilat nuk i ka realizu sa i përket menaxhimit më të mirë të lumit Drenica. Ky lum është në gjendje të mjerueshme, ku ujerat të zeza derdhen në lum. Kyretari nuk ka marrë masa edhe po tenton t’ia hedh fajin ministrisë”, u shpreh ai.

Beqir Kiqina, AAK. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Lladrovci u kundërpërgjigj duke thënë se asamblistët po mundohen të bëhet “ekspertë të gjitha çështjeve”.

Në emisionin “Jeta në Kosovë” në muajin qershor 2020 ishte diskutuar edhe çështja e ngordhjes së peshqve në lumin Drenica.

Mbyllja e shkollave 

Një tjetër vendim i Ramiz Lladrovcit në tetor të vitit 2018 ka nxitur reagime të qytetarëve dhe asamblistëve opozitarë duke hedhur kritika në drejtim të kryetarit të Drenasit. 

Vendimi i Komunës së Drenasit rezultoi me mbylljen e tri shkollave në fshatrat Abri e Epërme, Gjergjicë dhe Godanc.

Në kuadër të reportazhit “Zëri i qytetarit” që u transmetua në emisionin “Jeta në Komunë” qytetari i Drenasit ka kërkuar hapjen e shkollës në fshatin Abri të Epërme.

Ndërlidhur me këtë temë u përmend fakti që kryetari i PDK-së, Kadri Veseli për mbylljen e shkollave në Kamenicë kishte thënë në këtë qytet se ata nuk mbyllin shkolla.

Për këtë, Lladrovci tha se ai nuk i ndjek politikat e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

“Unë nuk i ndjeki politikat e Partisë Demokratike, unë ia ndriti fytyrën me punë. Dhe kjo u kanë puna jem”, u shpreh i pari i Drenasit.

Asamblisti Berisha e pyeti kryetarin se përse nuk i ka mbyllë shkollat tjera që i kanë pas numër më pak se shkollat qe i ka mbyll?!

“Pse nuk po e zbaton kriterin e njëjtë edhe në Likoshan që ka numër më të vogël”, u shpreh ai.

Vehbi Berisha, NISMA. Foto: Urim Kransiqi/KALLXO.com

Lladrovci u kundërpërgjigj duke thënë se asamblisti nuk po e din të dallojë ndarjen e paraleles me shkollën.

“A e din çka është paralele e shkollës të një fshati dhe shkollë e një fshati. Kur të mësohesh me i dallu këto ta jepi përgjigjen”.

Njëjtë edhe asamblisti i AAK-së, kritikoi Lladrovcin për mbylljen e shkollave disa ditë para fillimit të vitit të ri shkollor.

Asamblisti Beqir Kiqina tha se shkolla u mbyll me 120 nxënës e u hap me 85 nxënës.

Gjendja e banjove në QKMF-në në Drenas

Lladrovci u përball edhe me pamje të banjos së QKMF-së “Dr. Hafir Shala” në Drenas, në të cilat shfaqej mungesa e ujit të rrjedhshëm dhe sapunit në muajin maj 2020.

Përveç asaj, u transmetuan pamje të së njëjtës banjo edhe të xhiruar në muajin tetor, ku tregohej se ujë ka por sapun jo.

I pari i Drenasit nuk u pajtua me këtë gjendje. Ai bëri të ditur se do të nisin një QKMF të ri, e që “nuk është i interesuar të investojnë” në një objekt afër 60 vjeçar.

“Unë nuk e di kush e ka fajin. Najherë mundet mos me pas ujë, ose me mshel dikush që i thirrë gazetarët. Tana i ka, nuk është problem që me ndalë qepin mos me qitë ujë. Unë pe pranoj që pastrimi nuk është në nivel, sepse është një objekt që i ka 50-60 vjet i ndërtum. E për këtë kam memorandum me qeverinë për ndërtimin e QKMF-së së re. Pra, nuk jam i interesum me investu në një objekt që ka me qenë jo funksional”, tha Lladrovci.